More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nën zërat e Babelit", poezi nga Flurans Ilia

    “Nën zërat e Babelit”, poezi nga Flurans Ilia

    MANTEL MËNDAFSHI
    (Prolog)

    epet kënga krimb pa flatra
    flutur nate ligjërimi vatra
    tretet ngadalë larvë pa fjalë

    me fjalën frutë frutën farë
    avlëmend rrugësh vargu lopçar
    dëshmi hapur fijes së fatit
    punon vërdatka mëndafshit

    fabula fluturës metaforë fekonduar
    princ mbret kurorë kurorëzuar
    fron i drunjtë kurorëzimi tij
    gdhend ngujon kryqëzon histori

    planimetria e gjuhës së rrashtë
    makiavelizëm i mëndafshtë
    më tej të gjithë e dimë historinë
    se si mëndafshi e veshi njerëzinë


    MBI QIPARISIN E VJETËR

    atje tej te lugina pema përbri
    qiparisi i qiellit mbart një kumri
    dëgjoje si këndon një ulli i vjetër
    lëvozhgën e zhveshur të një bote tjetër

    platitur zhegut varg mbi mermer
    tingujt e kumrisë hapin një derë
    veshur me gjethnajë e shkurrishte
    mbi varre të harruar bri një ullishte

    kaq shumë, kaq shumë platitur mbi rasë
    të parë e ke qiellin nga tjetër përmasë
    rreth malit diejve shtrohet toka përbri
    një lum vjen e buron nga gjoksi i tij

    hapat i tut e stepet bregut tjetër
    asaj çka e quajmë ajme! kohë e vjetër
    fillon e gjembon dhimbja e gishtave
    si fjalë e çapuar mes shkurrishtave

    dregëzat i hap me duar përgjakur
    malli përndezur përqafimi përflakur
    te kjo varrezë e vjetër nën qiparis
    kumria me tinguj një prekje qëndis

    dhe lumi vazhdon përqafimin tjetër
    në det derdhet prej kohës së vjetër
    rikthehet si fllad te pemët përbri
    qiparisi i qiejve mbart një kumri

    kumt qiri i ndezur mbi mermer
    kjo cigare, e di, duhet ta lësh njëherë
    ashtu si i le qytetet, ullinjtë, varrezat,
    shkëmbeve me tjetër kumt dorezat

    fatit i dole kur u shfaq përball’
    fati nuk ishte fat por ishte çakall
    zbritur nga ai mal ku dielli teporet
    nga djemtë e vrarë lindën shtatoret

    varreve të reja te kjo qytezë kjo varrezë
    koha përzhitur zhegut nën diell përndez
    planimetrinë e rrugicave të një qyteti tjetër
    këndon një kumri mbi qiparisin e vjetër


    I HUMBA SYZET LAURA
    (Rerum vulgarium fragmenta )

    shpagar shtjellë yjeve
    mantel forma e trupit
    gji gjineshtrash pyjeve
    shparcë shprese bri supit

    pas shejzave (Petrarka) i kapur
    fija e fatit balonë e blatuar
    rimës së vargut aurorë hapur
    supit zhveshur fjala kryqëzuar

    ujëvarë gurgull nishanesh rrëzuar
    diell pigmentesh veshur me vrik
    një rrugë fiorentine syshkruar
    pasqyra e kalldrëmit mbi qerpik

    i humba syzet Laura, nuk të shoh
    sërish shfaqesh në Këngët kurorë
    buzë Arno-s i verbër në moh
    mbi degë dafinash ti je aurorë

    asgjë nga këto nuk do kishte kuptim
    po qe se vera e bukur në asht të ikjes
    gjoksit tënd frutë do i jepte lulëzim
    aktit të vjeshtës me farat e pritjes

    thinjesh pluhurit qytetërimit zhytur
    mpakur si drita frëngjive të ngushta
    veshur me mëndafsh të zbutur
    trokthi i dinastive të vyshkëta

    Canzoniere gjurmëve të gjumit
    si fija e fatit balonë e blatuar
    dy petale fshehur poshtë kurmit
    pesëqind vite rilindje kalëruar

    aty ku Petrarka i kapur ka ngelur
    aty ku fjala e hapur pat filluar
    aty te fundi i verës së shkuar
    fara e pritjes vjeshtë e trazuar

    këndojnë bri teje shikime kumrish
    pesëqind vite pritje ke duruar
    i humba syzet Laura, kam frikë
    si fija e brishtë e balonës në duar


    SI PIKA E RËNË MBI FLETË

    statuja poshtë shputave nën dhe
    mbi re – syri i saj i gjallë si ne
    spërk syprinën e supeve prej lëkure
    buzë udhës shikimet çelin bozhure

    duar prerë duar gjymtuar duar thyer
    duar zgjatuar drejt qiellit ngërthyer
    humbur filli i gjykimit të fjalëve tona
    këngës së bombave vrik bie jehona

    supit mbyllet kilometri i pesëdhjetë
    zëri shuhet si pika e rënë mbi fletë
    subjektin e krimeve të dhe pa njohura
    mure dimri dëshmitë tash të ftohura

    pellgjeve të ngrira retinë kthehet pasqyra
    bozhure sy-bukura bozhure si dikur te ura
    lumi rrjedh dhe shkronjave gurgull u flet
    përkundjes si këngë zhveshur përmbi det

    të kujtohet mermer nga toka e dalë statuja
    për dore kapur mbi ideale gra dhe burra
    panteonit të ëndrrave ku perënditet hëna
    “Dora e artistit” – kishte thënë dikur nëna

    fëmijët dheut kaptuar me koka mbi re
    qytetërim varrosur kjo statujë dhe ne
    këllqe mbajnë mbi shpatulla kultura
    prerë nga bombat poshtë këmbëve te ura


    NËN ZËRAT E BABELIT

    Ata kërkojnë uniformën
    E ushtarit të panjohur
    Pasi Paqja u nënshkrua
    Në mungesë të trupit

    Kërkojnë lugën bishtshkurtër
    Logo-n e vakët krahaqafë
    Pas murit të çmendinës
    Nën zërat e Babelit

    Jashtëtokësorë unanimë
    Togëzuar te porta e klikimeve
    Pëlqimeve pasi e kryejnë
    Me njerzillëk krimin

    Mbi lëkurën e brishtë
    Të vëllait a motrës së mitur
    Që kur lindi refuzoi
    Të lind “ashtu si duhet”

    Ngjizur opiumit të televizitorit
    Kërkojnë të singjashmin e vet
    Njëfarë heroi hollivudian drite
    Udhëtimeve drejt Bethlehem-it

    Me celuloid në dorë
    Rreth ekranit bërë kurorë
    Shpik përditë të ardhme
    Të tashme të pakuptimtë

    Ku burri dhe gruaja janë arte
    Të së shkuarës qyshkur
    Mes tyre zbriti celulari
    (Ça je t›u thonë o rrotë k..i?)

    Po përpiqem të jap një dorë
    Të gjesh vëllain tënd
    Këtë “ushtar të panjohur”
    Pas kangjellave të Babilonit

    Krehur nga motrat e tranzicionit
    Kërkojnë me ngulm lugën pa bisht
    Harruar në xhepin e uniformës
    Si të ishte një karafil i kuq

    Vepër arti a ndoshta plagë
    Në sepetet e virgjërisë
    Sëndukut të rrëfimit, mbyllur
    Gjyshja mbartte ftonjtë e artë


    VËSHTRIMI GJENETIK
    I QYTETËRIMEVE
    (Epilog)

    Ajo nuk është gota jote e sotme
    as qelq as vështrim as vitrinë
    është zgjimi yt
    sikur ti zgjatimi i saj
    brenda një
    “Indicazione geografica tipica”
    shkruar te shishja vendi
    ku dashuria
    mbyllur në qelën e gjuhës
    me aktin e puthjes flijimi i buzëve
    zgjon diellin e breznive
    të vdekurve e të lindurve
    që rritën
    hapat e tua nga frutat e ndaluara
    vështrimi gjenetik i qytetërimeve

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË