Ka shumë mënyra për ta njohur Ismail Kadarenë. Është ai që e njeh bota: ai i librave, i fjalëve, i personazheve dhe i botëve që u ka dhuruar lexuesve të tij të shumtë. Pastaj është njeriu që e njohin miqtë e afërt dhe familja. Në në fund, është gjyshi, atë që vetëm një fëmijë mund ta njohë.
Fëmijët e kanë këtë fat: ata nuk dinë çfarë admirojnë të rriturit. Ata nuk njohin as famën, as vlerësimet, as vendin që një njeri zë në botë. Ata nuk shohin as gjeniun, as veprën. Ata shohin thjesht një gjysh.
Kur isha e vogël, më impresiononte shumë. Kishte gjithmonë atë pamje enigmatike që të ngjallte natyrshëm respekt. Më kujtohet që, përpara se t’ua prezantoja shoqeve, i paralajmëroja gjithmonë se gjyshi im ishte një njeri i veçantë dhe se nuk duhej të habiteshin. Fytyra e tij ishte shpesh e padepërtueshme, vetullat të ngrysura, shikimi i largët. Shpesh i heshtur e fjalëpakë, çka ishte gjithashtu një mënyrë komunikimi. Përpiqesha vazhdimisht të lexoja diçka në atë fytyrë: ishte i lumtur? I mërzitur? I shqetësuar? I zhytur në mendime? Nuk e dija. Dukej sikur jetonte gjithmonë në një botë mendimesh që ne nuk mund ta arrinim.
Momenti që e vëzhgoja më shumë ishte gjatë drekës familjare të së dielës. Dreka shoqërohej gjithmonë nga biseda të zjarrta. Ai kryesonte tryezën; vendi im ishte pikërisht përballë tij, në anën tjetër të tavolinës. Pra, në njëfarë mënyre, edhe unë kryesoja drekën. Nuk kuptoja shumë nga debatet për letërsinë, filozofinë apo politikën, por më pëlqente të vëzhgoja skenën: gjestet, reagimet, heshtjet, intonacionet. Megjithatë, ajo që më intrigonte më shumë ishte ai vetë.
Lexuesit kalojnë vite duke u përpjekur të zbërthejnë veprën e një shkrimtari. Unë e kalova fëmijërinë duke u përpjekur të zbërtheja misterin e gjyshit tim.
Ndonjëherë besoja se e kisha cikur atë mister, kur shikimet tona kryqëzoheshin. Fytyra e tij ndriçohej lehtë, një gjysmëbuzëqeshje shfaqej… për t’u zhdukur menjëherë. Ato çaste ishin të pakapshme, si të përpiqeshe të mbaje tymin në pëllëmbët e duarve. Pastaj ai rikthehej menjëherë tek ajo shprehje e padepërtueshme, pas të cilës unë kisha filluar, megjithatë, të dalloja një dhembshuri të pafund.
Më rastiste të mendoja se ajo butësi ishte një sekret që e ndanim vetëm ne të dy. Më kujtohen ato çaste kur ai ekzagjeronte qëllimisht pamjen e tij të sertë, si një aktor që futet në rol. Pastaj sytë tanë takoheshin, shkëmbenim një buzëqeshje kuptimplote… dhe ai rivishte maskën e ashpërsisë së tij. Sikur ajo ana e tij e brishtë ekzistonte vetëm midis ne të dyve. Me kalimin e viteve, kisha përshtypjen se ai e linte të dukej më shpesh atë ëmbëlsi. Por unë pata fatin ta zbuloja shumë më herët. Ndoshta ky është privilegji i fëmijëve.
Këtë lidhje të veçantë e ndieja edhe kur nëna më dërgonte ta thërrisja në Kafe Rostand, kur dreka ishte gati. Hyja me druajtje për t’ia ndërprerë punën me ndjesinë se po hyja në një vend ku po ndodhte diçka e rëndësishme. Ai dukej gjithmonë i zhytur në botën e tij, i rrethuar nga dhjetëra fletë të shpërndara gjithandej, si në mes gërmimesh arkeologjike. Kur qëllonte që shkruante tek tryeza e bukës, ia mblidhja fletët e shpërndara pa e kuptuar kurrë sipas çfarë renditjeje misterioze do të rigjenin vendin e tyre. Sot më pëlqen të mendoj se, në ato çaste, isha unë ajo që e sillja nga botët që ai ndërtonte drejt botës sonë.
Për një kohë të gjatë nuk e kuptoja tamam se çfarë përfaqësonte ai për të tjerët. Për mua ishte thjesht gjyshi im. Dhe, paradoksalisht, vetëm pas largimit të tij fillova t’i rrok përmasat e shkrimtarit që bota adhuronte.
Sot kjo bibliotekë do të mbajë emrin e tij. Ajo do t’u japë lexuesve mundësinë të zbulojnë Ismail Kadarenë, ta lexojnë dhe ta interpretojnë, secili në mënyrën e vet. Unë pata fatin ta njihja ndryshe. Sepse, përpara se të njihja shkrimtarin e madh, pata fatin të njihja gjyshin tim.
Fjala në përurimin e bibliotekës “Ismail Kadare”


