Bisedoi Andreas Dushi
Monografia e tij për shtypshkronjën e parë shqiptare më ka befasuar, si për nga qasja metodike ndaj historisë së saj, si për nga skrupuloziteti kërkimor për të arritur rezultatet e dëshiruara. Pastaj, kur u njoha me historinë e tij, u mahnita: Një djalë që përpiqet të njohë Zotin brenda protestianizmit, vjen në Shqipëri për t’i sjellë një miku të tij një makinë dhe rastis njëherazi me Papa Gjon Palin II. Kjo përvojë i ndryshon jetën, duke e bërë të dashurohet edhe me Shqipërinë, edhe të ndjekë një rrugë krejt tjetër prej asaj të mëparshmes, atë të meshtarisë si prift katolik.
Dom Markus Peters jeton në Zivcër, ku edhe shërben si meshtar prej shumë vitesh tanimë, ama lidhjen me Shqipërinë e ka të fortë e të përhershme, ashtu sikurse edhe vizitat. Në këtë bisedë për “ExLibris” flet për jetën e tij dhe studimet në fushën e albanologjisë, si dhe për bibliotekën e pasur që ka mundur të krijojë përgjatë viteve.
A.D.: Dom Markus, për herë të parë e kam dëgjuar emrin tuaj kur në Shqipëri, shtëpia botuese “Ylber” botoi monografinë për të parën shtëpi botuese në vendin tonë, “Tipografia e Zojës së Papërlyeme”. Si ju lindi dëshira të merreni me zanafillën e editorisë shqiptare?
M.P.: Ishin Jezuitët e Shkodrës, bashkë me Willy Kamsin, të cilët më dhanë idenë të merrem me këtë shtypshkronjë. Mbasi kisha mbledhur/blerë mjaft libra, arrita të kuptoj se nuk flasim thjesht për një “shtypshkronjë”, por, më shumë, për një shtëpi botuese, e cila mori përsipër, përveç anës teknike të shtypjes së librave, edhe përzgjedhjen e materialit, përshtatjen, shtypjen, publicitetin si dhe – më në fund – edhe përhapjen dhe shpërndarjen e tyre në një mënyrë shumë sistematike. Dhe kjo, në një periudhë të historisë së Shqipërisë në të cilën, pushtetin shtetëror e kishte Perandoria Otomane!
Kjo veprimtari më çoi në konkluzionin se sa e rëndësishme ka qenë ajo për zhvillimin e një ndërgjegjeje kombëtare e cila arriti kulmin më 28 nëntor të vitit 1912.
Një kontribut të rëndësishëm e shoh edhe te mësimet e gjuhës amtare, nisur në shkollat jezuite me propozimin e Gjeneralit të Jezuitëve, At Marcucci, i cili kishte parasysh avantazhin e studentëve të rinj kur mësonin më mirë në shqip sesa në italisht lëndët e tyre shkencore. Shumë përshtypje më bëri edhe botimi i gramatikës së parë, vite para gramatikave të tjera që kanë dalë në vendet e mërgimit shqiptar.
A.D.: Po përgjithësisht, interesi për Shqipërinë, nga buron, me se lidhet? Sepse deri para pak kohësh, isha i bindur se ju shërbeni a së paku, keni shërbyer për një farë kohe si meshtar në Shqipëri, ama mesa mora vesh, jo…
M.P.: Interesi për Shqipërinë më ka lindur qysh në kohën e studimeve të mia teologjike (luterane) në Universitetin e Marburgut. Rreth viteve 1988-1992 kam ndjekur me shumë interes dhe kureshtje ligjëratat dhe seminaret e profesorëve shqiptarë në atë universitet, sidomos të fushave të arkeologjisë paleokristiane dhe të mbrojtjes së monumenteve të krishtera (kisha, manastire, baptistere…). Docentët më të famshëm në atë kohë ishin prof. Aleksander Meksi, Gëzim Hoxha, Neritan Ceka, Apollon Bace, Kliti Kallamata etj.
I pari “kontakt fizik” ka ndodhur më 26 prill të vitit 1993: rastësi apo jo? Arsyeja kryesore ishte që i kisha premtuar mikut tim Kliti që t’ia çoj në Korçë makinën e blerë në Gjermani, thjesht si “shërbim për mikun”. Kështu u bë: më 25 u nisa me traget prej Triestes për në Durrës, dhe më 26 prill mbërrita në Durrës dhe shumë vonë natën edhe në Korçë te familja e tij. Shumë më vonë, mora vesh se 26 prill nuk është “ndonjë datë”, por ishte dita e vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, si dhe dita e Festës së Zojës së Shkodrës (“Zoja e Këshillit të Mirë”)! Nuk besoj më në ndonjë “rastësi”…
A.D.: Sa të rëndësishme e shihni ndërlidhjen mes historisë së Kishës në Shqipëri dhe vetë historisë së vendit tonë? Komunikimi ndërmjet realitetit religjioz dhe atij historik, në çfarë niveli ju duket?
M.P.: Kisha Katolike në Shqipëri (shpesh quhet gabimisht “Kishë Katolike Shqiptare”, një krijesë artificiale e sistemit të pasluftës) ka kontribuar shumë në historinë e zhvillimit të vendit dhe të ndërgjegjes kombëtare, pak a shumë rreth kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe të aktiviteteve të mërgimit shqiptar në Bukuresht, Bruksel, Boston, Stamboll etj. Mirëpo, trimëria e madhe e kishës, sidomos e urdhrit Jezuit, qëndron në punën pedagogjike dhe shkencore mu në qendër të Shqipërisë së sotme! Kush tjetër kishte një guxim të tillë në atë kohë? Të mos harrojmë se ka pasur nevojë për anije luftarake austro-hungareze në vitin 1859 lidhur me ndërtimin e shkollës/të seminarit në Shkodër! Pa ndërhyrjen ushtarake të fuqive ndërkombëtare (Austria, bashkë edhe me Anglinë dhe Francën), s’do të kishin arritur kurrë ndërtimin e shkollave atje, respektivisht dëmshpërblimin për shkatërrimin e seminarit të vitit 1841/42.
Me një fjalë: vetëm agresiviteti i autoriteteve otomane në atë qytet ndaj kishës tregon dhe vërteton peshën e kontributit të kishës për zhvillimin e shoqërisë shqiptare nga të gjitha anët: lufta kundër analfabetizmit, përgatitje për arsimin e lartë, zhvillimin e shkencave filozofiko-teologjike, por edhe të natyrës. Përveç kësaj s’duhet të harrohet edhe ruajtja e gjuhës shqipe nëpërmjet shtypjes së katekizmave, librave të lutjeve, predikimeve për popull dhe librave shkollorë. Dhe kjo qysh nga mesi i shek. XVI, duke filluar me “Mesharin” e Dom Gjon Buzukut (i cili në të vërtetë nuk është “meshar”, por një “manual liturgjik”, pak “revolucionar” bile në kohën e “Kundërreformacionit” dhe të Koncilit të Trentos, i cili urdhëroi si të vetmen gjuhë liturgjike latinishten dhe jo gjuhët kombëtare).

A.D.: Mund të ma përshkruani pak bibliotekën tuaj albanologjike? Si u krijua, cilët ekzemplarë veçoni si më të çmuarit, nga sa libra përbëhet etj.?
M.P.: Qysh herët, asnjë vit të plotë pas udhëtimit tim të parë në Korçë, kam udhëtuar me makinë (aventurë e vërtetë në atë kohë…) në Shkodër, sepse ligjëratat dhe seminaret e docentëve shqiptarë në Marburg më kanë zgjuar një kuriozitet të papërshkrueshëm dhe të paimagjinueshëm lidhur me krishtërimin shqiptar, forcuar edhe nga fakti se kam studiuar teologjinë atje, duke u përgatitur për punën e pastorit luteran (vetëm me vonë, në Maj 1995 jam kthyer në Kishën Katolike dhe kam marrë sakramentin e Krezmimit nga dora e Arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Frano Illia). D.m.th. automatikisht kam filluar me kuriozitetin e një studenti të ri të mbledh sa më shumë burime të shtypura të katolicizmit shqiptar.
Kështu kam arritur koleksione të plota të revistës më të vjetër “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (1891-1944), të “Hyllit të Dritës” (1913-2024), të revistës “LEKA” (1929-1944), “Zani i Shna Ndout” etj. Falë Zotit, kishte akoma familje të qytetëruara shkodrane të cilat i kishin ruajtur me gjithë rrezikun që paraqiste kjo pronë për diktaturën. Pastaj kam arritur edhe një koleksion të konsiderueshëm të publikimeve të tjera të “Zojës së Papërlyeme”, mbase diku te 70%….
Më të çmuarit janë patjetër të gjitha publikime para Revolucionit Xhonturk, respektivisht para shpalljes së pavarësisë. P.sh. libri i parë i botuar në Shqipëri, katekizmi i Vikarit të Përgjithshëm të Shkodrës Dom Engjëll Radoja (1876), Gramatika e gjuhës shqipe nga penda e P. Giacomo Jungg SJ (1880) si dhe fjalori i tij italisht-shqip (1895). Mos të harrojmë edhe veprat e autorëve të Rilindjes Kombëtare si p.sh. të Dom Ndre Mjedës (poemi i famshëm u botua për herë të parë nga Jezuitët v. 1878!) o të A. Gjergj Fishtës O.F.M.: Vjersha të Përshpirtshme, të cilat janë përshtatur në shqip nga A. Gjergji dhe botuar me nismën e A. Francesco Genovizzi-t S.J. (e kam atë libër me një dedikim të A. Gjergjit për A. Francescon në bibliotekë).

A.D.: Konkretisht, dom Markus, cila është fusha juaj e specializimit në botën akademike? (Historia, antropologjia…?) Përse i jeni përkushtuar pikërisht asaj?
M.P.: Unë vetë quhem “historian” (i kishës dhe i arteve). Në kundërshtim me shumë meshtarë/teologë të tjerë, jam tërhequr gjithnjë jo kaq shumë nga filozofia dhe dogmatika, kurse historia ishte dhe është gjithmonë diçka e cila:
1. Lidhet drejtpërsëdrejti me njeriun dhe zhvillimin e tij (me këtë sens mund ta quash edhe “interes antropologjik”, sepse antropologjia ka të bëjë shumë me historinë);
2. Historia është “diçka e kapshme”, diçka konkrete që mund ta “kapësh” gati-gati me dorë nëpërmjet shkrimeve, botimeve, dëshmive të dëshmitarëve të kohës…..
Historia e kishës është edhe historia e njeriut të cilit i kam premtuar gjatë kushteve të mia, respektivisht gjatë shugurimit tim si meshtar në vitin 2008 në Vaduz t’i shërbej deri në fund të jetës sime.
A.D.: Po tani, me çfarë po punoni?
M.P.: Momentalisht (respektivisht qysh prej vitit 2018/19) kam në dorë një studim mbi shërbimet postelegrafonike (PTT) të Shqipërisë gjatë viteve 1939-1944, duke përfshirë sidomos periudhën 1941-1944, d.m.th. “Shqipërinë Etnike”. Vetëm kjo tregon sa delikate është kjo punë. Ka shumë implikime politike. Edhe fakti që drejtorët e asaj kohe ishin katolikë shkodranë: Inxh. Ndoc Naraçi (1899-1988) dhe Dr. Ludovik Zojzi (1908-1943). Ai i fundit u vra nga komunistët që donin ta bindnin të shkretin për ideologjinë e tyre; dhe meqenëse nuk arritën dot planin që kishin, e vranë më 15 shtator 1943, vetëm një ditë pas shpalljes së çlirimit të Shqipërisë nga Fashizmi. Ndërsa, drejtori i përgjithshëm, Ndoc Naraçi, vuajti gati 15 vjet nëpër burgje dhe kampe të ndryshme, vetëm sepse ai shërbeu për disa javë (as një muaj) si Minstër i Ekonomisë Kombëtare në vitin 1943.
Me një fjalë: edhe kjo është një punë shumë prekëse për mua. Ndërkohë kam zhvilluar zakonin të kaloj edhe nga varret e tyre në Stom-Golem dhe te Rrmajt e Shkodrës për t’i bekuar (duke vënë edhe ndonjë lule të bukur mbi to). Ndërkohë kam gjetur falë Zotit edhe varrin e Drejtorit të Shërbimeve Postare, Androkli Buxhuku, edhe ai i krishterë ortodoks, në Sharrë të Tiranës. Shkurt: edhe kjo punë paska një element “antropologjik”, sepse çdo lloj komunikimi (të cilit i shërben PTT-ja) ka të bëjë me një dëshirë shumë të thellë të njeriut.
Në një gazetë të verës së vitit 1944, kam lexuar një artikull shumë prekës nga shpërdarësit e postës, ku përshkruajnë mundin, bile vuajtjen e tyre sa për t’u lidhur me njerëz: qofshin lajme të gëzueshme (pagëzime, martesa….) qofshin lajme të hidhura (vdekje…). Me këtë sens, posta nuk është thjesht ndonjë shërbim administrativ o teknik, por ka të bëjë thellësisht me dëshirën e njeriut dhe me nevojën për komunikim – midis individëve, institucioneve, shteteve… Nuk flasim dot (vetëm) për një koleksion zarfash o vulash… Sigurisht edhe për këto…
A.D.: Besoni se edhe postë-telegrafia-telekomunikimi ka pasur një rol thuajse po aq të rëndësishëm sa shtypshkrimi, apo këtu janë dy gjëra komplementare, plotësuese të njëra-tjetrës, jo të lidhura drejtpërdrejt?
M.P.: Fiks! Edhe komunikimi postelegrafonik (shkurtim i asaj kohe) ka të bëjë “me njeriun” si edhe predikimi i meshtarit o i hoxhës për bashkësitë e tyre! Prandaj ka shumë lezet edhe koleksioni i telegrameve dhe i kartolinave të cilat tregojnë përmbajtjen. Në koleksion kam edhe – sa p.sh. – tri kartolina të Josef Marxen-it, meshtar i Köln-it, i cili ka shërbyer gjatë Luftës së Dytë në Shqipëri, dhe i shkruan familjes së tij në Gjermani. Këto kartolina përmbajnë shumë detaje të jetës së përditshme, trishtime, dyshime, emocione… Sigurisht, një koleksion i tillë është edhe mjaft delikat dhe jo çdo gjë duhet të dalë në dritën e publikut, kuptohet.
A.D.: Shumë vonë, u njoha me një tjetër pasion tuajin, atë të filatelisë. Keni një koleksion të filatelisë shqiptare? Nëse po, çfarë mund të thoni për të, krahasuar me filatelinë e vendeve të tjera më të zhvilluara?
M.P.: Pasioni për filatelinë dhe historinë postare të Shqipërisë ka filluar herët, rreth vitit 1994 kur kalova në një ditë të bukur nga kiosku i Niko Xharos, i cili shiste antikuariate të ndryshme në dyqanin e tij, ndër të tjera edhe sende filatelike. Më në fund, kam ndier të njëjtin motivacion si gjatë “shëtitjeve” të mia në Shkodër për të gjetur sa më shumë shtypshkrime të së kaluarës. Edhe historia postare tregon kaq shumë për zhvillimet kulturore, artistike, politike të një kombi. Gati nuk guxoj t’ju rrëfehem se “pasioni” im për filatelinë shqiptare paska filluar madje si fëmijë: isha 5 vjeç, banues në Langen afër Offenbach-ut dhe në dhomën time ishte e ngjitur me gomën e saj një pullë postare me emrin mjaft “enigmatik” për mua: “Shqipëria”. Më lindi pyetja: në cilin vend mund ta ketë vallë prejardhjen? E shqiptova ala gjermançe “Sh-k-i-p-e-rja”. Por ama s’kisha asnjë ide nga cili vend mund të ketë mbërritur në dhomën time. Ishte një pullë e viteve 1970 nga seria e famshme e maceve…
A.D.: Si një studiues i përkushtuar i historisë së kishës në Shqipëri, cilat studime do të shquanit si referencialë për këtë çështje? Po filloj unë, “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri, 1919-1993”. Po për periudhën e mëhershme, para Pavarësisë?
M.P.: Në të dy librat e mi gjenden qindra referenca, lidhur edhe me periudhën e mëparshme të kishës. Për antikitetin/krishtërimin e lashtë është akoma shumë i këshillueshëm studimi i fortë i Aleksandër Meksit mbi kishën paleokristiane (në: MONUMENTET 1985), pastaj kemi studime të Theodor Ippen, Milan Shufflay, Peter Bartl (Albania Sacra)…
A.D.: Për ta mbyllur, a ma përshkruani dot një ditë tuajën? Si e ndani kohën mes detyrave të klerikut, mirëmbajtjes së famullisë ku jetoni, studimeve dhe udhëtimeve?
M.P.: Me kënaqësi: çdo ditë ndahet me katër lutjet e meshtarit: mëngjesorja (diku midis 08-10), meditorja (diku midis 12-14) , Vespera (diku midis 16-18) dhe mbrëmësorja (midis orës 19-22, sipas punës). Meshët e Shenjta i kremtoj unë publikisht çdo ditë, veç ditës së hënë (këtë e kemi zakonisht “ditën e lirë”, d.m.th. me orar/vend Meshe sipas situatës). Falë Zotit, punojmë në Zvicër me kontratë pune dhe brenda sistemit shtetëror ligjor; kjo na siguron 6-7 javë me leje të zakonshme (1 javë për ushtrime të përshpirtshme, 5-6 javë (sipas moshës) për “pushime normale” si çdo njeri tjetër). Kështu shpjegohet edhe hapësira kohore për studime, udhëtime, angazhime kishtare jashtë famullisë… Mirëpo, mos ta harrojmë se edhe gjatë kohës me leje të zakonshme, jemi meshtarë! D.m.th. kur më kërkojnë besimtarët ndonjë bekim shtëpie, rrëfim, ndonjë lutje me një qëllim të veçantë, kurrë nuk refuzoj lutje/kërkesa të tilla – edhe gjatë “pushimeve”. Meshtaria është edhe “profesion”, por gjithnjë – dhe mbi të gjitha bile – thirrje dhe obligim ndaj Zotit dhe Kishës, kudo që të rrimë…