Në qiellin tim bien yje
Në qiellin tim
Çdo mbrëmje bien yje
Në jastëk ëndrrash
Tringëllojnë si monedha
Lind çdo mbrëmje
Hënë e re fosforeshente
Në qiellin e jetës sime.
Kopshti sekret
Vij gjithmonë këtu…
Kopshti i lirisë sime
Bota sa hapja e krahëve
Më mjafton drita jote
Gurët e kalldrëmit
hallkat e dëshirave të mia
Vij gjithmonë këtu …
Këpus dorëzonjë
Më quani edhe hajdute lulesh
E pranoj..
Kapërcej mure
Mes dëshirave kacavirrem
Si jargavan
Limfa e saj mi hedh duart krahëve
Vij gjithmonë ketu…
Shndërrohem në lulekambane
Bëhem tingulli i saj
Tingull që nuk e dëgjuat kurrë
Do të vij gjithmonë këtu…
Statujë pa kokë
Cili Romeo të dashuroi i pari
E kokën e bukur ta mbajti kujtim ?
A mund te quhet dashuria robërim
Apo robërimi dashuri ?
Ti bukuroshe e çmuar pa kokë
e ftohtë, e ngurtë, trup mermer
Si në sfilatë drejt qëndron
pëlhurëbardhë, gji e gushë nxjerrë
A mos vallë dhe gjakun
Si verë të kuqe në gota ta pinë
Në arkëz ta vendosën kokën
E për trofe ngritën dollinë
Toka
Në gjirin tënd, jetë merr gjithçka
Filizave të njomë, si nënë e përkushtuar
shtatin ua rrit
Lulet e tyre, çast nusërie
si vello flokëve
I buzëqesh diellit
se borxh i ke rrezet
I buzëqesh ujit
se borxh i ke jetën
I buzëqesh rinisë
që kurora thurrin
për të dashurit
U buzëqesh kalimtarëve
e u thërret në emër
Ti të gjithë i njeh
Se hijet e tyre i mban në kujtesë
nga dita që lindin
deri në harresë
Bravo Dafiola