More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Tefë Topalli: Fjala e bukur në Epos dhe në këngë...

    Prof. Dr. Tefë Topalli: Fjala e bukur në Epos dhe në këngë të tjera, e vështruar nga gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj

    Në të gjitha këngët, si krijimtari popullore, fjala dhe shprehja shkojnë e vendosen pas një zgjedhjeje që nuk përfundon asnjëherë: brez pas brezash, derisa ato shkruhen e zënë vend në tekste të regjistruara e bëhen modele arti letrar dhe objekte melodish për kompozitorin popull. Këtë nektar të shndritshëm të folklorit tonë ka bërë objekt vështrimi e humtimi gjuhëtari ynë prof. Gj.Shkurtaj, akdemik në shkencat albanologjike, me botimin  e thuktë “Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj”, Tiranë, 2022, 180 faqe. Janë si publikime festive librat gjuhësorë që dalin këto ditë, në vigjilje të 50-vjetorit të Drejtshkrimit të Shqipes  (1972-2022), prandaj dhe na tingëllon jehonë dhe himn për gjuhën amtare, ky botim i dialektologut, sociolinguistit dhe etnolinguistit Gj.Shkurtaj. Nga ana tjetër, ne që e kemi  ndjekur dhe e njohim mirë veprimtarinë shkencore të këtij gjuhëtari, themi se me tituj të tillë, që nga vitet 1980, kur dilte para nesh si ekplorues i jetës letrare, gjuhësore dhe kulturore të botës arbëreshe, me përmbledhjen e rrallë “Shpirti i arbërit rron”(1984), akademiku Shkurtaj, ka vijuar të thellohet në fushën kërkimore shkencore me “Ligjërimet arbëreshe”-Gjuha e bukës” dhe “gjuha e zemrës”-Shqyrtime dialektologjike dhe sociolinghistike në ngulimet arbëreshe të Italisë-(2006), e ribotim i pasuruar, në kolanën e Akademisë së Shkencave (2020), duke na zgjeruar rrethin e njohjes për vëllezërit tanë të gjuhës e të gjakut përtej Adriatikut, njëherësh pa u shkëputur nga kërkimet në lëmin ku ai u shfaq si gjuhëtar i formuar në studimet e dialektologjike të shqipes (me monografi të gjera për një numër të folmesh të shqipes veripërëndimore, pastaj dhe me bashkautorësi në teksetin përgjithësues për dialektet e shqipes (bashkë me prof.J.Gjinarin) e, në vijim, edhe me hartim e botim tekstesh e librash të tjerë moografikë të nevojshme për pasurimin e kurrikulës lëndore të Departamentit të gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës, duke sjellë për herë të parë studime disiplinare, si: Sociolinguistika (1996 e ribotime të zgjeruara e të pasurura (1999, 2003, 2012), Onomastikë dhe Etnolinguistikë (SHBLU, 2001)dhe ribotim i zgjeruar(Botime ALBAS, 2013) Enigma e emrave – Përzgjedhja e emrit, shkurtimet ledhatuese dhe nofkat, Fjalorë shkurtimesh dhe emrash të pëlqyeshëm-Botimet “Naimi”, 2017) etj. Ai është, ndërkohë, mbrojtës i standardit të shqipes, me vepra të shënuara: Kultura e gjuhës skenë dhe në ekranInstituti i Lartë i Arteve (1983) dhe ribotim i pasuruar (1988), “Kahe dhe dukuri të kulturëss ë gjuhës”(Kristalina-KH, 2003),”Kultura e gjuhës”(SHBLU, 2006); Si të shkruajmë shqip-Nga drejtshkrimi të shkrimet profesionale,Toena, 2008 (dhe ribotime të pasuruara,Toena, 2012, Morava,2013 ) apo me traktatin Urgjenca gjuhësore-Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe,Fjalorth(ADA, 2015 dhe botim i dytë i përmirësuar, Naimi, 2017)’ Gjuha, ligjërimi dhe jeta-Përmbledhje leksionesh, krestomaci dhe ushtrime socioliguistike (me bashkutore: M.Shopi, Tiranë, 2018). Ka dorëzuar për botim e pritet të dalë  nga shypi edhe libri Kultura e gjuhës sot (Përmbledhje studimesh dhe pjesë tekstesh universitare), Botimet PEGI.

    Për pak gjuhëtarë të brezit të prof.Gj.Shkurtajt mund të shprehemi me bindje se punët e tyre në albanologji, jo rrallë na shfaqen si arritje institutesh shkencore. Krahas prurjeve me plot risi që kanë sjellë në studimet tona filologjike, sidomos këta 30 vjetët e fundit, kur mundësia e njohjes së shkollave dhe drejtimeve të huaja linguistike, prej tyre u  bë e mundur edhe për aplikime të pjesshme apo tërësore në lëvrimin e studimin e gjuhës sonë, qoftë edhe me ribotime veprash, me mbështetje e citime nga autorët bashkëkohorë apo të traditës europiane e më gjerë. Duke gjykuar kështu, na duken aq mbresëlënëse realizimet studimore të akademikut Gj.Shkurtaj, me të cilat pasurohet një bibliotekë e profolizuar e një lëmi të caktuar, ku studentë dhe pedagogë të rinj, dashamirës dhe kërkues të dijeve në lëvrimin e shqipes, gjejnë shumëçka që duhet për një formim më të ngritur e bashkëkohor të përdorimit shprehës dhe emocional të gjuhës amtare.

    *     

    Në librin e ri që vumë në krye të këtij shkrimi, Gj.Shkurtaj vijon “të na godasë” nga një këndvështrim i tij, i paparë deri më sot. Nuk ka shumë kohë që morëm në duar Fjalorin dialektor të Malësisë së Madhe, me peshë aq të rëndë jo veç të lemave të rreshtuara brenda tij, por sidomos, me prurjet e rralla të etnografisë së të folurit, në mënyrë të veçantë, të frazemave shqipe që kanë lindur dhe kanë zbukuruar në shekuj idiomën e asaj krahine dhe që janë, pa dyshim, edhe sot mjete të gjuhës artistike edhe të letërsisë së kultivuar. Si folës i lindur dhe i rritur i asaj treve gjuhësore, prof.Shkurtaj nuk ka si të mos ishte i lidhur me njohjen e treguesve gjuhësorë dhe etnikë të krijimtarisë kryesore të popullit tonë, siç është Eposi madhështor i Kreshnikëve, eposi ynë i vlerësuar aq lart edhe nga albanologët e huaj dhe që ka qenë edhe model shkrimtarie për poetë të mëdhenj të kombit tonë, ndër të cilët shquhet poeti i madh, At Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcis”.

    Kolegu e miku ynë, akademik Shkurtaj, ka trashëguar në genin e tij, që nga psikologjia e fëmijërisë jehonën e atyre këngëve kreshnike, ka njohur me emër lahutarë në zë që i kanë kënduar trimëritë dhe bëmat e heronjve të atyre maleve, ka mbledhur në të ritë e tij lëndë folklorike; ai është i bindur se Eposi ynë, edhe në mos pastë lindur atyre anëve, ka jetuar e ardhur deri në ditët tona përmes këngëve në gjuhën shqipe. Nuk ndalet autori në temën nevralgjike: e kemi të huazuar apo të lindur këtu Eposin legjendar, siç kanë bërë studime Lamberci e Kordinjano, mbledhësit e parë – fretërit e urtë e të pasionuar të tij: Palaj e Kurti tek Visaret e Kombit; as te mendimet që kanë dhënë Prendushi e Fishta, në kohë më të vona folkloristët tanë të shquar apo dijetarët aq të thelluar në studimin e tij, siç janë Stavri Skëndo, A.Desnickaja, Shaban Sinani etj.. E rëndësishme për gjuhëtarin-autor të këtij libri, është fakti se këngët e kreshnikëve tanë janë kënduar shqip, janë lëmuar gjuhësisht ndër breza nga të parët tanë dhe i kemi të regjistruar prej shqiptarësh. Prof.Shkurtaj i është qasur Eposit për fjalët e zgjedhura dhe shprehjet e mrekullueshme, frazeologjinë e spikatur dhe urimet, mallkimet dhe forcën e kumtit që përcjell krijimtaria artistike popullore  edhe sot, në kohët moderne. Kur e lexon këtë përmbledhje (miscelaneo) studimore, bindesh se ndër ato 70 faqe që i takojnë Eposit, endet një monografi e vërtetë shkencore, e ilustruar me lëndë shumë të pasur në vargje të përzgjedhura. Me siguri, autori, mund ta nxjerrë më vete, si studim ekzotik që na vjen për herë të parë në rrafshin e gjuhës e figuracionit, të shkëputur nga vështrimi me vlerë, që u ka bërë këngëve të mbrujtura me krijime të kultivuara e që këndohen prej këngëtarësh me emër.

    Për gjuhën e Eposit, autori thekson se ajo është model i ligjërimit, i komportimit burrëror, i mënyrësjelljes (bihejviorizmit), si shfaqje e veçantë jo vetëm e individëve, por dhe e krejt mendësisë shoqërore përkatëse e një komuniteti. Heronjtë legjendarë të çetës së Jutbinës, që mbrojnë me shpatë trojet e të parëve të tyre, rrafshojnë kulla e qytete të krajlnive, por njëherësh, i karakterizon edhe kortezia gjuhësore në kuvende e biseda me kundërshtarët, qoftë edhe kur dalin në bejleg me ta. Këto modele, sipas Shkurtajt i kanë vënë re edhe studiues të huaj, edhe poetët  tanë, mjeshtër të fjalës, siç janë Mjeda e Fishta, të cilët i kanë thithur këto mënyra së thëni plot dinjitet shqiptari e fisnikëri malësori. Si një etnograf me përvojë, autori nuk lë pa përshkruar bisedat fjalëpaka të Eposit, rendin kur duhet marrë fjala, ndejshëm, dialogjet sy në sy e luftëtarëve si Halili e Muja me Krajle Kapedanin, kushtrimet nga bedenat e kullave; si dhe marrjen e respektimin e ndores, ngritjen këmbë të burrit, të falmet mes burrave (si përshëndetje), dhënien e dorës, urimet e bukura dhe mikpritjen me zemër, kur miku e udhëtari u kërkon konak. Autori studiues sikur ngazëllehet kur merr e përshkruan ritin mirëseardhjes, urimet për udhë të mbarë, kur përcjellin njëri-tjetrin, kur ndeshin në t’Bukurat e malit  etj. Më vete na shfaqen edhe pritjet e përcjelljet për kryeshëndosh në shtëpitë e të vdekurve, me fjalë të peshuara e të matura, me lavde e tumirime për ata që ndërruan jetë, me urime për të gjallët dhe vazhdimin e jetës me djem e trashëgimtarë! Një etnografi ligjërimi e vërtetë….

    Mjeshtër i kësaj fushe hulumtimi e kërkimi gjuhësor, prof.Shkurtaj dëshmon me këtë studim se Eposi ynë, si dhe gjithë eposet e popujve të tjerë europianë, kanë një bosht, rreth të cilit sillen vlerat dhe virtytet e atyre që i kanë ruajtur në shekuj; edhe Eposi shqiptar ka një të tillë: është Besa, si një kult i paprekur, i shenjtë, aq sa ky nocion është lidhur përherë me Perëndinë- Besa e Zotit! Nuk kishte si të lartësohej më tepër një virtyt mes njerëzve dhe që i mban ata të bashkuar, një cilësi karakteri që nuk duhet shkelur. Besa në Epos nuk jepet e as nuk merret vetëm mes dy njerëzve, por ajo rregullon marrëdhëniet në mes komuniteteve të tana, edhe mes krajlnive, sepse, në betime e përbetime, ajo lidhet gjithnjë me Krijuesin! Madje, kështu, si sintagmë e vetme: Besa e Zotit, për Besë të Zotit, ka hyrë në gjuhën e folur të folklorit shqiptar. Prandaj dhe gjejmë një varg shprehjesh të pafund me këtë fjalë, si: kam besë, a ke besë, jap besën, besa-besë, pret në besë, meriton besë, jam në besë, kërkon besë, t’mbaron besa (afati i besës), nxjerr besë, ruaju edhe në besë (prej besëthyerëve), a ke besë n’Zotin, a e din çka asht besa, mos ban be  n’rrenë, të vret besa, mos i xen besë, shtëpi bese djalë mbas djali etj. Në fjalën e tij, kur u përurua midis miqve, jo veç autori, por edhe pjesëmarrës e studiues, kolegë gjuhëtarë të tij si prof.Shezai Rrokaj e prof.Mimoza Gjokutaj, prof.Evalda Paci, kulturologë e gazetarë si Ed Andoni apo kineastë si Eduart Makri etj., nuk lanë pa thënë se Eposi dhe gjithë krijimi letrar folklorik i Veriut apo edhe i trevave të Jugut, nuk paraqesin vështirësi kuptimore as në fjalësin e pasur, as në shprehje e frazeologji dhe as në mënyrat e të thënit; ato janë shqipe dhe u drejtohen gjithë shqipfolësve.

    Autori i këtij libri, i njohur për “gjuetinë” e fjalëve të bukura, shtegtimin e tyre dhe shprehjeve popullore përgjatë gjithë jetës, nxjerr në pah brenda këtij libri edhe figurshmërinë dhe hijeshinë e leksemave dhe frazemave të Eposit, pasi, duke qenë në vargje, fjalët vijnë e poetizohen, fitojnë  bukuri e peshë të jashtëzakonshme, prandaj dhe ndalet në mënyrë të veçantë tek kjo cilësi e leksikut dhe e shprehjes; vë në dukje onomastikën dhe jep mendime si ka ndryshuar ajo në kohë, zbulon zbunime emrash për luftëtarët, dallon qeniet mitologjike shqiptare, ndryshorët sipas gjinive, na sjell mallkimet dhe rolin e tyre në ligjërimin poetik të këngëve kreshnike, automallkimet që bëjnë njerëzit për ngjarje e pasoja të rënda që kalojnë në jetë, pa lënë jashtë edhe ato shprehje që gjuhëtari ynë i quan “përshëndetje të deleguara”, fjalë tumiruese që jepen si porosi t’u thuhen të tjerëve, pa qenë të pranishëm. Kur bisedon me prof.Shkurtajn për këtë përmbledhje, sa vë në dukje vështrimet linguistike që i ka bërë Eposit, shprehet se edhe më duhej zgjatur për këtë krijesë madhështore të shqiptarëve, ruajtur nëpër shekuj, sepse pasuri si kjo, e vërtetë, që nuk mund të përshkruhen sa duam dhe sa duhet brenda një librushi, si e quan me modesti veprën e tij autori.

    Gjithë pjesa tjetër e kësaj përmbledhjeje kaq ekzotike, i mëshon idesë se këngët mbruhen me fjalët e zgjedhura për t’iu gjegjur melodive të zgjedhura nga muza e tingujve të kompozitorëve; si për këngët popullore, ashtu edhe për ato me tekste letrare të poetëve që i krijojnë. Për një albanolog (dialektolog dhe etnolog), si Gj.Shkurtaj, të merresh me vështrimin gjuhësor të këtij gjerdani nga visari ynë kombëtar, siç është arti folklorik dhe ai i kultivuar nëpërmjet këngëve të muzikuara, do të thotë si të studiosh mes luleve erëmira të një kopshti të kultivuar prej mjeshtrit të paarritshëm popull, prandaj dhe ai e ka çmuar nismën e tij e ka ngulmuar të përceptojë sa më thellë për të arritur në përfundimet që ka bërë edhe për këngët majekrahu, për tekstet e këngëve të festivaleve, fjalës së gjetur të këngëve të këngëtarëve të sotëm, për të cilët ai (edhe ne) dëshirojmë t’i dëgjojmë të na tingëllojnë sa më shqip e të kuptuara brenda vendit e deri tek bota arbëreshe, që autori ynë ka pasur fatin ta njohë aq mirë e drejtpërdrejt e të na njohëedhe ne me tingëllimën e gjuhës amtare që vëllezërit tanë e patën marrë me vete shekuj më parë dhe po përpiqen ta ruajnë edhe në ditët tona, me aq dashuri sa dhe ne.

    I urojmë autorit, kolegut të nderuar e mikut të dashur, akademikut Gjovalin Shkurta, që edhe pse po shkon afër të 80-ave, të mos e ndalë hovin e tij krijues e studimor dhe të na japë edhe vepra të tjera si këtë që sapo morëm e të tjerat, aq të shumta, disa prej të cilave (por jo të gjitha) i përmendëm më lart. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË