KreuLigjëratëFjalë me rastin e promovimit të librit “Diplomati” të Arben Cicit

Fjalë me rastin e promovimit të librit “Diplomati” të Arben Cicit

I dashur Arben,

Të dashur miq,

Të nderuar të pranishëm,

Edhe një here mirë se erdhët në këtë takim kushtuar prezantimit të librit Diplomati, të autorit Arben Cici, anëtar i Komisionit të Përhershëm të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një personalitet që e njohim dhe e vlerësojmë për formimin e tij intelektual, përvojën e gjatë profesionale dhe kontributin në jetën diplomatike dhe publike të vendit tonë.

E vërteta kërkon të thuhet se kur Arbeni më tha që e kishte përfunduar librin, unë mendova se e kishte fjalën për një libër të natyrës enciklopedike të tipit “Fjalori i Diplomacisë”, për të cilin ka kohë që punon dhe besoj që do të jetë i dyti në rradhë pas “Diplomatit” që po e përurojmë sot. Arben Cici është një diplomat karriere, i cili përmes ushtrimit të këtij profesioni ka pasur mundësinë të njohë nga afër njerëz, personalitete, kultura, mendësi dhe realitete të ndryshme politike e historike të cilat i ka pasqyruar në këtë libër.

Konstatimi im i parë është që libri Diplomati është një botim i veçantë, se nuk i bindet plotësisht kufijve të një zhanri të vetëm letrar, apo të ketë ngjashmëri me botime të bëra nga kolegë të tij ish ambasadorë që ju tashmë i njihni. Këtu përjashtim bën proza e Konicës të cilën e gjej të afërt me natyrën e DIPLOMATIT të Cicit. Në librin e tij ndërthuren rrëfimet autobiografike, monologjet, tregimet, dialogjet, poezitë, reflektimet filozofike dhe elementet e satirës e të alegorisë, të cilat pleksen si në një palimpsest, ndërkohë që plotësojnë njëra-tjetrën, duke krijuar një tekst polifonik me shumë shtresa leximi e kuptimi. Pra, mund të themi se nuk kemi të bëjmë me një libër tradicional kujtimesh diplomatike, as me një manual të profesionit. Autori edhe pse na tregon thjesht prapaskenat e diplomacisë, kronologjinë e negociatave apo historitë e personazheve të njohur të politikës ndërkombëtare, Ai ndërkohë zgjedh edhe rrugë të tjera, akoma më personale dhe më krijuese: si p.sh të na flasë për diplomacinë përmes njeriut dhe për njeriun përmes diplomacisë.

Konstatimi i dytë ka të bëjë me natyrën e Diplomatit. Ai nuk paraqitet si një personazh i pagabueshëm, i rrethuar vetëm nga protokolli dhe solemniteti i funksionit të tij. Përkundrazi, ai edhe pse është një individ i veçantë, ai ka dilemat, kujtimet, ndjeshmëritë, përgjegjësitë familjare dhe botën e tij të brendshme që jo gjithmonë përputhet me rolin që duhet të përfaqësojë. Do të veçoja dimensionin e vlerave të trashëgimisë dhe të kujtesës, veçanërisht lidhjen me familjen, me të atin, me qytetin e lindjes dhe me formimin e hershëm intelektual. Këto janë faqe ku libri fiton një ngrohtësi të veçantë. Autori na kujton se formimi i një personaliteti vijon si i tillë në zyrat e institucioneve, në sallat e konferencave apo në tryezat e negociatave, ndërkohë që është formuar shumë më herët, në familje, në bibliotekën e shtëpisë, në marrëdhëniet njerëzore dhe në kulturën që trashëgojmë. Një gjetje veçanërisht interesante është mënyra se si autori u jep jetë objekteve të zakonshme të botës diplomatike. Kravata, gota e verës, takat e kuqe, kostumi, valixhja apo edhe një deve bëhen personazhe dhe bartës të kuptimeve simbolike. Përmes tyre, autori krijon situata me humor, ironi dhe grotesk, por edhe me një përmbajtje të thellë reflektuese. Në libër, Arben Cici na kujton se formimi i një diplomati shkon përtej njohurive politike dhe profesionale, duke përfshirë edhe ndjeshmërinë artistike e kulturore. Kitara e vjetër në bibliotekën e të atit, e pranishme mes librave dhe heshtjes, është një simbol i bukur i këtij mozaiku elementesh që të formon. Muzika kultivon artin e të dëgjuarit, ndjeshmërinë ndaj detajeve me synim kërkimin e harmonisë. Sepse, në fund të fundit, diplomati i mirë, njëlloj si artisti, nuk imponon zërin e tij por synon harmoninë mes zërave të ndryshëm.

Konstatimi i tretë ka të bëjë me misionin e Diplomatit: me paqen, e cila është një tjetër bosht thelbësor i veprës. Në një botë ku konfliktet, mosmarrëveshjet dhe tensionet ndërkombëtare janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, mesazhi i autorit për dialogun, maturinë, mirëkuptimin dhe përgjegjësinë ndaj fjalës merr një domethënie të posaçme.

Diplomati është një libër që mund të lexohet në disa nivele: si një rrëfim për jetën dhe përvojën e një diplomati, niveli tjetër lidhet me një vështrim ironik mbi botën e institucioneve dhe të pushtetit, akoma më tej si një reflektim filozofik mbi karakterin njerëzor dhe, mbi të gjitha, si një thirrje për të mos e humbur humanizmin në marrëdhëniet me të tjerët. Kështu, përtej diplomatit si profesion, ne zbulojmë diplomatin si karakter “sui generis” dhe si Conscientia officii (ndërgjegja e detyrës).

Së fundi, për të qenë një libër ideal me titull DIPLOMATI, prej një diplomati, do të duhet të ketë edhe të tjera kuptime dhe enigma në të, të cilat ne ende si kemi zbuluar deri më tani, se një libër i tillë nuk mund të jetë ndryshe. Kësisoj bashkë me urimin që Diplomati të gjejë lexuesit e interesuar në udhëtimin e pafundmë e përgëzoj Arbenin me plot gojën për këtë kontribut të çmuar në letrat shqipe! Faleminderit!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË