More
    KreuRudolf Marku: Një takim i paharruar me shkrimtarin John Updike

    Rudolf Marku: Një takim i paharruar me shkrimtarin John Updike

    Në Korrikun e vitit 1994 ndodhesha i ftuar në një program kulture në Shtetet e Bashkuara. Qendrimi im për afër dy muajsh nënkuptonte një udhëtim intensiv nga Bregu Lindor (Washington DC, North and South Caroline, New York City) në Bregun Perëndimor të Kontinentit amerikan (California).

    Pas dy javësh të mbërrtijes time në SHBA, jam në Massachusetts. I ftuar nga Harvard University, kisha kërkuar të shoh një kopje të gazetës studentore Crimson, gazetë ku Tomas Stern Eliot, student, në qershorin e vitit 1915, pat botuar së pari poemën ‘’Këngë dashurie për J. Alfred Prufrock,,. Një gazetë e zakonshme dhe tepër modest studentësh që vazhdon të botohet dhe sot e kësaj dite me katër faqe, e që u kish prezantuar për herë të parë lexuesve veprën poetike të poetit më të madh të shekulli te njëzet.. (Me kish shkuar ndërmend shkarazi se asnjë shkrimtar shqiptar nuk do ta kishte ulur veten deri aty sa të kishte pranuar që të botonte një poemë të veten në një gazetë studentësh me katër faqe…)

    Në Washington DC, në Library of Congress, para se të mbërrija në Boston, kisha ende të freskët kujtimin me Maya Angelou, poeteshën e njohur amerikane, por jo domosdoshmërisht një poete që më pëlqente (më vonë e kam parë se ka qenë poeteshë e zgjedhur nga Obama në ceremoninë e zgjedhjes si President. Jo gjithmonë shijet poetike përputhen me ato të Presidentëve!) dhe me poeten tjetër të njohur, laureate, Rita Dove

     …Një burrë i vrullshëm pat dalë nga e njëjta dhomë ku hyja. U patëm përshëndetur me kokë shkarazi, duke shmangur përplasjen. Maya Angelou më tha:

    – E njohe kush ishte?

    Poeti rus Joseph Broski. Tipi më i vështirë që kam njohur der’ më tash. Ngulte këmbë që të pinte cigare në dhomë. Më tha se ndalimi i cigares është një violencë kundër të drejtave të poetëve. Pastaj hapi vetë dritaren dhe piu pesë cigare rresht, gjysmë i përkulur jashtë dritares. Mund të binte poshtë nga çasti ne çast. Dhe nga ku? Nga godina e Senatit Amerikan! O zot, këta poetët rusë!

    Ne Boston më lajmëruan se do do takohesha me shkrimtarin John Updike. Nga Updike kisha lexuar romanin “Lepur, vrapo” ( Rabbit, run,), romanin e tij të parë ‘’The poorhouse Fair”, si dhe një vellim me tregime të shkurta. Një tregim të tij e kisha përkthyer dhe botuar në gazetën Drita, në vitin 1988, me një paraqitje te autorit. Ishte botimi i parë i Updike në shqip. Por jo përmendja e parë e emrit të tij në shtypin shqiptar. Më kujtohej se si në vitet ’70 emri i tij përmendej, po në faqet e gazetës “Drita”, si emri i një shkrimtari dekadent reaksionar dhe libri i tij ’’Lepur, vrapo”, si shembull i degradimit të letërsisë në perëndim. Emrin e Updike–ut artikushkruesit vigjilentë, si për ta sharë më tepër, e si për të treguar shkallën e lartë të rrezikshmërisë së tij, e rreshtonin me atë të Kafkes e të Prustit!

    Po ashtu, në leksionet për letërsinë borgjeze dhe revizioniste të shekullit të njëzet, lektorë të ndryshëm na kishin shpjeguar rrezikshmërinë e letërsisë absurde, dhe romanin “Lepur, vrapo” një profesor e shpjegonte si historinë e një lepuri që nuk kish arritur të bëhej kurrë njeri!

    Organizuesit e udhëtimit tim në SHBA i kishin shkruar Updike-ut se unë i kam përkthyer një tregim në shtypin shqiptar, dhe po ashtu i kishin dhënë disa nga poezitë e mia të përkthyer në anglisht. Kishte shfaqur përnjëherë dëshirën dhe kureshtjen që të më takonte.

    Ideja që do takohesha me John Updike, të cilin një shkrimtar anglez e ka quajtur Dostojevski i letërsisë amerikane, më jepte një ndjenjë kureshtjeje të përzier me pasigurinë se çfarë do të flisja me të. Pasigurinë ma shtonte, krahas të tjerash, dhe fakti se diku, në një tregim të tij, ai kishte një referencë jo dhe aq simpatike për shqiptarët! Por, nga ana tjetër, ai kishte botuar një shkrim të shkëlqyer për romanin ’Kronikë në Gurë, të Kadaresë!

    Takimi do bëhej në King’s Grant Inn, në periferi të Bostonit, fare pranë Salem.
    Mendova të merrja me vete një libër të tij. Nuk ishte gjë e lehtë për të gjetur një libër të Updike-ut në libraritë e Bostonit. Librat e tij ishin më të shiturit. Një miku im amerikan më dha nga biblioteka personale romanin e parë të Updike-ut. Nxitova të mbërrijë në kohë. Arrita pesë minuta me vonesë. Jashtë, në oborrin e King’s Grant Inn priste një burrë gjatosh, elegant, me flokë të bardha, i veshur me një bluzë polo verore. Ishte e kundërta e figurës zyrtare, hijerëndë, të kontraktuar, pozante dhe distancëmbajtëse të shkrimtarëve që kisha njohur unë deri me atë kohë. Kishte sytë më të qeshur e më të butë që kam arritur të shoh tek një qenie njerëzore. I kërkova të falur për vonesën. I tregova se sa e vështirë kishte qene për të gjetur një libër të tij në bookshop-et e Bostonit. Ai më tha se isha munduar më kot, ngase ai vetë kishte sjellë katër libra te tij për t’m’i dhënë me vete.

    Filloi te pyeste për Shqipërinë. Kishte lexuar romanin e Kadarese ’’Kronikë ne gur,, dhe e kishte admiruar talentin e shkrimtarit shqiptar. Në revistën prestigjioze ‘’New Yorker,, ku ka botuar dhe shkrimet e mrekullueshme estetike, ka shkruar një recension tepër vlerësues për të. Përmendi vetë fillimin e romanit, atë të përshkrimit surreal të pijanecëve që gdhihen në ditën e nesërme mbi çatitë e pjerrëta të shtëpive të qytetit. Dhe qeshi. Qeshte i lumturuar nga përmendja e romanit të Kadaresë (në një kohë që shumica e kolegëve shqiptar qenë ngrysur përzishëm nga botimi i ‘’ Kronikës në Gur,,). Tha se ai vetë ishte çuditur se si kjo vepër qe shkruar nga një shkrimtar shqiptar. Tha se kishte qenë ndër shkrimtarët e parë amerikanë që kishte vizituar Bashkimin Sovjetik. Gjatë kohës së Hrushovit. Kudo i thonin të njëjtën gjë, të njëjtat fjali, i bënin të njëjtat pyetje se Prozatori më i madh i letersisë amerikane është Jack London. Se Poeti më i madh është Karl Sanburg. Se Thomas S. Eliot është poet katolik, dhe prandaj, reaksionar… Më vonë kishte vizituar Poloninë, Çekinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë. Të një-jtat biseda, madje e njëjta strukturë sintaksore, të njëjta idoma të shprehjes. I njëjti leksik, e njëjta buzëqeshje. E njëjta lëvizje e krahëve. Nuk kish arritur kurrë t’i kuptonte shkrimtarët e vendeve komuniste. Nuk kish arritur madje as që t’i kuptonte sadopak veprat e tyre. Ishte trishtuar nga uniformiteti njerëzor. Nëse shkrimtarët jane qënie të uniformizuara, ç’mund të presësh nga të tjerët?
    Më  tha se nga letersia amerikane autori që vlerësonte më shumë nuk ishte Jack London, por Nathaniel Hawthorne. Për fat të mirë, nga Hawthorne kisha lexuar ‘’The House of seven gablers,, dhe një përmbledhje tregimesh. Iu bë qejfi që e admiroja dhe unë Hawthorne. Natyrisht, duke ia fshehur me kujdes pëlqimin tim të hershëm për Jack London.

    Më pyeti se cilin nga tregimet e tij kisha përkthyer. Ah, këtë paske përkthyer? Është tregimi im më i njohur nga studentët amerikanë, ngase është i përfshirë në të gjithë Antologjitë shkollore.

    Tregimet e Updike-ut i kam admiruar që herët. Ai vetë ka botuar tregime që në moshën 22 vjeçare, dhe që në atë moshë është pranuar si shkrimtar jashtëzakonisht serioz. Ajo që binte në sy tek Updike ishte natyrshmëria e jashtëzakonshme me të cilin shkruan. Dhe ajo natyrshmëri ndjehej kudo, në të gjithë qënien e tij. Updike nuk është shkrimtar i temave të mëdha. As dhe i temave politike. Kryetema e tij është marrëdhënia mes burrit dhe gruas, seksi, divorci. Karakteret e tij janë njerëzit e zakonshëm të provincës amerikane. Stili i të shkruarit është realist. Por është mjeshtër i përshkrimit të situatave, i analizës së gjendjes njerëzore, i ironisë së hollë, dhe mbi të gjitha, i dashurisë për njeriun edhe kur tallet me të…Kjo është arsyeja që lexuesit amerikan e ndjen veten të identifikuar me karakteret e veprave te Updike.

    E pyeta se cilët nga librat e veta vlerësonte ai vetë më shumë. Centaur, Witches of Eastwick dhe Gertrude and Claudius. Ky i fundit është ri-shkrimi i marrëdhënieve të Gertrutës, nënës së Hamletit, me burrin e saj të dytë, Claudin. Me pyeti nëse e kisha parë realizimin në film të Witches of Eastwick me Jack Nickolson…Nuk i pelqente që shumë lexues e përmendnin si autorin e  ‘’Rabbit, run,,. Tha se sa e vështirë është për një shkrimtar kur ndesh në lexues që e permendin si autorin e veprave të para të botuara…

    Disa vite me vonë e kam kujtuar këtë pjesë të bisedës tonë tek lexoja njërin nga tregimet e tij në permbledhjen e tregimeve ‘’ Your lover just called,, ku ai tregon një shkrimtar të bezdisur nga që e përmendin si autorin e veprës së tij të parë të botuar…

    Tek ndaheshim, bëmë një fotografi bashkë. Më dha katër librat që kishte marrë me vete nga shtëpia e vet para se te vinte. “Centaur”, “Getrude and Claudius”, “Witches of Eastwick” dhe “Beck”. Të gjitha me dedikaset e veta.

    Një muaj më vonë, në Tiranë, marr dhe letrën e parë të tij. Më shkruante me kortezinë më të madhe se sa shumë e vlerësonte kohën që qëndruam bashkë dhe bisedën tonë. Me pyet për udhëtimin tim për në Shqiperi…

    Në shtepine time, në Tiranë, ruaj katër letra të shkruar nga John Updike, të cilat ai m’i ka dërguar në vite të ndryshme. Letra miqësore, të shkruara me natyrshmëri dhe me një pulsim thellësisht njerëzor.

    Shkrimtari anglez Justin Cartwright, mik i Updike-ut, shkruan me rastin e vdekjes së tij se ai mbetet ‘’shkrimtari më i madh amerikan i pjesës së dytë të shekullit të njëzet…. Dhe se cilësia e tij më e rrallë mbetet integriteti absolut. Kurrë  nuk ka shkruar në mënyrë pretencioze dhe asnjëherë, tek shkruante, nuk qellonte me grushte…,,
    Ashtu si plot të tjerë, mendoj se Bota letrare ka dështuar ngase John Updike nuk e mori atë që duhej të kishte marrë. Pavarësisht se ai fitoi dy herë çmimin Pulitzer dhe dy herë National Book Awards, atij ju mohua çmimi Nobel. Ai vetë shkruan për një shkrimtar mediokër e të mërzitshëm, Henry Bech, tek merr çmimin Nobel dhe tek mban një fjalim në Stockholm me foshnjën e vet mbi shpatulla…Është ky një pasash i shkruar në njërin ndër librat e tij që John Updike ma pat dhënë në Boston me dedikasin e shkruar me dorën e vet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË