More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ndihmesat", tregim nga Nerinda Hysa

    “Ndihmesat”, tregim nga Nerinda Hysa

    U fundosëm dhe ramë në një gropë. Një gropë e madhe e zezë me dhena të rrëshqitshme rreth e rrotull. Më kot mundohena me u kap, më kot sepse aty ka baltë e asgja tjetër. Atëherë rrokullisena dhe biem. Sa fort na dhemb kjo goditje e re e jetës …

    Dikur disa litarë na afrohen. Dikush i ka sjellë me shpresën se do t’i Kapim e do të shpëtojmë … dhe në fakt atë bajmë, vetëm se … vetëm se në atë vend të errët  na ka mbet gjysma e trupit dhe duart çuditërisht janë ngri. Por nuk dorëzohena. S’ka dorëzim !

    Përmes ulërimash i ngrejmë duart e ngrime, i kapim litarët  e shndritshëm dhe dalim jashtë. Jashtë. Drita vezullimtare e lehtë ka çukit krenat e atyne që na presin. Qenkan kanibalë, por nuk do t’na hanë, dojnë veç me na sodit . Me na sodit. Me na pa. Na mbulojnë dhe dërgojnë në kështjella të vogla prej xhami , ku pluskon era e mirë. Aty asht bukur, por gjithsesi frika rrin. Po sikur të çohen natën e të na kullufisin? Do të ishte e tepërt ! Përpara kështjellës shtrihet nji lumë i purport i qëndisun me do vajtje ardhje rryme të fuqishme. Nji natë aty mbërrin nji varkë. Shpëtimtare. Pa marrë gja me vedi ikim në atë drejtim pa pjellë kurrfarë zhurme.

    Varka popullohet prej njerëzve të padukshëm. Pra ata na mirfilli na shohin, por ne s’kena sy me i pa.

    Ç’trullosje!

    Nuk dijmë ku dona me shku e prandej vendosim me ndejt gjithmonë aty. Nën vërejtjen e të padukshmëve, nën hijen e tyne pa bezdi. Cila e keqe mund të na vijnë prej kësaj prani, përveçse … do të jena krejtësisht vetëm.

    Varka lundron e lundron pa vujt kurrë, në ujna të kripuna e të ambla, pa kufi; ditë e natë, por edhe kjo ka fillu me na lodh .

    Nji pushim i vogël diku, në tokë të thatë … nji copë tokë e ngulun, nji fill gjelbërimi …

    Prej larg duket shpëtimi. Tej … diku tej …

    Çuditërisht asht vetë varka që mbërrin aty, si ta drejtonte mendja jonë. Asht nji ishull. Mahnitje! Ç’ vend i çlirët. Dallgët e vogla e rrahin tokën e këtushme pa ngut duke i dhanë jetë edhe përtej…

    Këtu, këtu do të rrijmë në përjetësi. Këtu jena mirë.

    Ka fruta për ushqim, valët e bekueme janë aty afër, ka vende ku me u msheh natën. Ka gjithçka dhe jena mirë. Asht ky vendi që dona. Këtu dëshirojmë me gjithë shpirt me ndejt.

    Pra litarët e shndritshëm , kështjellat prej xhami, varka lundruese, të gjitha të gjitha erdhën tek ne që ma në fund me na sjellë këtu. Gjithçka ndodhi që ne të vijshim këtu. Gjithçka…!

    Ishte nji organizim i përsosun për së gjalli që të mbërrinim në parajsën e këtushme.

    Thjesht bukur pastër!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË