More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ushtarët e ëndrrave", poezi nga Linda Agolli

    “Ushtarët e ëndrrave”, poezi nga Linda Agolli

    SA SHPEJT VJEN NATA

    Dhe shpejt, sa shpejt që vjen nata
    Valëvitur si tyl i vejushës
    Një prekje më endet në trup
    Mbështillet si mjegulla gëmushës
    Dhe shpejt, sa shpejt që vjen nata.

    Dhe shpejt e shpejt bie nata
    Këndon zëpak një zogth i trishtuar
    Rrëzohet pa zhurmë një muzg
    Më derdh errësirë përmbi duar
    Dhe shpejt e shpejt bie nata.

    Dhe shpejt, si qyrk rëndon nata
    Një zilkë trembur tundet në erë
    Shtëpi e vogël rrënuar
    Hyjnë dy pleq, pas mbyllet një derë
    Dhe shpejt, si qyrk rëndon nata.

    Dhe shpejt, sa shpejt sundon nata
    Dita shuhet sysh, e ngrata…


    USHTARËT E ËNDRRAVE

    Nuk shoh më ëndrra
    Kaptoj botën time dhe gjendem në një tjetër
    Pa zhelet e kësaj bote.

    I pata nisur dikur në beteja
    Ushtarët e pavdekshëm të ëndrrave
    Ushtonte trumbeta
    Gjëmonte ëndrra.
    U pata ngritur monumente
    Dhe gdhendur krahë
    Ushtarëve të ëndrrave të mia.

    Janë kthyer prej kohësh
    Dhe unë prej kohësh fle mbi mermer
    Kalojnë aty pari ata, ushtarë
    Ende të parritur ,
    Lëpijnë plagë imagjinare.

    Eshtrat e mia mbetur mbi ëndrra
    Gdhendin me mundim
    Emra besnikësh.

    Tani mbi shtrat të bardhë
    Si pika e vesës, mbi gjethe fle,
    E në rrëshqitsha
    Do të jetoj në zemër të Detit.


    DUART E MIA RREKEN TË MBAJNË ZËRIN TËND

    Duart e mia rreken të mbajnë fort zërin tënd
    Që kumbon
    Ndër kupa të vogla qiejsh të coptuar
    Zërin që hopet,
    Perplaset, derdhet e jehon,
    Mureve të bardha
    Nga llërët pikon teposhtë
    Kyçeve të imtë,
    E dua ta mbaj.
    Ta mbaj dhe i thërras me shkulm
    Lëshoj gjithë lukuninë e kordave të mia të memecta
    Por zëri yt shkon tejpërtej atje,
    Përmbi bedenat e një ëndrre
    Të vetmuar
    Ndrydhur në kështjellë harrese.

    Nuk më dëgjon, më zbraps,
    Më ngrin ndër duar
    Dhe bëhem shtrati i lumit të askund
    Thërrmohem, bie, bëhem blu,
    Derdh trupin e pastaj,
    Dergjem plot plagë në dete…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË