More
    KreuTë rejaMilan Kundera do të dhurojë bibliotekën e tij personale për qytetin e...

    Milan Kundera do të dhurojë bibliotekën e tij personale për qytetin e lindjes

    Pavarësisht raportit të tij të vështirë me vendlindjen, shkrimtari çek Milan Kundera dhe bashkëshortja e tij Vera, kanë vendosur t’ia dhurojnë bibliotekës “Moravian” në vendlindjen e tij, Brno gjithë bibliotekën e tyre personale. Lajmin e ka bërë të ditur punonjësi i asaj biblioteke, Radoslav Pospichal i cili shtoi se transferimi i materialeve nga apartamenti i Kunderës në Paris do të bëhet këtë vjeshtë.

    Biblioteka e Kunderës, ndërtuar e pasuruar për gjatë viteve, përmban botimet e librave të tij në më shumë se 40 gjuhë, arkivin personal me artikuj që ka shkruar ai apo janë shkruar për të dhe pikturat e bëra prej tij të cilat shpeshherë i shërbyen edhe si kopertina për romanet. I gjithë ky material, fillimisht do të jetë i aksesueshëm vetëm në mënyrë digjitale.

    Pasi gjithë koleksionet e Kunderës të jenë regjistruar, biblioteka “Moravian” do të krijojë një dhomë të pavarur studimi të quajtur “Biblioteka e Milan Kunderës” e cila do të jetë e hapur për studiuesit e veprës së tij.

    ​Ky është “një rikthim” i Kunderës në vendlindje pasi, qysh në vitin 1975, ai jeton në Paris. Pas debutimit me romanin “Shakaja” (1967), u bë menjëherë i njohur mes lexuesve. Kur në ekzil botoi “Libri i të qeshurës dhe harresës” (1978) në të cilin drejtuesi komunist Gustav Husak quhej “presidenti i harresës”, Çekosllovakia e atëhershme komuniste i hoqi nënshtetësinë, të cilën e rimori tanimë nga Çekia vitin e shkuar, duke bërë një hap para në normalizimin e marrëdhënieve mes tij dhe atdheut.

    Tanimë, e gjithë vepra e tij është drejt përkthimit dhe botimit në gjuhën çeke, pasi prej dekadash, Kundera shkruan në frëngjisht.

    Përgatiti Andreas Dushi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË