More
    KreuIn memoriamNdahet nga jeta shkrimtari i njohur Panos Ioannides, një nga emrat e...

    Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Panos Ioannides, një nga emrat e rëndësishëm të letërsisë së sotme qipriote

    Para pak ditësh u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare, Panos Ioannides, autor i shumë veprave të botuara në zhanre dhe në gjini të ndryshme, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në historinë e letërsisë qiprote.

    Lindi në Famagusto, në vitin 1935 dhe studioi për “Mjetet e Komunikimit Masiv” në SH.B.A dhe më pas në Kanada. Punoi si Drejtor i Përgjithshëm i Programacionit në Radion dhe Televizionin Publik të Qipros deri në vitin 1995. Ishte themelues dhe kryetar i Qendrës së Shkrimtarëve Qipriotë “PEN”, kurator i botimeve të kësaj qendre si dhe Kryeredaktor i revistës kulturore “In Focus”, që del çdo tre muaj në gjuhën angleze.

    Panos Ioannides filloi të shkruajë dhe të botojë vepra letrare që në moshë të vogël. Sprovat e para në poezi dhe teatër, të botuara në revistat letrare të kohës që dilnin në Qipro, datojnë në moshën njëzetvjeçare. Ndërsa përmbledhjen e pare me tregime të shkurtra titulluar “Në Qipron Eteriale”, e botoi në Athinë, në Shtëpinë botuese G. Fexis, në vitin 1964. Që nga kjo kohë ai vazhdoi të shkruajë dhe të botojë pandërprerë. Eksperimentoi dhe botoi me sukses në të gjitha zhanret letrare, tregime, romane, drama, poezi, seriale radiofonikë dhe televizivë, si dhe skenarë për filma.

    Edhe pse e identifikuar nëpërmjet gjuhës, letërsia qipriote ka krijuar profilin e saj të qartë dhe lehtësisht të dallueshëm nga letërsia greke. Kontributi dhe merita kryesore në krijimin e këtij identiteti i takon veprës së Ioannidesit. Studiuesi A. J. Kirby thekson se: “Edhe pse ai shpesh i merr subjektet e veprave nga historia… vlerat e këtij opusi letrar shtrihen përtej brigjeve ranore të ishullit të Qipros. Sepse, pavarësisht nga natyra e lokalizuar e ngjarjeve, temat janë po kaq universale, ashtu si te vepra Homerit”.

    Krijimtaria e Panos Ioannidesit, ngrihet mbi nivelin e ngjarjes që trajton. Ajo ka një dimension të pakufizur shpirtëror dhe është universale. Kritikët janë shprehur se kjo krijimtari, që është përkthyer në shumë gjuhë të botës, bën pjesë në fondin më të mirë të letërsisë së sotme greke.

    Për kontributin e rëndësishëm letrar por edhe ndikimin që veprat e Ionnaidesit kanë patur në Qipro por edhe jashtë ishullit, është vlerësuar edhe më çmime prestigjoze si: “Thodosi Pierides”, “Tefkrou Anthia”, me çmimin e Kontributit Global të E.L.K., ”G.F. Pierides”, si dhe me çmimin e dramës televizive për veprën “Gregory” në Konkursin paneuropian të Sofjes në vitin 1976. Ndërsa në vitin 2007, iu akordua medalja “Nderi i Letrave”, që është vlerësimi më i lartë shtetëror për letërsinë që jepet Qipro.

    Për lexuesit tanë, Panos Ioannides është bërë i njohur me trilogjinë  “Korbi”, “Amerikë 62” dhe “Deva”, të përkthyera nga Kleo Lati dhe të botuara nga Shtëpia e librit “Ombra GVG”. Ndërkohë që është në proces botimi edhe përmbledhja e tij e fundit me tregime, e cila pak muaj më parë u botua në Qipro nga “Armida Books”.

    Me largimin nga jeta të Panos Ionnidesit, letërsisë së sotme iu shua një nga zërat më veçantë të saj.

    Shtëpia e librit OMBRA GVG

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË