Kreu Ekspozita François Cheval: Himn spartan

François Cheval: Himn spartan

A duhet që të gjithë në një farë pike, të ndiejmë nostalgji apo keqardhje për prejardhjen tonë? A duhet të kthehemi pafundësisht mbrapa, në hapat që bëjmë? Pse duhet ta pyesim veten pambarimisht mbi këto çështje përkatësie? Për të ditur se kush jemi? Aspak! Vetëm për të ecur përpara e për të mos e menduar më. Shtatë fotografë shqiptarë gjenden në Shkodër, në kryeqytetin e dikurshëm të Shqipërisë, të ftuar nga Art House dhe Muzeu Marubi për të evokuar disa imazhe të thjeshta e të thella që i frymëzojnë. Emigrimi, ky ekzil i paemërt, është pjesë e rrugëtimit të secilit. Nuk e dimë akoma çfarë i mban kaq të lidhur: shpirti i vendit, dashuria për vendlindjen, ndërgjegja e qartë e një ripërtëritjeje kombëtare… Pak por e sigurt, shkrimet e tyre, ndonëse të largët nga njëri tjetri, do të rrinë përbri në forma ende të papërcaktuara.

Momentalisht, as ata vetë nuk e dinë nëse duhet ta braktisin apo ta përvetësojnë atë që i motivon.

Duke hedhur një vështrim nga e kaluara, punët e tyre herë lidhen me të moshuarit që vazhdojnë të jetojnë në vendin e lindjes e herë të tjera shkojnë akoma më larg, në kohën e paraardhësve apo themeluesve. Peizazhin ata nuk e analizojnë, e sodisin. Sa i afërt po aq i largët, nuk arrijnë të kuptojnë çka t’i heqin e çka t’i ruajnë. Në disa udhëtime të bëra në pak kohë, e parandjejnë që kthimi në vendlindje shoqërohet nga një mjegull e dendur, por që nuk është kurrë shumë vonë. Ata kuptojnë praninë e diçkaje që u duket e panjohur dhe e pakapërcyeshme, intensiteti i së cilës, që nga peizazhi e deri tek banorët, mundet t’i mohojë. Në pamjet e Romës, Milanos, Firences, Berlinit apo Laipcigut, në fund të atyre gjërave të perceptuara për një kohë të shkurtër, qëndrojnë disa objekte kuptimi i të cilëve duket sikur ka humbur: figura të vagullta, peizazhe të shkreta, vizione e trajta të shpërfytyruara nga absurditeti i një historie të ditëve tona. Duket qartazi që aspirojnë për të konfiguruar një horizont më të gjerë. Në sytë e tyre, bota e vjetër, Shqipëria, shihet si diçka e re që i reziston objektivit fotografik e do t’u ikte përfundimisht, nëse nuk do të përpiqeshin të dallonin disa forma «të vërteta». Për të ndërtuar një marrëdhënie me këtë vend dhe banorët e tij, është i domosdoshëm ballafaqimi. Këndi i fotografimit përmbledh disa vizione që duan të jenë gjithnjë e më largpamëse. Na merret fryma për një çast! Por nëse arsyeja vuan tek dëshiron të bëjë të qartë realitetin me të cilin ballafaqohen, ata besojnë në një fotografi që lajmëron të nesërme të reja, një akt vullnetar të ndërgjegjes që ringjall disa imazhe të varrosura në kujtesë.

Dëshira për qartësi ndriçon disa punime që luftojnë kundër hijeve. Me një aparat fotografik, duhet pranuar e pakuptueshmja dhe duruar e padurueshmja. Ajo që këta fotografë nuk arrijnë të kuptojnë është fryti i errësirës që i karakterizon, një poetikë instinktive e irracionale, ndonjëherë naive, e cila pranon dhe refuzon nostalgjinë. Koha përzihet me kontradiktat e hezitimet. Fotografia, edhe kur nuk kontribuon për të ndryshuar ekzistencën, është premtimi i një ekzistence të re sepse në vend që të japë zgjidhje, ajo i ofron kthjellësi e ngushëllim një njeriu të trishtë. Shtatë fotografët jo pa qëllim kanë marrë rrugët e Ballkanit, duke bërë bashkë copëzat e mozaikut, duke zgjedhur rrugën e vetme të mundshme, atë të ndjesive dhe subjektivitetit. Ky ritakim me tokën e origjinës mbart në vetvete përgjegjësi të reja. Ata ende nuk janë të aftë ta rrëfejnë këtë ndjenjë të turbullt, gjënë e pathanë që ata e dëshirojnë me gjithë shpirt, ndjekjen e pamundur të një bashkimi të humbur. Sepse nëse kombet nuk janë të pavdekshëm, shpirti i një populli mund të jetë. Ndonëse të varur nga e kaluara, janë ata vetë që duhet ta rindërtojnë, ta përjetësojnë e ta transformojnë. Vetëm përmes një qëndrimi kritik, ajo do të mund të marrë jetë. Akti fotografik, mes vullnetit dhe urgjencës, e ka të nevojshme harresën. Si faktor i rëndësishëm i një mendimi të qetë, duhet të dimë t’i lemë gjërat pas. Ndonëse fotografët nuk mund të parashikojnë të ardhmen, ata kanë një fuqi të çuditshme, atë të rrëfimit të historive me pak elementë: copëza imazhesh të ndryshme, përzierje kujtimesh, fragmente arkivash, huazime të ndryshme e shkrepje.

Janë toka dhe banorët e saj që i japin fotografëve thelbin, shpirtin, mosbesimin, atë që Ernest Renan quan «plebishit i përditshëm».

Ndërgjegja në lëvizje reklamon veprimin, fabrikën e imazheve. Ajo mezi pret të pëmbushet. Nuk po flasim këtu për lojën e mashtrimeve që nxitet nga fotografia bashkëkohore dhe e institucionalizuar me anë të një vazhdimësie posturash të ngrira e automatizmash të urryeshëm. Fotografimi duhet t’i përgjigjet një nevoje jetësore. Është pikërisht në ballafaqimin me Historinë dhe historinë e tyre që krijohen veprat e vërteta, në kundërshti me konformizmin e përgjithshëm e kundër uniformitetit të estetikës. Fotografitë e rrënjosura thellë në pikëpyetjet e dyshimet e tyre janë fusha më e bukur e zbulimit e propozuar ndonjëherë. Një moment i privilegjuar, i gdhendur në gurin e ashpër të reales, përherë kompleks e mbi të gjitha i padeshifrueshëm. Ky kërkim nuk është i pashpresë dhe fisnikëria e tij nuk qëndron tek akti, por tek ajo që pretendon të arrijë.

Përkthyer në shqip nga Tea Çuni

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

E përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për një lexim pragmalinguistik të poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”) nga Tomorr...

Kur të jesh mërzitur shumëKëtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë...

Alba Kepi: Gjurmë shqiptare në qytetin më antik italian

“Vrimat e zeza” të Levit “Përballë ishte një mal tullac e shterpë me një ngjyrë të shëmtuar gri, pa...

Shkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të Librit”) nga Andreas Dushi

Muaji i librit, tetori, dhe muaji i Panairit, nëntori, më bënë të mendoj se si një shkrimtar i ri qaset në realitetin e...

“Përshëndetja e nënës”, tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli Olegu, një djalosh i ri, kur i vdiq e ëma mbeti jetim. Mbeti...