More
    KreuIn memoriamRudolf Marku: Pandotja poetike e shpirtit

    Rudolf Marku: Pandotja poetike e shpirtit

    1.

    Ngase pas këto ditë do kujtohet dita e vrasjes së dy poetëve, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, njëri ndër krimet më të shëmtuar të sistemit komunist shqiptar,  ju lutem më lejoni të sjellë dy  kujtime të mia personale, një i vitit 1994 dhe tjetri i vitit 2012…Janë kujtime thjeshtë personale, që nuk sjellin asgjë të re në dokumentacionin e jetës e të ekzekutimit të dy poetëve fatkeqë, por që prapë lidhen me një koincidencë të çuditshme  me fatin e tyre… Poeti Sadik Bejko ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të zbuluar të vërtetën e jetës dhe vrasjes së  tyre, duke botuar dy vëllime me dokumentacione arkivore, dhe duke sjellë shembullin se si një poet i gjallë përkujdeset për dy kolegë, të  ekzekutuar në mënyrën më barbare- jo në vitin 1941 a 1942 a 1943,-por në vitin 1977; dhe jo të ekzekutuar  nga pushtuesit fashist a nazistë a nga bandat fashisto-monarkiste greke a bandat jugosllave, por nga bashatdhetarët e vet të nderuar, që sot e kësaj dite janë shëndosh e mirë, madje duke gjalluar nëpër kryesira të partive të lavdishme të demokracisë Perëndimore. Ironikisht, të asaj demokracie, simpatia për të cilën shërbeu dhe si pretekst  për të  ekzekutuar  dy poetët e pafajshëm.Dhe po ashtu nuk ka se si te mos permendet parathënja eseistike, një Requiem i vertetë, i shkrimtarit tonë, Ismail Kadare, për krimin e shëmtuar të vrasjes së dy poetëve të talentuar veç pak vite para se të shembej kështjella  groteske e fantazmës  së komunizmit.

    …Viti 1994, nëse nuk gaboj.  Së bashku me Pjetër Arbërorin, Saik Bejkon, Uran  Butken dhe ca miq të tjerë u patëm ftuar në Librazhd për të marrë pjesë në varrosjen e eshtrave të Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit. Pasi patëm parë vendin e ekzekutimit të dy poetëve fatkeqë, një prozhmë e vetmuar pylli, buzë një përroi të tharë, një yrt ndjellakeqas, dhe pas një ceremonie përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, u drejtuam për në Varreza duke mbajtur mbi supe peshën e dy arkivoleve me ato pak eshtra të mbetura. Ishte një kortezhët  ndër më të zymtët që kam parë në jetën time… Arkivolet qenë të lehtë, ngaqë qenë pothuajse bosh, e prapë rëndonin aq shumë, sa pesha e krimit që kishte marrë jetën e dy poetëve të pafajshëm. Një krim bërtitës, barbar, i shëmtuar, hakërrimi i injorancës kundër kulturës, i shtazërisë kundër butësisë njerëzore të poezisë, i shëmtimit të përjetshëm kundër bukurisë së shpirtit… Kur ja, tek po ecnim në një rrugë mes qytezës së shkretë e  të zymtë, papritur dëgjojmë një zë  të shqiptuar me tërë forcën e gurmazit,  si sfidë, : Mirë ja u kemi bërë!…Kthejmë kokën, dhe shohim se këto fjalë janë shqiptuar nga një njeri me një pamje groteske, me një shprehje ligësish të provincave të thella, i tharë, i rrudhur keqas, me një kapele leniniste, një lloj shapkë bolshevike,  ulur në një parvaz vitrinash të një dyqani të boshatisur… Menjëherë më shkoi ndërmend Ferri i Dantes, klithmat nga gropat tërë gjarpërinj dhe merimanga, klithmat e ligësisë njerëzore, që herë artikulohen si pasione politike, herë si artikuj gazetash,-aq të pranishme në jetën e përditshme shqiptare- herë si sulme kundërshtarësh dhe herë si dëshira shqyerjesh…Për Kolakoëskin, barbaria Totalitare, në përgjithësi ( mendojeni vetë se ç’mund të themi pastaj  për ligësinë totalitare të markës shqiptare), mbetet dhe shprehja e prezencës së Djallit në Histori. Çfarë kemi bërë për ta përzënë Djallin nga Historia jonë? – pyet ai edhe për ne të gjithë. Më duket se kemi bërë të kundërtën: kemi bërë çmosin për ta joshur që të qëndrojë mes nesh! Po të ishim vërtetë një shoqëri e qytetëruar, kur vjen puna tek dënimi i krimeve të së kaluares, mendoj se të gjithë ne duhej të ishim përtej pikëpamjeve të majta a të djathta, përtej pozicionimeve partiake, sepse normalisht si qënie njerëzore duhej të kishim përqafuar atë ide të kahershme të Adam Miçnikut që thosh se Jeta më ka mësuar  po qe se dikush është duke u fishkëlluar nga një kamxhik dhe se dikush tjetër është duke fishkëlluar dikë me kamxhik, gjithmonë jam në anën e tij që është duke u fishkëlluar nga kamxhiku… Por jo në Shqipëri… Më ka mbetur në kujtesë  ajo britmë e atij njeriu me kasketë – Mirë ua kemi bërë! – thënë si një sfidë triumfuese. Qenja që tha këto fjalë ishte një qenie e mjerë, e rrënuar, me rrudha që nuk vinin veç nga pleqëria-qenë rrudha ligësie, ca brazda ku ka pikuar ligësia e panevojshme njerëzore. Qenë fjalë të artikuluara nga një njeri me siguri i përbuzur nga e gruaja e vet dhe nga fëmijët e vet…Të urresh edhe në ceremoninë e varrimit, aq më tepër në ceremoninë e varrimit të dy poetëve të pafajshëm? Mos është kjo skenë një simbol i trishtë i Shqipërisë tonë? Nuk dua ta besojë. Por ja që fytyra tërë rrudha me një kasketë groteske leniniste në kokë, më thotë se është më mirë që unë vetë duhet të besojë te simbolet. Sepse mençuria njerëzore qenka në proporcion të drejtë me aftësinë tonë që kemi (a nuk kemi) që të mund të dëshirojmë simbolet që na rrethojnë në çdo hap….

    2.

    Është viti 2014. Jam në Tiranë, në Panairin e Librit, kur një vajzë më thërret që nga Stendat e Librit – Dikush ka lënë një libër për ty. Ka pritur të paktën nja 4 orë të mira që të takoheshit. Më dha librin. Më erdhi aq keq që isha bërë shkaktar që një njeri kishte pritur gjatë në një ambient të rrëmujshëm e tërë zhurmë si aty i një Panairi.  Me siguri libri qe shkruar nga personi i panjohur që kishte dashur të takoheshim. E mora atë libër me kujdes dhe lexova titullin dhe emrin e autorit- ‘’Ngadhënjimi i Shpirtit- Poetët martirë”. Autori-Nazmi Seitaj. Shtëpia Botuese-Globus R.  Është një libër kujtimesh kushtuar poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Shkruar nga një mik intim i tyre.  Fillova të shfletojë librin, kur shoh një pusullë letre të shkruar me shkrim dore dhe të lënë mes faqeve të librit: ‘’ …dëshëroj që t’iu dhurojë këtë libër. Arsyen do ta gjeni në faqen 102. Përshëndetje Nazmi Seitaj.’’

    Përnjëherë shkova te faqja 102 të cilën po e riprodhojë këtu:

     ‘’…Genci erdhi nga Qukësi me një gazetë në dorë dhe  na gjeti aty te shkëmbi në rrafshinë. Nuk më kujtohet nëse ajo ishte gazeta ‘’Drita’’ apo ‘’Zëri i  Rinisë,, por mbaj mënd se Genci  ishte befasuar nga një tregim i Rudolf Markut, që rrëfente për dashurinë fatkeqe të poetit arbëresh, Zef Serembe.

    Tregimin e lexoi Genci. Ne herëpashere e ndërprisnim dh komentonim ato fragmente të tregimit që na linin mbresa.

    Nuk më harrohen se si i përsëriste Genci fjalët e Serembes, kur dikush i thotë atij në çastin që kishte qëndruar mbi varrin e vajzës në dheun e largët të Brazilit: ‘’Sa shumë që ju ka dashur’’

    ‘’Ajo nuk më ka dashur kurrë”,- ia ktheu Serembe i pikëlluar-ajo s’më ka dashur kurrë!’’.

    Lexuesi i këtyre kujtimeve nuk e merr me mend se sa dashamirës ishin këta poetë për ata krijues që shkruanin me aq dashamirësi  e lirizëm për jetën dhe njeriun. Ata nuk kanë qenë kurrë ziliqarë. Ndienin kënaqësi kur lexonin krijime, të cilat qëndronin larg skematizmit vulgar dhe politik

    Rudolf Marku, ky moshatar i Vilson Bloshmit e ky krijues nga Lezha e largët, i mrekulloi këta Poetë, paçka se atyre nuk u lejohej të botonin. Le të botonin të tjerët, për ato çka ndienin ata në zemrat e   tyre…’’

    3.

    Tregimin e sipër përmendur e kam shkruar dhe botuar në moshën 20 vjeçare. Në librin e Sadik Bejkos për dy poetët e vrarë lexojë se, ca ditë më vonë nga ajo ditë që rrëfen Nazmi Seitaj, Genci i ka shkruar një letër Vilsonit rreth tregimit për Zef Seremben, me entuziamin dhe dashamirësinë karakteristike të një poeti të talentuar e të kulturuar. Letra ndodhet në dosjet e dy poetëve (shih librin për Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin- përgatitur me parathënie të I. Kadaresë  dhe pasthënie nga Sadik Bejko).

    Nuk e kisha ditur më parë se kisha qenë, qoftë dhe për ca ditë të vetme, në kujtesën e këtyre dy poetëve. Nuk e kam ditur as atë ditë kur shkova në Librazhd në ceremoninë e varrimit të eshtrave të tyre të gjetura në një rrëpirë mali, buzë një përroi. Nuk e kisha ditur për vite me radhë. Vilsoni dhe Genci me siguri kanë përmendur me dashuri sa e sa shkrimtarë të tjerë bashkëkohor shqiptar, moshatarë të tyret apo dhe më të mëdhenj nga mosha. Përmendja e emrin tim është thjesht një koincidencë fatlume, nga ato koincidencat që vijnë nga shkëndijat hyjnore. Por ajo që më prek në gjithë këtë histori është dashamirësia e jashtëzakonshme e këtyre dy poetëve që jetonin në  një provincë të humbur e të izoluar, të vëzhguar e të kërcënuar në çdo hap të jetës së tyre. E prapë të përshkuar me një dritë të brendshme kulture. Në kontrast me agresivitetin e shumë njerëzve sot- me agresivitetin e njeriut dhe shpesh herë me agresivitetin e krijuesve mediokër që jetojnë atë liri që u jep atyre të drejtën të shpifin, të shajnë, të përdhosin , të përgojojnë kolegët e tyre me përjargie zilishë vrastare, apo dhe me atë vrasjen me armë me silenciator-vrasjen me anë të heshtjes. Ja, kjo më shtyu t’i shkruajë këto rreshta jo aq mikluese për lexuesin delikat të sotëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË