More
    KreuLetërsiBibliotekë"Mure të holla, mure të trasha", tregim nga Preng Maca

    “Mure të holla, mure të trasha”, tregim nga Preng Maca

    Rrija deri natën vonë duke studiuar. Abazhuri i tavolinës , më shumë i sajuar se sa i prodhuar fabrikisht, më ndriçonte dhe e bënte të mundur mos të ndieja vështërsi tek kaloja fletët e dispencave të leksioneve. Duhet të merrja këto provimet, megjithëse sytë më mbylleshin shpesh nga lodhja, pasi isha e detyruar edhe të punoja për të përballuar dhomën me qera në të cilën banoja prej muajsh.

     Ndërtimet në Tiranë i kanë muret aq të holla, sa thuhej se pa dashje mund ta fikje televizorin e komshiut me pultin tënd të televizorit. Në saj të këtyre ndërtimeve, në pallatin e ndërtuar para tre viteve dëgjoheshin qartë zhurmat tek hyrja ngjitur. Aty banonte një çift i ri, në bashkjetesë. Sa herë i shihja, e vija re se ishin të përfshirë në një dashuri , prej së cilës edhe unë ndjehesha si brenda një moti të ngrohtë e plot ndriçim.

    Lum ata që duhen, thoja thuajse me zë nëpër dhomë, kur sillesha për të kryer ndonjë punë a për të marrë ndonjë dispencë në bar bufenë e vogël, ku librat e mi ngjisheshin me njëri – tjetrin, si udhëtarët në mëngjes tek autobuzi i Kinostudios.

    – Oh sa e mirë je, vdes për ty! Nëse nuk të shoh bëhem keq! Syzeza ime! Shpirt! Si do të ishte bota pa ty! Zemra ime! Të kam trëndafil!

     Kjo mbrëmje më ngjau më e ndezur se të tjerat. Qeshja me vete si budallaqe dhe nganjëherë e hiqja vëmendjen nga dispenca dhe i gëzohesha çiftit përtej.

    I shihja shpesh dhe i përshëndesja, ndërsa me gruan e re e të hijshme, si një balerinë, shkëmbenim buzëqeshje dashamirëse. Ajo më kujtonte sorkadhet që i doja aq shumë dhe i kisha parë vetëm nëpër ekplorer në dixhitalb.

    – Mirë ? – më thoshte ajo, kur shiheshim vetëm nëse ashensori nuk punonte.

    – Mirë.- , i përgjigjesha asaj duke qeshur e duke rregulluar syzet që kishte pak muaj që i kisha vënë.

    – Hiqi ato syze!-, më thosh ajo – Ke sy aq të bukur!

    – E kam mendjen tek shkolla.- justifikohesha.

    Ndaheshim duke qeshur dhe e vështroja tek përkundej lehtë dhe uroja një ditë të isha e lumtur, por kjo që dëgjoja sonte përtej murit ishte super. Gjithë ajo temperaturë e lartë dashurie dhe e mendoja çiftin të zhytur brenda një gjendje krejt magji dashurie, në një dehje të ëmbël e ekzaltuese.

    Fjeta vonë nga ora dy e natës dhe pashë aq shumë ëndrra, sikur kisha hapur një vrimë në mur dhe përveçse i dëgjoja ata edhe i shihja ashtu kapërthyer me njeri – tjetrin, duke u munduar të bëjnë…njerëz.( M’u kujtua një shprehje nga një film i një regjizori me emrin Leonard , mbiemri i të cilit për dreq nuk më kujtohej tani.)

    Të nesërmen duke u nisur për leksion e takova tek ngjitej shkallëve, sepse ashensori kishte difekt.

    – Mirë? – më foli – të mbeti mendja në shkollë.

    – Vitin e fundit kam dhe ja.

    – Do ndonjë djalë?

    – Po ja , thuajse në ato ujra, por është zor. Ti je me fat! Ju jeni një çift i përkryer! Dëgjoja pa dashje bashkëshortin tënd, tek thoshte aq fjalë të ëmbla për ty mbrëmë. Janë muret e holla dhe natën pa dashje dëgjoheni. Jam e lumtur për ju! Jeni fantastikë! Do të isha e lumtur ta kisha edhe unë një ditë prej ditësh një familje si ju të dy!

     Nuk më foli. Mbeti si e hutuar paksa, pastaj e mori veten shpejt dhe më ra lehtë në supe me dashamirësi.

    Më bëri një shenjë me dorë dhe mua nuk e di, se pse nuk më pëlqeu gjendja në mes, por ajo u kthye dhe ma bëri përsëri me dorë një shenjë përshëndetje, sërish shoqëruar me një buzëqeshje që mua më ngjau si e mezijetueshme.

    E mendova sërish çfarë kisha thënë gabim pa dashje dhe nuk gjeta askund ndonjë gabim të mundshëm dhe sapo m’u kujtua se ajo në fakt i kishte sytë blu: Dreqi ta hajë ,thashë me vete!

     U ktheva vonë nga leksioni atë natë. Për fatin tim të mirë ashensori punonte. Isha e lodhur dhe nuk kisha mundësi të përgatisja asgjë për darkë.Thashë të pushoj pak dhe ndërsa u shtriva në divan, nga dhoma përtej dëgjova të uluritura. Një zhurmë jashtë të zakonshmes, aq sa kishe idenë se po shihja një film pa figurë .

    – Njeri i ndyrë! – ,thoshte ajo. – Si nuk ke fytyrë. Ti më kishe thënë se ke hequr dorë nga ajo. Nuk meriton asgjë. Nuk do të gaboj më. Ti nuk di gjë çfarë është dashuria. Një natë që isha në shtëpi tek nëna ti nuk durove dot.

    Dëgjohej vetëm ajo. Ai dëgjohej krejt mbytur. Gjithë nata ishte e tmerrshme.

     U zgjova në mëngjes dhe kisha dyshimin, se gjithçka kishte qënë një ëndërr e imja e keqe. Nuk doja ta besoja.Do të kem qenë e lodhur mendova me vete.

     Kaluan disa ditë dhe komshien nuk e pashë më. Ata u ndanë.

     Pa dashje shkaku isha unë. I kisha bërë komplimente për fjalët që i kishte thënë i shoqi, por atë natë ,ajo kishte qenë në shtëpinë e prindërve të saj dhe ai kishte qenë në shtëpi me një tjetër. E mallkova veten dhe lëviza shumë shpejt nga ai pallat. Tek pallati tjetër i ndërtuar prej kohësh nuk dëgjohej asgjë nga muret e trasha. Sa mirë, thashë më me vete. Dhe jetova vetëm me veten time dhe dispencat e mia, mes mureve të trasha.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË