Botim i ri nga Ombra GVG, Përktheu nga origjinali Arjonela Qorri
PROLOG
A ju pëlqejnë librat aventureskë me udhëtime? Ah, unë dikur i adhuroja! I dini, ato romane ku personazhet përjetojnë aventura të rrezikshme që ta ngrijnë gjakun nëpër damarë dhe marrin pjesë në lloj-lloj përleshjesh. Udhëtojnë anembanë botës, luftojnë me krijesa të egra dhe armiq tinëzarë, rrëmbehen nga tajfune, i zënë tërmetet nën rrënoja të lashta e i sulmojnë përrenjtë e lavës që shpërthen nga vullkanet e tërbuara.
I kisha zili ata heronjtë për pamjet e jashtëzakonshme që shihnin – për drithërimën e dritës polare që shfaqej gjatë ekspeditave drejt polit të veriut, apo për Rrugën e Qumështit që ndriçonte qiellin e natës mbi shkretëtirën sahariane. Për njohjen e fiseve ekzotike indiane që përshkonin stepat amerikane, apo për takimet me popujt misteriozë të xhunglës së Amazonës.
Mendoja me vete: – Ah, ç’fat i keq të lindësh në Poloni! Tek ne nuk ndodh asgjë! As dritë polare, as tërmete të lehta, as edhe ndonjë tornado, qoftë edhe diçka fare e vogël! Gjithçka është kaq e mërzitshme, kaq e zakonshme, e sigurt. Kaq e civilizuar…
Mirë, në rregull… Është e vërtetë që ndonjëherë kanë ndodhur edhe tek ne gjëra të frikshme, emocionuese – për shembull sulme ujqërish apo arinjsh. Ka pasur edhe në historinë tonë ngjarje tronditëse – për shembull Lufta e Madhe, falë së cilës fituam pavarësinë. Por ka ndodhur kaq shumë kohë më parë! Më shumë se njëzet vjet!
Ia kisha shprehur dikur këto brenga mamasë. Ajo qeshi, pastaj më tha:
– Oh, më mirë lutu, e dashur, që mos të të duhet të jetosh në kohë interesante.
Iu ktheva duke i thënë se nuk do të dëshiroja asgjë më shumë! Dhe fati, mesa duket, vendosi të tallej me mua dhe ma plotësoi dëshirën. Ja ku i kam kohët interesante! Ato ma kthyen jetën përmbys dhe pastaj më morën me vete si një fletëz letre drejt anës tjetër të botës. Dhe e dini çfarë do t’ju them? Shumë shpejt u binda se katastrofat duken interesante vetëm atëherë kur nuk i përjeton vetë. Ndërsa aventurat që të ngrijnë gjakun më mirë të përjetohen vetëm brenda faqeve të një libri.
Si grabitet një tren
Shtrihem në shpinë dhe shikoj qiellin e lartë që po errësohet ngadalë. Kamomilët, të mëdhenj sa pjata, lëkunden sipër trupit tim. Po mirë, ndoshta jo sa pjata, e teprova. Por janë vërtet të mëdhenj. Më të mëdhenj se ata që mbaj mend nga livadhet prapa pyllit tonë.
Kur më në fund lulëzojnë për disa javë, lulet këtu janë të mëdha, me ngjyra, aq të përsosura saqë njeriu mbetet pa frymë nga bukuria. Të parat shtrohen qilimat me lule të buta anemona ngjyrë vjollcë. Menjëherë pas tyre çelin petalet e kuqe si gjaku të lulëkuqeve, pastaj yjet e bardhë të anemonave dhe kamomilët një metër të lartë. Pranë tyre dalin lulet blu të centaurëve, pendë argjendi të barërave, tamarisqet me pupla rozë, kurse tulipanët e egër në formë kupash të verdha dhe portokalli lëkunden mbi grumbujt e luleve të harresës, tragankave të purpurta dhe qindra luleve të tjera shumëngjyrëshe që as nuk ua kam mësuar ende emrin. Në mesin e tyre rriten me shpejtësi topthat e dendur të shkurreve që vendasit i quajnë pierepoli. Aty banojnë xixëllonjat. Në mbrëmje, kur dielli fshihet pas horizontit, ato ngrihen nga degët si stuhi që rrotullohet në ajër me shkëndija të arta.
Livadhet e pafundme me lule valëzojnë si oqean dhe kanë një aromë që të vërtitet në kokë, të huton, të deh. Por vetëm për një kohë të shkurtër, sepse pranvera, vera dhe vjeshta zgjasin gjithsej katër muaj.
Këtu gjithçka është më e madhe, gjithçka është MË SHUMË se tek ne. Vera më e nxehtë, dimrat më të ashpër. Vapë e tillë që mezi merr frymë, dhe dëborë e ngrica të paimagjinueshme. Dielli përvëlon më fort, yjet në qiellin e natës vezullojnë aq shumë, saqë mund të lexosh edhe pa kandil. Era dimërore e tërbuar të shpon lëkurën me miliona gjilpëra të akullta, dhe në verë të godet në fytyrë me rërë të nxehtë. Toka është më e sheshtë, dhe peizazhi shtrihet deri në asgjë, është i pafund. Këtu çdo gjë është largësi e pamat, pafundësi e gjallë.
Njerëzit këtu bëhen shpejt më të fortë, më të ashpër, shpesh edhe më mizorë.
Edhe unë jam bërë ndryshe. Më e hekurt. Më e fuqishme. Më e ashpër.
Të paktën këtë ia përsëris vetes.
– Tonka, mos fli! Është duke ardhur! – dëgjohet zëri i gjyshit Danilo, i fshehur mes kamomilëve që kam afër.
– Nuk po fle, – i përgjigjem.
Kthehem barkas, pastaj me kujdes largoj barin dhe shikoj në drejtim të shinave. Me të vërtetë, gjarpri i gjatë i vagonëve të hapur, i tërhequr me mundim nga një lokomotivë dhe i shtyrë nga një tjetër, ngjitet ngadalë në kodër. Vend i përkryer për pritën tonë. Makinistët duhet ta shpejtojnë pak trenin që të ngjitet lehtë në shpat, por kanë shumë pak kohë, sapo kanë dalë nga stacioni. Ngrihem.
– Prit, moj e marrë! – pëshpërit gjyshi.
– E di, ore e di. – Rrotulloj sytë. – Sikur po më shohin mua.
– Mundet.
– Po, po. S’kanë ç’të shohin tjetër veç shkurreve. Edhe po të na hidhnin një sy, nuk do të na dallonin nëpër këto kaçube.
Ngre torbën time anushkë dhe e kaloj rripin rreth qafës. Një torbë e fortë prej brezenti dhe pëlhure. Zonja Sobolska ma qepi disa ditë më parë, dhe jo me dorë, por me makinë! E bëri me qepje të dyfishtë, aq të fortë sa që do duronte edhe goditjet e një çekiçi! Më vjen pak keq për të – për torbën, kuptohet – por s’kam çfarë t’i bëj. Ndoshta do ta pastroj më vonë.
Duhet t’ju ketë rënë në sy fjala anushkë, apo jo? Vjen nga “a nuż” – që do të thotë “mos ndoshta…”. E dini – ndoshta gjej ndonjë gjë! Njeriu i kujdesshëm është gjithmonë i sigurt. Vetëm para dy ditësh gjeta dy kanaçe ushtarake afër shinave, ato drejtkëndëshet e larta. Të reja fare! Pa asnjë pikë ndryshku! Njërën e mbajta për vete, ndërsa tjetrën e bëra kandil dhe e këmbeva për dy patate.
Ah, po prit një çast! Po flas prapë për kandilin, por ju ndoshta nuk e dini për çfarë bëhet fjalë! Kopçiuka, që do të thotë tym, është një lloj drite e improvizuar. Për ta bërë, duhet një enë e vogël – si për shembull një shishe ilaçesh, një kanoçe, një kavanoz i vogël… edhe një pjatëz mund të mjaftojë. Brenda fusim naftë ose benzinë që e marrim nga ndonjë traktor, ndonjë vaj tjetër, ose kur nuk kemi asnjë nga këto, dhjamë që marrim nga disa lloje gjallesash si p.sh. delet. Fusim aty brenda një copë leckë, në rastin më të mirë, të përdredhur si fitil. Pasi ndizet e të jep një dritë të zbehtë për natën.
Kopçiuka bën pak dritë – shumë më pak se qiriu – dhe, siç duket edhe nga emri, nxjerr shumë tym. Por në errësirë është më mirë sesa hiçasgjë.
Lokomotiva kalon ngadalë, duke psherëtirë, duke fishkëllyer, dhe duke nxjerrë re tymi gri. Numërojmë dhjetë vagonë dhe pastaj lëvizim. Hapat i kemi gati me trenin në lëvizje. Gjysh Danilo, që për moshën që ka është shumë i shkathët, më ndihmon të hipi. Mbahem te buza e vagonit dhe – hopa! – kërcej në grumbullin e qymyrit.
Përkulem dhe filloj të mbledh copat më të mëdha. Jo përnjëherësh dhe jo shumë shpejt. Dy copa i hedh jashtë vagonit, kurse njërën e fus brenda torbës që kam me vete. Dy jashtë, një për vete. Lokomotiva fishkëllen dhe tërheq vagonët me një tronditje. Lëkundem, por nuk rrëzohem. Tani jam bërë mjeshtre.
Me gjysh Danilon kemi formuar “bandën” tonë që në dimër, rreth tre muaj më parë, dhe kemi bërë të paktën dhjetë sulme – sepse tani është plotësisht verë dhe gati po hyjmë në korrik. Sulme, apo më mirë grabitje?
Treni shpejton, lokomotiva dhe vagonët e parë tashmë e kanë kaluar kodrën.
– Tonka! Tonka! – thërret gjyshi.
– Po vij, po vij!
Hedh edhe disa copa të fundit, ngjitem në buzën e vagonit dhe kërcej lehtazi te bari përreth. Të përkulur, largohemi nga shinat dhe fshihemi mes kamomilëve.
– Mjaftojnë? – e pyes.
– Patjetër.
– Nuk do i vënë re?
– Jo, jo. I fsheha në kawyle.
Kawyle janë ato barërat e larta prej argjendi – kështu u thonë vendasit. Gjysh Danilo, duke ecur paralel me trenin, i ka futur copat e qymyrit që i hidhja unë në mes të barërave, që njerëzit nga brenda lokomotivës së dytë të mos i vënë re anash shinave. Përndryshe do e kuptonin që dikush po ua merr dhe pastaj do vendosnin prapë ushtarë për mbrojtje, siç patën bërë në nëntor e dhjetor.
Shtrihem përsëri në shpinë dhe vështroj qiellin. Bluja tashmë po kthehet në portokalli flakërues. Duhet të ketë kaluar ora nëntë.
Kur treni largohet më në fund, dalim nga vendi ku jemi fshehur. Gjyshi mbledh copat e qymyrit dhe i fut në një thes.
– Do bëhen shtatë kile, pa diskutim – thotë i kënaqur, pastaj lidh thesin me një nyjë, vë në baraspeshë dy anët e tij dhe e hedh mbi shpatulla. Gjysma i bie në shpinë, tjetra i varet para trupit.
Nuk më pyet sa mora për vete, sepse kjo nuk ka rëndësi. E para, ngaqë ky është fitimi im nga aksioni. E dyta, unë jam vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Nuk mund të mbaja më shumë se dy ose tre kile në torbë ndryshe s’do kisha mundur të kërceja nga vagoni. Edhe kështu më rëndon torba – rripi prej brezenti më gërvisht keqas krahun.
Ngadalë kthehemi në Szachowski. Mundohem të pastroj pluhurin e qymyrit nga fundi, por e kotë. Duket sikur kam punuar në ndonjë oxhak! Dhe këtë fund zonja Mishinjska sapo ma kishte larë.


