More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dikush i panjohur mes fotos familjare", tregim nga Mehmet Elezi

    “Dikush i panjohur mes fotos familjare”, tregim nga Mehmet Elezi

    Kur gruaja me flokët rrudha-rrudha si rrush na shpërndau foton dhe shqiptoi e vini re, këtu s’jeni njëmbëdhjetë, jeni dymbëdhjetë, s’e mora vesh ku deshi me dalë. Qeshë nisë me iu bashkangjitë çiftit me fëmijë për dore, po blinin verë te banaku, në dalje. Ç’është kjo verë me aroma vajzërore, na morët në qafë me të, pëshpërita. Lëkura e faqeve të gruas me kalaveshë rrushi të lëkuqëm në vend të flokëve mori një ngjyresë pa emër, sikur vërshoi një hukamë a ndriçim i venitur nga Atakama. Ndodheshim pikërisht në grykë të Atakamës.

    Na kishin paralajmëruar shpatinat e bakërta në të dy anët e luginës. Po shkoni drejt shkretinës më të thatë të botës, përballë saj Sahara ngjan si stepë. Kaktuset me tela me gjemba në vend të gjetheve qenë i vetmi gjelbërim i tyre. As edhe një gjethe a fije bari kund. Merret me mend e papritura që na bëri vreshta, kur u përballëm me të. Kapej përpjetë brinjës ngjyrëtulle në të përhimët, bëje be se është arrnë e gjelbër katrore, qepur në këmishën e djegur të malit. Qemë të pangimë me gjumë. Natën e fundit kishim ndenjur deri vonë në një pllajë të naltë në Valle de Elqui, duke vëzhguar yjet me teleskop e duke kërkuar yllësitë e fëminisë. Më kot, në qiellin e gjysmërruzullit të jugut vezullojnë të tjerë yje. Më pas u fshehëm pas syzeve te errëta dhe ndoqëm një film tripërmasor, mbi krijimin e vrimave të zeza.  Nga shkenca në poezi, u harruam duke pirë verë të bardhë në mes të vreshtës. Mbi shpatulla kishim hedhur qiellin dhe nga një batanije të vogël, që na dhanë pritësit. Ju duhet me ia pre turrin ftohtimës. E derdhnin majat e tejdukshme të Andeve dhe dridhja e yjeve.

    Ja tashti çfarë dhurate, një oaz i rrallë, ku buron verë në vend të ujit. Të tjerët ndiqnin ciceronen, unë u ngula në një ndarje të hershme, dy kate nën dhé. Diçka si muze i verëtores. Muret dhe fundshtroja prej guri. Nëpër faqet anësore vezullojnë me mundim bythë të verbëta shishesh, shtërzejnë ngulur thellë mes gurëve, veshur me një gisht pluhur e pëlhura merimangash. Qindra qelqe të plakura prarojnë me durim lëngun dehës të rubintë, duke çuçëlluar me rrasat e ftohta shkretinore të mureve. Rreshti më i ri i tyre? Fsheh verë njëqind e tetë vjeçe! Rreshti në krye është më i kaditshmi, aty vera është njëqind e tridhjetë e një vjeçe.  Përmes tyre, në një fashuell muri të lyer me gëlqere, kacavaren kacabunj fotografish të vjetra bardhë e zi. Afërsisht moshatare me verën, rrinë e përgjojnë. Ky mustaqja është nismëtari i vreshtës dhe i punishtes së verës, ai vuri gurët e themelit, po ky tjetri? Paska sjellë një lloj rrushi nga. Ky me hundë të gjatë paska qenë shijues me nuhatje të pazakonshme, një Bob Parker i vogël i kohës. Pranë është e shoqja, po aq e zonja.

    Sa kushton një prej këtyre shisheve?, e pyes gruan me fytyrë nën rrushnajën e flokëve. Ajo përcjell një buzëqeshje të kursyer, duke më blerë vjedhëtazi, me bisht të syrit. Pyet atë, bën me shenjë nga fotografia në mur, e vure re si i lëvizi hunda? Portreti në mur dridhet përnjëmend. Hunda i ngrihet, nis me nuhatë, mos kemi hyrë në botën e romaneve të Izabelë Alendes? 

    Gruaja na fton në holl, për një foto familjare, thotë.  Mbase traditë vendase ose mendësi e provincës, foto familjare bëhen nëpër takime e konferenca dhe jo me turistë rutinë nga fundi i botës, që i bashkon rasti diku në një humbëtirë të Kilit. Përveç ne të katërve dhe atij çiftit që po blinte verë, me vajzën për dore, janë edhe dy çifte të tjera. Njëri nga Filipinet ose nga Tailanda, s’e mora vesh saktë, ai tjetri, një djalë me të dashurën zezake, se kush tha janë studentë kanadezë. Ç’e duan fotografinë familjare?, thotë ftohtë kanadezi, duke rrudhur buzë e krahë, pa iu drejtuar kujt. Publiciteti, nuk thonë kot vesha kopilesha. Siç bëjnë restorantet me emër në vende turistike, mbushin muret me foto klientësh vip-a. A thua cili prej nesh qenka vip?

    Jeni dymbëdhjetë, e shikoni?, thotë gruaja në përcjellje, duke i dhënë gjithsecilit një “foto të familjes”. Burri i çiftit filipinas, a ndoshta tailandezë qenë, s’e mora vesh, na numron me gisht, dalim njëmbëdhjetë, aq sa jemi. Atëherë pse dymbëdhjetë në foto? Këtu është çështja, thotë flokërrushja. Ky i dymbëdhjeti ka qenë tërë kohës me ju, s’e keni vënë re.

    I dymbëdhjeti ja ku është, pra, në mes të fotos. Me xhaketë e kollare të një mode të vjetër. Me tipare të turbullta, flu. Si i vizatuar me fjolla tymi. Si i pasqyruar në një pellg uji, që humb qartësinë prej drithërimës.

    Kalojmë sytë sa nga njëri-tjetri tek i dymbëdhjeti, me shpresë mos po kuptojmë diçka. I ngjan ndonjërit prej nesh?

    Ju ka shoqëruar kur hytë deri sa dolët, thotë gruaja. I pëshpërit diçka çiftit me vajzën, që po blejnë verë. Si, si, kush është ky në foto? Është ai. Bash njeriu që hapi punishten e verës, në vitin njëmijë e tetëqind e…  Në njëmijë e tetëqind e sa? Jo, tha diçka tjetër.

     Fytyrat na zbardhen, dukemi si të përhënur. Dhe flu, si kjo e dymbëdhjeta në foto. O Zot! Na paska shoqëruar një fantazmë?!

    – Jo fantazmë, shqipton ëmbël flokëdredhura. Thjesht shpirt. Vera ka shpirt, apo jo?

    Santiago, Kili, 08 janar 2016

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË