Nga Akademia Papnore e Teologjisë dhe Parlamenti i Ligjëshmërisë Ndërkombëtare
Në ditën e ceremonisë mortore të Papa Françeskut, me 26 Prill 2025, Bazilika historike e Artistëve “Santa Maria in Montesanto” në Romë priti ngjarjen kulturore dhe shpirtërore ”Tu sei Bellezza perche sei Amore”, sjellë para publikut nga Parlamenti i Ligjshmërisë Ndërkombëtare dhe Akademia Papnore Teologjike.
Një takim me profil të lartë, i moderuar nga Prof. Nicolò Mannino, President i Parlamentit, me praninë e personaliteteve të njohur, si Imzot Antonio Staglianò, President i Akademisë Papnore Teologjike, Kardinali Francesco Coccopalmerio, Dr. Salvatore Sardisco, Nënkryetar i Parlamentit të Ligjshmërisë Ndërkombëtare, Don Sergio Mercanzin, vatikanist i njohur, si dhe shumë personalitete nga institucione publike italiane dhe vatikanase.
Momenti qendror i këtij eventi ishte ndarja e Çmimit Kulturor “Artizanë të Shpresës”, akorduar disa prej personaliteve që kanë spikatur në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në ligjshmëri, integritet dhe solidaritet.
Me propozimin e interlokutorit të Akademisë Papnore Teologjike, Dr. Aldo Alex Caputo, u nderua edhe botuesi shqiptar Frano Kulli, një figurë e spikatur e shoqërisë civile shqiptare, i njohur për angazhimin e tij konkret në promovimin e vlerave të kulturës së krishterë duke publikuar vepra letrare, kryesisht të shkrimtarëve dhe studiuesve katolikë të shekullit të kaluar, shumicës prej të cilëve u qenë ndërprerë kontaktet me lexuesin për shkak të dënimit dhe ndalimit të tyre nga regjimi i kaluar në Shqipëri.

Me origjinë nga Shkodra, Frano Kulli është i njohur si një promovues i dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, mbështetës i formimit të të rinjve dhe mbrojtës i dinjitetit njerëzor. Përmes aktivitetit të tij kulturor dhe shoqëror, ai ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë dhe në konsolidimin e një kulture paqeje dhe shprese në rajon.
Dita u mbyll me kremtimin e Meshës në përkujtim të Papa Françeskut, kryesuar nga Imzot Staglianò, i cili emocionoi të pranishmit me fjalën dhe predikimin e tij. Duke sjellë shembullin e bashkëpunimit të organizmave që bënë të mundur këtë aktivitet, dëshmoi se e bukura, e vërteta dhe dashuria nuk janë thjesht parime abstrakte, por asete strategjike mbi të cilat ndërtohet e ardhmja e bashkëjetesës qytetare.