More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ikja nga pallati i qelqtë", tregim nga Taip Sulko

    “Ikja nga pallati i qelqtë”, tregim nga Taip Sulko

    Qyteti i madh XXX ka shumë godina me ballina të qelqta, por njëra është mbi të gjitha e që, si pakuptuar, me kohë, kishte filluar nga të gjithë të quhej Pallati i Qelqtë. E meritonte atë emër. Ishte shenja përfaqësuese e bukurisë dhe mirëqënies së atij qyteti. Askund si tek ai pallat nuk dukej aq zhbiruese ajo shkartisje marramendëse e bojëqiellit të qelqeve me të pambuktën e reve, që hoveshin ngadaltazi, sidomos pasditeve të vjeshtës.

    Në atë godinë që adhurohej nga të gjithë, e cila ishte vetë kuptimi i fuqisë së qytetit, hynin e dilnin shumë, por pak bënin fole në të. Një nga ata ishte edhe A.Abel, një i ri me mendje të ndritur dhe me shkëlqim që i përshtatej mrekullisht përhedhjes lozanjare dhe të përndritshme të atij pallati. Kishte hyrë si rrebesh në atë godinë dhe dukej se nga rrotullupi i tij i papërmbajtur qelqet do të binin përtokë në mijëra copa. Kishte aq papërmbajtje ta shtinte në dorë hijeshinë e saj saqë edhe nga vetja kishte frikë. Të tjerët madje sikur e shikonin me tmerr dhe qysh në fillim e anashkalonin një përplasje me të. Në heshtje, me atë dinakërinë e moçme të tërheqjes, i hapnin rrugën si një të marri. A.Abel filloi ta ndjente këtë qyshse vuri këmbë aty, por kjo nuk e përmbante, përkundrazi, e bënte të tregonte edhe më shumë shkujdesje dhe majde të merrte pamjen e një guri që ishte lëshuar në rënie të lirë. E pakta do të thyheshin dy kokët që përplaseshin.

    E habitshme ishte që, atëhere, në fiillmet e çmendura, ai kishte vetëm etje, si një gjeratore e zezë e qiellit. Përditë e rriste përqindjen e vet dhe dukej se, ose do ta shtinte krejt në dorë ose do të vdiste atje në shkallaret që ngjiteshin ndanë bojëqiellit të qelqeve. As që donte t’ia dinte si kishte qënë dhe se sa gjëra thyheshin dhe prisheshin pa kthim nga ajo ecje e pafre.

    Dikur kishte blerë një kopësht me lule si dhe një serë ku përherë kishte një gjelbërim mbytës, me ato lulet që e mbanin kokën lart e sikur prisnin dikë t’i këpuste apo dritën e Diellit të afrohej. Kryeherit kishte një dëshirë të thekshme që vetë t’i priste gjethet e tepërta, t’i tëharrte degët dhe krahëzit që lulnaja të merrte frymë lirisht. Edhe tani, në zemër të godinës së qelqtë, ai e ndjente veten me një gërshërë të pamëshirshme në duar dhe as që shqetësohej se çfarë priste dhe sa çmim të lartë kishte tëharrja e aksionerëve. Madje edhe pse ishte një nga mjeshtrit e asaj pune, ai tërbohej kur mendonte se edhe kjo godinë duhej t’i nështrohej po atyre rregullave të ftohta dhe fyese. Ai donte që ajo të ishte krejt e tij dhe me qetësinë e detyruar që ishte krijuar tek aksionerët, me tërheqjen skutave dhe heshtjen nëpër tyrezat e vendimmarrjes, ai tashmë e ndjente se një ditë do të ishe zot fuqiplotë i saj.

    Dhe ashtu ndodhi përnjimend, Një ditë pas dite, A.Abel e shtiu në dorë shumicën e aksioneve në godinën e qelqtë. Teksa ngjitej në shkallaren e cila sikur të hidhte fluturimthi drejt asaj shkartisjeje bojëqielli e të bardhe, ai shihte se kudo ishte qetësi, dhe pse dëgjonte fare qartë një sirenë të pamëshirshme dhe shurdhuese, të cilës i frikeshin të gjithë, sirena e etjes së tij të pafre.  Ishte i lumtur dhe i bëhej se edhe ai po kthehej në diçka prej qelqi kaltërosh e farfuritës. Aq shend ndjente në vetvete saqë për ca kohë pati edhe një vetëngopje nga jeta e shkonte me mendimin se, edhe të vdiste, nuk do t’i vinte keq fare. Pse të mos e thoshte këtë? Me miliona madje me miliarda lindin dhe bëjnë vetëm rrugën e mundimshme dhe të rëndomtë nga shtëpia e lindjes tek zyra e ç’rregjistrimit dhe ikin pastaj përgjithnjë nga kjo botë, sikur s’kishin qënë fare. Dhe pse me kaq pak, prapëseprapë ata e gjenin shijen dhe kundërmimin e lumturisë. Lindin të varfër dhe vdesin me borxhe e përsëri ia gjejnë kuptimin jetës, pëshpëriti. Eh, buzëqeshte hidhur dhe me shpoti përqeshëse. Rriten duke punuar si sherbëtorë dhe plaken po me litarin e shërbëtorit që e kanë mbajtur gjithë jetën. Por ai ishte ndryshe. Vdekjet e reja janë si këputje e lules, thoshte ndonjëherë. Ata që vdesin të rinj, nuk kanë kohë t’i njohin sa duhet anët e errëta dhe të dhimbshme të jetës. Ja kështu ishte dhe ai. Po të vdiste do të ikte si një lule. Do të linte pas një valavitje shumëngjyrëshe dhe një kundërmim që njerëzit do ta kujtonin me ëndje.

    Sa zgjati kjo ëndërr, me mijëra vjet mbase? Për ata që dinë ta çmojnë lumturinë, ajo është e pafundme edhe në një çast të vetëm. Koha është si lumë që një ditë do ta zbrazë krejt ujët e vet në det. Por ja, ndërsa herë-herë zhytej në përsiatje të tilla, A. Abel ndjeu se, pak nga pak, filluan të shfaqen shenja të cilat në nisje vetëm e trondisnin, por më pas, përherë e më shumë, e akullonin. As që e kishte vënë re se kur kishte filluar kjo. Por ja, më të rrallë, por qartazi, ai e ndjente se sikur po e humbte aftësinë për të parë gjthçka dhe sidomos kishte kohë, dhe o Zot, as nuk e kishte vënë re që kishte humbur pothuajse fare atë, qënien i papërmbajtshëm, kokëshkretësinë që e tremb edhe vdekjen me marrëzinë e saj. Rreth e rreth, sidomos tek të sapoardhurit, por edhe tek ndonë i vjetër askioner, që strukej i heshtur deri dje, filluan të shfaqeshin shenjat e një si kryengritjeje që çuditërisht shoqërohej me një mospërfillje akulluese. Erdhi dita majde kur ai duhet të lëshonte nga përqindjet e tij. Nuk shihte përreth ndonjë të marrë si ai vetë, nga ata të luajturit që ngjiten fluturimthi dhe, ose do ta hidhnin qelqurinën madhështore në erë, ose do të thyenin kokën, por prapëseprapë, kishte guximtarë sypatrembur që, si me magji të pakuptueshme, arrinin t’i merrnin disa përqindje, vërtet të vogla, por ia merrnin. Ai duhet të lëshonte, të lëshonte, si perin e një balone që ishte atje lart, në qiell, dhe që kishte ikur aq larg saqë, sido që ta tërhiqje, ai fill do të këputej atje në të kaltërt, në hapësirat afër Zotave.

    A.Abel, pas një farë kohe, u ndje thellësisht i tronditur. Edhepse kishte qënë dikur si ato egërsirat që dinë të flenë syhapur, prapë, si padashje, ai ishte përkundur e lëshuar në atë ëmbëlsinë e rrotullupës me ëndjen e gënjeshtrës se ajo godinë e qelqtë do të bëhej e tëra e tij, e qetë dhe e pafundme dhe vetëm e tij. Por kur ishe atje, fare në kulm, një pasdite A.Abel filloi të ndjente një si marramendje tek shihte se si rridhnin gjërat tutje, poshtë, në katin përdhes, por edhe rretherrotull në katet e mësipërme, po të qelqëta. Dikur kjo iu bë fare e dallueshme e, pas ca kohe, ai madje filloi të provonte atë shtrëngimin në fyt prej rënies së ndjeshme të përqindjeve. Atëbotë mendoi për herë të parë se ajo ndërtesë nuk mund të qëndronte ndryshe në këmbë; ajo do të ishte ashtu, gjithmonë, në lëvizje dhe asnjëherë e njëjta, si ujët e lumit dhe rrezet e Hënës. Ai shihte qartë se para tij nuk zbeheshin e mekeshin më fytyrat e reja, nuk i hapeshin me domosdo krahët, madje vinte re një guxim të marrë të disave të kapur në një lloj besëlidhjeje të heshtur për ta përzënë përgjithnjë, pikërisht atë që kishte qënë kryezoti, i pari, ai që dikur dukej i përjetshëm dhe i pazëvendësueshmi. –O Zot, -mendonte A.Abel, -si nuk kam vënë re asgjë kur jam ngjitur nëpër shkallaret e përndritshme dhe i pushtuar nga përqafimi i kthjelltësisë së kësaj godine të qelqtë? Ai nuk kishte zgjatur duart dikur, por kishte dhënë shqelma, ai kishte qeshur me shfrenim hareje dhe asnjëhere nuk kishte buzëqeshje të trishtuar të dhimbjes për rënien e të tjerëve. Po tani? Po tani që kishte ardhur radha e tij të binte? 

    Shpejt erdhi një ditë kur A.Abel pa se ato rrjedha aq të rrëshqitshme, shumë shpejt do ta degdisnin jo vetëm tek rrafshi i dikurshëm, i kryeherit, i poshtmi, por, ku ta dish, do ta zhysnin shtatë pashë nën dhe. U err më keq se nata dhe një re e dendur dhimbjeje ia pushtoi fort shpirtin. Dhe për habinë e tij të madhe, nëse ai tërhiqej njëherë, të tjerët e harronin dy herë, nëse ai hidhte një hap ata i përgatisnin edhe dy shkallë të tjera poshtë. Dhe jeta në gondinën e qelqtë ishte po ajo, ndriçimi ishte po ai, rrokopuja e dritave dhe zhurmave ishte po ajo, me ngjitje e zbrije, me dufe dhe dashuriçka e fare nuk dukej ndonjë zbrazëti prej rënies së tij.

    – Do iki, – tha ai për herë të parë.-Do iki! Dhe ashtu bëri. Ajo peshë e madhe lavdie dhe lumturie nuk e lejonte të zvarritej. Ashtu bëri. Në Pallatin e Qeltë, me kërkesë të disa dashamirësve, ai la vetëm atë përqindje të vogël që i kishte mbetur, përfitimin e të cilës do ta merrte më vonë, here pas here, kur t’i binte rasti.

    Ditën që ai do të ikte moti ishte me re dhe qelqet e godinës dukeshin të mpita, si një tru që nuk sheh dot më ëndërra. S’do të habitesha edhe po të dëgjoja muzikë vajtimi, tha ai me vete. Ai e dinte, largimi i tij do të linte pas një çarje të frikshme, një hon, i çili do të donte kohë të mbushej.

    Kur doli jashtë dyerve të qelqta, ishte pothuaj mbrëmje. Dukej më tepër sikur kishte rënë nata, ngaqë motin e kishte mbërthyer ndemja e një zie të mpitë. Ai doli me hapa të shpejtë dhe u fut në errësirë. Donte të ikte sa më thellë errësirës, ta pinte krejt natën dhe të shkrihej e bëhej një dhe i padukshëm me zemrën e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË