More
    KreuArte pamoreAlisa Velaj: Realja poetike mes dy kaltërsive

    Alisa Velaj: Realja poetike mes dy kaltërsive

    ose poezia që buçet prej heshtjes së imazheve

    E kush mund ta mbushë më mirë se pafundësia, atë hon të shpirtit dhe mendimit që lind prej pikëpyetjeve të shpeshta si rrebeshe? Jetojmë në kohë furtunash, apo jemi ne qeniet humane që i trazojmë vetë furtunat? Cilado të jetë alternativa e saktë, një gjë mbetet përherë e pandryshueshme; koha dëshirore e foljeve shkon përherë drejt urimit. Ne urojmë të kthjellohemi. Në dete të qetë dhe qiej të kaltër. Kërkojmë dritë. Dikur në shtratin e vdekjes Gëtja këndonte “Mehr Licht!” Nga Europa Verore, ku duket se kushtet klimaterike e kanë shndërruar ëndrrën e diellit gati në mit, përpjekjet drejt Shën Dritës kthehen nē një odise të mrekullueshme, për të ngjizur në thellësitë e vetjeve, ato që më ka pëlqyer përherë t’i quaj “invisible fires”, apo zjarre të padukshme.

    Ekspozita “Fotonet. Nga qielli drejt detit”, siç shkruhet në doracakun e përgatitur për vizitorët, “është një ekspozitë që bën bashkë gjashtë artistē dhe nëntë vepra arti të përzgjedhura nga artistja Donika Çina, organizuar nga Galeria e Bregdetit, Radhimë, Vlorë dhe me mbështetjen e Swedish Art Grants Committee”. Artistët suedezë që na ftuan në këtë zbulim të dritës janë; Johan Österholm, Niklas Holmgren, Ylva Carlgren, Mikaela Steby Stenfalk, Sjoerd ter Borg dhe Lotta Törnroth. Artistët erdhën në qytetin e Vlorës pas një ekspozite të hapur në kryeqytet. Kuratorja e ekspozitës, znj. Donika Çina ishte impresionuese në mënyrën se si ia prezantonte veprat secilit prej vizitorëve. Një ekpozitë ku krahas fotografisë e pikturës, mbartej dhe kaq shumë poezi. Si poete, unë do të do të ndalem tek kjo e fundit.

    YLva Carlgren(akuarel) dhe Lotta Törnroth (instalacion)

    Në fotografitë e Lotta Törnroth-it, i gjithë thelbi i asosacionit që koleksioni i fotografive ngjiz tek vizitori gjendet në titullin që vetë Lotta i ka vënë koleksionit të saj. Seria e fotografive pagëzohet “I wait as a Lighthouse” (Unë pres si një far). Në vetëdijet tona fari tregon drejtimin e duhur të anijeve në lundrim. Atëherë pse artistja e shpall veten një far dhe në pritje të kujt është ajo? Törnroth-i, siç më shpjegon plot pasion kuratorja Çina, zgjedh të fotografojë me një dritë në dorë, në ato vende ku sapo ka ndodhur një tragjedi. Pra, Törnroth-i përmes farit simbolizon gjetjen e udhëve të dritës, kur qenien e ka mbytur pikëllimi. I vetmi far i duhur për t’u drejtuar është Shën Drita. Vetëm aty zemra e lënduar largon ngadale errësirën e dhimbjes për t’u përtëritur. Në serinë e fotografive shfaqet një siluetë që duket se mban në duar një diell të vogël. Kjo siluetë herë shfaqet buzë detit, herë në skajin e një porti detar, herë në mes të një lëndine ku bie në sy një pemë e vetmuar, herë në një tjetër lëndinë me gjelbërim shumë të rralluar, herë në brigjet e ujërave boreale dhe herë në buzë të një shkëmbi shumë të rrezikshëm. Në secilin peizazh ka ndodhur një tragjedi. Ndaj kudo fotografja mbjell një diell shprese. Impresionuese veçanërisht është imazhi ku silueta me diellin ndër duar shfaqet në buzë të shkëmbit. “Ndërtoje shtëpinë tënde mbi shkëmb që themelet e saj të jenë sa më të forta”, shkruhet në një varg biblik. Lotta Thörnroth e ngre gjithashtu mbi këto lloje themelesh artin e saj.

    Lotta Törnroth ( fotografi)

    Interesante vjen poezia edhe përmes tablove të artistes Ylva Carlgreen, por në një këndvështrim krejt tjetër. Tablotë e saj na paraqesin një epikë të mjegullës, që e fsheh dritën, duke na lënë të perceptojmë një dritë të fshehur, por po ashtu “një dritë të zeze”. Mjegullimi është sa në favor të kthjellimit, sa në funksion të turbullimit. Efektin “mjegull” nuk mund ta sjellë askush më qartë, sesa një artiste nga atdheu i mjegullave, Suedia. Ylva Carlgreen e ndjell soditësin, që jo vetëm t’i sodisë mjegullat, por edhe të fillojë t’i kuptojë ato si njerëzit. Të di t’i lexojë alfabetet e tyre, t’u njohë kodet e fshehta. Nuk ka asnjë tablo ku mjegulla të jetë krejt e shpërndare. Në rastin më të mirë, imazhi evokon një mjegull më të ndriçuar nga një dritë përbrenda. “Mjegullat nuk shpërndahen dot kurrë plotësisht”, apelon Ylva. Na mbetet kështu të mësojmë si t’i lexojmë. Për të ndezur një dritë brenda tyre; përndritjen tonë të harruar. A s’është vetë harresa mjegulla më e trishtë?

    Qiejt e Johan Österholm-it të lënë në një mëdyshje, ku gjendja dritë e kthjellët-dritë e mjegulluar, të krijon një mëdyshje dhe habi trishtëmbël. Kuratorja Çina jep ketë sqarim në doracak: “Yjet që nuk janë më të dukshëm për syrin tonë për shkak të ndotjes së tanishme prej dritës, janë fiksuar në xhama fenerash me gaz të lyera me xhelatinë argjendi”.

    Niklas Holmgren (pikture)

    A na rrëfejnë këto imazhe se pikëvështrimi ynë duhet të jetë maksimalisht i kthjellët për të përkapur dritën e yjeve? A jemi fare të vërtetë nëse pikasim në mënyren e duhur dritën e një ylli?

    Niklas Holmgren-i na dhuron dy piktura që në pamje të parë duket identike, por në “lexime të tjera” shohim se ato paraqesin qenie të njëjta, por në sfonde të përkundërta. Një femër e dëshpëruar dhe përkrah saj një bashkëudhëtare që duket që nuk di ç’dritë t’i dhurojë bashkëudhëtares se saj për t’i dhuruar dritën e lumturisë. Të dyja duke medituar mbështjellë nga drita natyrale. Në pikturën tjetër drita duket e përflakur. Është vallë një dritë artificiale, që largon dritën e vërtetë dhe nuk i lë qeniet të jenë të lumtura? A është kjo e kuqe flakëruese mendimi i zjarrtë që do të gjejë përgjigjen nga vjen lumturia e shpirtit? Tabloja nxit perceptime të panumërta.

    Johan Österholm (xhama feneri me gaz ku jane printuar pamje nga yje qe nuk i shofim me per shkak te ndotjes nga drita)

    Evokimi i gjendjeve të mia poetike merr fund këtu. Punët e Mikaela Steby Stenfalk përkojnë me dije të panjohura për formomin tim. Donika Çina shkruan kështu rreth punëve tê Stenfalk: “E kundërta ndodh me punët e Mikaela Steby Stenfalk. Puna e saj fillon nga dhe ju drejtohet të tjerëve. Fotografia nuk është mediumi, as thjesht një influencë,  por burimi dhe materiali bazë i punëve të saj. Këtu nuk kemi të bëjmë me historinë e fotografisë, edhe pse ajo përdor shumë material arkivor, se sa me të tashmen e saj dhe atë që përbën arkivin digjital. Në njē bashkëpunim me artistin Sjoerd ter Borg, në një instalacion audiovisual, artistët hulumtojnë mbi atë çka njerëzit lënë online kur eksplorojnë një qytet dhe se si këto gjurmë na joshin kur eksplorojmë të “njëjtën”.

    Kjo ekspozitë, organizuar kaq bukur dhe me shpjegime të mrekullueshme prej kuratores, ku secili prej kundruesve ndihet komod në këndvështrimin e vet, uroj të çelë udhën e të tjera ekspozitave prej artistëve suedezë, duke vendosur kështu ura komunikimi kulturor mes dy popujve tanë. Sepse të gjithë ne, pavarësisht asaj, sa të ndryshëm jemi, ndjehemi njësoj të etur për thirrjen “Mehr Licht!”.

    Artistët, kuratorja dhe galeristi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË