More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vallet e ngrira", tregim nga Enver Kushi

    “Vallet e ngrira”, tregim nga Enver Kushi

    Ajo ishte një vjeshtë me qiell gri të hapur, monoton e të përgjumur. Ishte qiell pa ulërima dhe i palëvizshëm, sikur kishte vite që qëndronte ashtu mbi qytezën e vogël në Jug të vendit.

    Qyteza e vogël në Jug të vendit shtrihej në faqen e një kodre të lartë, ndërsa në këmbët e saj ishte fusha e kuajve, nga edhe e kishte marrë emrin qyteza.

    Dimrat këtu ishin të butë. Ata kalonin shpejt, pa u ndjerë, me ca ditë shirash dhe erëra të ftohta, që dukeshin qesharake me ato të thellësive të vendit.

    Dëbora apo ditët me ngrica jo vetëm ishin të rralla, por kishte breza që nuk i kishin parë asnjëherë ato.

    Qyteza, që kishte marrë emrin nga fusha e kuajve, kishte valltarë të famshëm. Edhe po të kapërcejë vendin e quajtur Qafa e Botës apo malin pranë qytezës e të shkojë më në Jug, përtej lumenjve Kalama dhe Aheron, do njiheshe me valltarë të tjerë me emër…

    Fisi i dëgjuar i Takajve kishte pesë valltarë. Fisi i Hodajve katër. Fiset e tjerë nga dy a më shumë…

    Në dasma, por edhe në ditë të zakonshme, në oborret e rrethuara me avlli guri, rrugica apo sheshin e vogël në qendër, vallet shpërthenin papritur. Ishin ca valle herë të vrullshme, me ulje dhe ngritje të shpejta, me goditje të forta të këmbëve e duarve në tokë dhe herë- herë të qeta, me lëvizje të ngadalta, që të kujtonin qetësinë e muzgjeve dhe qiejt e kaltër të pranverës…

    Kishte mbi dy javë që vazhdonte shtegtimi i zogjve. Herë-herë zogjtë shtegtarë të lodhur nga udha e gjatë e qiellit, uleshin mbi ullinjtë dhe drunjtë e pyllit pranë qytezës..

    Pastaj nuk kaluan më zogj. Mbeti vetëm qielli gri dhe i palëvizshëm.

    U volën ullinjtë dhe javën e fundit të vjeshtës së tretë, nisën punën lutërvitë. Vaji i ullint rridhte me përtim nëpër  ulluqet prej druri. U mblodhën vargjet e thatë të fiqve dhe plakat vunë nëpër sënduqe ftonjtë dhe shegët.

    Pastaj u bë edhe dasma e fundit. Sazexhinjtë erdhën në orët e vona të të hënës dhe dasma nisi të nesermen, në të dalë  të ditës së martë.

    Ditën e tretë të çeljes së dasmës, pritej të vinte valltari i famshëm Selman Taka, i njohur jo vetëm në qytetin e vogël, por edhe në qytetet dhe fshatrat përtej lumenjve Kalama e Aheron.

    Valltari i famshëm nuk erdhi as atë natë dhe as natën tjetër. U fol se ai ishte i sëmurë rëndë….. Pati zëra që thanë se ai ishte ftuar në një dasëm tjetër përtej Qafës së Botës, në një fshat pranë lumit Kalama….

    Lëvizën retë gri dhe qielli i çliruar prej tyre, u duk më i plotë, veçanërisht në netët me yje të mëdhenj.

    Pastaj erdhi lajmi se Selman Taka ishte kallkanosur.  Si kallkanosur? E mora vesh mirë. Ma tha djali i tij. Ka ngrirë nga mesi  e poshtë Selmani. Nuk lëviz dot, më tha.

    Nata e fundit e dasmës nisi me një kaba në të qarë. Sazexhinjtë e ardhur nga Janina, u ngritën në këmbë dhe klarinetisti i gjatë, pasi vështroi i bëri një shenjë violinistit e kur ai ju afrua pranë diç i tha në vesh. Pastaj klarinetisti preku me majën e buzëve klarinetën dhe shfryu bulçinë e majtë… Pastaj ngriu ajri i mbrëmjes. Edhe fusha e kuajve. Edhe ullinjtë. Edhe erërat. Edhe ndriçimi i largët i yjeve… Pastaj  u dëgjua defi, që dukej sikur trokiste për të çelur dyert e dhimbjes. Erdhi violina që i çeli menjëhere dyert e dhimbjes…. Dhe kur defi pushoi dhe mbetën në ajër tingujt e violinës, u dëgjuan tingujt e vetmuar të klarinetës.

    Dhimbja ishte atje. Mund të zgjasje duart për ta prekur atë. Atje ishte edhe valltari Selman Taka, zhytur në botën e dhimbjes. I ngrirë. Me duar që i lëvistë nëpër ajrin e natës dhe me këmbët e ngrira. Ishte një kaba në të qarë për Selman Takën dhe vallet e ngrira.

    Muaji i ri nisi me drapërin e hollë të hënës. Ai u shfaq në perëndim të diellit, rrethuar me një lëm të madh.

    Pastaj nisën të frynin erërat e forta. Ato sollën një qiell me ulërima, re të trazuara dhe ëndrra. Ishin ca ëndrra me të vdekur, valltare të ngrirë, ujëra të turbullta që përmbytnin  fushën e kuajve, peshq të ngordhur nëpër shtretërit e tharë të lumenjve Kalama e Aheron….

    Pushuan erërat. Edhe ulërimat e qiellit pushuan.

    Kaluan Qafën e Botës tufat e dhënëve të kolonjarëve dhe vllehët e Gramozit, për të dimëruar fushave të Frarit, brigjeve pranë Gumenicës apo Pargës e Prevezës.

    Ajo erdhi e beftë, duke zbritur në të gdhirë prej një qielli të ulët… Bora mbuloi jo vetëm qytezën, por edhe fushën e kuajve si dhe Qafën e Botës.

    Në mesditë, nga Qafa e Botës nisi të fryjë erë e ftohtë, që e kallkanosi menjëherë dëborën. Dhe kur era pushoi, në qendër të qytezës erdhën dy kalorës. Ata kërkuan ujë për kuajt e pasi u dhanë ujë kuajve, u larguan.

    Ndoshta lajmin për ardhjen e tyre në qytezë e sollën kalorësit… Ndoshta ndonjë udhëtar tjetër, ardhur nga larg. Lajmi u përhap menjëherë…

    Të huajt pritej të vinin pas dy ditësh. Ata vinin nga Evropa dhe do të merreshin me vendosjen e sinoreve të kufirit.

    Ndërroi prap qielli. Vdiq plaka Hazbo. Ishte 106 vjeç.

    U mblodh pleqësia e qytezës ku u vendos që të nxireshin nga sunduket veshjet e vjetra. Të vishen edhe gratë, edhe nuset e reja, edhe fëmijët me to.

    Asnjë lajm për Komision e Kufirit. U fol për djegie nuri në të dalë të qytezës. Një flakë si në të gjelbërt ngrihej në vendin e quajtur kroi i Pirros… Flaka e gjelbër u shfaq edhe në bokërrimat pranë Qafës së Botës.

    Ata mbrritën në qytezë orët e para të mengjesit. U zbritën karrocave në qendër dhe zunë vend në hanin e madh.

    Takime me banorë të ndryshëm. Shënime. Mbajtur në jug të Shqipërisë. Ata na shohin me vëmendje dhe fëmijët e tyre, si dhe gratë janë veshur me kostume popullore. Duken të nervozuar, veçanërisht të moshuarit. E pyes për moshën. Tha se nuk e mbante mend… Pastaj me një nervozizëm të dukshëm tha se atje edhe gurët flisnin shqip. Edhe era këndon shqip. Edhe kalldrëmet dhe ullinjtë vallëzojnë shqip. Edhe  tutje, matanë atyre maleve, flasin si ne.

    Fjalët e dy fëmijëve të vegjël: gluha, nana, klumusht… Babai dhe gjishi…

    Në ç’muaj jemi? Përgjigjmu të thom. Në ç’muaj jemi? Tri herë ka ndërruar qielli. Tri herë është shfaqur nuri te Kroi i Pirros. Në ç’muaj jemi?

    Ra borë dhe qielli ndërroi prap.

    Në mëngjes ajo pushoi, por qielli mbeti po ai: gri dhe i ulur.

    Mbaruan hetimet për caktimin e sinorëve të kufirit. Anëtarët e komisionit dolën në qendër të qytezës. Në qendër të qytezës dolën edhe shumë banorë dhe fëmijë. Fëmijët ishin veshur me kostume popullore, ndërsa shumë pleq kishin vënë në kokë festet me bisht.

    Valltari Selman Taka i foli djalit të vogël. Djali i vogël hyri menjëherë në dhomën ku lëngonte valltari. Ai shtangu kur vuri re të atin ngritur përgjysmë. Valltari i tha të birit të afrohej. Pastaj duke i zgjatur krahët i tha se donte të ngrihej. Imzot, tha i biri. Ç’bën imzot? Ngremë. Ndihmomë të ngrihem. Imzot… Ndihmomë të thashë, foli me zë të lartë Selman Taka. Do vete atje ku vendosen sinoret….

    Folu edhe vellezërve. Folu shpejt. Do u thom atyre se këtu e matanë është Shqipëri.

    Më lëshoni, u tha djemve Selman Taka. Eci vetë tani. Ai nisi të ecë ngadalë. Tokën e prekën në fillim majat e gishtërinjve e pastaj u bë njësh me tokën. Një drithërimë e lehtë u ndje që nga poshtë shputave të këmbëve. Toka ishte e ftohtë, e lagësht e vende – vende e bardhë Dum-dum.  Dum-dum. Tingujt e violinës dhe defi. Pastaj tingujt e klarinetës. Edhe zëra. Zërat nuk vinin nga turma e njerëzve, që shihnin gati si të ngrirë valltarin Selman Taka. Ishin  zëra dheu. Vinin nga thellësitë e jo nga qielli, sepse qielli ishte i verbër dhe i pagojë.

    Ata që ishin atje panë se si valltari, pasi ngriti kokën lart, zgjati këmbën e djathtë përpara dhe duke lëvizur me një shkathtësi të çuditshme krahun në ajër, përkuli trupin përpara dhe befas u ngrit i tëri në ajër… Ai po kërcente. Trupi i tij sikur  nuk ekzistonte më. Ai ulej në tokë, përplaste në të me forcë duart e ngrihej vërtik lart. U jam këtu. Këtu në dheun tënë. Mos vini sinore këtu. Mos na e ndani shpirtin….

    Ajo ishte një vjeshtë me qiell gri të hapur, monoton e të përgjumur. Dhe kur ajo shkoi, ndërruan qiejt dhe erdhën stinë të tjera me ca gurë sinoresh që ndanë shpirtëra njerëzish.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË