7 nëntor 1971
I tregova kryeredaktorit Minella Dalani një anekdotë për poezinë e sotme shqipe:
“Poezia e sotme shqipe ka tre poetë në zë. I. K., D.A dhe Ll.S. Kadareja ka hypur në një majë mali dhe rrukullis gurë figurash. Atë vetë nuk e sheh njeri dhe gurët s’mund t’i dallosh se ç’lloj janë… Veç zhurmën e rrokullisjes e dëgjon kushdo. Dritëroi ka qëndruar në një brazdë ugari dhe po dredh një cigare me një fshatar. Duhani është i fortë dhe aroma e tij e mirë përzihet me erën e tokës. Llazar Siliqi ka hypur në ballkonin e një shtëpie dykatëshe dhe mban fjalime.”
Kryeredaktori qeshi dhe pastaj tha:
-I shpikni vetë ju, dhe pastaj ua vishni të tjerëve.
Kishte të drejtë.
~ ∙ ~
12 korrik 1990
Isha me shërbim në Durrës. Tre ditë. Takime e biseda me punëtorë, aktivistë të organizatës së bashkimeve profesionale. Sukth. Manzë. Rrushkull. Shijak. Kavajë. Gosë. Rrogozhinë. Njerëzit dëgjojnë, aprovojnë, pyesin, mërmërisin, bëjnë vërejtje. Në Rrogozhinë dikush më tha: “Duhet të qethet i pari Dritëro Agolli. Ai i nxiti të rinjtë të mbajnë flokë të gjata. Tani policia po i qeth ata me zor. Po Dritëroin pse nuk e qethin?!”
O Zot! Të qethin edhe Dritëroin?!
~ ∙ ~
26 dhjetor 1990
Sot ishte Aktivi Kombëtar i Partisë.
Ramiz Alia kishte dalë në tribunë. Filloi fjalën e tij. Dhe unë harrova gjithçka. Fjalim i rëndë. Gjithsesi i mençur, i shqetësuar, i shkathët dhe dinak në mençurinë e vet. Ah, jo! Sot, këtij populli s’ka burrë t’i dalë zot!
Në aktiv pati dy eksese: Marash Hajati dhe Dritëro Agolli. Marashi kaloi me të përplasur. Foli me dinjitet, por u tërhoq në mënyrë qesharake. Kurse Dritëroi pati një dramë të dhimbshme, asgjësuese. Filloi diskutimin. Kërkoi të mos e ndërpresim. Por pa kthyer faqen e parë, Ramizi i tha:
-Dritëro, një moment… Për të qenë të sinqertë me aktivin edhe ti edhe unë… a mos po lexon një letër që më ka ardhur edhe mua?
-Po…
-Ahere i thuaj aktivit që s’po flet me gojën tënde.
Dritëroi mblodhi letrat dhe iku. Krrauuu! U rrëzua lisi me një të goditur. Pastaj Ramiz Alia bëri gjestin e mirë: nuk lejoi të diskutohej nga të tjerët fjala e Dritëroit. Por atje tej në sallë nxinte një fytyrë: Dritëro Agolli. Ç’ndodhi? E kujt qe ajo letër? Kush ia ngriti atë grackë? Oh, sa e dhimbshme për një poet si Dritëroi! Ç’ishte ajo pabesi ndaj tij? Kush e thuri merimangën? Koha e dramave. Koha e komedive. Kombi tronditet. Nuk është vënë “në sini” koka e një Ali Pashë Tepelene, por fati i një kombi, e ardhmja e tij…
~ ∙ ~
15 tetor 1991
Shkuam të urojmë Dritëro Agollin për 60-vjetorin e lindjes, Fatosi, Serveti, Spirua, Gramozi dhe unë…
-Si e ndjen veten, Dritëro? – e pyeta.
-Normal; kur isha i ri dridheshin shishet e rakisë para meje, tani dridhem unë para shisheve…
Le të mos dridhen shishet. Por do të dridhen nga vepra e tij, nga tallja e tij e mençur burokratët, të pandershmit, batakçinjtë, sharlatanët. Qoftë dhe vetëm kaq, – Dritëroi bëri aq shumë për kombin sa të radhitet në bijtë e nderit të tij…
Ra zilja dhe hynë brenda, për urim edhe Halil Buçpapaj e Uk Buçpapaj. Dritëroi ka shkuar shpesh në Tropojë dhe ka miq andej. Pasi e prezantova Ukën me të tjerët, që nuk e njihnin, ai tha:
-Ta kisha pasë një bombë me vete, sot ja paskësh heq qafe Shqipnisë një parti.
Qeshëm.

~ ∙ ~
16 dhjetor 1991
Pasdite shkova në Kuvend. Para fillimit të seancës plenare kishim takim me Jevgeni Jevtushenkon. Erdhi i qeshur, i gjatë, jo shumë simpatik, por mjaft komunikues e njerëzor, krejt larg nga përfytyrimi që na kishte ngjallur shtypi ynë duke e quajtur “poet gagarel”. Dritëroi që e shoqëronte kishte pirë ca dhe ashtu, me gjuhë të trashur, fliste gjysmë shqip, gjysmë rusisht dhe bënte prezantime. Dilte, hynte, si shef protokolli. Një herë solli Agim Meron. Pastaj Pjetër Arbnorin dhe më në fund, nuk e di se nga e psonisi dhe e solli aty edhe Sali Berishën. M’u duk paksa servil, kur e prezantoi duke i thënë: “Berisha, dvigatjel vsevo çto slluçillos zdjes…” Pas kësaj edhe Berisha bëri një ditiramb patetiko-politik ku më shumë se cilindo vlerësoi Gorbaçovin e pastaj edhe Zhelevin e Bullgarisë, dhe me idiotësinë politike që e kap nganjëherë tha: “Unë kam qenë në Bullgari dhe kam thënë me vete – Cili do të jetë Zhelevi shqiptar?” Unë i thashë: “Ti do të jeshë, o Salë”. Por Jevtushenko i tha: “Në çdo parti, cilido qoftë emri i saj, ka njerëz të ndershëm, ka karrieristë, ka cinikë. Të kërkosh dënimin e njerëzve, vetëm pse kanë qenë komunistë, ky është fashizëm. Unë jam nga një familje revolucionare. Por u bëra disident. Tani nuk jam në asnjë parti. Jam vetëm në partinë e grave që rrinë në radhë për bukë, në partinë e njerëzve të thjeshtë”.
Për shkrimtarët e vërtetë nuk ka parti tjetër më të mirë.
Fola dhe unë. Desha t’i fus një kunj Saliut dhe thashë:
-Këtu u fol me tepricë për politikën dhe politikanët. Natyrisht ata kanë rolin e tyre. Edhe Gorbaçovi po ashtu. Por politikanët e gjejnë gjithnjë tokën të lëruar. Nga kush? Nga shkrimtarët. Para se të dëgjoj për Grobaçovin, shumë kohë më përpara, unë kam lexuar librin tuaj “Jablloko” (Molla) dhe kam mësuar se demokracia duhet të jetë e pastër, e bukur, e ëmbël dhe e brishtë si molla. Do të thosha se për demokracinë, shkrimtarët kanë vuajtur dhe vuajnë më shumë se politikanët. Por… Lermontovi i pavdekshëm ka shkruar:
“Çfarë është pa vuajtje jeta e poetit
Çfarë është oqeani pa furtunë?”
Dhe kur i tregova se vëllimin poetik “Molla” ia kam vjedhur Dritëro Agollit (Në një nga vajtjet e mia në shtëpinë e Dritëroit me Shkëlqimin, pamë në bibliotekë dy kopje të librit të Jevtushenkos. Kimja i tha Xhexhesë, paska dy, ta marrë njërin Namiku? Ta marrë, tha ajo, se mos e di Driti sa ka.) Jervtushenko më tha: “Mirë ke bërë. Unë nuk do t’i tregoj…” Në këtë çast Dritëroi kishte dalë. Kushedi kë kërkonte t’i sillte Jevtushenkos. Por kur hyri tha: “Nuk erdhën!” Kush? Ata të televizionit…
Qeshëm dhe e mbyllëm këtë takim shumë interesant.
~ ∙ ~
1 mars 1992
Sot, si me brekë nëpër këmbë, përfunduam listat e kandidatëve për deputetë. Për listën njëemërore dhe për listën shumëemërore. Kemi kualitete, por kemi edhe krunde. Unë mbeta në zonën 48- Gorë, Lumë e Bushtricë; megjithëse kërkova në qytet. Çfarë ironie! Sakrifikova një herë për Ramiz Alinë e tash duhet të sakrifikoj edhe për ca të tjerë.
Në listën shumëemërore propozova të vinim të parin Dritëroin. Por Nano u thartua. Dikush që e nuhati thartimin, tha: “Listën e prin kryetari!” Dritëroin e lanë të dytin. I pari… Tosi. Një projekt që kishte Tosi për listën shumëemërore kishte këtë radhitje: Fatosi, Serveti, Kastrioti, Namiku, Gramozi, Dritëroi etj. Xhevati propozoi: Në fillim duhet kjo treshe – Kryetari i Partisë, Kryetari i parlamentit, kryetari i grupit parlamentar… Por… heshtje. Pastaj Fatosi filloi të bëj “rregullimet” e listës: Fatos Nano, Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Kastriot Islami, Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi, Maqo Lakrori dhe “i teti në bronx” Namik Dokle, kryetari i grupit parlamentar. Ndërkohë që disa herë Spiroja me Xhevatin ia kujtonin emrin tim, por ai arriti ta shtyjë nga 4 në 8. Nga besimi që ka se unë do të fitoj në turin e parë?! Apo nga inati pse propozova Dritëroin si prijës të listës sonë?!
~ ∙ ~
30 mars 1993
Dritëroi i mirë botoi librin poetik “Pelegrini i vonuar”. Është vepra e tij poetike më e mirë e kohëve të fundit. Poezia lind nga “opozita” me realitetin, thotë ai vetë. Bëmë një mbrëmje letrare për ta prezantuar librin. Folën poetë e shkrimtarë. Fola dhe unë, tepër shkurt. “Kam ardhur këtu si njeri i dashuruar pas poezisë së Dritëroit. Kam bërë dikur një provë. Një malsori që nuk kishte lexuar asnjë vëllim poetik, por që kishte një zgjuarsi të madhe si dhunti të natyrës, i kam lexuar tre fragmente poezie. Nga Migjeni. Mëkat që ka vdekur shumë i ri, më tha. Nga Kadareja. Shumë i zgjuar, më tha. Nga Dritëroi. Ky të bëka të ndjesh zemrën në gjoks, të bëka ta ndjesh veten njeri… Pas 50 apo 100 vjetësh mësuesit do të pyesin nxënësit për politikanët e sotëm shqiptarë. Nxënësit do të thonë: A mos ishin disa politikanë të vegjël që kanë jetuar në kohën e Dritëro Agollit? Dritëroi nuk është pelegrin i vonuar, por pelegrin i përjetshëm i poezisë shqiptare…”
~ ∙ ~
4 maj 1993
Blerim Çela, duke folur kundër deputetëve të PS na citoi edhe Bërnsin. Po ç’tu desh, more dushman? Në fjalën time, ku theksoja idenë e vetëkonsumimit të parlamentit, u talla paksa edhe me Blerim Çelën…
Fillimisht desha të them se është e turpshme që dy herë me radhë, dikur nga një farë deputeti, duke përçudnuar Konicën, dhe sot, nga zoti Çela, që citon një poezi të Bërnsit, pa qenë i sigurt nëse e ka lexuar këtë poet të famshëm; thuhen fjalë fyese e pa kulturë për grupin parlamentar socialist. Nëse këto janë vetëm fjalë të zotit Çela, ne nuk shqetësohemi, sepse e njohim standartin kulturor të tij. Aq më keq nëse ato përfaqësojnë partinë që e ka bërë atë ministër. Do të doja t’i kujtoj zotit Çela disa vargje të një poeti të shquar, si Dritëro Agolli, shqipërues i Bërnsit, i cili këtu në parlament, për njerëz si Blerim Çela ka shkruar:
Ata që në sheshe gjëmuan
S’u bënë heronj as në lista,
Ata që në sheshe vështruan,
U bënë ministra…
~ ∙ ~
25 dhjetor 1994
Shkova në Vlorë me Dritëroin dhe Sabitin. Ishin me ne edhe Albert Minga e Gjikë Kurtiqi. Disa miq të Sabitit na kishin ftuar, “thjesht për qejf”.
Shkuam në një lokal matanë Vlorës, në breg të detit. Binte shi. Pimë dhe qëndruam gjatë. Bisedat qenë të larmishme; politikë, art, letërsi, humor. Duke pirë, shumë shpejt Dritëroi erdhi në të vetën, filloi të këndojë e më pas fliste vetëm ai, duke shpalosur filozofirat dhe kujtimet e tij për shumë e shumë gjëra.
Më bëri përshtypje shpjegimi që dha për largimin e Ismail Kadaresë.
“Ismailin e njoh unë më mirë nga kushdo. Atë vit që iku, filloi të dukej se ku po shkonte Shqipëria. Njerëzit flisnin shumë. Një mbrëmje, po shkonim në shtëpi dhe diku na thanë: “Pa shikoji këta, këngëtarët e komunizmit!” Pak më tutje, ca të tjerë na thanë: “More dredharakë të komunizmit!” Unë pinja cigare, po Ismaili bluante. “E dëgjon popullin? – më tha. As njera nga palët s’do të na falë…” “E o, ç’e vret mendjen?!” – i thashë.
Pas ca ditësh më kërkoi makinën për në Rinas. Ç’i do dy makina? – mendova. Shqiptarëve u duheshin dy-tre makina, kur vijnë nga jashtë, jo kur ikin…” E kuptova që ai po ikte, se kishte mbetur pa kalá. Por nuk i thashë njeriu. “Le të ikë!” – mendova me vete. Mirë bëri. Unë qëndrova. Edhe unë mirë bëra.”
~ ∙ ~
4 maj 1995
Erdhën eshtrat e Konicës. Gjatë ceremonisë takova Kadarenë. “Do të rri disa ditë”, më tha. Dukej mirë.
Por në këtë ceremoni mungonte Dritëro Agolli. Shteti nuk e ka ftuar. Shtet xhahil!!!
~ ∙ ~
31 maj 1998
Kadareja ka një thënie: “pika e shiut u përpoq e nuk u kthye dot në breshër”. Unë mendoj se çdo ndryshim mund të sjellë psikoza të ndryshme, mund të sjellë pakënaqësi, keqkuptime, e këto janë të zakonshme. Megjithatë, them që problemet nuk duhen parë shumë ngushtë, pse mbeti i pakënaqur njëri apo mbeti i pakënaqur tjetri, por duke respektuar sloganin, të gjithë të barabartë, të gjithë të ndryshëm.
Dritëro Agolli është ndoshta nga njerëzit që e do më shumë PS-në dhe prandaj ai, kur merr lapsin për të shkruar një kritikë, është shumë i ashpër. Por pas nja dy ditësh na thotë ne më të rinjve: kolopuçë të më falni, se unë e teprova ca. Mendoj që fryma e kritikës së Agollit është e drejtë, dashamirëse dhe pasionante që PS-ja të jetë ashtu si e ka në përfytyrimin e tij, një shkrimtar i shquar dhe humanist i madh siç është Dritëro Agolli.
~ ∙ ~
30 janar 2001
Shkova përsëri të shoh Dritëroin në spital. Është ende sëmurë dhe s’di a do të shërohet në atë shkallë sa t’i rikthehet dëshira për të shkruar poezi. Sapo u ktheva në shtëpi, mora të lexoj Pablo Nerudën. Dhe pastaj u ula të përkthej diçka për Dritëroin…
Kërkoj qetësi
Tani më lini të qetë.
Tani mësohuni pa mua.
Unë do t’i mbyll sytë.
Dhe vetëm pesë gjëra kërkoj
Dhe vetëm pesë rrënjë dëshiroj…
E para – dashuria pa fund.
E dyta – vjeshtën të kundroj;
Nuk mund të rri pa gjethet…
Fluturojnë, enden, bien në tokë.
E treta – oh, dimri i rëndë,
shiun që desha,
përkëdhelja e zjarrit në pyllin e ftohtë.
E katërta është vera,
rrumbullake, e ëmbël si fruti.
E pesta gjë janë sytë e tu,
Matilda ime; sa të desha!
S’dua të fle pa sytë e tu;
S’dua të jem pa ty këtu;
për ty e jap pranverën,
më mbaj përjetë në syrin tënd.
Miqtë e mi; kjo është e tëra,
asgjë dhe gjithçka që dua.
Mund të ikni, po deshët, tani.
Jetova shumë e vjen një ditë,
do t’më harroni përdhunisht.
Do të më fshini nga kujtesa:
e pafund në gjoksin tim veç zemra.
Pyesni ju; pse dua qetësinë.
As nuk besoni që do vdes:
Po, do të ndodh krejt tjetërçka;
me ju do t’jem, aty në mes.
Ashtu siç jam, ashtu do t’jem.
Jo tjetërçka, veç brenda meje
do të mbijë grurë, përditë
kokrrat do rriten, do shpërthejnë
do të shohin tokë, dritë.
Por është e errët toka mëmë,
dhe brenda vehtes kam errësirë.
Mbeta si një pus i thellë
ku nata ulë yjet e ndritur
dhe bredh në fushë vetmitare.
E shihni, pra, sa shumë jetova
e dua të jetoj po aq shumë.
Kaq tingllues s’u ndjeva kurrënjëherë,
dhe kurrë nuk pata kaq shumë puthje.
Tani, si gjithnjë, zbardhi mëngjesi
dhe drita fluturon në krah’ të bletës.
Lermëni vetëm me ditën
jepmani lejen të lind.
~ ∙ ~
27 shkurt 2019
Dritëro i dashur!
Erdhëm përsëri pranë teje. Por kësaj radhe me një dhimbje dhe trishtim të dyfishtë; të kemi sjellur Sadijen tënde të dashur, Sadijen tonë të shtrenjtë…
“Të dua si jetën time, – i pate shkruar pesë vjet më parë, – madje edhe më shumë; unë dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia.”
Por ah!… Flutura jote, i dashur Dritëro, nuk e duroi dot dimrin e ftohtë, nuk mundi të fluturojë larg pa ty, e humbi udhën në terrin e acartë të vdekjes dhe ti, bashkë me të, ndjeve cegmë dhe trishtim, ndaj e thirre Sadijen dhe ajo erdhi pranë teje…
E thirre shpejt, Dritëro! Por ne nuk zemrohemi me ty. Ne kurrë nuk mund të zemrohemi me ty, sepse ti e deshe Sadijen si rrallëkush tjetër, në botën e këtejme dhe të përtejme…
“Prej teje asgjë s’më ka ndarë.
Kam bredhur dete dhe vende
dhe çfarë s’kam parë!
Në dhoma hotelesh në botë
jastëkët më sillnin veç erën tënde…
Në rrugë qytetesh me miliona shkëndija
shikoja dhe thosha me vete:
Sadija…”
Ajo ishte idhull dhe simbol. Ajo ngaherë
ka qenë bukuria drejt së cilës vrapoje ti;
burri, bashkëshorti, poeti… Vrapoje drejt të
bukurës, lozonjares, tokësores Grua!
Poezia vjen nga gurgullimat e ujërave
të tokës dhe të qeshurat e njerëzve, nga përskuqja e qiejve dhe hambarët e vjeshtës, nga cikma e dimrit dhe nga ngricat e ndarjeve, nga isua e këngëve dhe nga hareja e dasmave. Dhe në çdo fjalë e në çdo shkronjë, fshihet dhe shfaqet mes vargjeve ajo, e dashura, gruaja, nëna e fëmijëve. Kjo grua ishte me ty si një pjergull e përqafuar me një lis; ishit të fortë e të brishtë, për pesëdhjetë vjet, për një përjetësi galaktikash!
Ashtu siç shkrove ti, i dashur Dritëro, Sadija ishte një grua e bekuar…
E bekuar në vatrën familjare ku lindi dhe u rrit, e bekuar nga dashuria jote, e bekuar me fëmijët tuaj të mirë, e bekuar me përkëdhelitë gjyshnore për fëmijët e fëmijëve, e bekuar nga poezia jote e mrekullueshme.
Ju i dhatë njeri-tjetrit jetë, shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lotë, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë e të çlirët, ndarje dhe afrime njësh, i dhatë njeri-tjetrit çdo gjë. “Unë pata privilegjin, – thoshte Sadija, – që u rrita qysh në moshën 22 vjeçare me Dritëroin, që u martova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madh që atij ia pasurova Muzën për të shkruar aq shumë për dashurinë…”
Pa Sadijen, Dritëroi do të ndjehej i paplotësuar, i vetmuar, i dëshpëruar…
“Kam qenë shumë i dëshpëruar dhe kam patur shumë nevojë për ty. Krejt i vetmuar kam qenë” – i shkroi ai në një letër. I dridhej shpirti për të, i gërricte mushkëritë çdo teshtimë a kollitje e saj… “Merak të madh kam patur: u shërua kjo e bekuar apo jo?”
Që në ditët e para të dashurisë, ai i shkroi: “E dashur, ky udhëtim do të jetë shumë i gjatë… Po ty gjithnjë do të të kem me vehte…” Profecia dhe dashuria u bënë një. Sadija ishte bashkëudhëtare e palodhur dhe bashkëbiseduesja e përkushtuar e Dritëroit. Dhe nuk ishte bashkëbiseduese vetëm si e dashura dhe gruaja e shkrimtarit, por edhe një njohëse e mirë e letërsisë së madhe, si lexuese me shije, që hera-herës na shfaqej edhe me libra të ndaluar në duar dhe ca më shumë si nxitëse për krijimtari, si lexuesja dhe kritikja e parë. Njëherësh ajo ishte e dashuruara e përjetshme, pasionante në një ndjenjë që u ka dhënë përjetimeve të saj të gjitha ngjyrat e shpërthimeve emocionale.
Ne adhurojmë Dritëroin, por do të mbetemi përjetësisht mirënjohës për Sadijen, sepse pa të nuk do të ishte e plotë gjithëçka që Dritëroi na la…
“Në çast më pushton një ndjenjë
fajësie dhe malli,
Para saj i vetëm, para saj i pagjumë,
Dhe mbulohet me rrudha të dendura balli
Dhe them me vete: grua e dashur të
kam lodhur shumë…”
Por Sadija kurrë nuk u lodh! Ajo i kushtoi
jetën Dritëroit dhe ai i kushtoi poezinë.
Ishin një simbiozë e mrekullueshme, e
papërsëritshme, frymëzuese. Në sajën tënde,
e dashur Sadije, Dritëroi merrte frymë, hante
bukë në sofër, nuk i thahej nga bryma lulja
e krijimit poetik; në sajën tënde ngjiste
rrëpirat e jetës, i shëroheshin të gërvishurat
dhe plagët, ti kurrë nuk lejove që dëshprimi
i thellë t’i hynte ndër deje e t’i helmonte
gjakun. E ka thënë aq bukur edhe vetë: pa ty
do të vdisja në zall nga etja…
Dhe të deshi gjithnjë, ashtu si ditën e parë
dhe të fundit!
“Akoma truri s’më ka zënë,
Në rrudhat myshk e ndryshk,
Shoh nga dritarja kur ka hënë,
I them Sadijes: mos u vyshk!
Sadija s’vyshket asnjëherë,
As sot, as nesër dhe pastaj.
Unë i heshtur pres në derë,
Përgjunjur para saj…”
Na lejo edhe ne, i dashur Dritëro,
të përgjunjemi përpara kësaj gruaje të paharruar.
~ ∙ ~

3 mars 2021
Në jetën e popujve dhe në historinë e vendeve kurdoherë kanë lindur dhe kanë ndriçuar udhën e tyre njerëz të mëdhenj, intelektualë të shquar, shkencëtarë, shkrimtarë dhe politikanë të përmasave të tilla që konsideroheshin si male të larta, që nuk i tundnin nga vendi i tyre as tërmetet, as ortekët dhe as kalbëzimi i kohërave. Fatmirësisht, edhe Shqipëria jonë e vogël ka të tillë male të larta. Në dallim nga shumë prej tyre, Dritëro Agolli nuk është mal, por një vargmal madhështor. Mal në letërsi, mal në publicistikë, mal në jetën shoqërore, mal në politikë… vargmali ynë Dritëro Agolli.
Ku qëndronte madhështia e tij e përhershme? Mendimi i parë që më vjen ndër mend për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, është ajo çka thoshte Tolstoi se e madhërishmja qëndron te thjeshtësia. Dritëroi ishte i thjeshtë nga flokët te thonjtë, siç ka shkruar për veten dikur, duke e krahasuar me një plis të fortë, që, edhe pse shkoi kudo në Europë apo brodhi nëpër Azi, mbeti gjithnjë devolli. Në çdo vepër, artikull, poezi, intervistë, diskutim parlamentar, në çdo fjalë e në çdo shkronjë ai mbeti përherë i njëjti, besnik i vetvetes, i dashuruar pas njeriut dhe njerëzimit, i shqetësuar dhe i pagjumë për rrokullisjet dhe përplasjet e kësaj bote dhe të kësaj Shqipërisë sonë të vogël. Ai ishte një poet i trishtuar, prozator ironik, gazetar i revoltuar dhe politikan rebel, që nuk futej as në grazhdin dhe as në kularin e partive apo të politikës në tërësi.
Gjuha jonë e bukur ka mjaftueshëm fjalë për të bërë portretin e tij. Por ka edhe një fjalë të vetme, e cila e shkruar me germa të mëdha mund të jetë sinonim me emrin e tij të pavdekshëm: NJERI. “Emri Dritëro, – shkroi shkrimtari Kiço Blushi, – është pa dyshim ndër ata emra që jo vetëm sot, por edhe nesër do të shërbejë për të kuptuar se historia e Shqipërisë ka pasur dhe ka burra të vërtetë, që vlerës intelektuale i japin karakter universal e të pavarur nga koniunkturat kohore.” Po aq sinjifikativ është edhe opinioni i avokatit dhe politikanit Spartak Ngjela, i cili nënvizon se Dritëroi “ishte dhe mbeti një njeri shumë popullor, sepse shqiptarët e kuptonin që ai i donte si njerëzit e vet”. “Nuk mendoj, – shton Ngjela, – se mund të kthehet ndonjë tjetër shkrimtar i këtyre përmasave, që të ketë një talent të tillë dhe të ketë qenë kaq i lidhur me sentimentin popullor shqiptar.”
Sa mjerane e smirëzeza duken disa shfryrje inatesh, sharje dhe përvujtëri të komplekseve inferiore, që shoqëruan emrin e Dritëroit gjatë gjithë jetës së tij, deri edhe ditën e vdekjes, krahasuar me vlerësime që burojnë nga zemra të dëlira dhe mendje të hapura, që e kanë konsideruar dhe quajtur Dritëroin si “njeriun më njeri në botë” (Faslli Haliti), si “shkrimtari njeridashës” (Zija Çela), “njeri me zemër të bardhë” (Preç Zogaj), “karakter i gjallë shqiptar, që nuk di të mposhtet” (Lazër Stani), “njeriu që na mësoi të ishim njerëz dhe pastaj politikanë” (Pandi Majko), “figurë e shquar kombëtare” (Servet Pellumbi), si njeri që “mbolli shpirtin te njerëzit” (Margarita Xhepa) etj. Shoqëria shqiptare duhet të krenohet me faktin që në gjirin e saj lindi dhe u rrit një njeri si Dritëro Agolli, tek i cili qenë formuar dhe bashkëjetonin personaliteti dinjitar, karakteri i papërkulur dhe i sinqertë deri në pejzat e fundit të trupit dhe shpirtit, gjenialiteti poetik, kthjelltësia politike me njerëzoren, thjeshtësinë proverbiale, shpirtin human dhe dashurinë e pastër për njeriun.
Nuk ka qenë e vështirë të konstatohet se Dritëro Agolli ishte një nga ata që shpesh u ndodh midis dy zjarreve: mes sulmeve “parimore” (hamë edhe bar e nuk i shesim!) të komunistëve fanatikë, që e quanin “renegat” apo “tradhtar”, dhe breshërive të “demokratëve” rishtarë, të sapokonvertuar, që e etiketonin si “komunist”, “zëdhënës të diktaturës”. Në shtatë muajt e parë të vitit 1991, kur drejtoja gazetën “Zëri i popullit”, Dritëroi ishte nga të parët që kritikoi politikat e Enver Hoxhës, aq sa në një nga pushimet e plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së Nexhmije Hoxha më tha: “Si guxon gazeta e Enverit të shajë Enverin?!” Në ato kohë më erdhën dhjetëra letra dhe shkrime kundër Dritëroit, por nuk botuam asnjërin (disa prej tyre i kam akoma). Sulmet ndaj tij u shtuan me afrimin e kongresit të fundit të PPSH-së, që falë njerëzve që mendonin si Dritëroi do të shndërrohej në kongresin themelues të Partisë Socialiste. Për më tepër, mëngjesin e atij kongresi botuam një shkrim në mbrojtje të Dritëroit. Pa thënë as “mirëmëngjes”, Ramiz Alia turrshëm më pyeti: “Pse e mbroni atë?…”, duke shqiptuar një fjalë të rëndë. “Koha do të tregojë se Dritëroi ka të drejtë”, – i thashë. Dhe tani e vetmja ose nga të vetmet gjëra që mbahen mend nga ai kongres është fjalimi i Dritëro Agollit kundër diktaturës dhe teorisë e praktikave enveriste. Dukej sikur në atë sallë po binte tërmet. E dëgjoja me admirim, por edhe me një shqetësim: a do ta mbaronte deri në fund atë fjalim bombë? Vetëm pak muaj më parë, në aktivin e PPSH-së të 26 dhjetorit 1990, Ramiz Alia ia kishte prerë fjalën brutalisht dhe me mendjemadhësinë e atyre që drejtojnë presidiumet. Por në kongres ndodhi krejt ndryshe, megjithëse dëgjoheshin ulërima parullash që po vdisnin atë ditë, Dritëroi rezistoi me një durim të çuditshëm dhe jo vetëm që e mbaroi fjalimin, por, pasi mblodhi tufën e madhe të pyetjeve që i shkonin te podiumi, u tha: “Ju që thërrisni kështu nuk mund të rinovoheni.” Dhe i tha këto fjalë me qetësi, por dhe me keqardhjen e një devolliu që thotë: “Me këtë kohë që po bën, ky rrush nuk do të piqet, nuk bën për raki.”
Në të gjitha kohërat Dritëroi ishte i sulmuar. Është kjo “lufta e egër, e përhershme, që mediokritetet i shpallin “njeriut superior”, siç do të thoshte Balzaku. Në radhë të parë ai ishte i sulmuar nga censura e diktaturës. Siç do t’i shprehej shumë sinqerisht kolegut Rexhep Qosja një mbrëmje me shi nën degët e pishave pranë hotel “Dajtit”, shkrimtarët dhe intelektualët e tjerë duronin vuajtje të mëdha. “Ne nuk guxojmë as të shkruajmë, as të mendojmë çka duam. Ne jemi të vrarë prej censurës”, – i tha. Megjithatë, falë talentit të jashtëzakonshëm ai e kapërcente atë. Iu ndaluan tregimet brilante të librit “Zhurmë e erërave të dikurshme”, dramat “Mosha e bardhë” dhe “Fytyra e dytë” (mbaj mend se për të siguruar një biletë për atë shfaqje kam zënë radhë para Teatrit Kombëtar që në orën katër të mëngjesit), e megjithatë ai nuk u step, shpirti i tij ishte vullkan dhe dokurdo do ta gjente rrugën drejt tokës. Dhe bëri luftën e tërë jetës kundër mediokriteteve, me të gjitha mjetet, i përqeshi në surratin e Zylos, në artikujt brilantë, në intervistat e mençura dhe të sinqerta, me diskutimet e qeta, por edhe të zemëruara përbrenda që mbajti në Kuvend.
“Ah, si nuk kemi edhe ne një Dritëro!” – më thoshte hera-herës homologu im i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Ali Spahia. Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, thoshte: “Do të ishte një mrekulli sikur Partia Socialiste të kishte jo një, por dhjetë deputetë si Dritëro Agolli. Të sulmosh personalitete si ai është vetëm çmenduri politike, nuk është gjest fisnik i njerëzve normalë.”
Dhe me të vërtetë, diskutimet e Dritëroit në Kuvend gjithnjë bënin lajm. Kurrë nuk i kam kërkuar që të futej në listën e diskutuesve, kurrë nuk e kam pyetur nëse do të diskutonte apo jo, siç bëja me deputetët e tjerë, për të ndërtuar skemat e debateve të rëndësishme. Sapo fillonte debati, nga radha e katërt e sallës së seancave plenare, ku rrija, shikoja në radhën e parë kokën e tij të bardhë si pëllumbi. Kur ai fillonte ta tundte (përsëri si pëllumbi) dhe të lëvizte lehtë shpatullën e djathtë, e kuptoja se kishte filluar të shkruante diskutimin, për të cilin ishte menduar ndoshta edhe një natë të tërë. Atëherë qetësohesha dhe isha i sigurt se do ta fitonim debatin e ditës. Jo vetëm në Kuvend, por në tërësinë e veprimtarisë shoqërore dhe politike Partia Socialiste e kishte kuptuar se ai ishte forca e saj. Në mbledhjet e grupit parlamentar, kur diskutonim tema delikate, unë i mbaja sytë tek ai. Kur ngrinte kokën e më vështronte në sy, e kuptoja se po shkonim në drejtimin e duhur; kur ulte kokën dhe bënte ndonjë shkarravinë në një letër, që gjithnjë e mbante mbi tavolinë, e kuptoja se po shkonim në “drejtim të paditur”. Në mbledhjet e Kryesisë së Partisë Socialiste, nëse një vendimmarrje mbetej varur në ajër, shikonim Dritëroin, sepse e dinim që mendimi i tij do të na çlironte nga ngërçi i diskutimit. Nganjëherë mjaftonte vetëm një fjalë, një e vetme, për të kuptuar se kishim dallashuar. “Shkërdhatokraci” e quajti ai stërfryrjen e së ashtuquajturës “meritokraci” dhe gjithë ajo imagologji u shkri si kripa në ujë. Një fjalë e vetme e Dritëroit mjaftonte nganjëherë për të shkundur nga supet gjithë baltën që hidhnin disa gazeta dhe gazetarë. “Gazetar, faqe pa qime, sa di ti, di bytha ime!” – replikoi me njërin prej tyre dhe bashkë me të edhe shumë të tjerë e futën penën “nën shalë”.

Shumë nga ata që kanë shkruar për Dritëroin, kohën e jetuar njëkohshëm me të e kanë quajtur “koha e Dritëroit”. Aktori i shquar Timo Flloko ka thënë se të kesh jetuar në kohën e Dritëroit, duhet ta quash veten me fat. Më 14 qershor të vitit 2017 gazeta “Panorama” botoi një copëz letër që unë ia kisha shkruar plot 26 vjet më parë. E kishte ruajtur dhe ia kishte dhënë gazetës për botim. “Dritëro, – i shkruaja, – në punën intensive për të të zgjedhur ty në udhëheqje shumë njerëzve u kam thënë: ‘Pas 100 vjetësh në një orë historie mësuesi do të pyesë se kush kanë qenë Ramiz Alia, Adil Çarçani etj., etj. Më i mençuri nga nxënësit do të përgjigjet: ‘Mos ishin disa politikanë që kanë jetuar në kohën e Dritëro Agollit?’” Edhe parlamenti ynë ka jetuar “kohën e Dritëroit”. Kryetari aktual i tij, Gramoz Ruçi, me të drejtë ka thënë se “ai i dhuroi fisnikëri sallës së mërzitshme të parlamentit”. Ndërsa një deputet ka thënë se dallimi i tij nga të tjerët ishte mënyra njerëzore se si ai e trajtonte politikën. Fjala e tij në Kuvend dëgjohej me respekt të veçantë. “Dritëroi në sallën e Kuvendit ishte dhe një këshilltar i mirë për të gjithë ne të rinjtë e kohës së atëhershme”, – shton një tjetër. “Pa Dritëroin gjithkujt do t’i dukej vetja disi më pak. Kush ka biseduar me të, mund të çmohet si i privilegjuari i kohës”, – ka thënë një i tretë. E kështu janë të pafundme kujtimet dhe konsideratat e deputetëve të kohës për Dritëroin, për fjalën e tij, për diskutimet, për propozimet, madje edhe për votën e tij. “Për votën?” – mund të pyes ndokush, duke menduar se votimi vendosej nga partia dhe askujt nuk ia mbante të votonte ndryshe. Por Dritëroi prandaj ishte Dritëro. Po kujtoj tri votimet më të rëndësishme të tij ndryshe nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste:
Ai votoi kundër ligjit nr. 7501 për pronat. “Toka duhet t’i kthehet të zotit, fshatarit”, – tha ai. Shumëkujt prej nesh atëherë mund t’i ketë ardhur ligsht, por ajo që mendonte Dritëroi ato ditë ulërin edhe sot. Dhjetëra ligje të tjera janë miratuar për pronat, edhe nga ato që “njëri ligj ta jep, tjetri ta merr”, por problemi i pronave vazhdon të mbetet shqetësues. Në katalogun e mijëra vrasjeve të ndodhura në Shqipëri ato për çështje pronash zënë vendin e parë.
Njëherë ne kërkuam votëbesimin e qeverisë “Meksi”. U bë një debat i ashpër, u nxehën gjakrat, por diskutimi i Dritëroit ishte si një kovë me ujë të ftohtë mbi kokat e nxehura dhe nervat e kërleshur të të dy palëve. “Unë do të votoj kundër, – tha ai, – dhe i them edhe grupit tim t’i lërë kohë qeverisë të punojë. Po nuk punoi, rrëzimi është i lehtë.”
Në vitin 1992 ai i dha votën për president Sali Berishës. Ishte fillimi dhe ai akoma e mendonte atë si njeriun e shpresës. Por kjo gjë nuk e pengoi asfare që pesë vjet më vonë të shkruante:
Ecën plaku i Vlorës nëpër hënë,
zverdhur mjekra, zverdhur vrer këmisha:
“Djemtë e mi ç’mëkat të keq të bënë,
ç’ke me djemt’ e mi, Sali Berisha?”
Lëre shtizën time të flamurit!
Në flamur! Atje ku pati nder!
Shtizën mos e ngri në vend të hurit,
huri hyn dhe ndryshe ndonjëherë.
Dikur socialisti emblematik Fransua Miteran pati thënë se “të gjithë socialistët janë demokratë, edhe pse jo të gjithë demokratët janë socialistë”. E ndër socialistët shqiptarë mendoj se njeriu me shpirt më demokrat ishte Dritëroi. Atij i buronte së brendshmi demokracia dhe nuk ishte as pozë e as alibi. “Demokracia nuk është as modë, as bujë. Është kërkesë e historisë dhe nevojë e brendshme e njerëzve”, – tha Dritëroi në një intervistë në fillimet e demokracisë. Dhe kështu e kuptoi, kështu e jetoi ai në vazhdimësi këtë fenomen sa historik aq dhe njerëzor. Prandaj mendimi i tij ka pasur një peshë të madhe në gjithë debatin kulturor, politik dhe intelektual të Shqipërisë. Botimet e librave të tij tregojnë se vlerat dhe rëndësia e këtij mendimi jo vetëm që nuk janë pakësuar, por, përkundrazi, janë shtuar. Tani, paksa të larguar në kohë, e shikojmë edhe më realisht këtë vlerë, ashtu si madhështia e një pylli perceptohet më mirë nga larg sesa brenda apo afër tij. “Ishte pothuaj i vetmi që dukej si shpresë mirëkuptimi…”, – ka shkruar ish-deputetja e Partisë Demokratike, poetja Natasha Lako.
Ka njerëz, sidomos politikanë, që për t’u dukur demokratë të orëve të para na tregojnë apo nxitin të tjerë që të na tregojnë përralla të lashta se si ata e “kanë vrarë arushën”. Përkundër këtyre Dritëro Agolli nuk i bëri kurrë as redaktim dhe as retush jetës së tij, dhe as bindjeve të tij. As unë dhe as miqtë e mi nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë të sajonte alibi. Ai ishte i bindur se hesapet me të kaluarën nuk mund të mbyllen duke thënë “e po ashtu ishte ajo kohë”. Ky mendim buronte (dhe nuk mund të kishte tjetër burim) vetëm nga kthjelltësia e tij politike dhe morale. Ai ishte nga të rrallët intelektualë që edhe në kohën e diktaturës mjaft gjëra i tha troç, duke sjellë jo pak tronditje. Kur po analizohej përmbajtja e një dramë të tij, përpara se të shfaqej, një nga “skifterët” e komiteteve i bëri pyetjen provokuese: “Cila është më e rëndësishme, sipas dramës suaj, Partia apo familja?” – “Familja”, – tha pa asnjë hezitim Dritëroi. Në një mbledhje tjetër, ku po analizohej situata ekonomike në Kolonjë, dikush po quante sukses shtimin e një talloni mish për familjet. “Lëri tallonët, o kryetar, – e ndërpreu Dritëroi. – Në vitet ’30 kishte aq shumë bagëti në malin e Gramozit, sa e zgjonin edhe Athinën me këmborët e tyre.” Kur derdheshin tonelata bojë për të mbajtur më këmbë famëkeqet tufëza dhe arëza, Dritëroi nuk u përmbajt: “More, a e dini ju ç’është atdheu?! Atdheu është pula, rosa, mullari i barit dhe gardhi që rrethon shtëpinë tënde. Pa to nuk ke atdhe.” Kam qenë i pranishëm në një takim me organizatat e masave, ku Dritëroi u kërkoi Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit prishjen e tufëzave dhe arëzave, madje edhe të kooperativave malore. “Ç’thoni, shoku Dritëro?! Kjo është një çështje shumë parimore”, – tha Kryeministri. Kur dolëm, i tregova një rast të jetuar në Shishtavec të Kukësit. “Në pushimin e një aktivi partie, – i thashë, – të deleguarit kërkuan ujë dhe një fshatar, që po i shikonte, foli gorançe që ata të mos e merrnin vesh: ‘Ju mori etja nga mishi i qengjit, ndërsa fëmijët e mi kanë dy vjet që nuk ia kanë ndier erën!’” – “Ku dinë këta se si jeton fshatari!” – më tha Dritëroi. Ai guxonte t’ia thoshte mendimin e tij edhe Enver Hoxhës. Kur po merrej vendimi që nga një familje t’i jepej e drejtë studimi për në universitet vetëm njërit prej fëmijëve, Dritëroi i tha Enver Hoxhës: “Po ja, kemi Naimin, poet i madh kombëtar. Po të ishte ky rregull atëherë, nuk do të kishim edhe Samiun!”
Deri në ditët e fundit të jetës ai jetoi me pulsin e kohës, me problemet e vendit. Kur në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohej reforma në drejtësi, një nga aktet më të rëndësishme, Dritëroi bëri një deklaratë dhe ftoi intelektualët e shquar të vendit që t’i bashkoheshin thirrjes së tij për të votuar ndryshimet kushtetuese. E firmosën “apelin e Dritëroit” anëtarë të Akademisë së Shkencave, ish-presidentë, shkrimtarë, mjekë dhe juristë të shquar. Kur e nënshkroi apelin Ismail Kadareja, kërkoi që emri i Dritëroit të vihej në krye, por gazetat (ah, këto gazetat!) vunë ishët në krye.
“Dritëroi nuk ishte vetëm i socialistëve, por i të gjithëve”, – shkruajnë e thonë të gjithë ata që e kanë njohur apo lexuar. Socialistët e pranojnë me kënaqësi këtë vlerësim, edhe pse u pëlqen të thonë: “I të gjithëve vërtet, por pak më shumë yni.” Po të lexosh diskutimet e tij në Kuvend, artikujt, intervistat, librin “Teshtimat e lirisë”, do të përjetosh në to stilin e mbrujtur me frymën polemiste të Fan Nolit, Faik Konicës, Petro Markos; do të kesh një manual për krijuesit, deputetët, gazetarët; do të kesh një model qëndrueshmërie, do të kuptosh se sa e rëndësishme është që të mos i ikësh vetes dhe së vërtetës. Do të kuptosh edhe pse Dritëroi ishte i të gjithëve. Me dashuri e dhimbje, me trishtim dhe shpresë, me mençuri dhe zemërim, me optimizëm dhe besim ai fliste për të gjithë: për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës e të trojeve të banuara prej tyre. Atë e kërkonin të gjithë, e konsideronin si engjëll mbrojtës. Ramiz Alia nuk mund të shkonte në Shkodër pa Dritëroin, Fatos Nano e donte pranë vetes në takimin me studentët, zogistëve të Brukselit u dukej i mangët takimi pa praninë e Dritëroit, shoqata “Çamëria” e ftonte të shkruante në botimet e saj. Ishte me mendje të hapur, ku kishte vend për të gjithë, larg të qenit hakmarrës apo idhnak. Vetëm për një gjë nuk pranoi kurrë diskutim: për vlerësimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe 29 Nëntorin. Diskutimi më pasionant i tij në Kuvend, njëherësh edhe më i tensionuari, ishte ai për ndryshimin e datës së çlirimit. Është bërë proverbiale ajo që u thoshte skraparllinjve njëherë: “Po të bashkohej edhe Naim Frashëri me pushtuesin, unë nuk mund t’i thërrisja: ‘Largohu mënjanë, Naim, se po i shtie gjermanit!’”. Dhe qëndrimin politik,si gjithnjë, e plotësonte edhe me poezi:
Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë.
Ç’kërkoni? Pritja është e kotë.
S’ka heronj, tani ka pehlivanë!
Kështu ndodhte shpesh me të. Ai e kuptonte se politika ka gropa dhe hone, ka qoshe dhe stërvina me erë të qelbur, prandaj atë çka nuk e thoshte dot në politikë e derdhte me talentin e tij të jashtëzakonshëm në poezi.
Në të folur dhe në të shkruar ai ishte një princ i gjuhës shqipe. Gëtja thoshte diku se të gjithë poetët pas Homerit janë ushqyer me thërrimet e sofrës së tij. Dritëroi u ushqye në sofrën e popullit të vet. Shumë nga studiuesit e veprës së tij në poezi dhe prozë, në gazetari dhe publicistikën politike, kanë konstatuar se ai ishte një mendimtar që prodhonte në mënyrë të paimagjinueshme filozofi duke folur në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Humori i tij ishte sintezë e inteligjencës dhe dashurisë për njerëzit.
Përpara shpalosjeve problematike e të mençura të Dritëroit binin të gjitha sajesat e imagologëve me furçë në dorë. Prandaj, siç thoshte miku ynë Moikom Zeqo, ai, ndryshe nga shumë të tjerë, ka mandat të përjetshëm. Ai do të mbetet një lider shpirtëror më shumë se çdo përfaqësues partiak.


