More
    KreuLetërsiBibliotekë"Letër nënës, e padërguar", tregim nga Artur Spanjolli

    “Letër nënës, e padërguar”, tregim nga Artur Spanjolli

    Nuk arrita dota të ta postoja letrën e fundit. Nuk ja dola. Tashmë ishe nisur. Ishe nisur për udhëtimin më të mistershëm dhe më të frikshëm të njeriut. E di. Thonë se është sikur të flesh gjumë. Është sikur të përgjumesh dhe të humbasësh nëpër mjergullat e panjohura të egzistencës. Kur arrita atje, ishe pezull mes kësaj dhe asaj bote. Mjekrra e dalë, sytë e përhumbur, flokët e dendur të bardhë ngjitur mbas kafkës dhe ajo frymëmarrja jote e vështirë, sikur ta kërkoje oksigjenin fare me vështirësi, në boshin e madh të hapësirës. U afrova me sytë plot mosbesim. Nuk e prisja që gjërat do të mund të rrokulliseshin kaq keq në një periudhë kohore kaq të shkurtër. Mendoja se do të mund të flisja akoma pak me ty, por ti nuk flisje më. Rrije ashtu shtrirë, duke u tretur nga çasti në çast, me kockat, të cilat sa më shumë kalonin orët aq më shumë dalloheshin. Nuk kishte më shpresë për shërim, nuk kishte më shpresë për ringjallje, nuk kishte më shpresë për një tejzgjatje të egzistencës tënde mbi këtë dhè që njohim. Kishte tashmë veç heshtje, vuajtje dhe pritje. Po mbërrije drejt stacjonit të fundit në udhëtimin më të çuditshëm, më misterioz, më të papërcaktueshëm dhe të panjohur që bën njeriu. “Mama, mama” të thashë dhe e shtrëngova fort dorën tënde të rreshkur, me timen. “Jam unë!” Nuk mu përgjigje. Të kishte ikur fjala. Për herë të parë, që kur të njoh, kisha komunikuar gjithmonë me ty, tani po flisnim veç me vështrimet. Vështrimi yt i mekur kish mbetur pezull mbi sytë e mi, dorën ta shtrëngoja dhe ta fërkoja me vështirësi. Atë dorë të rreshkur, gjeografinë e së cilës e njihja aq mirë. Dejet, rrudhat, tendinat, ashpësinë e lëkurës. Ja njihja mirë ngrohtësinë që çlironte kur më përkëdhelte me atë dashurinë e veçantë prej nëne. Prej nëne që të don, të mbron, mendon për ty. Më shumë se çdo krijesë tjetër në univers. Atë dorë të rreshkur si një kafshëz e gjallë, prekjen e së cilës e njihja që prej zanafillës së egzistencës time. “Mama, jam unë, ma shtrëngo dorën fort nëse më njeh!” E shtrëngove. Ishte një shtrëngim fare i lehtë, i cili perceptohej me vështirësi, por arrija ta dalloja. Nga humbëtirat e ndërgjegjes time, më shihje, më ndjeje afër, e dije që kisha ardhur me ngut. Dhe tek vështroja figurën tënde të munduar nga sëmundja, më erdhe ndër mend ti kur isha fëmijë. Tani je e dyzuar. Je nëna në buzë të honit të asgjësë, por je edhe nëna e re, e qeshur, me zërin e hollë, të tingullt dhe të mprehtë tek më thërret, si dikur, si gjithmonë. Je ulur galiç, sapo më ke shquar dhe çuditërisht nuk më njeh. Nuk e di, ishte një lojë, një trill kapriçoz lumturie, a vërtetë nuk doje ta besoje që isha unë. “I kujt është ky djalë?!” pyete Ijen. “I joti është i joti!” thotë ajo, dhe të shoh akoma tek shkrehesh në vaj nga gëzimi. Ngashërimi të mbyti krejt, por janë lot të lumtur. Gjatë dy javëve që kishe munguar, shërimi nga sëmundja kishte përparuar aq shumë, sa tashmë nuk më njihje më. Pastaj të shoh tek, me sytë mbushur me lot më shtrëngon fort, fort dhe unë ndjej aromën tënde prej nëne, ndjej ngrohtësinë e përqafimit të krahëve të tu, ndjej lotët e tu të nxehtë mbi faqet e mia dhe butësinë e puthjeve të tua. Përqafimi i një nëne, është edhe foleja më e ëmbël, limani më i sigurtë, vatra më e ngrohtë, shpirti i mbushur më me dashuri, në të cilin çdo krijesë ndjehet rishtaz foshnjë, i vogël, krejt i përkëdhelur nga qielli. Më shtrëngoje fort, zhysja kokën tek flokët e tu të dendur, të ashpër si kaçube drize dhe mbyllja sytë. Sytë e atëhershëm, të cilët mund të jenë edhe sytë e tanishëm, edhe pse kanë kaluar 50 vjetë.

    Nuk arrita pra të ta postoj letrën e fundit. Fjalët e fundit nuk arrita dot të ti komunikoj. Në sytë e fëmijës, nëna është krijesa e mrekullueshme që na mbush me dashuri, na përkëdhel, na mendon, na bekon, preokupohet për ne më shumë se gjikush tjetër. 

    “Po doktorrat ç’thonë?!” e pyeta time motër.

    “Doktorrat…. Ja shihe vetë…..?”

    Pastaj tek të vështroja me kujdes, frymëmarrjen e shpejtë dhe të shkurtër, gulçet dhe zhurmat e saj, ndërsa mbusheshe me zor me frymë, fillove të fërshëlleshë. Tani, një si gurgullimë gëlbaze ta shoqëronte frymëmarrjen sikur të ishe ftohur keq. Në kushte normale do të ishim alarmuar krejt, – shpejt të thërrasim doktorrin, të marrim antibjotikun, ta pastrojmë, – do të ulërisnim. Në kushte normale do të ishim tromaksur krejt nga frika se mos ajo të ngjitej nëpër mushkëri. Ndërsa tani jemi dorëzuar. Nuk bëhet dot asgjë. Tani, fare të pafuqishëm, veç presim. Presim, kur treni i jetës tënde të bëjë ndalesën e fundit. Ç është kjo ndalesa e fundit? Mbarimi i gjithçkaje apo fillimi i gjithçkaje? Ç është kjo ndalesë e fundit, vendndalimi paraprak, pushimi që na tremb, na torturon mëndjen, na bën të mendojmë aq shumë. ç është ky mundim, kjo sfilitje sekrete, e cila nuk shprehet gati kurrë nga gojët, nga buzët e njeriut, por jeton aty gjithmonë, e gjallë, e fortë, pulsante, ndëshkuese, torturuese. Ç është kjo frikë e fshehtë prej asaj, të cilën nuk e njohim kur vijmë në jetë, nuk jemi pra të ndërgjegjshëm, por e cila na mundon e stërrmundon për vite e vite të tëra, mbasi ndërgjegjsohemi mbi të. Ç është ajo bota gri, e panjohur, e përtejme, caku i panjohur, limb harrese ngjyrosur me tmerr, tokë e pashpirtë ëndërre, nga ku, miqtë, njerëzit më të dashur, familjarët, herët a vonë shkojnë. Dhe ne, mbesim aq keq. Ç është? Nuk ka asnjë kuptim? Jetës duket sikur i mungon diçka. I mungon finalja madhështore. I mungon fruti i vërtetë dhe kuptimi i dashurisë. Ç është kjo, të lindësh, të rritesh, të dashurosh, të realizohesh, pastaj të shkrumbohesh në univers?! Të ëndërrosh pra, me një të dashur, për tu ndarë pastaj aq mizorisht, nga ai/ajo, aq pabesisht, aq tradhëtisht?! Ç është pra, ajo ana përtej gardhit, zonë e heshtur dhe e mistershme, mbi të cilën janë shpikur aq shumë parajsa dhe aq shumë had-e?! Nuk ka asnjë kuptim! Duket sikur jetës njerëzore i mungon finalja. Jo. Finale nuk ka, nëse gjithka ndërpritet e ndarë si me thikë. Duket si një pjesë teatrale ku gjithçka mbetet pezull, a pambaruar, e cunguar.

    E gjithë kjo mrekulli që na rrethon, jam i bindur se e ka një pronar. Por ç është ky titullar që na ngjiz në mish, na rrit, na ndërgjegjëson, për të na lënë pastaj rishtaz në mjergullën e dyshimit? Ikim për të mos u kthyer më kurrë? Ikim për të rifilluar? Ikim për tu tretur në asgjënë? Asgjë ishim asgjë do të jemi? Apo ndoshta vijmë për të mësuar diçka, pastaj kur mësojmë diçka dhe dimë si të sillemi, si të jetojmë, ahime, vjen shpejt koha për të ikur. Ajo hija e errët e asgjësë, na peshon, na ysht, na rri mbi kokë si një kordhë fatale. Apo ikim ndoshta për tu bërë pjesë e kozmosit me ndërgjegjen tonë? Ndoshta bëhemi mendim, bëhemi ide, bëhemi dritë, bëhemi mjergull? Ndoshta në çast futemi në shpirtërat e të gjallëve, i përqafojmë me përbërjen tonë prej ajri. I duam fort në mungesë dhe bëhemi eterikë. Ç ndodh vallë, ku shkojmë? Apo ndoshta nuk jemi fare, veç hije. Iluzjone të çuditshme, ëndërra kimerike, hije të zbehta ideshë të cilat veç jetojnë në ndërgjegjet tona të brishta. Çdo ndërgjegje është një botë. 6 miljard botë a mjaftojnë vallë?  

    Të pashë prap vite më parë, të re dhe të bukur, krejt të preokupuar. Ishim tek shtëpia e vjetër në kodër. Kisha temperaturë të lartë dhe kollë. Ishe e dëshpëruar, nuk dije ç të bëje. Motrat flinin. Ishte ora tre e mëngjesit. Të shikoja tek në heshtje, me duart që lëviznin shpejt, me veprimet disi të shpenguara, vishje pallton, mbërtheje kopsat, mbathje këpucët, vije drejt meje, më mbështillje me batanije, më vije në krah dhe rendje nëpër natë drejt ambulancës. Edhe tigri i uritur nuk e kullufit krijesën e tij dhe e mbron, jo më nëna e cila është e gatshme të sakrifikojë edhe vetveten në emër të jetës. Eshtë kjo forma më sublime e dashurisë, shprehja më e thellë e demonstrimit të saj. U ktheve nëpër natë nënë e dashur, kurajo të jepte forcë, instikti i mbrojtjes dhe kujdesit ta shtonte hovin në ecje. Pa gjumë, krejt e shqetësuar, me mua në krah, u ktheve në shtëpi. Ishte dimër dhe i kisha këmbët krejt të mërdhira. Me pëshpërima plot dashuri dhe kujdes, tek më puthje mbi flokë, më mbaje akoma mbledhur me batanijen, pastaj më mbështete mbi syprinën e sobës ende të ngrohtë nga nata e mëparshme. “Ja rri këtu, sa të ngrohesh!” më pëshpërite ndërsa më shtrëngoje këmbët e vogla me duart e tua. Me këto duar, që tani po i braktis jeta, pak nga pak. Sa ngjarje të tilla kanë ndodhur mes meje dhe teje? Sa nëna nëpër botë kanë bërë gjëra të tilla? Të gjitha. Dashuria pra, është diçka që e tejkalon vetveten, shkon përtej. Ajo ushqehet me vetveten, veç përdëllim lyp dhe dhembshuri. Ka shumë forma dashurishë mbi dhe. Ka dashuri për njeriun, dashuri sensuale, dashuri për artet, për punën, për fëmijën, nipin, shokun. Ka dashuri për dheun tënd, për librin. Ka dashuri për Zotin, për muzikën, për ngjyrën, për prindërit, gjyshërit. Format e dashurisë janë të pafunda, varet se ku njeriu e fokuson energjinë e tij, mendimin e tij dhe pasjonin e tij. Por ajo më e thella, më konstantja, më e pashmangshmja, më e natyrshmja dhe më e pakushtëzuara, është dashuria e nënës për fëmijën.      

