Të gjithë ne ishim marrëzisht të dashuruar me Vjollcën. Por edhe ajo, në mënyrën e saj, ishte e dashuruar me ne.
Kuptohet, jo me gjithë klasën. Vetëm me ne, kryesorët. Me ata që e mbanim veten për më të zgjuarit, më të zotët dhe, pse jo, edhe më të fortët e klasës. Zakonisht ishim pesë, rrallë bëheshim gjashtë, por kishte raste kur binim në katër. Dhe, në të vërtetë, ne të katër ishim rivalët e përhershëm në garën për ta pasur Vjollcën të dashur.
Nuk ndaheshim kurrë nga njëri-tjetri. As në shkollë, as pasditeve, as në ditët e pushimit. Ndanim gjithçka: bukën, librat, kohën, veshjet. Që nga klasa e pestë kishim filluar të ndanim edhe cigaret që i pinim fshehurazi syve të botës.
Vetëm Vjollcën nuk e ndanim dot.
Secili e donte vetëm për vete.
Kur bëhej fjalë për femra, ne flisnim gjithmonë vetëm për Vjollcën. Për ne, vetëm ajo ishte femër. Të tjerat ishin thjesht goca.
Dhe, të them të drejtën, nuk kishim asnjë pikë faji.
Vjollca e meritonte plotësisht atë cilësim. Kishte filluar të piqej si femër më herët se vajzat e tjera të klasës. Gjoksi i saj kishte nisur të shfaqej që në semestrin e dytë të klasës së gjashtë. Kofshët e rrumbullakëta kacafyteshin me pantallonat e ngushta, me ngjyrat e pranverës, ndërsa sytë e saj të zinj e të mëdhenj, të rrethuar nga qerpikë të gjatë sterrë të zinj, të zinin frymën.
Mbi ta qëndronin vetullat e dendura, të harkuara si drapër.
Mollëzat e kuqe zbrisnin ëmbël drejt mjekrës së rrumbullakët, prej nga derdhej qafa e saj e lëmuar, e hollë si gushë pëllumbi. Në fund të saj bashkoheshin flokët e zinj pis, të dendur e të rëndë si pendë korbi.
Vjollca kishte shtat mesatar, madje në klasën tonë kishte vajza më të gjata se ajo. Por sytë dhe mendja jonë nuk përqendroheshin askund tjetër.
Vetëm tek ajo.
Por nuk ishte vetëm bukuria dhe hijeshia e trupit të saj që e ushqenin dashurinë tonë të çmendur. Vjollca kishte edhe diçka tjetër, një mënyrë jetese, një botë të sajën, që e bënte më të veçantë në sytë tanë.
Ajo ishte rritur tek tezja, një grua e bukur, e martuar me një shkodran nga ata që punonin në hidrocentralin e Fierzës. Ata nuk kishin fëmijë dhe e kishin birësuar Vjollcën.
Nuk ishin të pasur, por jetonin bukur.
Apartamenti i tyre ishte i mobiluar krejt ndryshe nga ajo mortajë e modës që kishte pushtuar qytetet e vendit. Në shtëpinë e tyre kishte shumë abazhurë. Nuk kishte bufe, as shtatëmijëshe, as nëntëmijëshe, si në shumicën e shtëpive të qytetit.
Një televizor me ngjyra Grundig qëndronte mbi një skrivaní të ulët. Poshtë tij ishin renditur shumë libra, të gjithë të vjetër, të zverdhur nga përdorimi dhe koha.
Librat na ishin të ndaluar. Nuk guxonim as t’i preknim, jo më t’i merrnim për t’i lexuar.
Disa prej tyre ishin në italisht.
Por, në atë kohë, asnjëri prej nesh nuk shkonte në shtëpinë e Vjollcës për librat. Mendjen e kishim vetëm te ajo dhe te lëvizjet e saj prej sorkadheje, sa nga një dhomë në tjetrën.
Ajo që e bënte Vjollcën edhe më të veçantë për ne ishte magnetofoni i saj i madh, me dy bokse bajagi të fuqishme dhe me dy kaseta.
Ditëlindjet tona festoheshin pothuajse gjithmonë në shtëpinë e Vjollcës. Dëgjonim muzikë, kërcenim dhe, pak nga pak, kishim filluar të provonim edhe pijet alkoolike.
Në shtëpinë e saj dëgjuam për herë të parë muzikë rok dhe pop. The Beatles, John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr hynë në jetën tonë bashkë me këngë si Let It Be dhe In My Life. Muzika e tyre e bëri dashurinë tonë për Vjollcën edhe më të zjarrtë.
Pastaj erdhen edhe ABBA-t.
Vetëm shumë vite më vonë, kur i pamë në televizor, mësova se emri i grupit të famshëm suedez ishte krijuar nga shkronjat e para të emrave të tyre.
Shtëpitë e secilit prej nesh ishin gjithmonë të hapura për të gjithë. Por shtëpia e Vjollcës ishte parajsë.
Shkodrani nuk na tha kurrë asnjë fjalë. As pse vinim, as kur do të iknim. Megjithëse shumicën e kohës nuk ishte në shtëpi.
Shpesh ai dhe e shoqja shkonin në Shkodër. Ndonjëherë nuk e merrnin Vjollcën me vete, sidomos kur shkonin me ngut për ndonjë natë a dy. Në ato raste, ne rrinim deri pas mesnate në shtëpinë e saj.
Kur shkonim, flisnim me zjarr për Vjollcën.
Kur largoheshim, bënim të njëjtën gjë.
Por kur ishim në shtëpinë e saj, askush nuk e hapte gojën.
Fliste vetëm Vjollca.
Dhe magnetofoni.
Ndoshta njëqind herë rresht, Beatles dhe ABBA këndonin të njëjtat këngë.
Vjollca po na burrëronte të gjithëve para kohe.
Në klasën e shtatë ndiheshim më burra, më seriozë. E matnim fjalën para njëri-tjetrit, sidomos kur binte fjala për të dashurën tonë hipotetike.
Askush nuk guxonte ta ngacmonte të dashurën tonë.
Vjollca, që deri atëherë na kishte forcuar lidhjet me njëri-tjetrin, kishte filluar gradualisht edhe të na largonte. Jo prej vetes së saj, por nga njëri-tjetri.
Në klasën e shtatë filluam të përpiqeshim t’i binim në sy në mënyrë individuale: me ndonjë gjest mbrojtës, me sjellje të veçanta, me fjalë të ngrohta, madje edhe me dhurata të fshehta që ia bënim pa i treguar asgjë njëri-tjetrit.
Ajo përpiqej ta ndante dashurinë e saj në mënyrë proporcionale mes nesh, duke u sjellë ngrohtë me të gjithë.
Por kjo ishte e pamundur.
Vjollca nuk mund të copëtohej në katër pjesë.
Dy-tri episode të vogla gjatë atyre viteve bënë që, çuditërisht, ne të unifikoheshim përsëri në dashurinë tonë për të.
I
Episodi i parë ndodhi në orën e fiskulturës.
Ishim të veshur me uniformën klasike: djemtë me brekë të zeza dhe kanotiere të bardha, ndërsa vajzat me kilota të zeza dhe bluza të bardha me mëngë të shkurtra.
Atë vit në shkollën tonë kishte ardhur një mësues i ri fiskulture. Ishte bukurosh, por krejt mendjelehtë e i pacipë.
Atë ditë na rreshtoi djem e vajza bashkë. Dy rreshta djemsh dhe dy vajzash, të ndarë sipas gjatësisë.
Katërshja jonë, në rreshtat e djemve, ishte shpërndarë si mos më keq.
Kjo bënte që sytë tanë, të ngulur drejt Vjollcës, të kryqëzoheshin në drejtim të kundërt me mësuesin e fiskulturës, i cili qëndronte përballë nesh dhe komandonte ushtrimet.
Por shpejt kuptuam se edhe ai ishte bashkuar me shikimet tona.
Vetëm se shikimi i tij nuk kishte asgjë nga pafajësia jonë.
Paturpësisht e kishte ngulur vështrimin te trupi i Vjollcës.
— Një, dy, tre, katër! Kryqëzo duart në gjoks! Ngri lart! Uli poshtë! Një, dy, tre, katër!
Komandat vazhdonin.
Sytë e tij jo.
Vjollca ishte skuqur. E ndjente mbi trup atë vështrim të rëndë e të pistë.
Ne ishim zverdhur nga inati.
Ndërsa mësuesi ndërronte ushtrimet dhe përsëriste komandat, vazhdonte të shikonte aty ku ne, në fantazitë tona të parakohshme, kishim ndërtuar gjithë botën tonë të fshehtë.
Ato dhjetë minuta na u dukën vite ankthi.
Më në fund, mësuesi urdhëroi të vazhdonim me vrapimin. Pastaj do të mblidheshim në palestër për kalimin e kalucit.
Pikërisht aty shkeli çdo kufi.
Duke bërë sikur po e ndihmonte Vjollcën, ai e preku në të pasmet e saj në mënyrë krejt të papërshtatshme. Vjollca ia plasi të qarit dhe ora e mësimit u ndërpre menjëherë.
Dy vajza dhe tre djem shkuan në drejtori për t’u ankuar për sjelljen e mësuesit.
Ndërsa grupi ynë nisi, në konspiracion të plotë, të hartonte planin e hakmarrjes.
Plani funksionoi.
Ai e kishte shtëpinë në një fshat pranë qytetit. Ne studiuam lëvizjet e tij dhe, ditën e tretë, pasi kishte marrë transferimin për në një fshat të largët, po kthehej natën vonë drejt shtëpisë.
I dehur.
I demoralizuar.
Dhe krejt i vetëm.
Papritur, mbi të ra një breshëri gurësh të formave dhe përmasave të ndryshme.
Dëgjuam britma, ulërima dhe afshama.
Por nuk pamë asgjë më tepër.
Secili prej nesh, sapo hodhi gurët që kishte përpara, iku si hije. U bashkuam në anën tjetër të qytetit, të sigurt se plani ynë i hakmarrjes kishte funksionuar.
Kishim marrë hak për Vjollcën.
Për të dashurën tonë.
II
Episodi i dytë kishte njëfarë ngjashmërie me të parin, por ishte krejt tjetër në formë.
Dhe këtë herë pati edhe një lloj tradhtie nga ana e së dashurës sonë.
Tradhti që do ta zbulonim vetëm pas disa vitesh.
Një bukurosh fshati, që sapo kishte mbaruar ushtrinë, na ishte qepur pas Vjollcës.
Këtë na e tha vetë ajo.
Këtij bukuroshi, që vinte nga fshati në anën e kundërt të atij ku banonte mësuesi i fiskulturës, nuk na u desh t’i zinin pritë nga vendet e fshehta.
Këtë herë i dolëm përballë.
Të përgatitur mirë.
Nuk biseduam fare me të.
Në dalje të qytetit, në errësirë të plotë, kur ai po kthehej për në fshat, i premë rrugën. Pa asnjë paralajmërim, u hodhëm mbi të dhe e goditëm derisa e shtrimë për tokë.
E lamë të përgjakur.
Pa i thënë asnjë fjalë.
Tradhtia që përmenda më lart do të zbulohej vite më vonë.
Ata të dy u martuan.
Por martesa e tyre ishte e pafat. Bukuroshi i fshatit vdiq në një aksident automobilistik vetëm pak vite pas martesës.
Dhe Vjollca mbeti përsëri një kujtim i papërfunduar në historinë tonë.
III
Episodi i tretë ndodhi kur ishim në klasën e tetë.
Dikush na tha se shoferi i autobusit, Shkëlzen Musteqja, e kishte marrë Vjollcën krejt të vetme në autobusin e tij. Kishin ikur për disa orë dhe ishin kthyer në qytet po vetëm.
Lajmi mori dhenë.
Thuajse gjithë qyteti ynë i vogël e mori vesh.
Vjollca nuk e mohoi.
Madje, që nga ajo kohë, ndryshoi disi sjellje edhe me ne të katërt.
Kësaj here nuk na kërkoi ndihmë.
Por ne nuk mund ta linim punën me kaq.
Përsëri bëmë planin tonë të detajuar.
Një të diel, kur autobusi i Shkëlzen Musteqes ishte pushim, ai u gjet me të gjashtë gomat e shpuara.
Nuk pyetëm kush i kishte shpuar.
Asnjëri prej nesh nuk foli.
Por të gjithë e dinim.
Katërdhjetë vjet më vonë, Xeni, Culi, Popi dhe unë u mblodhëm në një drekë.
Filluam të kujtonim, një nga një, shokët e tetëvjeçares.
Shumica nuk na thoshin më asgjë.
Kishin mbetur thjesht hije të së shkuarës.
Dikush përmendi një emër.
Pastaj një tjetër.
Dhe, si të ishte e pashmangshme, u kthyem te Vjollca.
Të gjithë mendonim për njëri-tjetrin se, diku gjatë atyre viteve, secili prej nesh e kishte kaluar kufirin e zjarrit. Se ndonjëri kishte pasur fatin të bënte atë që të tjerët vetëm e kishin ëndërruar.
Në dalldinë e sinqeritetit që sjell një drekë mes burrash në moshë, filluam të rrëfenim.
Të gjithë e pranuam se e kishim dashur marrëzisht Vjollcën.
Por asnjëri prej nesh nuk kishte bërë dashuri me të.
Asnjëri.
Edhe pse secili prej nesh kishte menduar se të tjerët kishin pasur më shumë fat.
Edhe pse, sipas kujtimeve tona, Vjollca na kishte dashur të gjithëve.
Madje, shpesh na kishte krijuar edhe raste, rrethana e mundësi që ne, të rinj e të hutuar, nuk kishim ditur t’i kuptonim ose kishim pasur frikë t’i shfrytëzonim.
U pamë në sy.
Katër burra, secili me thinjat dhe rrudhat e veta, u kthyem për një çast në djemtë e klasës së shtatë.
Dhe papritur e kuptuam se, ndoshta, Vjollca kishte qenë e vetmja femër që të katër ne e kishim dashur vërtet.
Pikërisht sepse nuk e patëm kurrë.
Dhe, ndoshta, ajo kishte mbetur kaq e bukur në kujtesën tonë vetëm sepse koha nuk e kishte lejuar kurrë asnjërin prej nesh ta kthente në të tijën.
Për ne, edhe pas dyzet vjetësh, Vjollca vazhdonte të ishte ajo vajza e vetme e klasës.
Të tjerat kishin qenë thjesht goca.
Tiranë Shtator 2026


