More
    KreuLetërsiBibliotekëCikël poetik nga Ajne Iberhysaj

    Cikël poetik nga Ajne Iberhysaj

    ANJA!

    Anja, kërkojmë veten tonë
    Nën luhatjet e egos së besimit
    Çapitjet  e hapave tuaja i preku syri
    Kurrë nuk i ndieu shpirti.
     
    Anja, në rininë tënde shumë herë e uritur.
    Trupat përqafohen, ftohen, lekura që puthitet, shkërmoqet…
    Asgjë e re si vetë Cikli i Krebsit.
     
    Frymënxjerrja e rënduar
    sytë flasin më shumë se duhet dhe fjalët heshtin
    një dite si  vetë frymëmarrja jonë.
     
    Përqafimet  tona valviten me erën
    përdridhen, trembin qerpikun
    fryma jote shpirtit i jep frymë
    qiellin e ngushton…
     lotët sikur i  bien me grusht tokës.
     
    Muskujt tendosen, rinia ikën
    Eshtrat lëshojnë zë krisme
    Eh… bota sa herët paska fjetur.
    Në kabare, Anja qëndron
    Me vellon e reve të bardha vallëzon
    Shpirti mban aromë limoni, vetminë tënde
    Buzët ndizen, të gjitha digjen zjarr!
    Eh… bota sa herët kishte rënë për t’fjetur
    Tinguj fjalësh, krim dhe ndërshkim.
    Anja, në qiellin blu vetëm lutje përpëliten.
     
    Të guximshmit janë fitues të puthjeve hajdute
    vetëm frikacakët bëjnë luftë.
    Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi
    Në  sytë e tu, Anja, çdo gjë është art.
     
    Anja, Itaka rënkon përherë.
    Dashuritë bien me natën e errët
    Nesër me të tjera ëndrra ato zgjohen
    Në kabare muzika dëgjohet…

    Shpirtin e zjarrtë vetëm unë ta njoha
    Në  sytë e tu, çdo gjë është art.
    Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi
    Anja, në qiellin blu vetëm lutje përpëliten.


    NË SYTË E ETJES

    Do ta ruaj aromën e hijes tënde
    Derisa, andrra jote lundron bri meje
    Derisa ti të kthehesh, i lodhur e i mërzitur
    Në sytë e mendjes më shfaqesh
    Gjerdan shpirti dhe margaritar n’buzën e etur.
     
    Përtej perdes t’mistertë
    Enigmë e madhe shpirti i njeriut
    Kjo sagë e zjarrte e zhurmshme brenda nesh
    Si kandil drite na e mban frymën.
    “Një dashuri me puthje ere”
    M’i trazon pareshtur dallgët, shpupurit fjalët
    Më sytë e etjes të kërkoj, në natën e errët,lundroj bri teje
    Në fund të fundit ti mbete feniks
    I një dashurie me një puthje ere…
     
    Një ditë, ndoshta ndonjëherë
    Andrra jote do lundroj bri meje
    Ndoshta, në atë ditë
    Përqafohemi në sytë e etjes…!


    BOHEME

    T’i mbledh shikimet si rreze mëngjesi
    T’i bëj kurorë fjalësh
    Fjalët metastazë dhimbjesh
    Puqen në qiellin e trishtë si vetë vdekja.
    Ikin larg me erën…
    Zogjtë  e strukur
    Përqafojnë muret e shpirtit
    Sytë marrin një copë Itakë
    Fluturojnë larg me valët
    Për inat shpirti bëhet rreze dëlirë
    Retë mblidhen në nyjen e fytit
    Trishtimi, boheme në dy sytë e ballit
    Itaka vetëm mua më përket…
    Nuk vdes nga trishtimi, asnjëherë nuk vdes.
    Mbetesh gjallë në sytë e Itakës!
    Boheme në dy sytë e ballit.


    LIND…

    Dielli lind përsëri
    Lind
        Lind
           Lind
    Për mua
        Për ty
           Për secilin.
    Ka kohë dielli
    Ka vdekë në sytë e zi
    Dielli lind
    Unë vdes
    çdo ditë
    Në sytë e zi…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË