VRA E KTHJELLË
jam si qielli që vrahet prej britmave
e kthjellohet prej lutjes si ajri në pranverë
jam si shiu që bie mbi dredhëza,
po mushtin ua pi kulshedra me shtatë krerë
jam si përroi që dlirët nga lyzhdra
hedhur pa mëshirë nga laradacët me frak
jam si cigani i breglumit me brekushe
që i bie lodërtinës së ditës: paç fat
ORA E KTHIMIT
Ora jote e kthimit po troket
e unë ende nuk kam shkrue asnji varg,
n’Shëngjergj lisi i vogël te kryet asht ba rrap,
tash dyzet e pesë mote
s’i vyshket asnji gjeth
s’i thahet asnji degë.
Ora jote e kthimit po vjen
E ti shkon tërmales pa thinja, pa hapa…
Motin tjetër do jesh ba i’qind vjeç,
Por nuk do të jesh plak.
Me gjuhën e barit, a s’po më thue:
“U plakësh biri im edhe për mue!”
SHENJA E DIELLIT
Shenjën e diellit ua bëj tatuazh reve
Por nuk jam diell, as një thërrmizë e tij,
Nuk shpërndaj rreze e nuk mbaj amanete
Nuk ngroh në dimra e nuk djeg në verë,
Nuk shkrij borën maleve, akujt mbi përrenj,
Fëmijët nuk më shkruajnë në hartime shkolle,
As rapsodët në këngë si Shna Diell.
Ime shoqe nuk bën be në mua
Si të parët tanë: “Për këtë diell!”
Dielli i saj ka moshën e drandafilltë
Të ardhjes së ardhësve.
E PAKRYER
Eja se dita jote nuk ka kryer
As nata që të mban një mur a një det larg
Eja se ajri mes nesh as ngrinë, as shkrinë
Lulet çelin e s’çelin, krojet menin e s’menin.
Ne duhej ta kishim (për)kryer botën,
Por nuk mundëm ta bënim.
Paçka se e ndalem padashur ciklin e saj
Sot e gjithë ditën jemi në faj!
Zor se mund ta ndreqim dhe tash e mbrapa,
Jo se s’kemi kohë, jo se s’dimë me dasht
Por jemi po ata të djeshëm-sotshmit
Të përkryer në atë që nuk asht…
LASGUSHI
Para tij bëjmë fotografi
ai hesht, nuk ka fjalë…
sot i derdhur në bronz
si dje, kur ishte i gjallë.
QAFË – RRASA
Qafa më e vogël në botë
E ngjis përditë me hapa rinor
E prapë s’e kam ngjit…
Asgjë aty asnjëherë s’ka ndodhur.
Së paku të ngrihej një antenë!
Vetëm lisa pellazgjikë…
Qafa më e vogël në botë
E vogël sa fëmijëria ime.
LONDRA
Nuk kam qenë asnjëherë në Londër,
Befas atje zbrita me një avion malli,
Pashë si rridhnin Drini e Vjosa,
Mbi re e nën re, si një erë e re…
Londra tashmë,
Një lagje e shtëpisë sonë.
AVIONI
Avioni u ngrit nga aeroporti i Kabulit
i stermadh, i rëndë, zhurmues,
fëmijët që s’mundën të hipnin në bord
u varën në krahët e tij si lot…
atë çast qielli zgjati krahët
u mbush me zogj!…
16 Gusht 2021
DETI A QIELLI
Asnjëherë nuk e kam kuptuar
ku fillon qielli e ku mbaron deti,
si mundet njeriu të masë
sa kaltërsi ka njëri sy e sa tjetri?…
KROI I VASHAVE
Vashat shkuan të gjitha
dolën nuse me tupanë,
kroin e morën në gji
po vashëria e tyre pikon aty…
MUZGU
Si të ngjitemi tek ai mal?
Si të zbresim tek ky zall?
Telajo e mëngjesit pikturohet pa ngjyra…
Muzgu shuhet pa fjalë…
RAGUZA
Gj. Kastriotit
Ti ecën nëpër Raguzë
Unë nëpër Dubrovnik.
Hapen para teje portat e kështjellës,
Kanatat e Republikës.
Ambasador Gazulli del nga koha…
Shkruan kartolinën 2022.
Ti ecën nëpër Raguzë,
Unë nëpër Dubrovnik.
Jam aq krenar në këtë qytet
Sepse jam Ti.
GJARPËRINJTË E LAHUTËS
Kishte gdhendur në lahutë lulet e shegës,
shqiponjat e qiellit, brirët e dhisë –
zu të skaliste gërshetat e vashës.
Nuk kishte ndodhur kurrë ma parë
të rrinin mbi lahutë dy gjarpërinj aq të bukur –
ndërthurur si gishtat e tij në gishtat e saj.
Retë idhnake u përplasën fort në qiell
e bubulluan me breshërimë në tokë,
si mund të durohej ndër burra kjo herezi!?
Vetëm shtojzovallet kishin kërcyer deri atëbotë
mbi lahutat dhe shtretërit e tyre,
joshëse, tunduese, mëkatare…
S’deshi t’ia dinte për gjëmimin e qielltokës
vazhdoi të gdhendte në tel të lahutës
gjarpërinjtë që i kalleshin në gji.
VETËM NË ANDËRR
Vetëm në andërr rrinë bashkë të vdekur e të gjallë,
të lindur e të palindur
Vetëm në andërr rruzulli bahet sa një top futbolli,
luajnë çunat e lagjes
Vetëm në andërr qielli lundrohet nga anijet,
bora flokon në verë
Vetëm në andërr kanë të njëjtën ngjyrë,
e bardha dhe e zeza
Vetëm në andërr kërcejnë valle dyshe
jeta e vdekja
S’U BANA DOT KOSTANDIN
Kundroj vargun e kreshtave alpine
i pamatë, i trazuem, i pagjuhë
shkronjat e shqipes patën ra në luftë!
Deri këtu në Sanxhak shungullonte zani im:
a ndiet, ju o gjind, përtej nantë maleve
atje qe martue Doruntina, ime motër…
Po unë s’u bana dot Kostandin!
Sanxhak, maj 2015
E RREJSHME
Rendin kuajt e trumpetave me galop
shtegtojnë namin tuaj prej herojsh t’gjallë
gati të bien për ju çdo çast dëshmorë
jo vetëm në gojëdhana, jo vetëm në kala…
Imi asht veç kali që s’e shalova kurrë –
më shpie tërthoreve ku s’buçet lavdia juaj…
SIZIFIANE
Fjala e rëndë thyen kockën e gjuhës në asht
rrokulliset si ortek drejt fundit të dheut,
s’ka njeri as Zot ta ngjisë sërish lart
ku luhet simfonia e nëntë e Bet’hovenit.