More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kam lindur në brigjet homerike", cikël poetik nga Rudolf Marku

    “Kam lindur në brigjet homerike”, cikël poetik nga Rudolf Marku

    SAPA, HESHTJA…

    Eci përmes heshtjes së qëndrueshme të Sapës,
    Në përvlimet e zhegut, mes fushave që ia kthejnë kurrizin vetë maleve;
    Rrrathët e ankthit nuk flasin me za,
    Dhe as Zotat e lashtë,
    Shoh gratë me flokët si në gravurat meksikane
    Të qytetërimit Maya dhe Aztec. Stuhitë e pafré bien në kanale
    Si qent e zbutun që u fshehen kujave të ujqërve;
    Heshtja ka lind para ditëve të krijimit,
    Përpara shkundullimeve polifonike të rrufeve,
    Para daulleve oratorike që duan të trembin ca fantazma brenda nesh,
    Përpara se bota të shpallej me britma të dhëmbshme ekzistencash.
    Gjëmimeve të moteve në Sapë askush s’ia vuni veshin;
    Heshtja i bani gratë dhe ma të bukura se ç’janë , dhe burrat
    Me heshtje përbuzin dëshprimin dhe vdekjen.

    Në Sapë heshtja kacavirret e pa vënë re nga askush,
    Në lartësi qiellore, ku as avionët modern nuk arrijnë, dhe as raketat.
    Burrat flasin me heshtjen larg kësaj Toke;
    Thonë lutje nën za, me një shpirtní si tymtajë
    Që sapo ka lanë, pa u vu re nga askush, zjarrin e ndezun në votër!

    Jam kthy pas shumë vitesh në Sapë. Askush nuk më njeh,
    Sepse njohja asht zhurmë dhe vorbull shurdhuese; Shpirtat drithëmues
    Të atyne që kanë vdekë
    Ma tregojnë kohën prej thellësi guvash
    Nga një orë diellore e moçme!

    2023


    TRISHTIMI

    Është e kotë të shohësh kalendarët,
    Është e kotë t’i kërkosh bileten e avionit a të trenit të shpejt,
    Askush nuk e di nga vjen-e marr me mend se ka ardh nga larg,
    Nga pesëmijë vite larg,
    Vjen i përpikt, i parashikuar nga orakujt lart.
    Më thërret me emër si një mik të vjetër,
    Më siguron se jemi miq të njohur në një jetë tjetër,
    Se fëmijë kemi lozur bashkë. Edhe mua më kujtohet turbullt fëtyra e tij;
    E mbuluar si nga një maskë e ishujve të Pelonezisë
    Ecim rrugëve të Tiranës, në Skenderbeg Square,
    Grataqielët modern ka kohë që janë ngritë në eter;
    Trishtimi këtu është i sigurt, si të thuash, në shtëpinë e vet.
    Përpiqem t’i largohem me takt,

    Më duhet të largohem se dikush më pret, më fal,
    Dhe largohem pa kthyer kokën sado pak;
    Por ai ka mbërritë në shtëpinë time para meje,
    Dhe është ulur në dhomën me libra përplot, dhe më pret
    Madje më fton të ulem pa asnjë siklet,
    Dhe e kuptoj se jam unë mysafiri i tij,
    Mysafir në pallatin presidencial të Trishtimit,

    Atje ku rojet e rreptë kontrollojnë
    butonat e teknologjisë më të fundit të Harrimit.

    2023


    ULURIMË UJQËRISH

    Ti më shkruan se jeni ngjitur me burrin tënd në male,
    Dhe keni ndezur zjarr për të trembur ujqërit që ulurijnë,
    Ti vetë nuk është se trembesh nga ujqërit e vetmuar,
    As atëherë kur mes ulurimave të ujqërve të shfaqet profili im

    Dhe vetë kalimtarët sot, në Kings Road të Chelsea-t,
    Dëgjojnë po atë ulërimë ujku që shumë vetë e marin si alarm,
    Dy gra të bukura në turmë më hedhin një vështrim gjithë mirëkuptim,
    Ëndërrojnë, mijëra kilometra larg, për majat e maleve në Ballkan.

    Chelsea, Korrik 2023


    NJË NATË

    Të jesh në Londër, buzë Lumit Thames, pa kohë, pa hapsirë-
    Duke ecur në një hap me rrjedhën e ujrave pa ndalesë
    Dhe të gjëndesh në rrugicat e Korçës,
    Në kërkimin e një shtëpie pa emër rruge, pa numër shtëpie pa adresë,

    E prapë them se duhet të jeshë mes ikonave mesjetare,
    Pikturuar nga murgjërit bizantinë që nuk shënuan as emrat e tyre.
    Mes engjëjve të trishtuar duhet të jesh;
    E nuk më lejohet as emërin tënd ta them;
    Gjithmonë vjen një kohë që emërat tanë është më mirë me i tretë.

    Duhet të jetë një kopësht me ngjyren e trëndafilave të kuq të ikonave në Mesjetë,
    Mes murgjërve asketikë të kohës Bizantine,
    Adhurues të largët, por jo të tunduar, të sharmit tënd,
    Dhe mua më duhet të mësoj mjeshtërinë e vetëpërmbajtjes së murgjërve të mënçur,
    Në kohën tonë të ngutjeve moderne;
    Mes engjëve të trishtuar duhet të jeshë.
    Pa kohë, pa hapësirë. Dashuria për ty ka lindur diku në qiej,
    Mes murgjërve, mes engjëve që ma kuptojnë trishtimin tim
    Një shtëpi pa adresë që ndoshta kot përpiqem me e gjetë,
    Mes engjëjve që më thonë se dashuria është diku larg, vetë një yll, në Univers.

    Maj, 2023, Korçë.


    ISHTE A NUK ISHTE TETOR…

    Ishte a nuk ishte Tetor?
    Plazhistët kishin ikur pa u parë
    Në planetet e panjohur e të largët;

    Ishim si dy njerëzit e parë.
    Qielli ngjante si një mëkat i madh,
    Edhe pse nuk kishte asnjë pemë-molle pranë.

    U çveshëm -pa rroba në trup, pa turp, në ranë
    Dhe u shtrimë mbi njëri-tjetrin si alarm
    Vetë Deti nxitonte të na vinte pranë.

    Malet na rrinin përreth si kunorë
    E dinim-ne ishim padyshim mbretëror,
    Pa rroba mbretërish, pa skeptër,oborrtarë

    Veç kujtesa e largët na sillej vërdallë
    O ditë vjeshte, me një diell si shegë e vdarë,
    Që hidhte ngjyrë gjak-epshi mbi trupat tanë

    Dita ishe seks, puthje dhe mallë,
    Zemra e Detit shpërdante një trishtim valë-valë
    Veç për një burrë e një grua në këtë botë të pa-anë!

    Do na njihnin, në qytete, sapo t’kthenim prapë,
    Nga kokrrizat e ranës që do shkundeshin ngadalë
    Prej trupave tanë, një terror i gjallë,
    Do qemë për Qytetet që det s’kishin parë!

    Shengjin, Rana e Hedhun, Vjeshtë e Vonë, 2023


    KAM LINDUR NË BRIGJET HOMERIKE

    Kam lindur në brigjet e Detrave Homerikë
    Fëmijë loznim me kafkat e ushtarëve grekë, romakë
    Që i gjenim mes mureve të gurëve ciklopikë
    Poshtë mureve të Kalasë
    Dhe kujtesa jonë ishte një udhëtim i largët,
    Në dhëmbjet pa spjegim që shfaqej në muzgjet e ndezura flakë.

    Nënat tona lindnin fëmijë të shëndetshëm pa njohur gjenetikën,
    Pa na mësuar askush, notonim në rrrymat e fuqishme të Lumenjëve
    Në shoqërinë e gjarpërinjëve të ujit, të lundërzave, breshkave të mëdha ujore,troftave dhe ngjalave,
    Dhjetë vjeçarë, shihnim filma të ndaluar me seks, krim dhe dhunë,
    Dhe ktheheshim në shtëpi të përpiktë në mesnatë,
    Më të mirësjellshëm dhe më të mire se kurr.
    Baballarët me ballin e rrudhur dhe duart tërë plasa
    Na thonin të loznim me qent e vegjël të sapo lindur, i nxirrnim në rrugë
    Duke ia mësuar ligjet e mbijetesës mes njerëzve,
    Shmangien e makinave, biçikletave, karrocave, fshehjen nga Policët
    Armiq të qenëve të rrugëve, maceve dhe lypsarëve zhel e mel.

    Sokol Luli na jepte këlyshë ujqërish që t’i rritnim- dhe na thoshte si sekret.
    Se ujqërit janë ëngjëj në krahasim me shumë njerëz.

    Kurse tani ata vijnë me avionë modernë me çanta të mëdha me libra psikoanalistësh
    Na thonë se fëminija jonë ishte e gabuar plot urrejtje dhe dhunë,
    Na thonë se na duhet të harrojmë, të harrojmë, të harrojmë
    Që të mund të bëhëmi qytetarë të nderuar të qytëtërimit të vonë,
    Ndersa shpikësit e tyre më të fundit hedhin bombat
    Mbi fëmijët që loznin si ne dikur buzë lumenjëve, me qen dhe ujq.

    Dhe kush do t’u jap atyre përgjigje
    Tani që kafkat e baballarëve tanë ka kohë
    Janë përzier me kafkat e ushtarëve të lashtë grekë e romakë
    Poshtë gurëve të lashtë ciklopikë, në heshtjen e tyre solemne dhe të zymtë?

    Janar, 2024


    MARRËVESHJE

    …Dhe si t’i bëj bashkë
    Yjet që ndriçojnë në qiej të largët
    Dhe shpirtin që e humb qetësinë ?

    Flokët e një gruaje pranë, shpurpurishur në erë,
    Antena që kapin sinjalet qiellore,
    Të sjellin ty në shtratin tim!

    Janar, 2024


    ISHIM GJASHTËMBËDHJETË VJEÇARË

    Ishim gjashtëmbëdhjetë vjeçarë
    Të dy të ndronjtur. Takoheshim në muzg,
    Ndonjëherë shtëngonim duart me njëri-tjetrin
    Edhe pse e dinim se nuk ishte e mjaftë.

    Shikonim nga njëri-tjetri, kush do ta bëntë hapin e parë?
    Oh, ndjenim peshë e yjeve që na vështronin me ngulm,
    Na pëshpërisnin në vesh: Bëhuni guxmimtarë,
    Jeni bërë për njëri tjetrin o të marrë!

    Ishte koha kur anijet kozmike nuk kishin shkuar në qiej,
    Dhe s’kishte as kompjuter, as tek- fb- tiktok-celularë,
    Prisnim prapë mbrëmjen të shtërngonim duart bashkë,
    Pa e ditur sa i bukur qe ky naivitet- injorancë

    Për t’i çmuar më vonë gjërat e thjeshta si t’ishin margaritarë!


    GURËT

    Që fëmijë mësova të dëshifroj zërat që vinin nga gurët,
    Zëra prej basi, të thellë e të rëndë,
    Hulli sonore që shkundëllijnë si një kujë a vaj,
    Tashmë di të shfletoj gurët si fletët e një Fjalori,
    Për t’u siguruar për kuptimin e fjalëve që s’i dija më parë.

    Një ndertesë prej guri është një bibliotekë e ndërlikuar me hieroglife
    Që kurr nuk do digjet si Biblioteka e Aleksandrisë ;
    Kështjella e qytetit tim më mësoi kuptimin e alfabeteve të përgjakur,
    Ndersa ai guri petashuq me të cilin loznim në rrugë të madhe
    Na besonte sekretin e trishtimit të dashurisë së parë.

    Kur më shihni tek mbaj mbi supet një shkëmb,
    Në rrugët e qyteteve modern me rrugët pa gurë,
    Ju e kuptoni se mbaj peshën e pengut të dashurive të humbura,
    Që nuk kthehen më kurr!

    Janar, 2024


    TË SHKOSH NË NEW YORK PËR NJË NATË

    Është Atlantiku në mes-Vasko de Gamba-s dhe Kolombus,
    Atëherë ishte më e lehtë- askush nuk të merrte në intervistë
    Pse do shkelësh në US, kush të pret,
    A ke marr pjesë në aktivitete terroriste, a ke ndërmend
    Të shpikësh bombë atomike, a të shesësh drogë kolombiane
    A mos ke ndonjë antipati, për shkelqesinë e tij, zotin President?
    Të pyesin si rastësisht nëse je racist a antisemit.
    …Dhe asnjë pyetje për ty, për flokët e verdhë, a për emrin tënd,
    Për gjoksin tënd më shpërthyes se çdo atomic bomb,
    Asnjë pyetje për seksin tënd- më joshës se Statue of Liberty
    Vazhdojnë të më pyesin se ç’mendoj për gender Equality…
    Më vjen keq se nuk mund t’u them se kemi ardhur nga larg
    Veç që të kalojmë një natë bashkë,
    ashtu si 50 vite më parë,
    Ti nga Kalifornia dhe unë nga Europa kurvë- plakë
    Rënkimet e tua do të dëgjohen deri në Shtëpinë e Bardhë,
    Der në Pentagon dhe në Head Quarter të CIA-s,
    Dhe se bursa parashikohet të ngjitet lart
    si seksi im që u ngjit në qiej këtë natë,
    Për të eksploruar të fshehtat e trupit tënd prej gruaje, që as CIA nuk ka arritur t’i zbulojë der’më tash!

    Janar 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË