More
    KreuLetërsiBibliotekëRidvan Dibra: Muri (tregim)

    Ridvan Dibra: Muri (tregim)

    Aty pak para mesnate, ndërsa gjumi nuk e zinte dhe trurin ia kishin pushtuar gjithfarë mendimesh, ndjeu një dëshirë të papritur ta përkëdhelte shpatullën e zhveshur të së shoqes.  Kishte muaj të tërë pa provuar një dëshirë të tillë, ose diçka të përafërt me të.  Gruaja foli diçka në gjumë, e nxitur kushedi nga çfarë ëndrre, dhe u kthye në shpinë.  Drita e zbehtë e hënës shqyente me mundim perdet e rënda të dhomës së gjumit, bëhej bojë jeshil dhe binte pjerrtë mbi fytyrën e gruas.  Ai pa me kureshtje sesi luante hëna në atë fytyrë, duke ia pohuar vetes se me të vërtetë kishte një grua të bukur.  Kushedi sa kohë kishte pa e bërë këtë pohim.  Sidoqoftë, ai kishte një grua të bukur, pavarësisht nga trillet e hënës, dhe sonte ndjente dëshirë ta përkëdhelte jo vetëm në shpatullën e zhveshur por edhe në fytyrën e jeshiltë (vetëm sytë aty dukeshin të zinj), në qafën e hollë, në gjoksin e vogël, gjithkund.

    Zgjati dorën dhe pak pa prekur sytë e mëdhenj të gruas, ndeshi në diçka të fortë që tringëlliu si xham.  U kujtua se gjithnjë e më shpesh, sidomos këto kohët e fundit, po bëhej rob halucinacionesh dhe qeshi lehtë.  Ndezi abazhurin.  Dhoma u mbush me dritë të kuqe, ndërsa jeshilja në fytyrën e gruas u bë e kafenjtë.  Gruaja ndjeu lojën e beftë të dritave në fytyrë dhe prapë foli diçka nëpër gjumë.  Ai përsëri zgjati dorën drejt saj, por prapë ndeshi në diçka që tringëlliu si xham.  U drodh lehtë.  Tashti s’bëhej fjalë për kurrfarë halucinacioni: ai ishte i zgjuar, pranë kishte një grua të bukur që ishte e tija dhe, të cilën, kishte një dëshirë të çmendur ta përkëdhelte sonte.  Kaq.  Asgjë më shumë.

    Zgjati dorën më poshtë kësaj radhe, drejt qafës së hollë e të bukur të gruas.  Përsëri ajo pengesë e fortë me një tringëllimë si të xhamtë.  U ngrit si i tërbuar nga shtrati dhe ndezi llambën e madhe.  Dhoma u mbyt me dritë të bardhë, ndërsa te fytyra e gruas e kafenjta u bë e verdhë.  Ajo flinte pa ndjerë përpëlitjet e dëshpëruara të burrit dhe atë betejë të heshtur e egoiste të ngjyrave në fytyrën e saj.  Ai u vërsul ta puthte atë fytyrë që sonte ishte tmerrësisht e bukur dhe e pafajshme.  Balli iu përplas fort për diku, buza e sipërme iu ça dhe mbi gushën e tij u sajua një vijë e hollë gjaku.  Por ai sonte kishte vendosur ta puthte atë fytyrë, që ishte më e mrekullueshme se kurrë.  Do ta thyente e do ta bënte copë e grimë atë mur të mallkuar si prej xhami.  Mbylli sytë, ngriti grushtin e majtë dhe goditi furishëm.  Priti të dëgjonte zhurmën karakteristike të qelqit të thyer, por në vend të saj dëgjoi veç një rënkim të lehtë dhe asgjë tjetër.  Hapi sytë me një parandjenjë aspak të mirë.  Fytyra e gruas ishte pranë tij, e tjetërsuar, me njolla gjaku e kristale të thyera gjithandej; ndërsa te sytë i lexohej një “pse?” e zbehtë.

    Marrë nga “Eklipsi i shpirtit”, proza. 1994

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË