More
    KreuLetërsiBibliotekë"Pema e kryeqytetarit", tregim nga Ahmet Selmani

    “Pema e kryeqytetarit”, tregim nga Ahmet Selmani

    (ose druri i vetëvrasjes)

    Kryeqytetari i Trushkullit, i zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, gjatë mandatit të parë gjithçka e shndërroi në beton e asfalt, ndërkaq gjatë mandatit të dytë, si për të mbledhur mend në kokë, që në krye të herës u zotua se do të mbillte vetëm pemë e lule për ta zbukuruar e mbrojtur mjedisin jetësor. Ndaj, një ditë të bukur me diell, e mori vetë një terplote në dorë dhe tokthi me dhjetëra bashkëpunëtorë të tij u nis drejt parkut të qytetit, për të mbjellë një pemë të madhe që të binte në sy të banorëve. Para kamerave të shumta televizive foli për rëndësinë që kishin pemët në pastrimin e ajrit nga ndotja. Dhe në fund ai e tha edhe këtë fjali:

    – Uroj që kjo pemë e imja t’ju japë jetë qytetarëve!

    Megjithatë, pasi kaloi një kohë e shkurtër, pikërisht në pemën e kryeqytetarit, siç e patën quajtur ithtarët e tij, një mëngjes u gjet i vetëvarur me litar një djalosh i ri. Në letrën e shkruar me dorën e vet, të cilën e kishte vendosur në gjoks, kishte shkruar se jetës po i jepte fund për shkak se në këtë qytet të rrëmujshëm tashmë i kishte humbur të gjitha shpresat për të jetuar. Dhe prej asaj dite pema e kryeqytetarit u quajt druri i vetëvrasjes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË