More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYmer Shkreli: Ky libër i duhur, i dendur, i dinjitetshëm

    Ymer Shkreli: Ky libër i duhur, i dendur, i dinjitetshëm

    Shaip Beqiri: “PËRULJA E ELITËS”, SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2024

    Në fillim qe fjala, (është thënë kjo), por asaj iu desht të shpikej libri. Fjalët i ha ndryshku, i mulon myku, për të mos thënë se i merr era. Prandaj u shpik libri, për fat. Dhe koha ngatërron mirë në të. Në librin. Edhe në librin si ky (Shaip Beqiri: “Përulja e Elitës”), ngatërron edhe mirë, besa. Qartë e qëndrueshëm. Sepse mendimi është pyll i dendur: ai është bima e natyrës njerëzore dhe nuk ka kafaz tjetër pos një si ky, librin. Mbase nga egoizmi e shquaj për kafaz. Por kohës “duhet hypur shqelma” sa s`ka ikur. E si, e pse?…

    Borhes e pranon se – as dimë kur ka nisur ajo (koha, pra) dhe as dimë kur mbaron e njëjta. Shaip Beqiri e ka zgjedhjen e mirë e të mundshme: me gurët e përsiatjeve të veta e ngre këtë piramidë, pa e pritur kohën që “as vetë ajo s`di nga do t`ia mbajë heraherë”. Kjo ëshë gjëja më e mirë që i bëhet harresës. Thjesht, kohën mos e lidh për hu të gardhit, por mbylle në kafazin që është – libër. Mos e lër mendimin tënd në shi e breshër, sepse nuk mjafton vetëm fjala “që qe në fillim”. Nuk mjafton as ai fillim, nëse u shpik për hir të fjalës. Por unë nuk po flas e shkruaj për fundin. Unë po flas e shkruaj për librin: për këtë libër, që fatbardhësisht as është i vetmi dhe as i fundit. Por është i duhur, i dendur, i dinjitetshëm. Pas këtyre tri “d”-ve, po më sulet dhe një (“d” më shumë) tjetër: është D-et i thellë ky libër. Një det publicistik, ku mendimet nuk rrinë rehat: shkaktojnë valë. Sepse mendimet këtë veti kanë. Deri në “cunami”. Mendimet nuk janë për të fshirë hundë e gojë, por për të shkundulluar trurin tonë. Për të lëkundur trurin tonë. Për t`u përballur me të vërtetën. E vërteta nuk është afër, kurrë. Por, cila ëshë ajo – “e vërteta”?… Ajo jemi ne, vetë. Dhe a ka njeri që ende dyshon në këtë?!

    Por duhet të jem më serioz: mos të përshesh në erë. Dhe ta them shkurt.

    Ky është një spektër i gjerë meditativ, një meditim i thekur në ndeshtrasha, një përthekje e çështjeve me ngulm, një ngulmim në qenësi të trajtimit dhe publicistikës, një profilim i po atyre qenësive që nuk na lënë rehat, dhe një gjithçka që i duhet mendimit tonë kritik për ta bërë edhe më të qenësishëm, edhe më të bindshëm, përtej pikës së vet kritike. Përtej mundësisë (dua të them), sepse mundësia nuk duhet të jetë limit. Gjërat duhet thënë deri në fundin e vet. Dhe ato duhet përballur e shoshitur edhe kur viktimizohemi, do të thosha (me kusht) shaipisht. Dhe të gjitha varen në një nyjë, ja, kështu disi. Të renditura në një si pentagram shumë meditativ, të vëna e të kundërvëna me realitetin (e përmbysur?) jetësor, pa dredhi, pa doreza, pa maskota dhe pa larushkime. Këto shkrime të Shaip Beqirit e meritojnë veten, vëllimin që kanë, autorësinë poaq të dinjitetshme që ngjeshin, dhe kanë ego të theksuar publicistike (nëse e thashë si duhet). Nëse jo, atëherë këto shkrime e meritojnë jo vetëm vetveten (si krijimtari), por dhe ne (si lexues)… Ky është një tempull ku do të gjejmë prehje intelektuale, sidomos kur të lodhemi me bestiaret e jetës që bëjmë. Sidomos kur të mërzitemi me heshtjen që na përgojon ose thashethënat që na e stolisin banalitetin e jetës së përditshme.

    Edhe më qartë: kur të lodheni me kopertinat e librave që mezi i gjejnë fletat e veta, hapini këto fleta dhe hidhini këto kopertina që të preheni në meditimin e dendur. Truri nuk lodhet, thotë shkenca e lodhtë! Dhe, mos e lini të flejë. As mos e vini në gjum.

    Këtu nuk e gjeni vetëm kronikën e fundshekullit që na iku (dhe i ikëm) dhe as fillimshekullin që na u ka varur rreth qafës: këtu ka analizë e sintezë faktesh, vrojtime e grushtime faktorësh, përplasje idesh e konceptesh mbi çështjet në kulturë, art e politikë, dhe mbi të gjitha – shoshitje të asaj që nuk na lë të qetë sado që përpiqet të na vërë në gjum. Ka edhe më shumë, zbret edhe më thellë, ngjitet edhe më lart shpata e të menduarit dhe të gjykuarit, dhe jo e Demokleut, dhe jo vetëm (as ajo). S`ka moralizime, po vrojtesa mbi çështjet, s`ka profetizime, por diktesa që vënë për fije mendimin dhe tundin atë detin e thellë të mençurisë për të mos vënë lëmashk mbi përgjumjen tonë intelektuale. Këtu ka çka duhet, me fjalë të tjera. Sepse ka – përplasje, përplasje dhe jo vetëm përkundje në djepin e intelektualizmit. S`jemi (më) foshnja!

    Këtu keni një spektër të gjerë komunikimi nga të gjitha llojet dhe nënllojet, gjinitë e publicistikës dhe observimet që e bëjnë meditimin të qëndrueshëm; këtu i keni të renditura me përkushtim rrjedhat e një dislokimi intelektual drejt çështjeve kyçe, të përqendruara në tërësinë e një individualiteti të theksuar, të qartë e pa doreza, dhe mbi të gjitha – e keni një taban përkushtimesh për të hetuar kahje e observime të devotshme dhe pa obligim për t`u përplasur me vetveten e tjetrin – derisa ta vini pikën mbi “i”, siç thuhet.

    Merreni në dorë dhe peshojeni, jo librin, por – veten tuaj. Koha është.

    Lucern, 26.02.2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË