KreuLetërsiBibliotekëKonstandin Dhamo: Kadare dhe poezi të tjera

Konstandin Dhamo: Kadare dhe poezi të tjera

KADARE

Ka ardhur vjeshta në Tiranë,
Siç vjen ngaher’ gjith‘ klas e nostalgji;
Lejlekët ikën Kadare, ca re puplore
Imazh’ i tyre janë, lënë si kujtim…

Në trotuarin e praruar tej nga gjethet,
Që duken sikur s’ranë nga drurët, por nga hëna,
Sërish më shfaqesh me jakën ngritur lart,
Tek ecën në vetëmimin e krijimit…

Eh, Kadare, veçse duke ecur
N’udhën që s’mbaron të ndërmend ;
Zëri yt vibrant në botë,
Prej energjisë që s’shteroi t’u përndez !

Gjirokastra,Tirana, Parisi më pas,
Mall janë e dashuri, trazim e drit‘ !
E gjatë jeta, marramendshëm e gjatë ,
Dhe, mizorisht e shkurtër sa pasthirrma ah !

Vjeshta tiranase, klas e nostalgji,
Si e lirikave që shkrove ti ;
Me jakën ngritur lart përshkon udhën,
Të gjallëve s’u ndahen kurrë gjenitë !

2024

KADRI ROSHI

N’oborrin e Teatrit Kombëtar,
Kadri Roshi, mbështetur te bërrylat
Monumentalisht ulur qendronte,
Teksa pinte ngapak raki,
Duke ngjyer herë – herë gishtin tregues
Me piper speci djegës
Që t’i ndesheshin në fyt
Dy xixëllima !

Në moshë të shtyrë tashmë
I ndërmendet e s’i shuhet përfytyrimi
I Ali Pashë Tepelenës,
Sundimtarit,
Ashtu me atë mjekrën e kreshpëruar
Dhe taxhin bektashian në kokë ;
Në trup fustanella dhe jeleku fijear.
Pisqollat tinëzare në brez…

Eh, Kadri Roshi
Ikona rrezatuese e aktrimit
Dëshironte të luante
Ali Pashanë
Madhështorin e pafriguar ;

Mjeshtërisht ta luante,
Aqsa publiku,përnjëmend,
Të besonte se, ishte ngjallur
Mrekullisht
Pashai
I vëerteti !

Ah, piperi djegës i kuq zjarr,
Djegësja raki, ah !
Si ta përshkënditnin fytin,
Tek ndesheshin,
Mendjen,tek trazoheshin ,
Si ta përndiznin !
Kadri Roshi, sovran dhe ai,
Në skenë ,
Kish nevojë për Ali Pashanë,
Që të shmangte boshësinë e pleqërisë,
Squlljen që s‘e honepste ta shmangte
Dhe…
Zbritjen nga skena !

Do t’ia rrëmbente të paepurit
Bubullimat e zërit,
Dritën zhbiruese të syrit,
Urdhrat e thiktë,
Energjinë vullkanike …
Oh patjetër
Do të alipashëzohej !

2001

VIDEO VIRALE

Një korb si i Edgar Poe – së
Dergjet i ngordhur,më falni, i vdekur
Përtokë,
Me këmbët mbledhur mbi bark
Dhe kryet futur nën pupla…

Por, shihni !
Një korb i zi ende i gjallë
Nga qielli zbret
Dhe i vjen pranë.
Përmbys kthehet dhe ai
E s’krrokat,
Tek mban një minutë heshtje,
Vdekjen
Duke simuluar
Me kurajë !

Ç’homazh sublim !
Veç ta dish, o korb jetëgjatë
Se, askush nga ne, njerëzit,
Qeniet me intelekt të lartë
Nuk do të guxonte,
Nuk do të denjonte, madje
Të përvetësonte
Ritualin tënd …

2014

NË MUZEUN E LUFTES

N’oborrin me armët trofe
Të këtij muzeu të Luftës
Fëmijët me përparëse të bardha,
T’ardhur nga kopshti,
Si kalë e kanë shaluar
Tytën e stërgjatë të një topi
Dhe, luajnë e brohorasin .

Nënqesh dhe them :
E tmerrshme duhet të ketë qenë
Kjo armë e artilerisë së rëndë,
Kur e shpikën për të gjunjëzuar
Popujt.
Sepse, çdo luftë ka pasur
Një armë – gogol të sajën …

Por luftuan popujt e shtypur
Dhe, n’armë demode
Çdo armë – gogol kthyen.

M’u ndërmend një kromikë televizive,
Që njoftonte lëshimin n’ujë
Të një nëndetëseje të re atomike
Me emrin trazues skandaloz
Jezu Krisht në bord !

Protestoi rreptësisht Vatikani;
Protesta e tij ra si mallkim :
Ç’është ky emër që i vutë
Një përbindëshi shfarosës !?
Jezu Krishti kurrë s’proklamoi
Një program ushtarako – politik…

Enola Gay,Enola Gay…
Pa ngurruar,
Madje me krenari,
A s’i vuri piloti emrin e mamasë së tij
Avionit që hodhi mbi kokat e njerëzve
Bonbën atomike në Hiroshima ?

Por po ndjek kalamajtë
Që zbardhëllejnë si pëllumba;
Kanë shaluar armën – gogol ata,
Armën tashmë të demoduar
Dhe brohorasin dhe luajnë…

1980

KRONOLOGJI E JETËS SË NAIM FRASHËRIT

Lindi në Frashër
Më 1846.
Binjaku i tij vdiq ,
Naimi sigurisht jetoi…
Më 1855
Merr mësime nga hoxha i fshatit,
Sëmuret nga tuberkolozi
Më 1861.

Më 1874
Drejtor dogane bëhet në Sarandë ;
Punët, thuhet, i shkonin mbarë…!

Më 1878
Tronditet nga vendimet
E Kongresit famëkeq të Berlinit;
Tronditje poeti misionar,
Që iu shndërrua në revoltë.

Boton menjëherë
Gramatikën e Gjuhës Shqipe
Poemën monumentale
Historia e Skënderbeut,
Fjalët e Qiririt që ndriste e digjej !
Bënte kohën shqiptare
Naimi,
Fenomen i saj ishte ai;
O, harrova t’ju them:
Vdiq
Më
1900…

1986

NJË PEMË

Çdo herë në Gjirokastër shoh
Rrapin monumental,
Ku hitlerianët Bulen varën dhe Persefonin .
Eshtë rritur rrapi tashmë dhe majën
Retë dhe rrufetë ia përshkojnë.

Një trekëmbësh mund të kishin gjetur,
Që do të ishte zhdukur gjithsesi….
Por gabuan të vdekshmit,
Përdorën këtë pemë,
Që çel pranverave.
Siç do të çelnin heroinat e reja .
Prek degët e njoma dhe tronditem;
Më duket sikur prek Bulen,
Sikur prek Persefonin !

1973

PËLLUMBAT FLUTUROJNË MBI HIROSHIMA

Mbi Hiroshima fluturojnë sërish pëllumba
Të vërtetë ,
Në një qiell që shkëlqen nga dielli,
Jo nga rrezatimet radioaktive.
Koreografia e tyre e bardhë për paqen
Ndiqet mes brohoritjesh
Këtu, në tokën që u saharizua
Dhe jetës, si në Zanafillën Biblike
Iu desh të nisë nga e para…

Po ku është avioni me emër nëne në bord,
Avioni Enola Gay që hodhi bombën
Mbi kokat e njerëzve,
Duke filluar Epokën Atomike ?

Të gjithëve u përhitet në sy ai, avion,
Por sakaq
Tutje mbi një piedestal të lartë
Shiheni monumentin e gogolit atomik,
Goxillën gojëzjarr !
Ç’thoni për këtë shprehje artistike të tmerrit,
Ç’mendoni tashmë , që po bëhet art me atomin;
U përul përfundimisht njeriu para tij,
Apo përfundimisht e mposhti ?

1995

MËSIM FËMIJËSH

Djali mbi libër
Tërësisht përqëndrohet
Të mësojë kaq gjë:
Zogu këndon
Peshku noton
Qingji lodron.

Mësim fëmijësh
Me naivitet prekës,
Por, sa m’e komplikuar
Është jeta !
Raca idiote njerëzore
Mburret
Tek kërcënon vetveten
Me shfarosjen atomike !

Herë pas here
Ah, sikur t’i ktheheshim
Mësimit shërues
Zogu këndon
Peshku noton

Qingji lodron…

1986

PËRRALLËTARI ANDERSEN

Hans Christian Andersen
Vdiq,pasi ra nga krevati,
Kur ishte shtatëdhjetë vjeç.

Bashkëkohësit e tij,kjo nekrologji
Pa mend i la,
Për më tepër, kur mësuan se…
Prej rënies nga krevati
Vdiskësh
Një në tre milionë vetë…

Përrallëtari i Madh Hans
Veçse çuditshëm mund të vdiste ;
Si episodet e përrallave të tij
Vdekjen duhet ta kishte…

Ah,dhe në xhep ngaher’Anderseni mbante
Një pusullë të vogël,ku kish shkruar,
Ashtu shqetësueshëm me ndonjë gabim
Ortografik,
Siç i shkruante i përpirë nga frymëzimi
Rreshtat e rrjedhshëm të përrallave :

Kujdes, nuk kam vdekur !

Ua kujtonte atyre që do t’ia gjenin në xhep,
Ndoshta kur ta pikasnin përhumbur n’amshimin
E përrallave të tij,
Në shoqëri t’ëmbël me Rosakun,
Që zbukurohej tek rritej,
Njëherësh me Princeshën mbi Bizelen
Dhe, atë Vogëlushin trimosh dhe çapkën,
Që briti mes turmës servile dhe frikacake :

Mbreti është lakuriq…

Ajo pusulla e vogël,
Ashtu,me ndonjë gabim drejtshkrimor
Vlente
Edhe pasi Përrallëtari i Madh
U rrokullis nga krevati…

Kujdes, nuk kam vdekur…

2000

SI HYN NGANJËHERË
NË HISTORI

Arkivolin e Balzakut
Drejt Per – Lashezit
E mbajti
Viktor Hygo
Aleksandër Dyma
Sent Bëvi
Dhe ,ministri Barosh
Që hyri në histori
Vetëm e vetëm
Sepse vuri
Një dorë në cep të arkivolit.

1992

ARAKATAKA

Sa komik ky emër, sa tragjik,
Por nuk mund të quhej ndryshe kurrsesi
Vendlindja e Gabriel Garsia Markezit.
Arakataka – arakataka,
Onomatope e zhurmave të një karroje,
Që ec e ngec rakatak kalldrëmeve ,
Arakataka bën , kur hapet e mbyllet
Edhe një portë me mentesha të ndryshkura.
Por , edhe kur pyesin , fjala vjen
Si punon qeveria ?
Kuptueshëm për këdo në botë mund të përgjigjesh:
Arakataka…
Siç do të thoshe , edhe shatra – patra…
Eh, i nderuar Markez,
Bota jonë
E ku nuk është arakataka ?

1992

KEPUCËT E LENINIT

Monumentin e Leninit
Të përuruar bujshëm pas Luftës,
Thuajse ilegalisht po e çmontojnë natën,
Jo për ta futur në Galerinë e Arteve,
As për ta ringritur në një tjetër shesh ,
Por për ta hedhur të shpërbërë
Jashtë s’ardhmes….

Si t’ishte objektiv për t’u qëlluar,
Ashpërsisht prozhektorët e zbulojnë.
E trand vinçi Leninin, e shkëput
N’ ajër e lëkund si marionetë,
Apo si një pendule ore,
Që kohë s’tregon më…

Pa shihini këpucët që ndahen nga
trupi
Dhe mbesin mbi piedestal!
A thua , në Shqipëri , përsëri ,
Do t’i mbathë ndokush , vallë ?

1991

LIRIA

Monumentet e diktatorëve popujt i rrëzojnë vetë,
Vetë përsëri disa kërkojnë t’i ringrejnë.
Janë të paaftët e rrezikshëm ,
Që i çorodit liria, s’dinë ç’ta bëjnë.

Rrugës enden nervozë dhe kërcënues ;
Dikë duan patjetër mbi krye ta kenë,
Emrin t’ia përmendin në shtëpi, të mburren me të,
Për vete të jenë skllevër dëshirojnë përjetë.

Duan dikë t’u diktojë qethjen dhe veshjen,
Si bëhet pikturë t’u thonë, si shkruhet poezi;
Radhëve të gjata t’u kthehen duan
Triskave të bukës , recetës për dashuri.

Këta që frikshëm pushtetin adhurojnë.
Veç të dhunuar ndihen mirë.
Çdo ditë i këndohet lirisë, gjith‘ entuziazëm,
Po kush ka besuar se, e duan të gjithë ?

1993

EKSPOZITË

Furra të shuara dhe të shembura
Si kratere vullkanesh të vdekur;
Xhama të thyer mprehtësisht gjer lart,
Që të shqetësojnë
Si të ishin thyer vetë qiejt…
Kjo uzinë e braktisur hesht, por sot
Aty një ekspozitë arti është hapur…

Çapiten vizitorët mbi zhurin e truallit;
Vëmendshëm si nxënësit në shkollë vështrojnë
Pikturat me ngjyrat e ngjeshura nervozisht,
Varuar mbi muret me suva të prishur…
Pastaj portretet me asimetri tragjike ,
Modeluar në baltë me mollëzat e dridhshme
Të gishtave ;
Më pas diademat pa diamante
Flamurin e një supershteti më tutje
Krekosur në bishtin e një fshese të madhe ,
Pemët e shkulura , hedhur mbi shkrumb.
Dhe oturakët e azilit të pleqve
Mbushur me lule…

Por shih!
Shkëputet një vizitor
Për të pshurrur te rrënojat , në fund të repartit.
Të tjerët e ndjekin me interes,
Që të shijojnë performancën e tij të beftë.

Ah, ç’zgjidhje e hollë
E kuratorit ….

1995

PRANVERA E VIOLINAVE TË VIVALDIT

Hej,Vivaldi Vivaldi,
Ikonë e stinëve !
Pentagrami yt trillan
Harbon violinat !

Përndezje të ethshme,
Magji krijuese ;
Harqet e përshkënditur mbi telat
Flu flu flu,
Flutura janë,bletë
Dhe, erë pjalmuese…

Ç’muzikë entuziaste
Ringjall natyrën !
Shkrihen akujt dhe dëborat,
Lumenjtë vërshojnë
E toka ngrohet të çelë lulet
Siç ngrohet veza
Kur çel zogun !

Oh, i shoh, i shoh i frymëzuar
Përshkuar i tëri tejpërtej
Nga rezonanca zotëruese
E violinave !

Vivaldi
Vivaldi
Q’u marramende gjithë jetën
Udhëve ujore që valëvitnin,
N’ëndërrim të vezulluar
Pasqyrimet e Venecias,
Qytetit shtet perandorak,
Ku dashurohej dhe bëhej art…

Si në ditët me dritë të Zanafillës
Pranvera e Vivaldit !
Hapen lulet e bardha dhe të kuqet,
Të kaltrat hapen,të verdhat, të manushaqtat …
Shtyhen retë dhe rrokullisen,
Hollohen mjegullat,
Vetëtimat qiellin
Si qelq krisin…

Vivaldi
Vivaldi

Ekzaltohen violinat e pranverës,
Tek ngjyrosin sensualisht
Peizazhin si mozaik regëtitës ;
Oh,violinat sakaq
Dhe vetë shpirtëzohen !

Mes lulesh dhe ujërash që derdhen,
Dhe rrezeve të diellit
Që shqyhet gazit,
Apofenia e Venusit të dashurisë
Shfaqet…

Ç‘dëshmi amshimi
Pranvera e Vivaldit !

Viva Vivaldi !

1999

PERGJIGJE NE KOHE EZRA PAUNDIT

Vërtet besoje Ezra Paund se, duke mbushur gotat me uiski si
barmen me përvojë ; duke ndenjur llërëpërveshur dhe i fryrë si gjel
pas banakut , ndyrë duke sharë, shaka pa kripë duke këputur, me të madhe duke qeshur gjithë ditën, tundjen e bythëve të prostitutave të
pudrosura, të ndiqje me sy prej horri, kur ato, bujaret , në bar gjoja
rastësisht të hynin, apo duke shembur tryezat me grusht si kaubojtë, do të mund të shpëtoje njëherë e mirë nga ethet letrare , truri yt , do të prehej më në fund, si të gjithë , gjumë të qetë do të bëje?
Edhe sikur seriozisht mish të shisje në treg , më dysh atë ta ndaje me një të rënë , edhe sikur të harroheshe ishujve polinezianë,Alaskës së bardhë po të lëshoheshe, përsëri s’do të mund të shpëtoje…
Kishte hyrë krimbi sakaq dhe, brente .Ai del vetëm kur
bëhet flutur, vetëm atëherë ai fluturon , siç fluturojnë shpirtrat
EZRA
PAUND…

1993

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË