More
    KreuArte pamoreEdison Çeraj: Magjikja e një udhëtimi

    Edison Çeraj: Magjikja e një udhëtimi

    Cikli i fundit me piktura i skulptorit Artan Peqini, nën shënjuesin “Përtej kohës”, është nji arrati pa zhurmë nga habitati, ose nga siguria. Pa zhurmë e bujë sepse nuk është nji arrati për hir të arratisë, por për hir të kërkimit, për ta njohur ma shumë veten duke dalë prej habitatit, për me dëshmu në këtë mënyrë se habitati është vetë udhëtimi, dhe kur udhëtojmë gjejmë, gjejmë gjithmonë atë që na thotë diçka.

    Nëse në rastin e skulpturës në hapësirë, asaj të piedestalit dhe sheshit, autorit i duhet me ba “historianin”, ose të angazhuarin në emër të shoqërisë, me rastin e këtij cikli me piktura autori ban “narratorin”, i cili është i çliruar nga çdo lloj norme apo konvencioni që është i detyruar me zbatu i angazhuari.

    Te eseja “Narratori”, Benjamin-i thotë se përralla, “me perzonazhin e njeriut që largohet nga shtëpia për të mësuar se çka është frika, na tregon se gjërat të cilave u druhemi janë të depërtueshme”. Thuhet se ajo që na duhet ndodhet matanë frikës.

    Për sa i takon stilit apo frymës estetike, mundena me thanë se është sendërtu nji gjuhë/narrativë e cila përputhet me autorin, që nuk të ndërlidh me dikë tjetër, gja që do ta reduktonte autorin në përkthyes, ose në nji fatkeq që nuk çlirohet dot prej magjisë së ndikimit. Është nji tjetër magji së cilës i është dorëzu pa kushte autori: ajo e udhëtimit, gja që e thekson qysh te nëntitulli i ekspozitës: “udhëtimi magjik”. Pra, në këtë rast kemi krijim, jo përkthim.

    Në fakt, ka gjithmonë diçka të veçantë, deri në kufij misteri, kur nji autor që është marrë vazhdimisht me nji gjini/medium kalon “papritur” drejt nji gjinie tjetër. Por, në këtë rast ka diçka ma shumë se kaq, sepse vlera e pikturës së Peqinit është e vetvetishme, jo e përftuar falë ndërrimit të habitatit, nga skulptura te piktura.

    Ka diçka prej pikturës metafizike te Artan Peqini, por ky është vetëm nji tis, nji element i pasurisë semantike që pulson butë, por bindshëm. Personazhet dhe vendet që banojnë pikturat e tij janë kryesisht të afërm e miq në situata të përditshme, larg angazhimit, profesionit apo misionit. Ata rrinë shpengueshëm, çlirët, pa marrë kurrfarë poze, duke iu nënshtru forcës së pashmangshme të gravitetit, por edhe duke dalë paqësisht nga ritmi i kohës kalendarike. Duken sikur i janë pjesë e njimomentumi të papritur. Autori nuk i sjell ata siç janë, por ashtu siç duan të jenë, të lirë, të gatshëm për të përballur fatin. Ata ngjajnë stoikë, dhe si të tillë mundohen me u ndie mirë e të plotësuar, pavarësisht kthesave të fatit. Ashtu si personazhet e Hopper-it apo ata të Hockney-t, nuk ankohen, as nuk rebelohen, por sikur po mendojnë dhe meditojnë para kryerjes së nji veprimi.

    Nana dhe përjetësia

     Thuhet se njeriu nuk mundet me e shly kurrë borxhin që i ka nanës, përveçse nëse ajo bahet skllave e dikujt dhe i biri apo e bija i rikthen lirinë, gjendjen në të cilën lindim. Duke qenë se sot kjo shlyerje nuk është e mundur, atëherë autori ban nji tjetër përpjekje: kërkon me e çliru nanën prej përkohësisë fizike, pra prej harresës, duke e kalu në këtë mënyrë në mbretërinë e artit, gja që dëshmon vullnetin dhe ëndrrën që pret përmbushje.

    Duke citu Bradley-n, Borges-i perifrazon: “[…] një nga ndikimet e poezisë do të duhej të ishte ky: të na krijonte përshtypjen se po na kujton diçka të harruar, dhe jo të na zbulojë një gjë të re.”

    Këtë lloj mendimi dhe ndjesie provova te disa prej pikturava të Peqinit. Thjeshtësia depërtuese si te subjekti ashtu dhe te forma më thotë diçka, domethanë më kujton diçka.

    Të renë (new) le t’ia lëmë teknologjisë dhe industrisë. Ma shumë se sa me na magjepsë apo me na rrëmby mendjen (teknologjia), nji vepër arti duhet me na thanë e me na kujtu diçka që vështirë me u shprehë me fjalë, diçka që e tejkalon përvojën, diçka që na ban me u kujtu se njeriu është ma shumë se nji kafshë politike apo ekonomike, pse jo edhe ma shumë se homo aestheticus.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË