Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Malit të Zi, zhvilloi javën që shkoi takimin me temë “Botimet shqipe në Malin e Zi”, me praninë e të ftuarit të nderit, akademikut dhe poetit Pavle Goranoviq, ambasadorit të Republikës së Malit të Zi në Tiranë, z. Dusan Mrdovic, si dhe pjesëmarrjen e studiuesve, poetëve, studentëve…
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Malit të Zi, zhvilloi javën që shkoi, më datë 6 qershor, takimin me temë “Botimet shqipe në Malin e Zi”, me praninë e të ftuarit të nderit, akademikut dhe poetit Pavle Goranoviq, ambasadorit të Republikës së Malit të Zi në Tiranë, z. Dusan Mrdovic, si dhe pjesëmarrjen e studiuesve, poetëve, studentëve etj. I organizuar në formën e një forumi, drejtuar nga prof. dr. Persida Asllani, drejtore e BKSH-së, poeti dhe bibliografi dr. Gazmend Krasniqi, përkthyesi Dimitrov Popoviq si dhe studiuesja Liridona Sinishtaj, ky aktivitet erdhi si një takim mbi një temë të rëndësishme të kulturës e letërsisë shqipe, atë të botimeve shqipe në Malin e Zi. Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e BKSH-së, Persida Asllani, u shpreh se “ne jemi dy vende në fqinjësi shumë të gjatë, të shtresëzuara në linja dhe në periudha nga më të hershmet, dhe gjithnjë kemi mbetur peng i nevojës për të njohur më mirë dhe për të kuptuar e pranuar më mirë njëri-tjetrin. Rruga më e sigurt dhe më cilësore është edhe ajo e artit, veçanërisht e letërsisë. Zërat dhe pena e poetëve dhe shkrimtarëve tanë, qasja që i bëjnë thellësisë njerëzore dhe identitetit tonë kombëtar, por edhe privat, janë ato që na bashkojnë, por edhe na pasurojnë”. Duke theksuar rëndësinë e botimeve shqipe në Malin e Zi, znj. Asllani shtoi se “fokusi i parë kanë qenë autorët shqiptarë të Malit të Zi, mënyra se si ata zhvillojnë letërsinë e tyre në raport me letërsinë shqipe, por, mbi të gjitha, në raport me kulturën dhe jetën e librit në Malin e Zi. Vlen të theksojmë se botimet shqipe në Mal të Zi prej shumë vjetësh po realizohen përmes një programi ambicioz, në kuadër të njohjes së letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë”. Ndërkohë, ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, z. Dusan Mrdovic, duke falënderuar për organizimin e këtij aktiviteti, u shpreh se “është shumë e rëndësishme njohja e punës që bëhet në fushën e botimeve në gjuhën shqipe. Në dekadat e fundit është arritur të përkthehen në gjuhën shqipe të gjitha tekstet shkollore për shkollat fillore dhe të mesme. Një qasje e rëndësishme është ruajtja dhe kultivimi i traditave, historisë dhe kulturës së tyre, në një kontekst të fqinjësisë së mirë, si një urë e fortë lidhëse”.
Në vijim të forumit, dr. Gazmend Krasniqi, duke vlerësuar krijimtarinë e poetit malazez Pavle Goranoviq, si dhe vëllimin poetik “Stinët e humbura” (Onufri, 2013), sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesi dhe poeti Dimitrov Popoviq, theksoi se “si te çdo poet post-modern, poetika e kësaj krijimtarie nuk priret nga ngjarjet apo sendet e shenjtëruara, siç jemi mësuar me poezinë e traditës, por me aspektet më të pavëna re të përditshmërisë, që vjen e behtë dhe e papritur, edhe pse jo bërtitëse”. Sipas Krasniqit, “poeti nuk e synon goditjen e drejtpërdrejtë që vjen nga një numër i reduktuar vargjesh: ai ia ka besuar veten fjalëve, magjia e të cilave zbulon ngadalë, pa patetikë, madje me autoironi, se si, me një barok të mbajtur prej frerësh, e “larta” dhe “e ulëta”, si kategori estetike, kanë shkuar paralel në gatimin e produktit poetik. Një poezi e emancipuar dhe emancipuese, që ndërton një raport besueshmërie me lexuesin, na flet për një prani – gjithmonë e ngarkuar me kujtesë – diku pranë derës, në pritje të daljes, sigurisht në mënyrën më të fisnikëruar. Edhe pse e ardhur në mënyrën më të nëndheshme, kjo ide synon lexuesin që do t’i ngulet në kujtesë. Siç e kërkon poezia e mirë, pas leximesh të përsëritura. E cila, fundi i fundit, është vetë sfida e letërsisë së mirë”.
Ndërsa studiuesja Liridona Sinishtaj në ligjëratën e saj u ndal në zhvillimin e letërsisë shqipe në Mal të Zi, parë nën ndikime historike, gjeografike dhe kulturore. “Përfshirja e të gjitha botimeve shqip në Mal të Zi është e pamundur për një forum, prandaj do të merremi me letërsinë dhe autorët e saj duke u nisur nga disa piketa, të cilat i konsiderojmë të rëndësishme për të njohur dhe për të kuptuar procesin letrar në këtë letërsi”, – vuri në dukje Sinishtaj. Ajo u ndal në botimet e para shqipe, shkrimtarët shqiptarë në Mal të Zi si dhe rastin e atyre shkrimtarëve shqiptarë që krijuan në Kosovë, rolin e shoqërive botuese si dhe ndryshimet e dhjetëvjeçarit të fundit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua botime shkollore. Përkthyesi Dimitrov Popoviq, njëherazi dhe redaktor për botimet në gjuhën shqipe në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë (Mal i Zi), solli një panoramë të përgjithshme të botimeve shkollore shqip, arsimit shqip në Malin e Zi si dhe projektet për të ardhmen.
Forumi u shoqërua edhe me një ekspozitë me botime nga fondi arkivor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, e cila pasqyroi një pjesë të botimeve të autorëve shqiptarë të Malit të Zi si dhe botime në gjuhën shqipe të autorëve malazezë.