    Ja kështu pra nënë e shtrenjtë. Tani rrin në shtratin e fundit. Veç me fare pak jetë në gjoks, aty ku thonë, strehohet shpirti i njeriut. Jo në mendje, por në gjoks. Aty ku ndjehesh fare bosh, kur të ndodhin tragjedi të mëdha. Në gjoks pra, poshtë grykës. Aty arratisen të gjithë engjëjt e dritës dhe njeriu ndjen vetminë ulëritëse, britmën e shurdhët të dhembjes, mjerimin e trishtë të braktisjes. Aty e ndjeve boshin atë mëngjes nëntori të 93-shit, kur me një kostum të zi, me një çantë të zezë, të përqafova, pak çaste përpara se të merrja avjonin Alitalia. Për mua ishte festë edhe zi. Ti qaje dhe ndjeje me siguri zbrazëtinë e madh në shpirt. Biri yt po ikte. Po ikte rrugëve të botës. Veç uratës, nuk i fshehe lotët, as dridhjen e buzëve. Oh gjëmo orë e zezë, buçit fort dallgë e errët plot tërbim. Shkulet dot një dashuri? Çrrenjoset dot një pjesë e trupit, ndahet dot ajo më dyshë? Ja zemër e nënës. Në funeral po ikja apo në mërgim? Sa nëna të dhembshura kanë ndjerë vallë boshin e madh në shpirt? Miljona nëna që lenë uratën dhe i puthin duart bijve të tyre gjithkund.

    Se di pse por ndjehesha në faj. I thoja vetes, jeta kështu e ka, gjithkush duhet ta kërkojë të ardhmen e tij gjethkë, gjithkund, deri në faqen tjetër të globit. Se njeriu është një qenje e lirë, por për ty, ndjeja se kisha vdekur. Larg syve larg zemrës ndoshta? Mbas mallit përvëlues, ndodhi edhe shpëlarja dhe adaptimi me jetën e re. Ç ndodhi në tru, në aks të saj? Ç ndodhi në shpirt? Kthehesha veç për pak ditë, me intervale të çrregullta vitesh dhe ishte sikur vija nga skëterra. Ishte sikur të isha Kostandini i legjendës. Materializohesha veç për pak ditë në botën tënde materiale, me fjalë, përqafime, kujdesje, këshilla, dëshira të zbehta, lutje, përkëdhelje. Shtrihesha, kokën e vija butë butë mbi prehrin tënd të mirë, dhe ishte sikur ti mbështesja kryet mbi portën e parajsës. Një dhembshuri pa skaje zbriste nga ty, mollëzat e tua më përkëdhelnin faqet si dikur fëmijë dhe zbriste bekimi. Ndihesha rishtaz fëmijë. Vërtetë ndjehesha si i vdekuri plot llanga balte të thara, myshk dhe harresë, të cilit Hyja i kishte dhënë leje për një javë për të takuar të gjallët e vet. Isha i vdekuri që fliste me të gjallët. Pastaj kthehej bekimi në vështrimin tënd, i cili, vit mbas viti, nga një entuzjazëm plot dritë gazmore, tani kishte marrë një trishtim plot heshtje. Por ishte një trishtim fisnik. Një ndjenjë e skalitur vetmie, kur mendja e nënës pushtohet veç nga mendimi për krijesat e saj. Jeton me to, lutet për to, i mendon thellë, qan hallet, mërzitet, nxehet, e kap ankthi, nervozohet. “Pse s’më merr në telefon, pse? Pse kështu mor Art?!” 

    Tani je tjetër njeri. Nuk je figura që kam njohur gjithmonë. Nuk je puntorja e palodhur të cilës i doli kurrizi përkulur mbi sizator, mbi makinën qepse Fuznik. Nuk je më nëna e re me shtëllungën e dendur të flokëve plot rrica, e cila përkulet mbi dysheme dhe pret masat e fustaneve me porosi. Nuk je as nëna e dobët me zërin e saj të tingullt, fare të ëmbël që pret miqtë, bën sejdi dhe është gjithmonë e gatshme për të rrespektuar mikun. Gjithkund ndjehej në shtëpi era e specave të skuqur mbushur me gjizë, apo e kimes me vezë. Nuk je më amvisa e shtrenjtë, e pazëvendësueshme, zonja e shtëpisë e cila, nga meraku i fatit të vajzave që po vonohej shihte me kokën përmbys, vrrjagat i filxhanit të përmbysur mbi syprinën e tavolinës. Tani je tjetër njeri. Nuk je më qenja e gëzuar, e cila trembej edhe nga hija e vet. I kishe tmerr makinat në rrugë. Me qindra këshilla më jepje. Tani je qenja në fund të rrugëtimit. Gruaja e lodhur nga jeta. Gruaja e cila nuk don më të jetojë. Ç kuptim ka më thoje. Të jetosh duke u tërhequr zvarrë. Ato duar të shpejta që bënin nga tre punë në të njëjtën kohë, tani dridheshin. Fërgëllonin pa pushim. U zvoglove krejt si një kukull, hyre në ujë, si një teshë e shumëpërdorur. E vockël dhe e fishkur, ecje me hapa fare të ngadalta, duke u mbajtur për krahësh. Tani je krejt tjetër njeri.

    Më nuk flet. Më nuk shprehesh. Një pjesë e ndërgjegjes tënde. Një pjesë e trurit tënd, zona e gjuhës, me siguri është shembur, është çakorduar krejt. Ndoshta aty oksigjeni mungon dhe ti nuk arrin më dot të shqiptosh asnjë fjalë. “Mami, jam unë, më thuaj diçka!” Heshtje.

    Pastaj, mbas 4 ditësh jete pezull mes kësaj bote dhe asaj, ike. Ike me një gulçim të fundit. U shuan sytë e tu të mirë. Sytë e tu të cilët, bashkë me shprehjen e fytyrës, lëvizjet dhe zërin, gjatë viteve të fundit ishin bërë krejt si ato të gjyshit tim.

    Ike fluturove tek asgjëja edhe tek gjithçkaja. Fluturove në ajër. U bëre dritë, u bëre diell, u bëre hënë, u bëre karrige, u bëre xham, u bëre kujtim, u bëre flutur. U bëre gjithçka, u bëre asgjë. Nuk ishe, nuk do të jeshë. Ose ndoshta ishe, je dhe do të jeshë në një formë tjetër më të përkryer. Nëse dashuria është çelsi i universit, shpjegimi më i thellë i tij, atëherë tani do të jeshë akomë edhe më e efektshme, më e gjindshme, më e gjallë se sa në të gjallë. Tani, do të vish në vend sapo të të kërkoj. Po kështu edhe lutja jote, si ajo e jona, do të jetë më e vrudhshme dhe e drejtpërdrejtë. Nëse lutjet e të ikurve vlejnë deri diku për veshët e Hyjit, lutjet e të gjallëve kanë një vlerë akoma edhe më të çmuar. Sepse të gjallët nuk dinë asgjë, mbi botën tjetër. Ndërsa të ikurit e dinë, e kanë zbuluar misterin e madh. Për to, filmi ka përfunduar. Dhe shpresoj që ti të njohësh, të shijosh atë vend drite, ku ne shpresojmë që të dashurit tanë strehohen. Aty ku shpresoj të jetë Ija, Lala, dajat dhe e gjithë gjindja jonë. Nuk kam fjalë. Pa fjalë.

    Natën e parë mbas varrimit kisha frikë. Mbeta vetëm në shtëpi. Të gjithë ikën. Duhej të iknin. Uh ç më gjeti, thashë. Kisha frikë të përgjumesha, unë, 53 vjeçari, trim. Me dhomat përplot me vdekjen, me prezencën tënde në ajër, trembesha se mos brava e derës lëvizte, dhe ti në gjysëm errësirë, shfaqeshe rishtaz, me trupin e vockël, zërin tënd të mekur, sytë e mirë dhe të heshtur. Do të qëndroje tek pragu duke më vështruar, pastaj do të më thërrisje në emër me zërin tënd të hollë, të brishtë dhe aq të dashur. “Arti. Hajde më ndihmo!” Të nevojitej mbi 10 minuta për tu shtrirë rishtaz në krevat. Bije si një thes i rëndë, me zhurmë, me trupin që shembej mbi dyshek. Pastaj unë t’i shtrija gjymtyrët, të mbuloja, të përkëdhelja me dashuri, të puthja në ballë, mbi flokë, me sytë gati të përlotur, me dhembshuri. Me mallin e 30 vjetëve larg teje. Ç janë 30 vjet? Një hap kali me galop. Janë të gjatë por edhe fare të shkurtër 30 vjet larg dheut tënd. Kisha frikë natën e parë. Gjithkund heshtja ulërinte emrin tënd. Ti akoma e gjallë në kujtim, edhe pse ishe tashmë në banesën e fundit, për trurin tim, ishe krejtësisht aty. Përreth, gjithkun, askund. Më shihje me qindra sy, më përkëdhelje me qindra gishtërinj, më pëshpërisje me qindra gjuhë, më qortoje me qindra fjalë, më puthje me qindra buzë. E ajërt, si shpirt i sapo çliruar, ku të doje, aty mund të ishe. Në çast, ishe në një livadh plot lule drite. Në çast, ishe me Ijen tënde. Në çast fluturoje tek vajzat, dhe në çast, gjendeshe në odën tënde, ndoshta atje në fshat, ku kishe lindur.  “Ije, Ije,” pëshpërisje si nëpër gjumë, para se të mbaroje. E shihje vallë? A ishte një delir i kotë, një kapriço e mendjes së turbulluar? A ndoshta vërtetë ajo vinte nga thellësitë e kozmosit dhe shfaqej aty në çast, me një vello drite, për të ndjekur kujdesshëm kalimin. Pastaj ndoshta të shfaqej një lum drite, një vezullim turkez ujrash me mijra shkëndija të florirta përthyer mbi syprinë. Ndoshta në ajrin e lëndinës çelnin lule shumëngjyrëshe dhe hapësira kishte ndjesinë e lumtur të përjetësisë. Një përjetësi, gjendje shpirtërore krejt e bekuar ku zogjtë këndonin, dritat vezullonin, lumenjtë rridhnin të paqtë, flladi i vagullt që frynte kishte ndoshta aromën e frutave të pjekur në fshat dhe zemra lodronte plot hare. E pashmangshmja lumturi e qenjes. Tani e tutje ku ti gjej fjalët e tua? Ku ti gjej vështrimet e tua? Ku ta gjej zërin tënd? Ku ta gjej qeshjen tënde? Në ç hon drejt asgjësë, a drejtë gjithçkaje do të zhduket materja jote. Ti që ishe, je, do të jeshë: Qiell pa skaje, yje që kurrë nuk treten mbi krye, kometë që përjetësisht ndrin. Ti që bukë ishe për shpirtin tim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË