KreuArte pamoreGjovana Dediq: Përtej kufijve, brenda shpirtit: veprat e artisteve shqiptare nga Mali...

Gjovana Dediq: Përtej kufijve, brenda shpirtit: veprat e artisteve shqiptare nga Mali i Zi

Arti nuk krijohet në izolim, as në kufizim. Arti krijohet në hapësirat që takohen dhe krijojnë. Ajo gjindet në universin e individit dhe kolektivit, midis përvojës personale dhe kujtesës shoqërore, midis atij vendi që i përkasim dhe atyre vendeve që i imagjinojmë. Kur flasim për praktikat artistike të femrave, ajo hapësirë takimi fiton një identitet më të përfilltë. Përmes veprave artistike të femrave, hapen dimensionet e kujtesës, identitetit dhe pranisë në strukturat shoqërore dhe kulturore që shpesh i margjinalizojnë ato. Një liri dhe realitet që vetë krijohet dhe nga vetëvetja merr formë në botë. Aty gruaja dhe zëri i saj jehojnë në një gjuhë të veçantë, që jo gjithkush mund ta kuptojë, por nuk len askënd indiferent.

Një vepër artistike vetë për vehte vlen mjaftueshem, por një vepër artistike nga një femër vlen aq sa ka vlerën një zë që gjen guximin të dalë nga heshtja. Vlen sa një dritë e vogël që përçan errësirën e një heshtje kolektive dhe një mburrje mashkullore. Ajo është një rrëfim që flet më shumë se sa fjalët mund të thojnë. Ajo është një puls i brendshëm që rreh në formë, në ngjyrë, në vija, në materie…

Por çfarë jehone merr një zë femëror kur bashkohet me zëra të tjerë femrorë? Çfarë peshe ka një ekspozitë e përbashkët ku vetëm gratë dhe vajzat marrin pjesë? Ku lëviz ky rrefim dhe si shkëlqen ajo dritë?

Përgjigjen na dëshmon ekspozita “Përtej kufijve, brenda shpirtit”, që u mbajt më datën 8 mars të këtij viti, në hapsirat ekspozituese në Imanje Knjaz në Podgoricë të Malit të Zi.

Në këtë ekspozitë figuronin veprat artistike me të cilat gratë dhe vajzat artiste shqiptare të trevave shqipfolëse të Balkanit argumentonin dhe zërat e tyre nuk qëndruan të izoluar, por u ndërthuren në një kor të shumëzërshëm përvojash, ëndrrash, ndjenjash dhe kujtimesh. Secila vepër nga vetja mbart një histori personale, por së bashku ato krijuan një hapësirë ku rrëfimet individuale u shndërruan në një narrativë kolektive.

Kur përmendet hapësira kulturore shqiptare është e domosdoshme të dime se ajo u formua përtej teritorive të vetme politike e historike duke patur faktorë të ndryshëm që ndikonin në zhvillimin e saj.

Duke mbajtur në mend vetëm disa ngjarje të shekullit të kaluar siç ishin: Shpërndarja politike e teritorisë së Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 (së shpejti pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912), bashkëjetesa e shqipëtarëve brenda shtetit të EX-Jugosllavisë, konfliktet e shumta ndërshtetëror që rezultonin në migrimin e shqipëtarëve në diasporë, por edhe hapja e institucioneve të para arsimore e kulturore siç ishin: hapja e Galerisë Kombëtare e artëve në Tiranë në vitin 1954, hapja e Universitetit të Prishtinës në vitin 1969 dhe hapja e Galerisë Kombëtare të Kosovës në vitin 1979… të gjithë këto ndikonin në zhvillimin e hapësirës shoqërorë, kulturore dhe artistike për të gjithë shqipëtarët, e poseçarisht për artistët femërorë që në këtë frymë munden të merrnin pjesë vetëm gradualisht sepse një proces i tillë ishte shpesh i vështirë.

Brenda këtij konteksti të fragmentuar gjeografikisht dhe kësaj prapashtese historike u krijua një teren ku identiteti nuk paraqitet si kategori e fiksuar, por si një proces i vazhdueshëm interpretimi dhe rikonfigurimi.

Në këtë bazament, hapësira kulturore shqiptare në Mal të Zi e vendosur ndërmjet traditave lokale, realiteteve institucionale të shtetit, lidhjeve kulturore dhe me hapësirën më të gjerë shqiptare. Kjo sferë kulturore formon një fushë ku praktikat artistike marrin forma të ndryshme shprehjeje. Brenda këtij horizonti krijues veprojnë edhe artistet shqiptare nga qytetet e ndryshem të Malit të Zi.

Emra të njohur për artin bashkëkohor të siujdhesës së Balkanit (por edhe më gjërë) dhe emra të ri të artistëve. Nder to u gjinden Anamaria Gjonaj dhe Arlinda Dushaj nga Tuzi, Arijeta Lucević nga Rozhaja, Brigita Antoni, Emina Nimanbegu, Jetmira Hoxha, Lisa Nimanbegu, Mersiha Resulbegović Mavrić, Teodora Mirdita, Vahida Nimanbegu dhe Gjovana Dediq nga Ulqini, Ivanka Ðonović nga Podgorica dhe Kaltrina Hoti nga Hoti i Plavës.

Veprat e tyre artistike përfshinin një spektrum të gjërë tehnikash krijimtarije që nga piktura, grafika e deri tek fotografija dhe teksti. Veprat e këtyre artisteve artikulojnë përvoja individuale, por njëkohësisht reflektojnë dimensione më të gjera të identitetit kulturor, kujtesës shoqërore dhe përkatësisë gjinore.

Anamaria Gjonaj dhe Arlinda Dushaj, dy artistet nga Tuzi, ekspozojnë dy koncepte të ndryshme. Në grafiken Flappers të realizuar në teknikën e shtypit, serigrafisë, Anamaria Gjonaj ndërton një hapësirë figurative ku dy figura femërore vendosen brenda një mjedisi dekorativ, ku vijat janë të theksuara, deformimi i figurave është ekspresiv dhe përdorimi i elementeve grafike krijojnë një estetikë që i afrohet ilustrimit dhe karikaturës bashkëkohore me një esencë avangarde.

Figura femërore të paraqitura në vepër koegzistojnë në mënyrë harmonike me mjedisin ku gjinden, por edhe njëkohësisht reflektojnë një pakënaqësi intime. Kjo figuron në qëndrimet trupore dhe me artikulimet e tyre të përditshme, gjë që sugjeron një reflektim mbi identitetin dhe rolin shoqëror të gruas në hapësirën urbane moderne.

Nga ana tjetër, në veprën Bashkim përmes vallëzimit, Arlinda Dushaj përdor një qasje ekspresive dhe abstrakte për të artikuluar idenë e lidhjes dhe komunikimit njerëzor. Në një sfond të hapur dhe të zbehtë, del në pah një prekje domethënëse.

Një bashkim, por jo i atij të llojit të një gruaje dhe mashkulli. Në fakt është një bashkim femëror. Një kontakt fizik që thotë “jemi këtu për njëra tjetrën”. Motivet e veshjeve tradicionale dhe fryma e traditës shqipëtare dëshmon në një lidhje të fortë historike me kohen e tashme dhe atë të së kaluares. Përmes kësaj gjuhe ekspresive, vallëzimi paraqitet jo vetëm si një akt fizik, por edhe si metaforë e bashkimit dhe e komunikimit.

Artistja Arijeta Lucević nga Rozhaja me veprën e saj Bjeshkët e Nemuna paraqet një pejzazh malor të theksuar në reliev me një tonalitet dhe paletë ngjyrash të ngrohta që theksojnë madhështinë dhe dramatizmin e nayrës së Bjeshkëve të Nemuna. Vepra shëndrohet në një metaforë kulturore ngaqë ajo simbolizon qëndrueshmerinë, krenarinë dhe lidhshmërinë për atdheun dhe identitetin. Vargmali i Alpeve Dinarike më në theksim të Bjeshkëve të Nemuna që edhe pse ishin shumë të thepisura e të thella në reliev dhe të ashpërta në klimë, shërbyen si vend i strehimit nga konfliktet e shumta dhe mbrojtjes së kulturës e traditës të popullit shqiptar.  Në këtë mënyrë Arijeta paraqet natyrën si një element i pandashëm i historisë dhe kulturës së komuniteteve që kanë jetuar në këto treva.

Nga qyteti më jugor i Malit të Zi marrin pjesë një grup artistesh që përmes praktikave të ndryshme vizuale artikulojnë përvoja estetike dhe kulturore të lidhura ngushtë me hapësirën bregdetare dhe me historinë shekullore dhe shumë-shtresore të këtij qyteti. Në veprat e tyre reflektohen njëkohësisht dimensione të ndryshme të kujtesës, identitetit dhe përditshmërisë, duke krijuar një dialog të ndjeshëm mes traditës dhe shprehjes bashkëkohore artistike.

Artistja Brigita Antoni, me rapitograf në fletë sjell veprën Pa titull. Kompozimi i saj ndërtohet mbi një ritëm të dendur linear ku format bimore ndërthuren në një strukturë organike të vazhdueshme. Simbolika e vitalitetit, ciklit jetësor dhe vetë kalimit të kohës karakterizohet nga elemetet bimore me motive dhe lëvizje dekorative. Nga vijat e zeza që janë vendosur me siguri të dorës dhe qartësi të syrit krijohet një dialog dialog mes disciplinës grafike dhe spontanitetit organik, duke e vendosur natyrën si një strukturë të gjallë dhe dinamike që vazhdimisht formësohet dhe transformohet.

Emina Nimanbegu, sjell pikturën Arcanum dhe krijon një hapësirë vizuale të mbushur me energji dhe tension kromatik, ku ngjyra bëhet elementi kryesor i komunikimit mes veprës, artistës dhe publikut. Kompozimi abstrakt organizohet rreth një qendre të ndritshme që tërheq vëmendjen e shikuesit. Qendra hapsinore simbolitikisht vlen si një portë që të çon drejtë një dimensioni tjetër. Një dimension imagjinar, sureal dhe larg prekjes njerëzore. Në këtë mënyrë formohet një ndjenjë gravitacioni vizual. Një gravitacion që falë ngjyrave të ndezura jep një ndjenjë ekuilibrimi mes kaosit dhe harmonisë. Në këtë vepër forma dhe ngjyra bashkëveprojnë dhe mbartin procesin e lindjes së emocionit dhe intelektit personal.

Në veprën Seascaper, Jetmira Hoxha ndërton një peizazh detar që tejkalon përshkrimin realist dhe lëviz drejt një interpretimi ekspresiv të hapësirës bregdetare.

Një motiv karakteristik dhe ngusht i lidhur me Ulqinin. Ritmi vertikal i fuqishëm brenda kompozimit të anijëve të grumbulluara ndertojnë një strukturë që duket sikur është në lëvizje të vazhdueshme. Deti nuk paraqitet si një element natyror, por si një personifikim i lëvizjes, ritmit dhe kujtesës. Kontrastet e theksuara mes toneve të ndritshme dhe të errëta që reflektohen në ujë dëshmojnë në rrjedhjen e jetës së njeriut. Artistja në këtë mënyre lidh njeriun me detin me një pe të padukshëm. Njeriu personifikohet me anijët, kurse deti bëhet vetë jeta. Po përse gjinden më shumë se një anije? Sepse njeriu edhe pse është individ, ai nuk është kurr vetëm.

Në serinë fotografike 85360, Lisa Nimanbegu i afrohet trashëgimisë kulturore përmes një perspektive intime dhe të përqendruar në detaj. Fotografia dokumenton momentet e punës së duarve që qëndisin dhe prekin stolitë tradicionale, duke e shndërruar këtë akt në një gjest simbolik të transmetimit të kujtesës kulturore. Objektet e arta dhe ornamentet tradicionale luajnë rolin e bartëseve të historisë, të identitetit dhe kulturës, e jo vetëm si paraqitje e thjeshtë të elementeve estetike. Titulli i vetë veprës në numra nuk është një praktikë e përditshme. Por çfarë janë këto numra? Numri 85360, si kod postal i thjeshtë që koordinon lokacionin e qytetit të Ulqinit në botë dhe shërben vetëm për orientimin gjeografik, në këtë vepër luan rolin e një dimensioni tjetër. Një dimension më të thellë konceptual që synon në lidhjen intime mes hapësirës, traditës, identitetit dhe përvojës personale. Në këtë mënyrë, fotografitë e Lisës, nuk dokumentojnë vetëm një traditë artizanale të Ulqinit, por edhe një proces të vazhdueshëm të ruajtjes dhe të reinterpretimit të identitetit kulturor.

Në diptihun Vis Vitae, Mersiha Resulbegović Mavrić ndërton një strukturë vizuale që lëviz mes abstraksionit dhe simbolikës figurative. Kompozimi vertikal dhe kontrastet e ngjyrave krijojnë një ndjenjë tensioni dhe lëvizjeje. Forma qendrore, në anën tjetër, duket sikur shfaqet dhe zhduket brenda sipërfaqes së pikturës. Që nga titulli latin kemi të bëjmë me dy fjalë mjaft të mëdha dhe të gjëra në domethënije. “Vis” që do të thotë energji, forcë, pushtet, dhe “vitae” që do të thotë jetë.Vepra mbart një energji që pulson në mbrendshmërinë e saj. Ajo ka një frymëmarrje që lëviz nëpër shresat e saj të ngjyrave. Elementet e kuqe dhe të bardha krijojnë një berthamë energjike që sugjeron lëvizjen e vazhdueshme të jetës dhe transformimin e saj. Si diptih, vepra krijon një dialog mes dy pjesëve të kompozimit, duke sugjeruar idenë e dualitetit dhe të procesit të vazhdueshëm të ndryshimit të jetës së secilit prej nesh. Në këtë mënyrë, piktura shndërrohet në një reflektim mbi forcën e jetës. Ajo pezullon, ashtu sikur dhe individi, mes stabilitetit dhe transformimit. Pikërisht atë që karakterizon ekzistencën njerëzore.

Artistja e re e skenës artistike të Malit të Zi, Teodora Mirdita, sjell pikturën Shoqe dhome. Ajo nëpërmjet akrilikut në kanavac shëndrron hapsirën intime të përditshme të dhomës, në një vend reflektimi mbi përvojën personale dhe mbi marrëdhëniet njerëzore. Ajo nxjerr intimitetin në publik, por jo vetëm atë të dhomës. Ambienti që rrethon figurat femërore krijon narrativën e jetës së zakonshme, ndërsa figura femërore janë ato që vezhguesin e tërheqin në intimën e tyre. Në intimën e mendimeve, problemeve, ndjenjave dhe kompleksioneve rinore të tyre. Përmes paletës kromatike dhe formave të thjeshtuara, momenti i zakonshëm i përditshmërisë shndërrohet në një reflektim mbi hapësirën personale dhe mbi dimensionin emocional të jetës moderne.

Vahida Nimanbegu, me veprën Kompozim, eksploron gjuhën e abstraksionit përmes një strukture të ndërtuar mbi ritmin e formave dhe ndërveprimin e ngjyrave, duke e dëshmuar se arti nuk ka për detyrë të pasqyrojë realitetin, por të komunikojë ndjesi përmes elementeve të brendshme vizuale. Nuancat e ngjyrës së kaltërt, si ngjyrë dominante në këtë vepër, krijojnë një hapësirë reflektimi dhe meditimi. Në këtë mënyrë formohet një përvojë perceptive që tejkalon kuptimin të fjalë për fjaltë. Elementet e vogla të ngjyrave të tjera e gjallërojnë sipërfaqen piktorike ku format e tyre krijojnë një ndjenjë lëvizjeje të ekuilibruar të spontanitetit dhe të strukturës të perfillur mirë në mendje. Ngjyrat nuk duhet të qendrojnë të izoluara, ashtu siç nuk duhet të qendrojë as femra e izoluar. Ashtu si një ngjyrë e vetmuar humb fuqinë e saj perceptive, ashtu edhe identiteti i femrës nuk duhet të paraqitet i burgosur, sepse ajo është si një dritë që merr kuptim vetëm kur reflektohet në hije dhe nuanca të tjera. Përmes kësaj qasjeje, piktura nuk përpiqet të përfaqësojë një realitet të caktuar, por të krijojë një hapësirë përjetimi ku ngjyra dhe forma bëhen elemente të një gjuhe vizuale që komunikojnë përmes ritmit dhe ndjesisë.

Brenda kontekstit lokal të Ulqinit paraqitet edhe vepra e Gjovana Dediq, e cila përmes mediumit të tekstit e zgjeron fushën e praktikës artistike drejt reflektimit teorik dhe diskursit kritik mbi identitetin, kujtesën dhe përvojën kolektive shoqërore të femrës.

Nga kryeqyteti i Malit të Zi, nga Podgorica, artistja Ivanka Ðonović ekspozon vepren e saj Pa titull. Vepra përfshin një kompozim të pasur me elemente floreale dhe forma organike që ndërthuren në mënyrë ritmike brenda një hapësire të qetë piktorike. Ngjyrat e një palete harmonike dhe motivet bimore krijojnë një atmosferë poetike ku natyra shfaqet si një element qendror i përjetimit estetik. Artistja flet me një gjuhë lirike dhe organike ku nuancat e ngjyrës të gjelbërt mbizotërojnë në kompozim. Natyra gjindet në qendët të mendjes. Kjo zhvendosje e fokusit nga individi në natyrë, në fakt, luan një rol të dyanshëm. Si balans dhe disbalans, si një thikë me dy tehe. Në këtë mënyrë, krijimtaria e saj ndërton një dialog drejt një reflektimi më të gjerë mbi ritmin dhe ekuilibrin e jetës.

Në veprën Së bashku, por jo të njëjtë, artistja Kaltrina Hoti nga fshati Hot i Plavës ndërton një kompozim figurative ku marrin formë disa trupa njerëzorë të vendosur pranë njëri tjetrit si figurim i heshtësisë që bërtet në një melodi harmonike. Këto trupa e ndajnë një horizont por e mbartin njëkohësisht edhe individulitetin të persones së tyre. Përmes përdorimit të teknikës së përzier në kanavac dhe trajtimit të lirë të formës, krijohet një ritëm i qetë i kompozimit që synon në bashkëjetesën e dallimeve nderkulturore. Këto silueta të heshtura që ndajnë të njëjtën hapësirë mbartin frymen e tensionit midis afërsisë dhe dallimit. Një afërsi fizike por edhe dallim individual. Kjo vepër artikulon një reflektim të thellë mbi bashkëjetesen dhe temen e përkatësisë. Përkatësis gjinore, intelektuale dhe thjeshtë asaj njerëzore. Lindin pytjet; “A përkas unë këtu?”, “A është e mundur të jemi së bashku pa u bërë të njëjtë?” dhe “A mund të ndërtohet një komunitet ku individët ruajnë dallimet e tyre pa u ndjerë të përjashtuar nga tjetri?”

Pikërisht këtyre pyetjeve vepra e Kaltrina Hotit u përgjigjet përmes një gjuhe dinamike dhe domethënëse vizuale. Kaltrina në mënyren e saj artistike shëndron figurat e thjeshta piktorike në një metaforë të fuqishme për solidaritetin, për respektin ndaj njëri-tjetrit dhe për mundësinë e një ekzistence të përbashkët që nuk kërkon njëtrajtshmëri, por mirëkuptim. Nga këto vepra artistike mund të përmbyllim se veprat artistike të artisteve femrorë nuk janë thjesht objekte vizuale në një hapësirë ekspozuese, por ura që lidhin. Ato janë në mundësi të lidhin kohën dhe hapësirën, të lidhin të kaluarën me të tashmen, si dhe individualen me shoqërinë e komunitetit.

Kjo ekspozitë na vërteton se distanca gjeografike nuk luan rol në identitetin e tyre kolektiv, sepse veprat artistike nuk njohin kohë as kufi, edhe pse atë e dëshmojnë. Si lumenj që rrjedhin nëpër male të ndryshme, veprat e grave dhe vajzave shqiptare kalojnë kufijtë fizikë dhe perceptues, duke krijuar një rrjedhë të pandalshme të reflektimit, vetëdijes dhe afirmimit. Zëri i femrës, në gjithë shumëllojshmërinë e saj, nuk kërkon të dominojë. Ai kërkon të dëgjohet, të reflektohet dhe të bashkohet me të tjerët. Ai kërkon të ketë të njëjtën peshë sa e ka dhe zëri i mashkullit. Ajo kërkon barazi. Hiç më shumë, hiç më pak. Këtë barazi dhe e meriton. E meriton, si një gjë më të paktë që mund dhe duhet t’i ofrohet. Sepse ajo luajti shumë role gjatë jetës së saj. Rolin e bijës, rolin e gruas, rolin e nënës, rolin e intelektit në shoqëri, rolin dëshmueses… në një scenari shumë të gjatë e të tepruar. Ku mbeti roli i saj me të vërtetë real? Roli i vetëvetës dhe i identitetit të personës së saj? Kur një zëri i bashkohen edhe zëra të tjerë, gruaja qëndron si shkëmb që nuk lëkundet nga stuhitë e jetës.

Veprimtaria dhe ekspozimi kolektiv të veprave artistike dëshmojnë në këtë shkëm femëror. Në këtë moment arti nuk flet më vetëm në emër të një gruaje apo vajze. Ajo merr frymë si një organizëm i gjallë, ku zërat e tyre, dikur të shpërndarë dhe të heshtur, bashkohen në një hapësirë të përbashkët.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË