More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Arben Dedja

    Poezi nga Arben Dedja

    Mysafir

    Këto shtëpi kukullash të gjitha
    tëpka për të hyrë duhet
    njëlloj të përkulesh te porta
    të pastra të lustrosura sa
    sheh fytyrën tënde dyshemesë
    mallkon shojet rri
    në këmbë si mes qelqurinash
    mirë
    që ke sjellë me vete në kurriz
    tryezën me gjithë karrige.

    Kënga e poetit

    Tash hesht
    e prehu
    kënga ime
    si dhelpër e lodhur
    ulur mbi bisht
    (bisht i kushdi ç’gusha
    zonjash)

    kujtohu
    duke vështruar
    rrezen e hënës –
    tel çeliku –
    tek i ike çarkut
    të çastit
    të përditshmërisë
    dhe pa të parë kush
    pështyve këmbën.

    1997

    Ato pak tregtiza
    të paplaçkitura
    nxitonin të shisnin
    zahiretë e fundit.

    Kërkova në krejt lagjen
    një që të mos i kishte
    raftet bosh.

    Kur e gjeta
    mbajta radhën
    dhe zotëria përpara
    bleu mallin e fundit:
    katër shishe uthull.

    Më pëlqen që di të skuqesh

    Më pëlqen që di të skuqesh
    midis kaq fytyrëzbehtish.
    Më pëlqen që turpërohesh
    më pëlqen që purpurohesh
    midis kaq faqeshollësh.
    Dhe të dua që të skuqesh
    të dua që të gabohesh
    që të fal kur turpërohesh
    dhe të puth kur purpurohesh
    midis kaq devésh e hijesh.
    Tiranë, 1992

    Fjala e Prijësit

    Dikush hante shalqi në radhët e fundit.

    Atmosfera ishte ajo e
    çasteve historike:
    salla në gjysmëterr
    e gatshme të ndriçohej
    nga batica e duartrokitjeve.

    Në rresht të parë
    vihej re lodhje
    tulesh të lëshuara
    te veteranët.

    Diku në mes
    të fjalisë bëri një pauzë
    ku mori frymë thellë u dëgjua
    veç tik-taku
    i prerëseve të thonjve (shpikje kineze).

    Burri me bira

    Flokë të prerë. Fasha
    mjegulle fije-fije.
    Qiparisa. Afishe
    të shqyera që bien.

    Memuare të fshira.
    Dritare zënë nga thasët.
    Barét Burri me bira
    në bulevardin e zbrazët.

    Merimanga

    E shoqëruan zyrave
    i treguan ndenjëset e Kuvendit
    ronitur nga uljengritjet e mullaqeve.

    Përshtypja ishte
    se ndodhej në dhomat e pushtetit
    bile uli kokën
    kërkoi ndonjë sustë aty
    por i kishin fshehur
    ose i mbanin në dhomën ngjitur.

    Të gjithë i jepnin dorën
    buzëqeshte kollarja e mëndafshtë e ministrit
    Gucci lëkurëleopard ish i çapëlyer.

    I dhanë
    një ndenjëse të lustrosur nga fundi:
    – Ky si fillim – i thanë –
    pa do të dalësh me bërryla gjer në radhët e para. –

    Vështroi rrotull
    xhamat e larë
    fugat e pashpluhurosura mirë
    llampadarin që llamburiste njëmijëqirish
    një merimangë ende të vogël në një qoshe.

    Rrëfimi i anëtarit të Byrosë

    Në ato fillime hanim shpesh dreka e darka
    te njëri-tjetri
    për ditëlindjet e fëmijëve grave
    pastaj filluam të shiheshim më rrallë
    pastaj akoma më rrallë
    (praktikisht çdo pesë vjet për Festën e çlirimit)
    pastaj vetëm për ngushëllime
    kur na vdisnin pleqtë
    ca nga ca filluam të vdisnim edhe vetë
    sëmundje aksidente
    pa plakeshim dhe vdekjet shtoheshin
    prapë sëmundje prapë aksidente ndonjë vetëvrasje
    kështu që hapëm parcelë të veçantë në varreza
    pastaj vumë shërbim të posaçëm varrmihësish
    pastaj atyre u vumë roja të armatosura
    t’i mbronim nga lukunitë e ujqërve
    pastaj vendosëm t’ua ngulim aty gati kazma e lopata
    pastaj i urdhëruam varrmihësit të merrnin dyshek me vete

    pastaj nuk e mbërthenim më kapakun e qivurit
    në fund fare përdornim vetëm një qivur
    vajtje-ardhje me të vdekurin e radhës.

    Moshë

    O ah me ato fletë të mushkëllyera
    këtë vjeshtë dua të jem dhe unë si ti
    se ndryshku i kohës gjithsesi
    pas fjalësh s’na i mban shpresat të mbërthyera.

    Vetëm ato fole fshehur në gji
    prej rrjedhës të së përditëshmes të rrëmbyera
    vetëm ato o ah nuk di sesi
    t’i ngjall brenda këtyre ndjenjave të gërryera.

    (Leuven, 1996)

    Nga vëllimii fundit poetik:
    “Shqiptime të rralluara”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË