More
    KreuHistoriEnver Kushi: Kur çamët manifestonin në Athinë dhe arvanitët në Tiranë

    Enver Kushi: Kur çamët manifestonin në Athinë dhe arvanitët në Tiranë

    Në vend të një komenti

    Në vitin 2002 u botua libri “Musa Demi dhe qëndresa çame(180-1947)” shkruar nga  historiani i njohur Hajredin Isufi, i cili ka dhënë një ndihmesë të madhe për dritësimin e historisë, kulturës dhe figurave të shquara të Çamërisë. Libri shoqërohet me parathënie të Prof. Pëllumb Xhufit dhe pasthënie të Prof. Kristo Frashërit, që vlerësojnë punën e palodhur të Hajredin Isufit, hulumtimet e tij të gjata për Çamërinë e njerëzit ë saj, që Pukëvili dikur i quajti “më të nirët e më fisnikët e farës shqiptare”. Nuk do të ndalem për vlerat e këtij libri, por mendoj, se është me interes për lexuesit, që të njihen me disa të dhëna, që prof.. Kristo Frashëri, jep në pasthënie “Dy kujtime me Musa Demin”. Ai shkruan, se emrin e Musa Demit e kishte ndeshur që kur ishte fare i ri, kur  kishte lexuar librrin me kujtime të Mihal Gramenos “Kryengritja Shqiptare”, botuar në Korçë më 1927, ku flitej për takimin e Bajo Topullit me Musa Demin më 1908. Më vonë vazhdon Prof. Kristo Frashëri, mësova për të hollësi të tjera. Në vjeshtën e vitit 1936 erdhën në Tiranë, nga Gjirokastra, dy moshatarë të rinj: Ali Demi dhe Vehip Demi, që të dy djem kushërinjsh të Musa Demit, por që Musai i konsideronte, sipas zakonit të vjetër nipër, kurse nipërit për respekt, e thërrisnin atë xha Musa. Fati e pruri që të dy kushërinjtë, Ali Demi dhe Vehip Demi, të bëheshin shokët e mi të klasës, madje shokë tepër të ngushtë jashtë klasës. Prej tyre mësova hollësi të tjera për Musa Demin, i cili vazhdonte të jetonte në Çamëri, madje shumëe shpejt, Vehipi më dha mundësinë të takohesha vetë me xha Musanë”.

    Prof. Kristo Frashëri e përshkruan me emocion këtë takim me Musa Demin, që u bë në Athinë në verën e vitit 1937. Është një përshkrim i rrallë, i panjohur deri tani, për një manifestim folklorik, që është zhvilluar në Athinë, më 4 gusht 1937, me rastin e përvjetorit të ardhjes në pushtet të diktatorit Jani Metaksa. Këtu për herë të parë janë ftuar për të marrë pjesë, si grup më vehte, çamët me këngët, vallet dhe veshjet e tyre popullore shqiptare.

    Prof. Kristo Frashëri i kthehet këtij manifestimi edhe në librin “Historia e Çamërisë(Vështrim Historik)”. Profesori në këtë libër ndalet edhe në një manifestim tjetër, organizuar jo në Athinë, por në Tiranë. Për këtë ai shkruan: “Disa muaj më vonë, Shqipëria kremtoi më 28 nëntor 1937, 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare… ku një vend të rëndësishëm, zinte delegacioni grek, shumica dërmuese e tyre ishin me origjinë arvanite”.

    Kështu kryetari i delegacionit ishte admirali Mihal Sakellariu, arvanit, shef i Shtabit Madhor, në Ministrinë e Marinës dhe anëtarë  qenë Kanakaris Lukas Rufos, ish ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, arvanit nga nëna, pra me origjinë shqiptare.

    Emra të tjerë të delegacionit grek, do të mësoni nga fragmenti, bashkangjitur me këtë shkrim, marrë nga libri i Prof. Kristo Frashëri. Mendoj se është me interes të jap diçka më shumë për Kanakaris Lukas Rufos. Kjo ka të bëjë me një deklaratë të tij, kur ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, që është botuar në “Gazeta e Korçës” nr.263, 27 shkurt 1926, me autor Vangjel Nasho Qirko.

    Rufos, shkruan Vangjel Nasho Qirko, më pranoi dhe me fisnikërinë që e karakterizon, më deklaroi, sa më poshtë mbi marrëdhëniet greko-shqiptare: “Deklaroj çiltazi gëzimin tim të madh, që forcimi i lidhjeve greko- shqiptare të bëhet në kohën e ministrisë sime. Dispozitat e sinqerta dhe mendimet e kthjellta si të Kryetarit të Republikës, ashtu dhe Kryetarit të Qeverisë, të cilët që të dy janë me orogjinë shqiptare, janë në udhën e zgjerimit praktik.

                    Caktimi i një politike të qartë dhe definitive kundrejt shtetit shqiptar, qënia dhe përparimi i të cilit është në interesin e madh të Greqisë, filloi të shfaqet në të gjitha pikat.

    Çështjes së  Çamërisë ju dha fund definitiv, amnisti për të gjithë çamët e dënuar, apo të akuzuar dhe të kthyerit e të internuarve në shtëpitë e tyre. Gjuha shqipe do të vihet në disa shkolla të Greqisë, klubet vorio-epirote në tërë Greqinë u shpërndanë dhe arkivat e tyre iu dorëzuan prefektëve. Të gjitha këto jam i sigurt, se do të frymëzojnë besim absolut të Shqipërisë, për sinqeritetin e Republikes Greke… Shpresoj të arrij, që në kohën e ministrisë sime, të ve vulën e fundit në restaurimin të miqësisë greko-shqiptare, gjë që e quaj vepër të madhe kombëtare dhe që do përfundojë në dobi të të dy palëve”.

    Sa më lart mendoj se nuk ka nevojë për komente.

    Kanë kaluar 88 vite nga ato që përshkruan Prof. Kristo Frashëri: “Manifestimi folklorik i çamëve në Athinë dhe ardhja në Tiranë e delegacionit grek, shumica e të cilëve ishin arvanitë”. Deklarata që cituam më lart e Rufos, si dhe ato që përshkruan Prof. Kristo Frashëri dhe që botohen tek EXLibris, mendoj se janë aktuale për Ballkanin e trazuar edhe nga ankthet e nacionalizmit primitiv, si dhe për Greqinë fqinje. Popujt e Ballkanit, veçmas shqiptarët dhe grekët, kanë patur kodet e tyre të mirëkuptimit dhe miqësisë. Këto kode kanë sfiduar dhe sfidojnë politikat përçarëse, apo erërat që sjellin ngrica e kërkojnë përçarjen mes popujve tanë. Lum ata politikanë, që jo vetëm i kuptojnë, por i vënë në jetë këto kode miqësie.

    Çamët në Athinë

    Fati e pruri që të dy kushërinjtë, Ali Demi dhe Vehip Demi, të bëheshin shokët e mi të klasës, madje shokë tepër të ngushtë jashtë klasës. Prej tyre mësova hollësi të tjera për Musa Demin, i cili vazhdonte të jetonte në Çamëri. Madje, shumë shpejt, Vehipi më dha mundësinë të takohesha vetë me xha Musanë.

    Takimi u bë në Athinë, në verën e vitit të ardhshëm (1937). Gjatë pushimeve verore të atij viti unë shkova në Athinë, i ftuar nga halla ime, Elisabeta, e cila ishte shpërngulur me gjithë fëmijët e saj nga Stambolli dhe ishte vendosur në kryeqytetin grek. Gjatë pushimeve edhe Vehipi kishte vendosur të shkonte te familja e tij, në Filat të Çamërisë, dhe që andej do të vinte në Athinë, te disa kushërinj të tij. Me adresën e hallës sime, që ia dhashë që në Tiranë, ai më gjeti lehtë në Athinë. Kur u takuam në fund të korrikut, më njoftoi se pas disa ditësh do të vinte në Athinë Musa Demi, në krye të një grupi shqiptarësh çamë, për të marrë pjesë në manifestimin folklorik që do të zhvillohej në kryeqytetin grek më 4 gusht 1937, me rastin e përvjetorit të ardhjes në pushtet të diktatorit Jani Metaksa. Ky ishte i pari manifestim shtetëror grek në të cilin qenë ftuar të merrnin pjesë, si grup më vete, çamët me këngët, vallet dhe veshjet e tyre popullore shqiptare. Për këtë arsye Musa Demi, i cili nderohej si prijësi shtetëror i çamëve, e pranoi ftesën dhe i kushtoi kujdes organizimit sa më të mirë të grupeve folklorike të Çamërisë.

    Parakalimi i grupeve folklorike të mbarë Greqisë, i cili u zhvillua në paraditen e 4 gushtit 1937 në Sheshin e Kushtetutës (Sintagma) dhe vazhdoi në rrugën Panepistomiu (sot bulevardi “El. Venizellos”), ishte madhështor. Mua erdhi dhe më mori për të parë manifestimin një mik i familjes së hallës sime, profesori Filipe nga Përmeti, i cili jetonte prej kohës në Athinë, por që kishte mbetur një shqiptar i kulluar. Të parët që parakaluan, qenë grupe folklorike të Athinës (provinca e Athinës).

    “Shikoji, – më tha profesori, – fustanellat tona. Janë arvanitët që e flasin shqipen si ti dhe unë”. Pastaj, kur parakaluan grupet e Korinthit, përsëri e ngrinte zërin: “Shiko, shiko përsëri arvanitët, vëllezërit tanë, si ecin krenarë!” Është e tepërt të them se fustanella e arvanitëve, fjalët e profesorit dhe ideja se ata ishin gjymtyra të kombit shqiptar, më shkaktonin dridhma në trup. Pasi kaluan edhe grupe të tjera arvanitësh, u duk pankarta e grupeve të Thesprotisë: “Ja, tani po vijnë çamët e tu!” – më tha. Kur kaloi para nesh grupi çam, me në krye Musa Demin, në sektorin tonë u përshëndet me disa duartrokitje. Pranë tij mezi dallova Vehipin, i cili mezi dukej, pasi Perëndia e kishte bërë të shkurtër. I thirra nga trotuari dhe ngrita dorën. Më pa dhe ma bëri me shenjë me dorë se do të takoheshim pastaj. Që nga ajo ditë, kjo skenë nuk më është shqitur nga mendja asnjëherë.

    Pasdite Vehipi më mori në telefon në shtëpinë e hallës sime. Më tha se Kryetari i Bashkisë së Athinës u kishte vënë grupeve folklorike në dispozicion sheshet jo të pakta të Athinës për të kënduar dhe hedhur valle gjatë mbrëmjes. Për grupet e Thesprotisë ishte caktuar sheshi “Qipseli” (Platea Kypselis). Ashtu siç më premtoi, Vehipi erdhi dhe më mori, ndonëse nga shtëpia e hallës sime (rruga Skiron), sheshi ishte shumë afër. Kur arritëm atje, më shpuri në një lokal ku qe ulur Musa Demi. Më prezantoi:

    -Ky është shoku im i ngushtë për të cilin të kam folur.

    Xha Musai më tha:

    -Gëzohem!

    Më hodhi një sy nga koka te këmbët. Pastaj shtoi:

    -Më dukesh djalë levend, po i biri i kujt je, se unë e pyeta Vehipin të më thoshte emrin e babait tënd, se mbase atë e njoh, por ai më tha se nuk e dinte. E shava. I thashë: “Çfarë shoku e paske kur nuk ia di emrin e babait?”. E pyeta se mos e ke gjë Naim Frashërin. Më tha: “As për këtë nuk e kam pyetur, por më duket se nuk e ka gjë, se Naimi ka qenë bektashi dhe ky është i krishterë.”

    Iu përgjigja me të qeshur se edhe unë nuk e dija emrin e babait të Vehipit. Pastaj i dhashë shpjegime për babanë tim.

    Qëndruam bashkë gati një orë. Thamë plot gjëra, por tani, kur kanë kaluar 65 vjet, i kam harruar. Duket se nuk kanë qenë të rëndësishme. Prej tyre mbaj mend se diçka më dogji, m’u duk sikur më shpoi me shtizë. Kur unë i thashë, ndoshta nga krenaria kombëtare, por, kushedi, edhe për t’i bërë lajka, se nuk ishte e drejtë që çmimin e parë ia kishin dhënë grupit të Qefalonisë, me siguri për t’i bërë qejfin Metaksait. Për mua çmimin e meritonte grupi çam. Por ai ma preu shkurt:

    -Ç’e do që s’të kanë pyetur ty ata të komisionit të çmimeve!

    Mbrëmja kaloi me hare të papërshruar. Në Qepsel kishin ardhur qindtra shqiptarë, të cilët shoqëroni me iso korin çam. Mbaj mend, që xha Musai u thoshte valltarëve, hajdeni, djema edhe një herë Çamikonë, se është vallja jonë, se edhe grekët e thonë vetë, se është vallja jonë, vallja çame!”

    Marrë ngas libri  i Hajredin Isufit “Musa Demi dhe qëndresa çame(1800-1947)”, fq.364-367

    Arvanitët në Tiranë

    Prirjen e tij për një kthesë të politikës greke ndaj Shqipërisë, kryeministri Metaksas nuk ngurroi ta shfaqte haptas. Më 4 gusht 1937, me rastin e përvjetorit të parë të ardhjes së tij në pushtet, diktatori Metaksas organizoi në Athinë më 4 gusht 1937 një manifestim madhështor. Për të parën herë erdhi zyrtarisht në kryeqytetin grek një përfaqësi shqiptare nga Çamëria, e cila mori pjesë si një trup i veçantë në parakalimin festiv që u krye në sheshin “Sintagma”. Po atë mbrëmje grupi çam dha në sheshin “Kypselis” një shfaqje folklorike me këngë dhe me valle çame. Atë mbrëmje në këtë shesh të Athinës dëgjohej të flitej vetëm shqip.

    Disa muaj më vonë, Shqipëria kremtoi më 28 Nëntor 1937, 25-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Midis delegacioneve të shumta që erdhën nga jashtë vendit në kryeqytetin shqiptar për të marrë pjesë në përvjetorin e ngjarjes historike – delegacione zyrtare shtetërore dhe delegacione të diasporës shqiptare – një vend të rëndësishëm zinte delegacioni grek. Jo pa kuptim ishte përbërja e anëtarëve të delegacionit zyrtar grek, shumica dërrmuese e të cilëve ishte me origjinë arvanite. Kryetari i delegacionit ishte admirali Mihal Sakellariu, një arvanit, shef i Shtabit Madhor në Ministrinë e Marinës. Anëtarët e tjerë të delegacionit qenë: Kanakaris Lukas Rufos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, arvanit nga nëna, me origjinë shqiptare; Admiral Kryezis nga Hidra arbëreshe, kryetar i Lidhjes Greko-Shqiptare, së bashku me bashkëshorten zonjën Kryezis; Gjenerali Nikolla Trikupi, nënkryetar i Lidhjes Greko-Shqiptare, së bashku me zonjën Trikupi; Filipos Dragumis, ministër – Guvernator i Përgjithshëm i Selanikut, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Greko-Shqiptare, me zonjën Dragumis; Aristotelis Valaoritis, ish-nënministër shteti; Periklis Argjiropullos, kryetar i grupit helenik të Konferencës Ballkanike; Georgios Gagaris, ish-deputet; Kostas Malamatianos; Nikolla Zarifis, kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Athinës, etj. Përshtypje të veçantë la në opinionin publik shqiptar sjellja e ngrohtë e delegacionit zyrtar grek në mbrëmjen festive që organizoi mbreti Zog në pallatin mbretëror më 26 nëntor 1937. Njoftimet mbi pjesëmarrjen e delegacionit zyrtar grek në këtë mbrëmje i kemi kryesisht nga përshkrimi i gazetarit Gjergj Bubani, i cili qe aty i pranishëm. Kur hyri në sallë delegacioni grek festa kishte filluar. Grupe folklorike nga Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Berati këndonin dhe hidhnin valle popullore. Kur hyri delegacioni grek, vallen po e udhëhiqte motra e mbretit Zog, princesha Senija, me një grup grash të tjera të veshura me kostume popullore. Sipas gazetarit, kryetari i delegacionit grek M. Sakellariu kur hyri në sallë tërhoqi vështrimin e të pranishmëve kur e panë se kishte vënë në kokë një qeleshe të bardhë si ato të malësorëve shqiptarë. Veç kësaj, shton gazetari, admirali Sakellariu hyri menjëherë në vallen që po udhëhiqte princesha Senie. Gazetari shqiptar shkruan se ky ishte një “moment mallëngjyes. Ka qenë me të vërtetë një grimë mallëngjyese. Perengrinata e gjakut arbëresh, nënvizon ai, ndodhet e tëra aty brenda, në Pallat, rreth mbretit të adhuruar. Ndodhen aty personalitete të dëgjuara italiane dhe helene prej gjaku shqiptar”.

    Mbrëmjen tjetër, në rrugën “Fortuzi”, sot rruga “Asim Vokshi”, përpara selisë ku ishte strehuar delegacioni grek (sot selia e Partisë Social-Demokrate), u zhvillua një manifestim patriotik dashamirës nga delegacioni arvanit. U hodhën përsëri valle. Edhe arvanitët hodhën valle. Kur vallen e udhëhiqte Dragumis, rruga plot e përplot me qytetarë u tund nga duartrokitjet kur ai shqipëroi në këngë fjalët:

          “Gjaku ujë zbënetë

          e ndu bëftë s’pihetë”.

    Marrë nga libri i  Kristo Frashëri “Historia e Çamërisë (Vështrim historik)”, fq. 282-283

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË