KreuLetërsiBibliotekëMehmet Kraja: Testament (tregimi nga libri i ri)

Mehmet Kraja: Testament (tregimi nga libri i ri)

NË FUND

Kaluan shumë vjet dhe kujtimet e hershme ikën nëpër largësi të tymta, prej nga e dija se nuk do të ktheheshin kurrë më. Nuk dua t’ju mërzis me përshkrime të gjata dhe t’ju them tani se nga më çuan rrugët e jetës dhe si ndodhi që një ditë, krejt papandehur, u gjenda në një vend shumë të largët. Një miku im, të cilin e kam njohur tash së voni, më la një dhomë në katin e tretë të shtëpisë së tij, në mansardë, nëpër dritaren e së cilës, pa u trazuar nga njeri, mund të kundroja me orë të tëra hijen e gjerë e të blertë të një rrapi, një rruginë të ngushtë përmes bimësisë së dendur dhe, diku matanë, shumëfishimin e asgjësë, e cila rri poshtë kaltërsisë së hollë të një qielli të shpërlarë.

Dhjetë minuta rrugë që këndej, në fund të rrafshinës dhe të një ledhi prej kaçubash të dendura, shtrihet një zallishtë e bardhë dhe, ngjitur me të, një det i qetë dhe i heshtur. Ndonjëherë netëve të vona, kur mendimet nuk më zhurmojnë përbrenda, nga dritarja e mansardës dëgjoj fëshfërimën e valëve, tek vijnë palë-palë dhe shtrohen mbi zallishtë, valë që këmbëzbathur enden bregut të detit, hera-herës bëjnë të zhurmojnë guriçkat e bardha dhe pastaj tërhiqen në një heshtje të hollë e të valëzuar, si prej mëndafshi. Herë të tjera shoh qiellin dhe natën që shtrihet tejendanë dhe ndonjëherë retë që mblidhen aty lart, tek zgjerohen e tkurren si ameba të zeza.

Thuajse çdo ditë zbres nga dhoma ime në mansardë, pa u ndier kaloj shkallë e korridore dhe, sapo gjendem përjashta, shpejtoj hapat rruginës që çon në drejtim të detit. Ai det ka një emër, të cilin e kam dëgjuar ta thonë njerëzit, madje e kam parë të shkruar edhe në hartë, mirëpo nuk më duket e nevojshme ta them këtu, sepse, ndërsa e vështroj, më ngjan aq shumë me dete të tjerë, të cilët më ka rastisur t’i shoh pa ndonjë kureshtje të madhe. Thellësia e tij është po ajo, e bruztë dhe e padepërtueshme; valët janë po ato, herë të prajshme, të qeta e vetmitare, e herë të rrëmbyera, të zhurmshme dhe përsëri vetmitare. Atje sipër, nëpër ajrin e tendosur, shpesh shoh pulëbardha që bëjnë ca fluturime dredharake, ngrihen e zbresin, rrinë pezull dhe marrin arratinë. Në fund të horizontit, atje ku deti ngjitet në qiell, matanë pluhurimës së bardhë të mjegullës, gjej një pikë të padukshme e shikoj gjatë, teksa nëpër trup dhe nëpër dej më kalon një erë shkretëtire, e cila më mbush me një ulërimë vetmitare.

Në shtëpinë e mikut tim kthehem para se të bjerë mbrëmja. Kam vërejtur, kohëve të fundit, se sapo futem në dhomën time, nga dritarja hyjnë duke fëshfëritur ca hije të blerta e të mugëta, pluskojnë nëpër ajër dhe pastaj fundosen diku përposh, në atë hemisferën e errët dhe të trishtueshme të botës. Pastaj më ka rastisur që nga ajo dritare, gjatë netëve të gjata të dimrit, të kundroj hënën dhe dritësimin e saj të sedeftë. Atëherë më bëhet se ajo pluhurimë rrezëllitëse, e bardhë e verdhë e përhimët, është një mur i pakalueshëm, matanë të cilit qëndrojnë të paarritshme largësitë e dhembshme të krejt jetës sime.

Kishin kaluar më shumë se tri vjet, teksa një pasdite fundgushti me mikun tim qëndruam gjatë nën hijen e rrapit në oborrin e mbuluar me gjelbërimin e barit dhe të barishteve të tjera aty rrotull. Nuk folëm asgjë dhe secili për hesap të vet sodiste kalimin e kohës: hijen e butë dhe drithëruese të rrapit të lartë, e cila zhvendosej nga një qoshe e oborrit në tjetrën, pastaj copat e kaltëreme të qiellit rrethuar me gjelbërimin e errët dhe atë fëshfëritjen e mistershme të heshtjes. Gjatë tërë ditës nuk kishim folur asnjë fjalë, madje as në mbrëmje, kur hijet, pasi u zgjatën një herë, u përzien mes veti dhe u sulën në një Në këtë “Testament” Mehmet Kraja ndërton një botë të tërë letrare, ku kujtesa, vdekja, kufiri, lufta dhe dashuria e humbur nuk rrëfehen si ngjarje të zakonshme, por si plagë që hapen e mbyllen nëpër breza. Rrëfimi i tij është thellësisht vetjak e njëkohësisht kolektiv: zëri i narratorit (gjithmonë në veten e parë) shpesh përzihet me zërat e kujtesës.

Ai bën një udhëtim nëpër një botë që rron përtej harresës. Nëna dhe vajtimi i saj, babai, gjyshja, motra, kufiri, dashuria e humbur, socializmi etj. kthehen si refrene, herë si kujtim i drejtpërdrejtë, herë si ëndërr, herë si kronikë, herë si dialog me të përtejmen.

Autori i merr e i rimerr këto tema, duke i rindërtuar në variante të reja, sikur libri të jetë një labirint kujtese, ku çdo tregim është një derë që të çon te një tjetër.

Stili i Krajës është i ngjeshur e lirik, me një ironi të hidhur që ndërton e shpërbën njëherësh. Gjuha e tij me stilizimin elegant prej filigrani pasurohet me gegërishten e hijshme dhe fjalët arkaike, duke krijuar një ritëm të veçantë, që rrjedh herë si kronikë, herë si monolog i brendshëm. Realja e fantastikja, historia dhe miti, e përditshmja dhe amshimi ndërthuren në një rrëfim të fuqishëm e të pashlyeshëm.

Ky libër zë një vend qendror në krijimtarinë e Mehmet Krajës, i jep prozës së tij dhe letërsisë shqipe një nga modelet më origjinale të rrëfimit ciklik, duke e kthyer tregimin nga zhanër i shkurtër në një formë të gjerë kujtese.

Një këngë vajtimi për botën që humbëm e që nuk pranon të harrohet.

ndjekje të pandalshme të ditës që tërhiqej në perëndim. Ajri i mbrëmjes tashmë ishte bërë i hollë dhe tingëllonte me akorde të mprehta, ndërkohë që ne pothuajse nuk e shihnim njëri-tjetrin dhe prapë nuk folëm asgjë dhe prapë vazhduam të soditnim kalimin e kohës. Më pas vinte çasti, kur nata bëhej disi e rrumbullt dhe e bronztë, e fryrë dhe e mbufatur, si mollaqet e një ciganeje. Atëherë, pikërisht në ato orë të vona të mbrëmjes, unë dhe miku im takoheshim diku, në një shkretëtirë të largët, ku nuk ishte kjo pamje dhe një verdhim i egër dhe i ndryshkur rrethonte vendin anembanë. Deri aty, deri në atë pikë takimi në mes të shkretëtirës, e dinim se kishim ardhur nga drejtime të ndryshme dhe se pas pak, pasi t’i ndërronim dy-tri fjalë, secili do të ikte në rrugën e vet.

Ke ndonjë lajm që andej, pyeste ai.

Jo, asnjë, i përgjigjesha unë.

Miku im largohej, duke tërhequr këmbët zvarrë dhe një çast më vonë më dukej sikur humbiste midis taftit përvëlues të shkretëtirës. Nuk më mundonte largimi i tij dhe as pamja e pashpresë që i shkonte prapa. Më mundonte largësia e turbullt, nëpër të cilën ne duhej të bridhnim për një kohë të gjatë, largësi e cila duhej të vendosej në mes, në mënyrë që ne të mund të takoheshim përsëri dhe sërishmi t’i këmbenim ato pak fjalë. Ke ndonjë lajm? Jo, jo, asgjë. Pastaj prapë vinte ajo ecje e ngadaltë dhe e përhumbur nëpër shkretëtirë. Ndërkohë, një gjë e çuditshme sikur më ndodhte: ndjeja kuptimin e kundërt të fjalëve: tek e bardha ndjeja të zezën, tek gëzimi ndjeja hidhërimin…

Tani mbase është koha të rrëfej se ky miku im kishte një grua, për të cilën deri tani nuk kam thënë asgjë. Ajo vinte e ngjallme, ani pse nëpër fytyrë i endeshin gjurmë të një pleqërie që sapo kishte filluar. Kur e takoja ndonjëherë në shkallë ose në korridorin e shtëpisë, ndalej një çast dhe më shihte për së kithi, duke më vënë në cepin e ngushtë të një gërshëre të padukshme. Ajo kishte një dashnor, një rrondokop me kokë ta madhe, i cili herë pas herë futej në shtëpi nga dera e pasme dhe pas një kohe dilte që andej pa zhurmë. Në ditë të tilla, pasi largohej rrondokopi, gruaja e mikut tim hynte dhe dilte nëpër dhomat e shtëpisë, ngjiste dhe zbriste shkallët, dikur niste të këndonte me zë të hollë dhe të dridhshëm, krejt e lumtur.

Punën e dashnorit mund t’ia kisha thënë mikut tim, mirëpo derisa të takoheshim përsëri nën hijen e rrapit, duhej të kalonte kohë e gjatë dhe, që ta mbaja mendjen te ky fakt, dukej punë e mërzitshme. Nga ana tjetër, kur të takoheshim përsëri, kurdo që të ndodhte kjo, ne mezi prisnin të kridheshim në atë heshtjen tonë dhe të shihnin sesi hijet endeshin syprinës së hollë të ajrit. Në anën tjetër, unë kam vënë re se miku im ka filluar të plaket shpejt, është bërë çuditërisht i përhimë, shoh si del nga shtëpia kokëvarur dhe me hap të pavullnetshëm kapton rruginën dhe ikën ngadalë nga vështrimi im, sikur fundoset pandalshëm në atë hiçin e mërzitshëm të gjithësisë.

Një ditë prej ditësh miku im mori një goditje damllaje dhe mbeti i shtrirë në dyshemenë e banjës, me herdhet e lëvarura jashtë të linjtave. Këtë e mora vesh më vonë, ndërkohë që unë e gjeta shtrirë në një shtrat të gjerë, në një dhomë me perde të trasha dhe dritë të paktë, e cila përshkohej vjedhurazi përmes ajrit kundërmues. Ishte tretur dhe nga thellësi e trupit i dilte në sipërfaqe një pleqëri e egër. Pas një heshtjeje të gjatë dhe mrekullisht të zbrazët, miku im më bëri shenjë t’i afrohesha dhe atëherë u kujtova se donte të më thoshte diçka.

A ke ndonjë lajm, më pyeti, duke mbllaçitur fjalët, me një spërdredhje të gjuhës dhe të buzëve.

Jo, jo, asgjë, i thashë, duke i pëshpëritur rrëzë veshit, sikur i kumtoja diçka të fshehtë.

Ai u krodh përsëri në atë qetësinë e tij të rrafshët, pritëse, një qetësi damllaje, e cila pale nga ç’qeliza të vdekura të trupit të tij nisej drejt kësaj bote, kalonte inde, siç kalohet një fushëbetejë me gjurmë kufomash dhe dilte në jashtësi krejt e verdhë, e shkretnueshme. Tek e vështroja, kisha përshtypjen se toka i kishte shpenzuar rrotullimet dhe tani kishte marrë rrugën e zhbërjes.

Ndodhi që pas disa muajsh lëngimi, miku im u këndell pak. Duhet të ketë qenë pranverë e hershme, kur një ditë e vendosa mikun tim në karrocë invalidësh dhe me mundime të mëdha e nxora në oborr. Që andej, duke e shtyrë nëpër rruginën e shtruar me zhavorr, arrita ta nxirrja në breg të detit. Atje, mbi ranishtë dhe mbi krejt peizazhin rrotull ishte shtrirë një ditë e ngrohtë, madje, po ta shikoje gjatë, të dukej sikur ajo të buzëqeshte fshehtas, me një si përskuqje të lehtë dhe nur prej vashëze të nusëruar. Ishte kohë e zbaticës dhe deti ikte rrëmujshëm nga bregu, duke lënë pas ca gjurmë të plogëta, copa të natës së shkuar, të braktisura përgjithmonë. Nëpër rërën e shkriftë, karroca e mikut tim linte dy vija të gjata paralele, që dukej sikur e shihnin njëratjetrën me indiferencë dhe mospërfillje.

E ndala karrocën dhe e lashë mikun tim me fytyrë të kthyer nga deti. Sikur papritmas të hapej diku tej një perde akustike, era filloi të nxirrte në breg nga thellësitë e turbullta një zhurmërimë të mbytur e të njëtrajtshme. Qëndrova pranë mikut tim, i sheshuar në rërën e butë dhe përgjova në heshtje valëzimet dehëse të përgjumjes së këndshme. Çuditërisht isha i lumtur dhe nuk kisha nevojë për asgjë, as për ndonjë anije me vela të bardha nga ëndrrat e dikurshme, as për giasmet rrezëllitëse tej horizontit, as për fluturimet dredharake të pulëbardhave, as për koralet në fund të detit. Po këtë lumturi të stërngopur e hetoja edhe te miku im, i cili, me kokën e vogël e të përhimët anash, me një palë sy që nuk shprehnin asgjë, prehej në një qetësi të rrafshët dhe shpotitëse, përtej kufijve të cinizmit.

Një çast miku im u këndell pak dhe, me atë spërdredhjen e neveritshme të buzëve, u përpoq të thoshte diçka. Era e detit merrte nga fjalët e tij shtresën e zëshme dhe linte prapa një mbllaçitje të përjargshme bashkëtingëlloresh. Pastaj u mundua të buzëqeshte dhe këtë arriti ta bënte disi. Unë e kuptova se çfarë desh të thoshte dhe, po të hiqeshin belbëzimet e tij paralitike, fjalët do të ishin këto: sa herë e kam parë këtë det, gjithmonë kam ëndërruar të shoh në horizont një anije me vela të bardha, e cila një ditë do të më merrte dhe të më çonte në vendin e largët, prej nga kemi ardhur dikur. Pastaj shtoi:

A ke ndonjë lajm? Jo, asnjë!

E shpura mikun tim në shtëpi dhe rruginës, ndërsa zhavorri kërcëllonte nën rrotat e karrocës, unë ndihesha çuditërisht i lumtur. Nuk kishte më asgjë, as velore të bardhë që mund të na shpinte diku tjetër, as pritje, as rrugëtime të largëta, as lajme, as trazime ndjenjash, as kuptime të fshehta, asgjë. Aty diku ishte një mur mjegullor, me një joshje të thellë e të pashpresë, që rrezëllinte me të gjitha ngjyrat e përsosura të mashtrimit. Ndërsa e shikoje, të kaplonte një dehje e këndshme, ëmbëlsisht e trishtueshme.

Ditë me radhë me mikun tim vazhduam të dilnim në breg të detit dhe gjithmonë, po atje, të shtrirë në ranishtë, na priste një kotësi e hareshme, e hijezuar cepash nga bardhësi tymnaje. Miku im tha një ditë se prej kohësh i sillej nëpër mend ideja për të shkruar një letër, vetëm se nuk kishte ndonjë besim të madh se mund ta bënte këtë. Nuk ishte vetëm dora që nuk i bindej dhe ajo vdekje e përbrendshme e qelizave që ia ngatërronte mendimet, por edhe një gjë tjetër: ai nuk dinte se kujt mund t’ia shkruante atë letër. Kur e tha këtë, u skërmit me ligësi, duke përjargur cepat e buzëve. Pas disa ditësh më pyeti nëse mua më kujtohej dikush nga ai vend i largët, të cilit mund t’i shkruhej një letër. Jo, i thashë, pa u menduar shumë.

Pastaj, u krodhëm në mendime, siç thuhet zakonisht për njerëz që vdesin pak nga pak, duke mos bërë asgjë.


AUTOBIOGRAFIA, SIÇ E SHKROVA DIKUR

Kam lindur në një katund afër Liqenit të Shkodrës, në njërin nga ato fshatra, të cilët, kur i shikon nga liqeni, të duket sikur përjetësisht synojnë të kaptojnë malet dhe janë ndalur aty vetëm për një çast. Datën e saktë të lindjes nuk e di, sepse im atë kishte shkuar të më regjistronte në zyrën e gjendjes civile dy muaj pasi kisha lindur dhe ofiqarit, i cili mbante syze të trasha dhe shkruante me dorë të majtë, i kishte thënë se kisha lindur në kohën e të korrave. Pastaj ai vetë kishte vënë një datë të përafërt, 27 qershorin e vitit 1952, sepse atë vit thoshin se kishte qenë një pranverë e thatë, se kishte bërë shumë vapë dhe se të korra nuk kishte pasur fare, vetëm zi buke dhe një diell përvëlues, i cili qëndroi gjithë verën mbi katundin tonë.

Thonë, gjithashtu, se kur kam lindur, kam qarë shumë, aq shumë sa nuk e kam lënë katundin të flinte një javë të tërë. Pastaj gjyshja më kishte shkrirë plumb dhe ma kishte mbajtur kokën mbi një kusi që nxirrte avuj të bardhemë. Që atëherë nuk kam qarë më, por më pat mbetur një ves që më kushtoi një dashuri më pak: sa herë që e shihja, gjyshes ia nxirrja gjuhën dhe ajo, në shenjë hakmarrjeje, më puthte me inat, duke më lënë përgjithmonë përfytyrimin e shëmtuar të thithlopës, të thiçkut, siç i thoshim ne.

Shumë vjet më vonë, duke hulumtuar nëpër sargjënin e shtëpisë sonë të vjetër, gjeta peshtafin e gjyshes dhe aty brenda një letër të vjetër të shkruar arabisht. E mora letrën, fshehurazi dola nga shtëpia dhe letrën ia çova Mulla Tahirit, hoxhës së katundit tonë. Ai e lexoi letrën duke murmuritur. Eshtë shkruar nga Ali Rizai i anës tonë, më tha, të cilit që para dyzet e sa vjetësh i kishte humbur çdo gjurmë, se letra ishte shkruar nga Jemeni, se Ali Rizai atje kishte shkuar të luftonte për „Baba Dovletin“ dhe se në atë copë kartë të lyer me dyll thoshte gjëra të turbullta për veten e tij, për shokët dhe për luftërat që bënte atje. Unë u ktheva në shtëpi me një pështjellim të madh në kokë, me përfytyrimin e Ali Rizait të humbur shkretëtirave të Jemenit, që vuante… Përse duhej të vuante Ali Rizai? Çfarë i mungonte këtij rrëfimi? E gjeta! Ali Rizai duhej të vuante nga dashuria për një grua, dhe ajo grua përse të mos ishte gjyshja ime! Fakti që e gjeta zgjidhjen, më bëri të hareshëm, por puna e dashurisë së Ali Rizait tash më shkaktonte një dhëmbkë sëmbuese. Ia thashë këtë gjyshës, i tregova për Mulla Tahirin që e kishte lexuar letrën dhe, mbi të gjitha, i fola gjerë e gjatë për dashurinë e Ali Rizait, duke trilluar shumë gjëra të paqena. Gjyshja u zbeh, pastaj u zhgreh në vaj, u mbyll në dhomën e saj dhe kurrë më nuk e pashë të dilte që andej. Gjyshja vdiq po atë vit, pasi nuk mbylli sy dhe nuk futi gjë në gojë për dy muaj.

Trillimet e mia mbi dashurinë e Ali Rizait për gjyshen time, ishin tregimi i parë që kisha stisur dhe, për pasojë, gjyshja vdiq nga dëshprimi.

Nga ajo kohë më kujtohet liqeni, një hënë e madhe që shfaqej nga matanë, nga grykat e Bjeshkëve të Nemuna dhe që pastaj zinte vend mbi liqen, duke parë fytyrën e vet të zbehtë tek pluskonte mbi syprinën e ujit. Andej, po matanë, ishte Shkodra dhe unë, natën, shpesh i shikoja dritat e qytetit, deri sa më përzihej në tru dhe pastaj shihja ëndrra të këqija. Kisha dëgjuar se njerëzit e katundit tonë gjithmonë kishin dashur të shkonin në Shkodër, por shumica syresh, kur kishin shkuar, nuk ishin kthyer më. I vetmi prej tyre ishte kthyer Dan Selmani, një i marrë që hypte në man dhe bërtiste: „Dua p…!“ Dan Selmanin nuk e donin gratë e katundit, sepse ai, si i marrë që ishte, tregonte çdo gjë që shihte dhe, për pasojë, kjo shkaktonte telashe të mëdha. Dan Selmani, kur e kuptoi këtë, u dëshpërua së tepërmi dhe tha se donte “me ikë n’Shqypni e me tretë përgjithmonë”. Iku dhe tri vjet nuk mori vesh njeri për të. Kur u kthye, gishtat e këmbëve dhe të duarve i kishte të prerë dhe, para se të zinte shtratin nga sëmundja e tokës, përmes të qeshurës së njeriut të marrë, tha diçka që për shumë kohë në katund u ruajt si fshehtësi. Dan Selamni vdiq po atë vjeshtë, ndërsa qielli kishte zbritur fare poshtë dhe nga Qafa e Shtegvashës frynte një erë e tërbuar, duke shfryrë një mllef që nuk e kuptonte njeri.

Nga kjo kohë më kujtohet edhe mësuesi im parë, Hysi, i cili i binte mandolinës dhe këndonte më një zë të zvargur prej muezini. Një ditë, në mbarim të orëve, e pamë mësuesin tonë tek hipi në tavan të shkollës dhe fill pas tij atje u fut edhe Zejnepja, një vajzë që kishte vithe shumë të mëdha dhe kur kalonte pranë nesh, rrobave të saj u vinte era finjë. Që atë ditë mesuesi ynë nuk këndoi më, kurse Zejnepen e mori për grua.

Kur i mbusha katërmbëdhjetë vjeç, për herë të parë shkova këmbë në Tivar, duke kaptuar malin e Rumisë natën, duke kaluar nëpër Birsk e Ljare, mbi Shestan, nëpër Gropa të Pinçit, për të dalë pastaj në Shkallë të Keqe, prej nga, në të zbardhur të mëngjesit, pashë Kalanë e Tivarit dhe tej, në një largësi të paarritshme, detin dhe gjerësinë e tij marramendëse. Ishte hera e parë që shihja detin dhe, se si m’u duk, ndryshe nga liqeni ynë: një kaltërsi e trishtë, një pafundësi e pakuptimtë, ndoshta e kotë. Ndërsa zbrisnim bokërrinave të zhveshura mbi Tivarin e Vjetër, im atë, që e bënte shpesh atë udhë, më tha si me të pëshpëritur: “Nga këto dy shtëpi i kanë vrarë njëmbëdhjetë kosovarë”. Pastaj pshërëtiu. Ishin shtëpi prej guri, me dritare të vogla. Ai më tregoi se ku ishte edhe Monopoli i Duhanit dhe gjëra të tjera që lidheshin me atë ngjarje. Për të gjitha këto, im atë fliste me zë të ulët dhe gjithmonë duke parë diku tej, me një përhumbje që nuk e dija nga i vinte.

Në Tivarin e Vjetër, më kujtohet se pashë gjatë muret e përhimta të kalasë, i stepur i shihja njerëzit që më dukej sikur rrinin përtej një perdeje tymi dhe nuk e di si mu stis në mendje të dëgjoja trokëllima hapash të kalorësve të padukshëm që venin e vinin nëpër rrugët e ngushta, me parzmore që u shkëlqenin, me shpata të ngjeshura pas brezit dhe me flamurka të vegjël maje shtizave. Ndonëse Tivarin e Vjetër e pashë sa e sa herë të tjera, ky përfytyrim asnjëherë nuk arriti të zëvendësohej me pamjen reale, me pamjen e hirtë e të gurtë të asaj kalaje të vetmuar, ngjitur pas shpatullave vigane të një mali që tallej me të.

Një vit më vonë, diku në fund të verës (ishte po ajo verë e gjithmon-shme, që egërsisht digjte çdo gjë), im atë u bë i ngrysur në fytyrë. Kjo donte të thoshte se ai, ato ditë, e kishte ndër mend të merrte një vendim të rëndësishëm. Një javë më vonë, me mushkën e bardhë ngarkuar, ne të dy kaluam malet që rrethonin katundet tash në anën tjetër, jo larg Shtegvashes dhe majës së Taraboshit, dhe dolëm në „anën tjetër“, andej nga shihej një rrafshirë e gjerë (më e gjëra që kisha parë deri atëherë) dhe atje tej përsëri deti. Im atë ecte i menduar dhe gjatë tërë rrugës thuaja që nuk foli asnjëherë. Duke zbritur Malin e Millës, më tha: “Atje isht Shqypnia”. Me dorë më tregoi lumin e Bunës që gjarpëronte lakadredhas mes fushtirës dhe një mjegullnajë që shtrihej anë e përtej. Atë rrugë, me sa kisha dëgjuar, njerëzit tanë nuk e bënin natën, sepse thoshin se andej kishte shumë varre të shpërndarë tutje-tëhu, që nga koha e luftës së madhe, e Luftës së Taraboshit. Thoshin se ato varre natën hapeshin dhe të vdekurit ngriheshin për të vazhduar atë luftën e tyre, luftën që nuk e kishin përfunduar kurrë. Njerëzit thoshin se, po maje vesh, ende dëgjoheshin britmat, hingëllimat e kuajve dhe krismat e topave. Dikush thoshte se me sytë e tij e kishte parë Riza Pashën, hipur mbi një shkëmb, tek komandnonte ushtritë, i rrethuar nga malazezët që shtinin mbi të, të tmerruar që nuk e kapte asnjë plumb…

Në Ulqin kalova disa vite, i mbërthyer nga sëmundja e ëndrrave. Ngjitesha shpesh në kala dhe që andej shikoja detin, veçmas ditëve të vjeshtës e të dimrit, kur deti rënkonte përzieshëm. Dikur zbritja nga kalaja dhe i bija cep më cep plazhit të qytetit, ikja tëhu nëpër pishnajë, matanë malit të Pinjeshit, dhe përsëri kthehesha në kala. Një herë m’u bë sikur nga atje lart pashë një velore në mes të detit, që nuk shkonte askund, që kishte mbetur aty nga një kohë tjetër dhe tash sillej vërdallë, e braktisur, e harruar deri në dhembje. Edhe tash, pas kaq vitesh, kur mbyll sytë, sikur e shoh atë velore dhe ideja se ajo akoma është atje, më shkakton trazim, më bën të më sëmbojë diçka në kraharor.

Në Kosovë, në Prishtinë, për herë të parë erdha në shtatorin e vitit 1971 dhe natën e parë e kalova në një han, që gjendej në atë pjesë të qytetit që tash quhet Prishtina e Vjetër. Më kujtohet se hani gjendej buzë një përrocke me ujëra të zeza; pastaj më kujtohet se atë natë pronari i hanit e rrahu gruan e tij për shkak se ajo paskësh bërë diçka që nuk duhej ta bënte. Më kujtohet, gjithashtu, se gjatë vjeshtës që erdhi pastaj, në Prishtinë fryu shumë erë dhe se qielli kontinental mbi qytet ngjante me një pelerinë gri, me kindet që i tërhiqte era deri në fund të horizontit.

Së voni bëra dy udhëtime: njërin matanë Liqenit të Shkodrës për të parë nga matanë (nga “ana tjetër”) malet hijerënda dhe katundin tonë dhe, tjetrin, nëpër det, gjithashtu për të parë nga përtej atë botë kujtimesh që kishte filluar të zbehej. Nuk pashë gjë, sepse në atë pjesë të tokës ende bënte vjeshtë, ose dimër, dhe një qiell i përzieshëm e me re të dendura kishte zbritur mbi relief, dhe nga ajo largësi nuk më linte të shihja asgjë.

Nuk më erdhi keq, sepse ajo botë kujtimesh nuk kishte gjasë të ndryshonte edhe për shumë kohë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË