More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vallja", komedi nga Arthur Schnitzler

    “Vallja”, komedi nga Arthur Schnitzler

    Shqipëroi Loreta Schillock

    Dialogu i nëntë

    Aktorja dhe konti

    Dhoma e gjumit e aktores. E mobiluar me luks. Është dymbëdhjetë e mesditës; grila errësuese e brendshme e dritares është ende e ulur; mbi komodinën e natës flakëron një qiri, aktorja është ende e shtrirë në shtratin e saj me tendë. Mbi mbulesën e krevatit gjenden shpërndarë gazeta të shumta.

    Konti hyn me uniformën e një kalorësi të armatosur lehtë. Ndalon te dera.

    Aktorja

    Ah, zoti kont.

    Konti

    Mamaja juaj më lejoi, përndryshe s’do të isha…

    Aktorja

    Ju lutem, uluni.

    Konti

    Ju puth dorën. Ndjesë… kur hyn nga rrugët këtu… errësira… s’po shoh dot gjë prej gjëje. Atëherë… ja këtu… (te shtrati) Ju puth dorën!

    Aktorja

    Uluni, zoti kont.

    Konti

    Mamaja juaj më tha: “Zonjusha ndihet pa qejf… Shpresojmë të mos jetë diçka serioze”.

    Aktorja

    Asgjë serioze? Isha afër vdekjes!

    Konti

    Për hir të Zotit, si është e mundur?

    Aktorja

    Gjithsesi, më gëzon fakti që mundoheni të më vizitoni.

    Konti

    Në prag të vdekjes! Ju mbrëmë luajtët si perëndeshë.

    Aktorja

    Ishte vërtet një triumf i madh.

    Konti

    Madhështor!… Njerëzit mbetën të gjithë të magjepsur. Sa për mua, as që dua ta përmend.

    Aktorja

    Ju falënderoj për lulet e bukura!

    Konti

    Ju lutem, zonjushë!

    Aktorja

    (Tregon me sy drejt një shporte të madhe me lule, mbi një tavolinthë të vogël pranë dritares.) Ja ku janë.

    Konti

    Ju dje, në kuptimin e vërtetë të fjalës, u mbuluat me lule dhe kurora.

    Aktorja

    Ato ndodhen ende në gardërobën time. Vetëm shportën tuaj solla në shtëpi.

    Konti

    (I puth dorën.) Një gjest i ëmbël prej jush.

    Aktorja

    (Papritmas ia merr dorën dhe ia puth.)

    Konti

    Por… zonjushë.

    Aktorja

    Mos u frikësoni, zoti kont, kjo s’ju detyron për asgjë.

    Konti

    Ju jeni një krijesë e mahnitshme… mund të thuhet thuajse enigmatike. (Heshtje.)

    Aktorja

    Mendoj se zonjusha Birken është një problem më i lehtë për t’u zgjidhur.

    Konti

    Po, e vogla Birken s’është problem, edhe pse… e njoh veç kalimthi.

    Aktorja

    Oh!

    Konti

    Besoni. Por ama ju jeni një problem dhe unë kam pasur përherë dëshira për probleme. Ka qenë e gjitha një humbje e madhe për mua që nuk ju pashë të luanit më parë.

    Aktorja

    Vërtet?

    Konti

    Po. Shkuarja në teatër, zonjushë, është e komplikuar për mua. Jam mësuar të ha darkë vonë… kështu që kur arrin atje, një pjesë e mirë ka mbaruar. Apo s’është kështu?

    Aktorja

    Atëherë që tani e tutje do të hani më herët.

    Konti

    Po, edhe këtë e kam menduar. Ose mos të ha fare. Nuk është vërtet ndonjë kënaqësi ngrënia, jo.

    Aktorja

    Çfarë kënaqësie tjetër ka një plakush si ju?

    Konti

    Për këtë e pyes veten shpesh! Por ama plak nuk jam ende. Duhet të ketë një arsye tjetër.

    Aktorja

    Besoni?

    Konti

    Po. Lulu,[1] për shembull, thotë se jam filozof. E dini, zonjushë, ai mendon se unë zhytem thellë në mendime.

    Aktorja

    Po… të menduarit, kjo është fatkeqësi.

    Konti

    Kam shumë kohë, prandaj dhe mendoj thellë. Ju lutem, zonjushë, shihni, mendova, nëse më transferojnë në Vjenë, do të jetë më mirë. Këtu ka argëtim, gjallëri. Por në thelb nuk është ndryshe nga atje lart.

    Aktorja

    Ku është “atje lart”?

    Konti

    Atje poshtë, e dini, zonjushë, në Hungari, në atë humbëtirë, ku unë kam qenë zakonisht me shërbim.

    Aktorja

    Çfarë keni bërë në Hungari?

    Konti

    Siç jua përmenda, zonjushë, shërbim.

    Aktorja

    Po pse qëndruat kaq gjatë në Hungari?

    Konti

    Gjërat ndodhën si ndodhën…

    Aktorja

    Ama duhet të jetë diçka që të bën të çmendesh.

    Konti

    Përse? Preokupime, në fakt, ka më shumë këtu sesa atje. E dini, zonjushë, stërvitje rekrutësh, kalërim me Remonte[2]… e kështu që s’mbetet kohë për shëtitje, siç thuhet. Realisht është vërtet diçka e bukur, rrafshnalta; dhe një perëndim i tillë dielli… është për të ardhur keq që s’jam piktor. Ndonjëherë mendoj me vete: sikur të isha piktor, do ta pikturoja. E kishim një në regjiment, një farë Splani të ri. Dinte të pikturonte… Eh, ç’historira të mërzitshme po ju rrëfej, zonjushë.

    Aktorja

    Oh ju lutem, po kënaqem shumë.

    Konti

    A e dini, zonjushë? Gjëja më e bukur me ju është që mund të bisedohet këndshëm, e dija këtë nga Lulu dhe kjo është diçka që gjendet rrallë.

    Aktorja

    Natyrisht, atje poshtë në Hungari, apo jo?

    Konti

    Kështu është dhe në Vjenë! Njerëzit janë të njëjtë kudo; ku ka më shumë, është dhe rrëmuja më e madhe, veç ky është ndryshimi. Më thoni, zonjushë, ju pëlqejnë vërtet njerëzit?

    Aktorja

    A më pëlqejnë? I urrej! S’shoh dot me sy askënd dhe as që shoh kurrë ndonjë. Jam gjithmonë vetëm; në këtë shtëpi nuk hyn askush.

    Konti

    E shihni, e mora me mend, që i urreni njerëzit. Në art duhet të ndodhë shpesh kjo. Kur jeton në zonat e larta… të paktën jeni me fat që e dini pse jetoni!

    Aktorja

    Kush jua tha këtë? As që e kam idenë se përse jetoj!

    Konti

    Vërtet zonjushë? Të jeni e famshme… e kërkuar…

    Aktorja

    Është kjo lumturia?

    Konti

    Lumturia? Ju lutem, zonjushë, lumturia nuk ekziston. E pikërisht ato gjëra, mbi të cilat flitet më gjerësisht, nuk ekzistojnë… për shembull, dashuria. Edhe ajo nuk ekziston.

    Aktorja

    Këtu keni të drejtë.

    Konti

    Kënaqësia… dehja… edhe mundet, askush nuk i mohon… sepse vërtet ekzistojnë. Tani, kur kënaqem… e di se po kënaqem. Ose kur jam i dehur, prapë bukur. Edhe kjo është e sigurt që ekziston. Dhe kur gjithçka merr fund, thjesht merr fund.

    Aktorja

    (Madhërisht.) …merr fund!

    Konti

    Por kur dikush nuk jepet, si mund ta them më mirë, sapo të mos i dorëzohet momentit… domethënë kur dikush mendon për të ardhmen apo të shkuarën… gjithçka mbaron në një çast, në çast. Më vonë… ka trishtim… më herët ka mëdyshje… me një fjalë… mund të humbësh fillin, të hutohesh. A nuk kam të drejtë?

    Aktorja

    (Pohon me sy të zgurdulluar.) Siç duket e keni gjetur kuptimin e gjithçkaje.

    Konti

    E shihni, zonjushë, sapo qartësohesh për këtë çështje, s’ka rëndësi nëse jeton në Vjenë apo në Pusßta[3] apo në Steinamanger[4]. Për shembull… ku mund ta lë pak kapelën? Ah po, faleminderit… ku e kishim fjalën?

    Aktorja

    Për Steinamanger.

    Konti

    Korrekt. Atëherë, siç thashë, ndryshimi nuk është aq i madh. Nëse në mbrëmje ulem në kazino apo në klub, është e njëjta gjë.

    Aktorja

    Po për dashurinë, ç’mund të thuhet?

    Konti

    Nëse beson në të, gjithnjë do gjendet dikush që do të të dëshirojë.

    Aktorja

    Si për shembull, zonjusha Birken?

    Konti

    Nuk e kuptoj, zonjushë, pse e sillni gjithnjë bisedën tek ajo zonjë e vogël?

    Aktorja

    Është dashnorja juaj, apo jo?

    Konti

    Kush e thotë këtë?

    Aktorja

    Të gjithë e dinë.

    Konti

    Përveç meje, për çudi.

    Aktorja

    A nuk luftuat në një duel për shkak të saj?

    Konti

    Ndoshta… edhe më vranë, por nuk e kam vënë re.

    Aktorja

    Zoti kont, ju jeni një zotëri i vërtetë; pse nuk uleni më afër meje?

    Konti

    Me kënaqësi.

    Aktorja

    Ja këtu! (E tërheq pranë vetes, i shkon me dorë nëpër flokë, me përkëdhelje.) E dija që do të vinit sot!

    Konti

    Si e dinit?

    Aktorja

    E dija që dje në teatër.

    Konti

    Më patë që nga skena?

    Aktorja

    Zgjohuni, zotëri! A nuk e vutë re se luajta vetëm për ju?

    Konti

    Jo! Si është e mundur?

    Aktorja

    Fluturova kur ju pashë të ulur në radhën e parë!

    Konti

    Fluturuat…? Për hir tim…? Nuk kisha as idenë më të vogël që më vutë re!

    Aktorja

    Edukata juaj aristokratike është boll për të më bërë të ndihem e dëshpëruar.

    Konti

    Por, zonjushë…

    Aktorja

    “Por, zonjushë”… Të paktën hiqeni shpatën tani!

    Konti

    Nëse më  lejoni?! (E heq dhe e mbështet në shtrat.)

    Aktorja

    …dhe më jepni një puthje, më në fund.

    Konti

    (E puth, ajo e mban fort.)

    Aktorja

    Do kish qenë më mirë të mos ju kisha parë kurrë!

    Konti

    Mua më duket më mirë kështu.

    Aktorja

    Zoti kont, ju jeni një pozues i vërtetë!

    Konti

    Unë? Pse e thoni?

    Aktorja

    Sa i lumtur, mendoni, do ishte gjithkush në vendin tuaj?

    Konti

    Po. Ndihem vërtet i lumtur.

    Aktorja

    Mendova se lumturia nuk ekziston. Pse më shihni ashtu? Besoj se keni frikë nga unë, zoti kont!

    Konti

    Jua thashë zonjushë, ju jeni një problem.

    Aktorja

    Oh, më lini në paqe me filozofinë tuaj… ejani tek unë. Dhe tani mund të kërkoni ç’të doni… mund të keni gjithçka që dëshironi… Jeni kaq tërheqës.

    Konti

    Atëherë, mund të kërkoj lejen tuaj, (duke i puthur dorën) që të rikthehem te ju sot në mbrëmje.

    Aktorja

    Sot… por sonte jam prapë në skenë.

    Konti

    Pas shfaqjes.

    Aktorja

    Dhe nuk doni asgjë tjetër?

    Konti

    Për të tjerat do lutem pas teatrit.

    Aktorja

    (E fyer.) Mund të luteni sa të doni atëherë, ju i mjeri pozues.

    Konti

    Mirë, por… kemi qenë kaq të sinqertë me njëri-tjetrin deri tani… mendoj se do ishte shumë më bukur në mbrëmje pas teatrit… më rehatshëm se tani, ku… se pse kam një ndjesi sikur nga çasti në çast do hapet dera…

    Aktorja

    Nuk hapet nga jashtë.

    Konti

    Zonjushë, mendoj se s’është mirë ta prishësh me mendjelehtësi para kohe diçka që ndoshta mund të jetë shumë e bukur.

    Aktorja

    Ndoshta!…

    Konti

    Të them të vërtetën, dashuria në mëngjes më duket diçka e tmerrshme…

    Aktorja

    Atëherë, jeni me të vërtetë krijesa më e marrë që kam njohur!

    Konti

    S’po flas për femrat në përgjithësi… në fund të fundit, përgjithësisht kjo s’ka fare rëndësi. Por gratë si ju… jo, mund të më quani njëqind herë të marrë. Por gratë si ju… nuk shijohen para mëngjesit. Kështu… e dini… kështu…

    Aktorja

    O Zot, sa i ëmbël që jeni!

    Konti

    E kuptoni atë që thashë, apo jo? E përfytyroj sikur…

    Aktorja

    Më thoni, si e përfytyroni?

    Konti

    Ja kështu… ju pres në karrocë pas shfaqjes. Pastaj shkojmë së bashku për darkë, diku…

    Aktorja

    Nuk jam zonjusha Birken unë!

    Konti

    Nuk e thashë një gjë të tillë. Thjesht mendoj se çdo gjë vjen me atmosferën e duhur. Në rastin tim nuk jam kurrë në qejf para darke. Më e mrekullueshmja është kur pas darkës udhëtojmë së bashku për në shtëpi, atëherë…

    Aktorja

    Atëherë, çfarë?

    Konti

    Atëherë… varet nga rrjedha e mbrëmjes…

    Aktorja

    Ejani, uluni këtu afër. Më afër.

    Konti

    (Ulet në shtrat.) Më duket se nga jastëkët kundërmon diçka si… minionetë, apo jo?

    Aktorja

    A nuk mendoni se është shumë vapë këtu?

    Konti

    (Përkulet dhe i puth qafën.)

    Aktorja

    Oh, zoti Konti, po kjo është kundër programit tuaj.

    Konti

    Kush foli për programe? Unë s’kam ndonjë program.

    Aktorja

    (E tërheq pranë vetes.)

    Konti

    Është vërtet nxehtë.

    Aktorja

    Vërtet? Dhe kaq errësirë, ​​si t’ishte mbrëmje… (E tërheq ngjitur vetes.) Është mbrëmje… është natë… Mbyllini sytë, po qe shumë dritë për ju. Ejani…! Ejani…!

    Konti

    (Nuk kundërshton më.)

    Aktorja

    Si të duket atmosfera tani, pozues?

    Konti

    Ti je një djall i vogël.

    Aktorja

    Ç’është kjo që më thua?

    Konti

    Mirë atëherë, një engjëll i vogël.

    Aktorja

    Duhet të ishe bërë aktor! Vërtet! Ti i njeh mirë gratë! E di se ç’do bëj tani?

    Konti

    Çfarë?

    Aktorja

    Do të të them se nuk dua të të shoh më kurrë.

    Konti

    E përse?

    Aktorja

    Kurrë më! Je shumë i rrezikshëm për mua! Ti e bën femrën të çmendet. Tani, qëndron këtu para meje, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

    Konti

    Por…

    Aktorja

    Mos harro, zoti kont, sapo ju dhashë gjithçka.

    Konti

    S’do ta harroj kurrë!

    Aktorja

    Po për sonte mbrëma, si do bëjmë?

    Konti

    Në ç’kuptim?

    Aktorja

    Pra, doje të më prisje pas shfaqjes së teatrit…?

    Konti

    Ah po, le të themi, për shembull, pasnesër.

    Aktorja

    Ç’do të thotë kjo, pasnesër? Ishte fjala për sot.

    Konti

    Sot s’do kishte shumë kuptim.

    Aktorja

    Eh, plakush!

    Konti

    Nuk po më kupton. Dua të them se ka të bëjë, më shumë se me gjithçka tjetër, me shpirtin.

    Aktorja

    E ç’më intereson shpirti yt?

    Konti

    Më beso, ka shumë rëndësi. Jam i mendimit se është e gabuar kjo mënyrë e jotja e ndarjes…

    Aktorja

    Më lër në paqe me filozofinë tënde. Nëse dua diçka të tillë, e lexoj në libra.

    Konti

    Nga librat s’mësohet kurrë.

    Aktorja

    Kjo është e vërtetë! Prandaj duhet të më presësh sot në mbrëmje. Për sa i përket shpirtit, do biem në një mendje… ti maskara!

    Konti

    Mirë, nëse më lejon, do pres në karrocën time…

    Aktorja

    Jo, do presësh këtu në shtëpinë time…

    Konti

    …pas shfaqjes.

    Aktorja

    Natyrisht.

    (Konti rivendos shpatën.)

    Aktorja

    Ç’po bën?

    Konti

    Mendoj se është koha të largohem. Si për një vizitë joformale më duket se ndenja paksa gjatë.

    Aktorja

    Atëherë, sonte në mbrëmje le të jetë vizitë formale.

    Konti

    Ashtu?

    Aktorja

    Ma lër mua të kujdesem për këtë. Dhe tani më jep edhe një puthje, ti filozofi im i vogël. Pra, o joshës… o i ëmbli vogëlush… o tregtar shpirtrash, o panterë. (Pasi e puth fort disa herë, e largon me forcë.) Zoti kont, ishte një nder i madh për mua!

    Konti

    Ju puth dorën, zonjushë! (Te dera.) Mirupafshim.

    Aktorja

    Tungjatjeta dhe të fala Steinamangerit!

    Rl Boocks

    Bruksel, Dhjetor 2021


    [1]  Emri është në fakt Loulou: rrjedh nga frëngjishtja dhe është formë përkëdhelëse e emrit Louis ose Louise. Përdoret edhe në kuptimin: shpirt, zemërushe.

    [2]  Remonte: rrjeth nga frëngjishtja dhe përdoret për kuajt të rinj të ushtrisë; është një term i përdorur në stërvitjen klasike të kalërimit.

    [3]  Hungarisht Puszta: krahinë me livadhe të gjëra në Hungari.

    [4]  Qytet provincial hungarez, shtrihet në perëndim të Austrisë dhe nuk ndodhet shumë larg Vjenës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË