More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga Ylli Pango

    Dy tregime nga Ylli Pango

    Kush pat vdekur?

    …Çdo ditë po ajo histori…kalonte para nesh, vetëm një herë, një shëtitje mëngjesi…Ne bëheshim gati ta mëshironim, ja bënim me dorë të ulej e ai, po veç kalonte, buzëqeshte lodhuraz e na e bënte paksa me dorë..E ne çdo ditë këmbë mbi këmbë, po njëlloj, kaluar mbi filxhan-kafetë, aty te vendi..koteshim tek e shihnim ashtu me rroba të vjetra, përhumbur, mendje-degdisur…nuk dihej ku

    …”Thirre thirre për një kafe…”Iku ky…rrodhi…kot ti thuash për kafe, gjynaf..”unë e kam mik prej kohësh”… (ndonjë  i moshuar, “i ri”, nga ata që s’kish shumë kish ardhur të banonte në shëtitore e që nuk dinte sa kohë më parë, kohësh të lashta e njihnim ne)… “Po ça miku e ke ti..unë e njoh qysh në kohën e …”zinte fill debati, kush e kush të mburrej më shumë…se cili e kish njohur më parë a kush e kish më mik, Ëndërrimtarin e famshëm…Pastaj ndonjë tjetër që bënte meshirëmadhin, atërorin, e i thërriste pa turp, me zë të lartë ”po hajde, hajde, ulu ulu i Madh, ta pish një kafe..mos ki turp…” ca duke e ditur a ca duke mos e ditur, që ai si çdo ditë nuk do ulej…

    …E ai, që na hidhte po atë vështrim njëlloj, rëshqitas butë, mbi atë polifoto fytyrash në grup, sikur të shihte një peisazh monoton gri, ashtu në përgjithësi, pa u përqëndruar a pa dalluar detajin, domethënë asnjerin, prej nesh…Në atë vështrim rreshqitas sikur të kish nje lloj verberie a daltonizmi, jo ngjyrash, por padallueshmëri çehresh a fytyrash, bërë një, në paradën e përditshme të spektatorëve të ngeshëm të shëtitores…(A kalonte ai në paradë para nesh a njëfytyrësia jonë, e ne spektatorëve, para syve të tij…)

    ..E ai, që vijonte e na e linte çdo ditë në derë…” Jo, jo faleminderit” thosh me përunjësi e tundte dorën e ikte tej, si gjithnjë e ne çdo ditë gënjenim e rigënjenim veten, bënim mëshirëmadhin, e prapë e shpresonim(në fillim e kishim gati të sigurt) që nëmos atë ditë, do të ulej atë ditën tjetër…a një ditë ndryshe nga të tjerat… E ai prapë nuk ulej…Ndonëse kish kohë që ish i varfër…në fakt i këputur..madje edhe për një kafe të përditshme i këputur, se i varfër kish qenë gjithë jetën…e jo më tani plak njeri, njeri pa njeri…I rrjedhur..në fakt i harruar …Se Ëndërrimtari( si tërë ëndërrimtarët), tërë jetën i rrjedhur e i çakërdidur pat qenë por ama i fandaksur për së mbari…

    … E ne të gjallët që prisnim, ndofta edhe të mos na shfaqej më një ditê, a ndofta e prisnim të vdiste nga dita në ditë, por nënkuptuar,  pa ja thënë njeri tjetrit…Sikur t’i ruheshim ne vetë vdekjes së tij…si të ish vdekja jonë…E ai që prapë na i “ hidhte”…Na i hidhte e na i kish hedhur qëkur… se pat vdekur prej kohe…e veç bridhte e shfaqej një herê-një shëtitje të vetme, hije mëngjesi, te shëtitorja e Gjelave  e pastaj humbte prapë gjithë ditë-natën e lume, diku nën dhe…

    Ikte e linte mbi tokë ne “të gjallët” e vdekur që nuk na i piu e nuk na i piu atë kafe corrolëng, sado herë e joshëm, e ftuam…

    …Sado që edhe ne pa faj, se nuk e dinim e nuk e merrnim vesh akoma, se ishim ne që kishim vdekur, prej kohe… shumë kohë para tij…E mesa dukej,  ai e dinte këtë prej vitesh…edhe ashtu siç endej atyre viteve pa vetëdije, në mjegull…Por duket, nuk donte të na mërziste…të na i thoshte… qoftë edhe indirekt…duke u ulur për “vizitë në shëtitore”, e duke na pirë kafet e vakisë, e mortit tonë…Ndruhej se do idhnoheshim keqas, kur do e merrnim vesh, kuptonim së fundmi edhe ne, …se po të ulej…Do na ish ulur për kryeshëndoshin tonë…Për faktin se ishim ne që kishim vdekur…kohë…shumë kohë para tij…e se po ulej të na pinte kafen e papirë, të vonuar të mortit tonë…të kahershëm…


    Kush është ky Aleksandri i madh?

    …Në fillim ishte Akeksandri i Madh….

    …Kohra më vonë, njerezit mbetën të mahnitur nga mënyra se si e luajti aktori A.  rolin e Aleksandrit të Madh…Askush si ai nuk e pat luajtur më parë atë rol…

    …Kohra akoma më vonë një aktor i shkëlqyer luajti rolin e atij aktorit të vjetër, tash në at botê… të atij aktorit ikonë, që tashmë ishte bërë legjendë, me rolin e Aleksandrit të madh.

    …Po edhe ky aktor që kish luajtur rolin e aktorit, që luajti të madhin Aleksandër, nuk mund të mos bëhej i famshëm. Pikërisht me këtë rol, me rolin e rolit. E njerëzit nuk mund të mos e adhuronin pa fund…e të mos e quanin atë, të madhin e të mëdhenjve ndër aktorë…e shkuar aktorëve…

    …Epo pas kësaj, nuk mund të mos dilte ndër njerëz, një aktor që më mirë se cilido, të arrinte të luante rolin e aktorit, që luajti rolin e aktorit, i cili vite më parë, pat luajtur shkëlqyer rolin e aktorit, që kish luajtur rolin e Aleksandrit të madh…

    …Stop! Nuk mund t’ju lodh më tej në këtë varg pa fund konsekutiv aktorësh, që në rradhë kohore, vjetore, shekullore, në rradhë lavdie hyjnore, luajtën apo më mirë e qanë njeri pas tjetrit, rolin e aktorit paraardhës …Kjo vazhdoi kështu deri në ditën kur…

    …një studiues i zellshëm i një epoke moderne, si gjithmonë ku e ku më moderne se të gjitha epokat paraardhêse, shtroi pyetjen tronditëse që edhe sot e kësaj dite nuk po merr dot përgjigje:

    “More mirë këta aktorët që ndër shekuj nuk do t’i harrojmë kurrë me shkëlqimin e roleve të tyre…njeri pas tjetrit në rolin e aktor-Tjetrit-paraardhës, ( e shyqyr që i kemi se mbushim historinë me lëndë, o Zot, me lëndë ushqyese të shpirtit e të zemrës e të mendjes)…mirë këta…

    …Po ky, apo qy, Aleksandri i madh, kush është a kush na qe? E ç’rol luajti? Apo kë rol a kë figurë e të kujt më parë, luajti? Apo së paku, kujt ja luajti? Se nuk po dimë pse kujtohet a përmendet, pa ditur se ç’rol luajti? E në cilën skenë a në ç’ teatër? Çfarë aktori pra na paskej qene ky?

    Për çfarë na i qenka fiksuar emri!?

    …dhe për më shumë: po mirë ky Aleksandër, që ja, po ia pranojmë edhe këtë fiksim, që na qenkish Aleksander…si ata aktorët e mëdhenj, po përse na paskej qenë dhe i Madh xhanëm?

    (Tregimi mund të bëjë edhe pa këto)

    …1-Sqarim 1: Ishin kohra moderne, gjithmonë shumë e më shumë moderne, në raport me ato paraardhëse, kur e gjithë bota prej do kohësh, ish botë aktorësh të mrekullueshëm, heronjsh-aktorë konsekutivê, që hanin bukën e lavdisë së merituar: luanin rolin e heronjve aktorë, në skenën e madhe të botës së harruar të jo/aktorit  Aleksandër i Madh…

    2-Spjegim Banal: nuk kish më dramë jetësh, luftra, ngjarje. Kish teatër të madh ku luanin aktorë të mëdhenj që luheshin nga aktorë po të mëdhenj që ruanin ekuilibret botërore të paqes. E gjithë bota ishte një teatër i madh modern ku luheshin historitë e vjetra të një bote të shkuar para/moderne)

    3-Hamëndje:…po ndofta prandaj aktorët e kuptuan më thellë rolin e tyre. U ndjenë të vetdijshëm për peshën…përgjegjës për të ardhmet. Kësisoj  aktorët filluan të drejtojnë popujt…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË