More
    KreuTë reja“Plaku dhe deti” mes alegorisë dhe qashtërsisë

    “Plaku dhe deti” mes alegorisë dhe qashtërsisë

    Me tetë shtator të 1952, për të parën herë u botua libri më i njohur i Ernest Heminguej,
    “Plaku dhe deti” falë të cilit, sipas disa studiuesve, autori mori edhe çmimin nobel 10 vjet më
    vonë. Me një subjekt në dukje shumë të thjeshtë, akoma edhe sot, ndonëse kanë kaluar disa
    dekada, debati për leximin e tekstit vijon të jetë i gjallë e dinamik.

    Sipas kritikës së W. Williams (botuar nga Bloom’s Mondern Critical Interpretations) ku
    përmblidhen thuajse të gjithë studimet serioze rreth kësaj vepre, libri shtresëzonte kuptimet e
    fshehura ndër alegori të cilat mbivendosen duke krijuar një vepër të lexueshme në tre rrafshe.
    Rrafshi i parë është ai natyralist ku ndërthuret tragjedia e kuptimit fatal të huburis, pra të
    tejkalimit të së arritshmes, sikurse thotë Aristoteli; tragjedia e zgjedhjes që ka caktuar fati çka
    sjell një rast unik të tragjedisë aristoteliane ku gabimi fatal dhe virtyti më i lartë janë e njëjta gjë.

    Rafshi i dytë është ai i krishterë ku plaku simbolizon një Krisht natyralist dhe Santiago,
    dishepullin e tij ndërsa peshku, Osten, pra mundimet e plakut të mbledhura në kungimin falë të
    cilit Santiagoja shëlbohet, fiton të qenurit i njëtrajtshëm me të. Ky rafsh vjen më pak natyrshëm dhe marrëdhënia e tre konponentëve të tij – plaku, Santiago, peshku – më shumë se e saktëson si analogji me Trininë ta kujton atë si mundësi.

    Rafshi i tretë është ai mes artit dhe artistit çka vjen drejtpërdrejt ku, sikurse thotë Schoer
    te “With the Grace under Pressure”, Peshkatari është artisti, peshkimi është arti dhe peshku,
    objekti i tij. Pra, lufta e peshkatarit me peshkun është ngulakëmbja e tij për të krijuar një
    kryevepër.

    Gjithsesi, të tre këto rafshe diskutimi bien e kthehen në mite nga vetë autori, i cili në një
    letër drejtuar kritikut Bernard Berenson shkruan “Aty nuk ka asnjë simbol. Deti është det. Plaku është plak… Peshkaqenët janë as më shumë e as më pak se peshkaqenë. Simbolizmi që njerëzit thonë nuk është asgjë…

    Pavarësisht gjithçkaje, “Plaku dhe deti” ka treguar se mbetet konkretizimi i shprehjes së
    autorit të tij: askush nuk është më besnik se një libër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË