Për mua, gjithmonë edhe më shumë ngjarjet në një vepër, janë gjëra të dorës së dytë. Ajo që më intereson janë idetë dhe mënyra sesi shfaqen e përcillen.
Te “Vëllezërit Karamazovë”, Dostoyevski ngren një dyshim ekzistencial, aq sa të thjeshtë, aq edhe enigmatik: “Nëse Zoti nuk ekziston, atëherë çdo gjë është e lejuar”.
Pikërisht, nga ky dyshim, marrin hov dhe zhvillim një tërësi filozofish, edhe pse pikënisjen mund ta kenë më herët. Ndër to, më të njohurat apo më kryesoret janë nihilizmi, ekzistencializmi(ateist) dhe derivati i tij, absurdizmi.
Nihilizmi që rrafshon në udhë e sipër gjithçka që i del si qëndresë, kërkonte në një farë mënyre të mohonte çdo kuptim apo moral të deriatëhershëm. Megjithëkëtë, pavarësisht se disa filozofë e shohin si një mohim të pjesshëm dhe jo tërësorë, sërish mbetet në vetvete një filozofi mohimi. Nga ky pikëvështrim, kjo do të thotë se njeriu mund të jetë, ose më saktë duhet të jetë, le të themi vetë Zot.
Nga ana tjetër, ekzistencializmi duke mohuar ekzistencën e një fuqie të mbinatyrshme, shkakton para së gjithash, një rrëzim zinxhirë të të gjitha proceseve jetësore.
Bie fillimisht poshtë ideja se, esenca vjen përpara ekzistencës, pra që njeriu krijohet dhe vjen në tokë me një fat të mirëpërcaktuar. Domethënë, asgjë s’është e shkruar, përkundrazi, njeriu vjen në jetë, fillimisht ekziston, dhe më pas ai i vendos esencën(kuptimin) jetës së tij.
Rrjedhimisht, kjo do të thotë se, nuk ka një natyrë njerëzore të përgjithshme, por vetjake, çdo njeri është i ndryshëm dhe secili mban përgjegjësi(për veten dhe për të tjerët) në çdo hap e sekondë të jetës së tij. Si tragjizmi, si mrekullia, si lumturia, si mjerimi, varen nga vetë njeriu dhe, askush tjetër, edhe pse në pamje të parë mund të duket si shkak, nuk është në të vërtetë përgjegjës.
Absurdizmi shkon edhe më larg, e pranon përgjegjësinë dhe lirinë e gjetjes së kuptimit, por shprehet se ky kuptim është krejt absurd. Për t’u përballur me të, ka tri mënyra ( vetëvrasja, besimi te fuqia e mbinatyrshme dhe revolta). Mirëpo, dy të parat, edhe pse u nxorrën në dritë, nuk u mbështetën si zgjidhje reale nga Kamyja, më shumë u shfaqën si zgjidhje të përkohshme dhe deri diku, të dobëta.
Çka mbetet për t’u theksuar, pa i ikur thelbit dhe pa u hedhur në vogëlimat e gjithsecilës, është se të gjitha këto filozofi, duke mosdashur të hallakatemi edhe te disa të tjera, kanë pikësëpari një dobësi të pashmangshme, ekzistencën e një fuqie të mbinatyrshme(Zotin). Pra, e vetmja mënyrë që të përligjen dhe të marrin kuptim është që, në pamje të parë Zoti të mos ekzistojë, të arratisen prej tij, në të kundërt bien më shpejt sesa një kështjellë mesjetare, duke u shkërrmoqur në mijëra copëza të papërfillshme.
Kemi një përplasje që, nuk lë vend për pajtim, kurrsesi nuk mund të ketë një puqje, nuk mundet që të dyja të qëndrojë si kundërthënie, sepse njëra përjashton ekzistencën e tjetrës.
Po si mundet njeriu që, në një botë ku e vërteta bëhet përherë edhe më e parrokshme, të provojë me anë të besimit apo mohimit, ngritjen apo rënien e njërës palë?
Dostoevsky, që për hir të sinqeritetit, herë duket sikur është në njërën anë, e herë gjetkë, jo vetëm që nuk e ndan këtë katrahurë, por gjen edhe një shteg tjetër për të ndërlikuar çështjen.
Pra, edhe nëse ekziston një fuqi e mbinatyrshme, nëse e lejon gjithë padrejtësinë dhe vuajtjen e pakuptimtë të kësaj bote, do të thotë , gjithmonë sipas tij se, Zoti edhe nëse ekziston është i tmerrshëm, çnjerëzor.
Për t’i dhënë drejtim kësaj çështje, do doja të kapërceja kohën dhe të ndalesha te babai i ekzistencializmit, Kierkegaard-i, që thotë se besimi shkon përtej mendimit (arsyetimit), duke e lartësuar të parin në një farë forme. Mirëpo edhe ky i fundit, nuk duket që na lehtëson kërkimin tonë të mjerë drejt kuptimit apo qartësisë.
Mjerisht, edhe një herë tjetër njeriu që kërkon qartësi, gjendet përballë një bote që hesht.
E vetmja gjë që mund të themi është se, për ata që besojnë, gjithçka është e qartë si drita e diellit dhe se për çdo pyetje, përgjigjja është e thjeshtë, ndërsa për ata që kërkojnë një tjetër kuptim, drithërima nuk do t’i shqitet gjeri në grimëfrymën e fundit.