More
    KreuLetërsiBibliotekëCikël me poezi nga Rei F. Hodo

    Cikël me poezi nga Rei F. Hodo

    trokitja e vjeshtës…

    gjethet mundohen në fijen e ekuilibrit të lartësisë
    të zbresësh në tokën e njerëzve s’është gjithmonë gjëbukur

    një botë brenda poezisë sime
    dëgjon trokëllimën zëmekur të vjeshtës
    që grimohet qetësisht pas derës së stinëve

    një zezonë mbulon qytetin
    prej qiellit një zezonë urtake

    akrobatët edhe më lart ngjiten
    në telin besëlëkundur të ekuilibrit dhe
    gjethet më bëhen se i ngjajnë akrobatëve

    një aromë dehëse mbulon qytetin
    prej poezisë një aromë delikate si
    portreti i femrës vjeshtake që grimohet pas portave të qiellit


    cogitatio…

    retë janë ngjizur prej syve të tu
    ashtu krejt të bardha
    të hijshme
    si një dëborë e re e destinuar të plaket
    në ballin e një mali

    shpirti yt – dhe vë këtu dorën në zjarr –
    nga poezia është krijuar
    duke parë sytë – rima –
    dhe – vargje të shkujdesura –

    dhimbja është tek unë – tek poetët –
    është tek këto vargje të shkarravitura mbrëmjes

    hëna sonte s’honeps fatin e poetëve
    ajo bardhëllon krej si ty dhe
    që nga toka që mbahet në këmbë me ajër të karbonizuar
    unë zgjas duart të ledhatoj mollëzat e saj si tuat

    për poetët ka gjithnjë stinë të dhembjes


    nuk kam bërë kurrgjë për poezinë…

    kthej sytë nga vetja kthej sytë nga eca
    hijen time e shoh të më ndjekë nga pas
    e shoh të qëndrojë pranë sikur të isha unë vetja ime

    kthej sytë nga kjo rrugë ku eca dhe dëgjohet nëpër humbje
    zëri i mekur i një puthje të fshehur
    në cepat e dy buzëve të asaj vajze me flokë të arta

    dhe unë sërish kthej sytë nga vetja sytë nga eca
    të mund të gjej ndoshta veten apo hijen time
    nëpër udhët me puthje të fshehta

    por sytë s’më shohin në errësirë dhe një palë hapa
    janë xhindosur pas meje kanë shtënë në dorë hijen time
    dhe trupi e shpirti – peng i natës –

    asgjë s’bëra në jetë për të – e njoha që qe poezia –
    por veten e ndiej në faj që sa veten nuk e desha
    edhe pak më shumë ndoshta sërish pak nuk do të qe

    dhe ecën para meje poezia ecën në rrugën poetike
    dhe pas saj hija ime dhe unë përdore me shpirtin
    që rend pas saj si lypsar ndaj kotheres së mjerimit

    kthej sytë nga vetja sytë nga eca
    hijen time të më ndjekë nga pas e shoh
    dhe një univers i largët që dot s’e desha edhe më


    të jetosh…

    dhe tani përtype edhe të kthyerën e fundit
    të kafesë së mëngjesit
    dita dhe radha për të jetuar do të nisë sërish
    në dhomë do të nderen të gjitha ëndrrat
    e asaj mesnate prej shpirtrash
    do të fshihen puthjet dhe mendimet e paragjumit
    afshi i zjarrtë i shtratit do të vijë të ulet në buzët e tua
    në dy gjinjtë e tu në femëroren tënde mrekullore
    sepse edhe për të gjitha këto do të nisë jeta sërish

    zgjohu edhe ti bir dhe ti bijë që jo pak herë
    më bëheni të gjallë edhe tani që nuk jeni
    edhe ju gatituni të fortë për të jetuar
    për të kapërcyer diellin e fortë që sytë e vegjël
    në mëngjes jua pushton me shpresën e tij
    zgjohuni pra të bëheni shpëtimtarët e vetes

    edhe ti poet zgjohu nga nata e gjumit me flatra poezie
    s’do të mund të lumturohesh vetëm nga rimat
    që përpëliten midis gishtërinjve të tu

    bota diçka krejt tjetër kërkon sot

    njeriun
    por mesa duket koha e njerëzve është rrëmbyer nga jonjerëzit

    gjithsesi me shpresën e të jetuarit zgjohu dhe ti njeri
    sepse koha do të kërkojë gjithnjë njerëzit e saj


    antitezë…

    stacion i boshatisur
    lotët në dysheme të ftohta zbresin
    mbërritën udhëtarët që në mëngjes qenë nisur

    unë të shoh në sy dhe fjala “mirupafshim”
    më del si një trup i gjymtuar
    ndërsa ti
    lamtumirën jep pa zë të mekur

    stacion i boshatisur
    udhëtarë të mbetur


    variacion për një vdekje…

    jo pak herë edhe qiejt kanë etje
    që farë e mbjellë
    në udhët e njerëzve ngjason
    një etje krejt e pakuptimtë
    për të njomur buzët e tyre
    me buzët e femrës sime

    një etje krejt e pakuptimtë
    për të mbushur shpirtin me të gjallët


    ardhjes dhe ikjes tënde…

    ndodh të jem unë ai që fle apo vështrimi yt
    ai që më përhumb
    ndërsa shfaqesh në një buzë mbrëmje
    në një ballaballë bukurie mes teje dhe yjesh

    ardhja dhe ikja jote është sa një botë
    që mban brenda vetes miliona poetë
    të cilët frymëzimin e tyre
    mund ta flijonin për të thurur kush e kush
    më të bukurin varg për ty

    s’mund të ketë kthim pas nëse je poet
    prej dhimbjes ke lindur dhe prej dhimbjes së fjalës
    do të të duhet të mbyllësh jetën

    e ndonëse e ëndërrt
    unë ende nuk e di se kur ndodh
    të vish apo të largohesh ti
    që në një qiell pa rè si balerina
    më bëhesh një kalorës hapshpejtë
    që nxiton në dyert e parajsës të mbyllë një poezi
    sepse në tokë s’ka jetë për vargje dhe rima

    ajmè tashmë ti ndoshta do të kesh ikur

    ose në hijen time apo pas trupit tim je avitur
    duke bërë dashuri

    ndonëse për poetët s’ka kthim pas
    të mjerët do të endin si penelopa
    vargje me rima për ty


    bardh e zi…

    kjo zonjë nën pushtetin e hijes
    mbulon hiret e saj me kollën e pabindur të vjeshtës
    dhe ecën duke ftohur mendimet në udhë
    me rregullin e kalimtarëve

    kjo zonjë nën pushtetin e hijes
    ngjiz vjeshtën edhe brenda shpirtit
    stinë të bukurisë së saj


    mendimet e shiut…

    gjallon ky shì si një grusht notash në një harmonikë
    të vjetëruar diku nga mosha e dhimbjes së kujtimeve

    një shpirt vetëtime përshkon fund e krye
    qelqin e fortë që ftohet midis duarve të mia
    dhe shpirtin zgjoj me fortësinë e athëtisë brenda saj

    qiell i plagosur qytet i qullur
    rè të ftohura nga drejtimi i pabindur i erës
    dhe një orë që sillet rreth hënës së përmbytur nga lotët

    ti ndoshta grimon e strukur erotikën e kësaj mbrëmje
    ashtu lëkurëlëmuar
    me një hënë veçmas për ty mbi krye

    bëhesh e ëndërrt nga metamorfoza e pafjalë
    e një shpirti që ngjizet evë dhe frymon shenjtërìnë
    e maria magdalenës

    në hijen e tij poeti ëndërron vdekjen nën hijen tënde


    agun e vjeshtës duke thurur…

    nuk di nëse me rreshtat e mi kam thurur poezi
    apo kam shkarravitur këngë pakuptimësie
    në shpirtrat e maleve prej
    letrash të bardha a të zverdhura nga mosha e drurëve

    di se agun e vjeshtës ende e pres si moshën e poetit
    që shkundet prej erës së parë të vjeshtës

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË