More
    KreuLetërsiBibliotekëShpresa Qeriqi: Bishti (pamje)

    Shpresa Qeriqi: Bishti (pamje)

    Jashtë bie shi i shpeshtë me erë, rrëmbyeshëm piklat e tij përplasen nëpër dritare. Burri e dëgjon me vëmendje (i bëhet se e dëgjon, tek kullon vajtueshëm mbi pullaz), prandaj i duket sikur shi bie edhe nga tavani. Mbrapa ka lënë një korridor të ngushtë, por ai tash qëndron përpara derës. Shtrin duart në të njëjtën lartësi me barkun, derisa ndjen se ka prekur dërrasën, rrëshqet gishtërinjtë që të gjejë dorezën. Kthehet nga ana tjetër për ta kuptuar nëse e ka gabuar drejtimin. E hap derën dhe e mbyll pas vetes. Vajza qan, por zëri i saj dëgjohet më pak. Burri nis një hap të shkurtër, bën dy-tre hapa, ndalet sa një frymëmarrje dhe niset prapë. Një dhimbje e fortë dhe e gjatë, njësoj si shpimi nga një gozhdë, ia ndal hapin. Është cepi i tavolinës, katër cepat e saj janë me teh. Ndalet një grimë nga dhimbja, përpiqet por nuk kujton përse ajo ndodhet aty e jo pranë dritares. Shan me të vogël dhe fërkon gjurin me shuplakë të dorës.

    Burri merr drejtim të ri, shtrati është dy hapa larg. Nga e majta e tij është kutia prej kartoni, afro një metër e lartë, por përgjysmë e gjerë. Kutia është e hapur, ndaj veç kërruset dhe fut të dyja duart brenda. Ndjen se ka prekur diçka, e nxjerr dhe e shtrëngon me shuplaka, tash me njërën dorë përpiqet t’ia zbulojë formën. Është e butë, e fryrë si një top. Diçka e gjatë dhe e hollë i varet, i ngjan si një bisht, e kupton nuk është një bisht, por një hundë elefanti. E hedh tutje. Burri merr të rrëmojë përsëri, në duar ka diçka rrumbullake, në njërën anë heton dy këmbë të vogla, mes tyre një qafë të gjatë. Mendon se është një breshkë, ai kishte prekur breshkë kur ishte fëmijë, madje e kishte qëlluar disa herë me gisht në zhguall. E qëllon disa herë dhe e afron te veshi i djathtë, por nuk dëgjon asnjë tingull. Vajza qan tërë kohën, burri e dëgjon bashkë me shiun që përplaset xhamave, në vesh herë i vjen një me të, e herë ia del t’i dëgjojë ndaras. Tash me gishta kap një gjë të butë, ai me zor i dallon, në kuti ka më shumë gjëra të forta. Nuk përpiqet të kuptojë cila kafshë mund të jetë, arushë nuk është, sepse ka dy këmbë të gjata. Që të mos i bjerë prapë në dorë ulet ngadalë dhe e lë në dysheme. Tani ka përveshur mëngët, nervozizmi i kalon nëpër gishtërinj. Një gjë të fortë e kalon nëpër gishta, me një bark të fryrë dhe këmbë të vogla. “Është një sqep”, e buzëve të zbehta i ndrit një gaz, nëpër mend kalon fëmijërinë e tij, lodrat atëherë ishin të gjalla, pula, zogj, qen dhe mace. Kujton më shumë pulat me zogj, dhe sqepin e njërës që ia çokiste gishtat e këmbës kur (ai) ishte fare pranë zogjve të saj. Burri ndjen diçka me këmbë ( realisht ai e ndjen me gishtat e këmbës së djathtë), ndaj përkulet dhe e kap. Inatshëm tash po e shtyp dhe po e ndrydh në njërin grusht feçkën e elefantit që minuta më parë e kishte hedhur në dysheme. “ Elefant i mutit”- mërmërit, dhe e hedh me nervozizëm. Ndjen se po humb durimin, megjithatë nuk ia mban të kthehet me një elefant. I vjen në vesh prapë zëri i saj, fut kokën mes duarve, pastaj me shuplaka mbulon veshët që të mos e dëgjojë. Tash duart e tij janë përbrenda kutisë prej kartoni, brenda kanë mbetur gjëra të forta, gjysmë të buta ose gjysmë të forta, i nxjerr të gjitha jashtë saj me nervozizëm. Drejton trupin dhe i lë të lira duart, nuk kujton dot ku tjetër mund të ketë lodra. Shiu, nuk përplaset më xhamave ( as nuk i bëhet më se e dëgjon tek kullon vajtueshëm), por vajza qan njësoj. Ashtu qëndron disa sekonda, dyshemeja tani është përplot lodra, i shtyn ngadalë me këmbë që të mos pengohet, pastaj ec në drejtim të shtratit dhe ndalet atëherë kur nën gju ndjen dërrasën e poshtme të tij. Sot në mëngjes nuk ia ka rregulluar shtratin së bijës, çarçafi që i lidhet duarve e nervozon edhe më shumë. Gjen jastëkun dhe e hedh kur në cep të shtratit heton diçka. Merr gjënë e butë në duar, është e madhe, por ia del ta shtrëngojë me shuplaka. Dy vesh të vegjël, mes tyre dy pulla, mes pullave një feçkë. Mbrapa nuk ka bisht. E mbërthen një emocion i lehtë dhe ofshanë i çliruar. Arushën ( lexo: nëse me të vërtetë ishte e tillë) e mban me njërën dorë, me tjetrën gjunjazi kërkon jastëkun. Ngrihet në këmbë, arushën lë në shtrat, bie gjunjazi prapë dhe kërkon jastëkun. Nuk kujton dot nga cila anë e shtratit e ka hedhur, ngrihet, drejton trupin dhe pushon. Tash merr frymë i qetë, arushën mban në dorë, në mendje i vjen zëri i bashkëshortes, por nuk e kupton më, çfarë e shqetëson më shumë. Ajo që do t’i flasë njësoj sikur atëherë kur ishte ngatërruar keq me kutinë e qumështit dhe i kishte dhënë fëmijës tre muajsh lëng portokalli, apo se ai lehtësisht mund t’i kishte marrë erë ( lexo: sikur t’i kujtohej), dhe ajo nuk do të kishte përse t’i bënte të gjitha vetëm, madje nuk do të përpiqej kaq shumë, edhe nëse vetëm për të fshehur nervozizmin në zërin e saj. Në mendje i vijnë gjithfarë fjalësh, të shajë, të shfryhet e të bërtasë me sa ka zë. Një arushë, nëse me të vërtetë ishte e tillë, e kishte sjellë deri në atë pikë sa për dreq sa keq që nuk i lejohej t’ia këpuste ato dy pulla dhe ta linte vetëm me një feçkë. Arushen fut nën mjekër, s’ka kohë të rregullojë shtratin, por me të dy duart përpiqet të zhvendosë tavolinën. Diçka e pengon, përkulet ta largojë.

    Nuk arrin të bëjë as më të voglin dallim, kanë një madhësi, dy vesh të vegjël, dy pulla dhe një feçkë. Një drithërim i përshkon trupin, ka gjetur një tjetër arushë. “ Dua arushën e kuqe”. Në mendje i vjen zëri i saj i hollë, njashtu hollë e godet supeve, nuk e dëgjon më tek qan, por plogështohet ( lexo: Shpirti iu ndrydh pak; Fryma i harxhohet në gushë; Ose shiu që përplasej xhamave tash sikur e godet trupit, dhe vajtueshëm kullohet mbi të). Me gishtat e njërës dorë shtrëngon tëmthat, derisa ndjen si i rreh damari. Pastaj i zhgënjyer e pranon se nuk ka si dreqin ta dijë se cila është e kuqja! Tani po mendon një numër; gjasmë ende beson në fat.

         Në mendje nuk i vjen asnjë i veçantë, numrin tetë as nuk guxon ta veçojë, ai kishte mbetur si numrat e tjerë pavarësisht që në një ditë krejt të zakonshme si kjo, një tetë, një datë që mbante përpara një tetë, ishte ditëlindja e tij. Nuk ka kohë të mendohet, numrat janë thjeshtë numra, datat gjithashtu, fundja ç’rëndësi mund t’i jepte sot ditëlindjes së tij. Ashtu në ankth u nis me të dyja, gjen derën me lehtësi. Mbyll derën pas vetes dhe drejton trupin. Përpara ka korridorin e ngushtë, niset dhe ec përgjatë murit. Numëron hapat, në hapin e nëntë ndalet, përkulet dhe lë poshtë njërën arushë. Burri bën një gjest me krahët, duket sikur i shkund. Me njërën dorë prek kornizën e derës, ndalet një copë herë përpara saj, ndjen gjoksin si i fryhet e i shfryhet papushim, pastaj mbledh veten dhe e hap. E thërret në emër dhe zëshëm e mbyll derën, por askush nuk i përgjigjet. Tash burri është pranë divanit, ulet dhe zgjat dorën, dallon këmbën e vogël, pastaj këmbën tjetër dhe barkun. Jashtë po bie një shi i lehtë pa erë që nuk dëgjohet fare, dhe vajza tash po fle.

    U lëshua i lodhur në kolltuk, tash përballë saj rri e qetësohet, fshin djersën prej ballit me shuplakë të dorës, ndjen si i pushojnë krahët dhe djersën si ia lëmon gishtërinjtë. Nuk mendon më, por pendohet!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË