More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: "Ambasadorët" nga Hans Holbein i Riu

    Dr. Bledar Kurti: “Ambasadorët” nga Hans Holbein i Riu

    Vepra Ambasadorët (1533) nga artisti gjerman Hans Holbein i Riu (1497-1543) është një nga tablotë me ndërthurjen me të shumtë të simbolikave dhe mesazheve të mprehta. Ajo shkon përtej përshkrimit të personalitetit të modeleve që pozuan për artistin, duke shpalosur “një domethënie më të madhe,” e cila ka mbetur si një testament epokal. Tabloja Ambasadorët është ilustrimi më i mirë se si arti reflekton aktualitetin e kohës dhe të historisë.

    Kjo vepër është trilluese për çdo shikues. Sa herë jam gjendur përballë saj kam shijuar jo vetëm përjetimin artistik të veprës por edhe përzierjen e reagimeve të shikuesve të tjerë, të cilët në mënyrë të menjëhershme përqendrojnë vështrimin tek imazhi i turbullt në qendër të figurës, e cila herë u duket si një kockë peshku, herë si një pendë, e madje edhe si një imazh abstrakt, sikur të jetë shtuar gjatë shekullit të fundit e jo pesëqind vite më parë kur u realizua kjo vepër. Habia e tyre merr përmasa gazmore kur vërejnë shikues të tjerë të cilët, ndryshe nga ata, hera-herës lëvizin në të djathtë të pikturës dhe e shohin atë në anë të saj e jo nga përballë.

    Por çfarë është imazhi trillues poshtë e në qendër të tablosë? Imazhi është një kafkë njerëzore. Dhe cila është lidhja e kafkës me tematikën e veprës? Këtë do ta shohim më poshtë.

    Kjo tablo është një portretizim i dy ambasadorëve francezë në oborrin e mbretit të Anglisë, Henry VIII. Në të majtë është Jean de Dinteville, ambasador francez në Angli në vitin 1533. Në të djathtë qëndron shoku i tij, Georges de Selve, peshkop i Lavaur, i cili vihej shpeshherë në shërbim si ambasador për Perandorin, Republikën e Venedikut dhe Selinë e Shenjtë. Kjo tablo paraqet dy burra të rinj, të edukuar dhe të pushtetshëm, por të cilët nuk donin të ishin aty dhe nuk do preferonin aspak të gjendeshin në kontekstin historik që po kalonte në atë kohë Anglia, Franca, Vatikani, e mbarë Evropa.

    Jean de Dinteville, figura kryesore, në të majtë, shpaloset plot fisnikëri, me një veshje aristokrate të zezë e të kuqe, e me një gëzof të bardhë mbi rrobën e tij, duke imponuar autoritet, forcë e pushtet. Supet dhe busti i tij duken më të mëdha sesa duhet dhe kjo është bërë e qëllimshme, pasi ishte ai që e porositi këtë vepër, dhe roli i tij në tablo është të transmetojë mesazhin e njeriut të aksionit. Ai mban në dorën e djathtë një thikë të artë, në të cilën është gdhendur AET. SV Æ/ 29 (ai është 29), duke na treguar moshën e ambasadorit kur u realizua kjo tablo. Mëndafshi i kuq i këmishës dhe gëzofi i bardhë janë pikturuar me një delikatesë dhe mjeshtëri të rrallë. Në kapelën e tij të zezë gjendet një spilë me imazhin e një kafke, dhe në hijen e këmbës së tij të djathtë dallohet, me vështirësi për shkak të zbehjes së kohës, edhe firma e artistit.

    E gjithë ana e majtë e tablosë simbolizon vita activa, jetën aktive, e shpalosur me Jean de Dinteville, i cili me këmbën përpara, supet e zgjeruara dhe me thikën në dorë tregon aksion, ndërsa në të djathtë vërejmë vita contemplativa, jetën medituese, peshkopin Georges de Selve, i cili në një pozë të tërhequr, me veshje të shtrenjtë por të thjeshtë, ka mbështetur krahun mbi libër, në faqet e së cilit dallohet AETAT/IS SV Æ 25 (mosha e tij është 25) duke dokumentuar kështu edhe moshën e peshkopit.

    Por përveç ndarjes vertikale në dy aspekte e natyra, tabloja është e ndarë në katër nivele horizontale. Dy prej tyre janë në qendër të veprës të shpalosura qartë tek rafti mbi të cilin janë mbështetur dy figurat, e ku gjenden një seri objektesh që na tregojnë për kontekstin historik por edhe qëllimin e misionit të dy ambasadorëve francezë në Londër. Në raftin e poshtëm dallohen objekte të cilat mund të çkodohen si tokësore ndërsa në raftin e sipërm janë objektet qiellore.

    Niveli tokësor nis me dyshemenë e vazhdon të shtjellohet me objektet e globit tokësor, një kompas, një mandolinë, çantë fyelli, dhe libri i hapur i himneve. Dyshemeja në pikturë është e përshkruar me saktësi dhe ajo është qendra e dyshemesë që gjendet në kishën e Westminster Abbey, në abacinë ku Kryepeshkopi kurorëzon Mbretin apo Mbretëreshën. Në dyshemenë e kishës shkruhej Spericus archetypum, globus hic monstrat macrocosmum (Ky top sferik tregon makrokozmosin). Makrokozmosi ishte një koncept tejet popullor i Rilindjes i cili përfshinte shumë disiplina, si astrologjia, alkimia dhe gjeometria, dhe ilustron se forcat që qeverisin trupin njerëzor janë të njëjta me ato që formojnë tërë universin. Kësisoj, një individ përmban një kozmos në miniaturë, ose mikrokozmos. Leonardo da Vinci e kishte shtjelluar edhe më shumë këtë tematikë disa vite më parë përmes analogjisë së mikrokozmosit dhe makrokozmosit duke krahasuar trupin e njeriut me natyrën dhe universin.

    Por dyshemeja e Westminster Abbey luan edhe një rol tjetër në tablo. Ajo na tregon se dy ambasadorët, kundër dëshirës së tyre ishin dërguar në Angli për shkak të martesës së mbretit të Anglisë, Henry VIII me Anne Boleyn të zhvilluar në fshehtësi e jo në Westminster Abbey siç i takonte. Dhe ajo nuk ishte një martesë e zakontë, por një lidhje që do ndryshonte përgjithmonë historinë e botës.

    Martesa e Henry VIII me Anne Boleyn ishte martesa e tij e dytë. Gruaja e tij e parë Catherine e Aragon-it, nuk i kishte lindur dot një fëmijë mashkull mbretit, ndaj Henry VIII kërkonte ta divorconte. Catherine kishte qenë gruaja e vëllait të Henry, dhe pasi ai vdiq, Henry duhej të martohej me të siç ishte tradita, por i shtyrë nga paranoja se ai nuk kishte djalë pasi ishte nën mallkimin e faktit që ishte martuar me gruan e të vëllait, për më tepër, shtyrë edhe nga lidhjet e shumta dashurore që kishte me femra të tjera, ndër të cilat edhe Anne Boleyn, ai kërkonte të martohej sërish. Por, për ta bërë këtë atij i duhej që të merrte lejen e anulimit të martesës nga Papa Clement VII. Papa e refuzoi anulimin dhe Henry kokëshkretë vendosi të shkëputej nga autoriteti i Papës dhe e shpalli veten si kreu i Kishës së Anglisë. Ndarja nga Roma do sillte pasoja të jashtëzakonshme politike e fetare, dhe për ironi, Henry jo vetëm nuk bëri dot djalë me Anne Boleyn, por vajza që lindi me të ishte Elizabeta I, mbretëresha më e shquar në historinë e Anglisë e cila do ishte monarke e një Anglie protestante, dhe në pagëzimin e saj mori pjesë edhe Dinteville, ambasadori në tablo, i cili kishte shkuar në oborrin e Henry, me misionin për ta ndaluar atë të shkëputej nga Kisha Katolike, e t’i rezistonte valës së Protestantizmit që kishte përshkruar të gjithë Evropën.

    Gjatë krijimit të kësaj tabloje, vetë Holbein njihej nga afër me Anne Boleyn, pasi Henry e kishte punësuar atë të krijonte bizhuteri për gruan e tij të ardhshme. Fati i Anne ishte tragjik pasi tri vite pas martesës Henry e dënoi atë me vdekje me prerje koke.

    Henry VIII u martua gjashtë herë. Nga martesat e tij, dy përfunduan me divorc, dy me vdekje natyrale dhe dy me prerje koke. Akti drastik i Henry VIII i largimit nga Kisha Katolike, solli një pikëllim në rendin politik dhe fetar tashmë të paqëndrueshëm të Evropës. Henry, Mbreti Francis I i Francës, Perandori i Shenjtë Romak Charles V, dhe Papa ishin të mbërthyer në prag të luftës. Ndjekësit e Martin Luther, të cilët sfidonin autoritetin absolut të Kishës, po fitonin terren përtej Gjermanisë dhe Evropës Veriore. Ndarja e Henry nga Kisha Katolike i hapi derën Reformacionit Protestant dhe mendimit humanist të hynin në Angli, filozofitë e të cilave me kalimin e viteve do të transformonin pjesën më të madhe të kontinentit e madje edhe botës.

    Holbein e kuptonte fare mirë realitetin e vështirë politik dhe fetar në të cilin gjendej kontinenti, dhe situatën në të cilën ndodheshin dy ambasadorët, ndaj edhe ai e shprehu atë përmes simbolikave te objektet tokësore në raftin e poshtëm. Mandolina ka një tel të këputur, e cila nënkupton shkëputjen e Anglisë dhe prishjen e harmonisë evropiane. Ndërsa fyellit i mungon një tub. Muzika është simbol i harmonisë. Harmonia, është etimologjikisht një “bashkim” i elementëve të ndryshëm. Ajo përdoret për të treguar një lidhje midis elementeve të një sistemi dhe kësisoj është në të njëjtën kohë një koncept ontologjik që përshkruan strukturat e qenieve dhe të universit, por edhe një koncept politiko-etik që përfaqëson rendin e një bashkimi, strukture apo shoqërie ideale. Dhe rendi kishtar e bashkë me të edhe shoqëria ideale evropiane, sipas katolikëve tashmë po prishej, dhe me shkëputjen e Henry VIII nga Roma, Protestantizmi po depërtonte edhe në Angli, e madje po zgjerohej në pjesën më të madhe të Evropës.

    Ndaj, edhe poshtë mandolinës Holbein ka pikturuar librin luterian të himneve në të cilin shkruhet Veni Sancte Spiritus, një himn i Shpirtit të Shenjtë, i cili tradicionalisht përdorej si një thirrje e fortë për bashkimin e kishave. Ëndrra e pajtimit të shprehur në këtë hollësi të vogël nga dora e Holbein, sigurisht, nuk do të materializohej kurrë.

    Në të majtë dallohet një libër tjetër. Ai është libri i Petrus Apianus, humanistit gjerman, i shquar për studimet e tij në matematikë. Libri është paksa i hapur nga një vizore e në faqe arrihet të lexohet fjala dividirt, që do të thotë “le të bëhet ndarja,” një referencë e qartë për ndasinë fetare që kishte zaptuar Evropën. Mbi librin e përllogaritjeve gjendet globi tokësor, ku dallohet Anglia dhe Franca, por për çudi, Holbein, duke qenë se ishte gjerman, me sa duket nuk dinte mirë anglisht, ose ndoshta aspak, kështu që emrat Paris dhe Britania i ka shkruar sipas dëgjimit me vesh, ndaj në glob ai ka shkruar Baris dhe Pritannia.

    Në raftin e sipërm gjendet globi qiellor, i cili simbolizon inteligjencën dhe natyrën intelektuale të dy personazheve të tablosë. Krahas globit qiellor janë të pikturuara me saktësinë më të madhe disa mjete matëse si ora diellore e barinjve; ora diellore e ekuinokseve; një lartësimatës; një orë diellore polihedrale; dhe, turkuetë e cila përdorej për matjen e koordinatave të horizontit, ekuatorit, dhe eklipsit. Një nga orët diellore tregon datën 11 prill, e cila korrespondon me Ditën e Pashkës për vitin 1533.

    Trajtimi delikat që artisti i bëri veshjeve dhe detajet e përpikta në çdo objekt të tablosë bëjnë kontrast me trajtimin e shpejtë dhe të shkujdesshëm që vërehet tek perdja jeshile në sfond. Motivet e saj janë të thjeshta dhe perdja duket e sheshtë. Hijet duket se janë shtuar në fund për të treguar palat, megjithatë ky trajtim mund të ketë qenë i qëllimshëm në mënyrë që shikuesi të përqendrohej më shumë tek detajet e objekteve dhe figurave parësore. Dhe, në fakt, e kuptojmë që ka funksionuar më së miri.

    Tani vijmë tek kafka që gjendet në plan të parë të tablosë.

    Ajo është e pikturuar për t’u parë nga ana e djathtë e tablosë. Dhe kjo na le të kuptojmë se vepra ishte caktuar të varej në një mur përbri shkallëve, dhe u konceptua që teksa shikuesi të ngjiste shkallët ai të përballej me imazhin e vdekjes. Kafka është e pikturuar sipas perspektivës anamorfike, kjo një shpikje e Rilindjes. Imazhet anamorfike shërbenin si gjëza dhe lojëra për ta përfshirë shikuesin në një vepër arti e për të përthithur më mirë mesazhin që jep ajo. Kafka shërben si një momento mori, që do të thotë “mos harro se një ditë do të vdesësh.” Momento mori ishte një koncept mesjetar. Për shkak të sëmundjeve të mëdha dhe murtajës që pllakoste vazhdimisht popujt e Evropës dhe më gjerë, vdekja ishte reale dhe e prekshme ngado. Njerëzit e përdornin kafkën si kujtesë se vdekja ishte shumë pranë tyre, ndaj ata nuk duhet të jepeshin pa fre ndaj kënaqësive tokësore por të luftonin për shpëtimin e tyre, duke besuar tek Perëndia, pasi mund të përballeshin me të në jetën e përtejme nga momenti në moment.

    Përpara krijimit të kësaj tabloje, Holbein kishte punuar për një libër të tij me grafika dhe ilustrime me titullin Kërcimi i Vdekjes. Në të ai krijoi 41 ilustrime me motivin e vdekjes duke e bërë librin të arrinte një sukses të madh. Motivi i kërcimit të vdekjes ishte i njohur gjerësisht në Evropë dhe Holbein e ilustroi me figura të gjalla dhe me kufoma e skelete. Këto ilustrime ishin një momento mori, dhe në vazhdimësi të këtij motivi ajo u shfaq edhe tek vepra Ambasadorët përmes imazhit të kafkës.

    Momento mori shihet edhe tek vepra e William Shakespeare, Hamleti, i cili në monologun e tij të famshëm, princi Hamlet mban në dorë kafkën e zhvarrosur të ish bufonit të oborrit të tij e thotë shprehjen e tij të famshme “Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja”. Por si koncept është edhe më i hershëm dhe ndër-shekullor. Ajo ka shërbyer për të frymëzuar modestinë dhe për të nxitur njeriun që të kujtojë se është vdekatar. Në Romën e lashtë, kur gjeneralët ktheheshin triumfues nga betejat e lavdishme, atyre u vihej mbi kokë një kurorë dafine, dhe gjatë të gjithë procesionit një shërbëtor i pëshpëriste gjatë të gjithë kohës në vesh, “Je vetëm njeri. Je vetëm njeri.” Këtë e zbatonte edhe perandori i shquar i Romës, Marcus Aurelius, i cili për të privuar veten nga lavdia i dha për detyrë shërbëtorit të tij që teksa njerëzit e adhuronin atë sikur të ishte Perëndi, ai t’i pëshpëriste në vesh në çdo hap, se ai ishte vdekatar dhe se vdekja nuk do e kursente as atë. Ndaj edhe në këtë tablo, Holbein kujton jo vetëm shikuesin por edhe dy ambasadorët, mbretin Henry VIII për të cilin punonte, dhe të gjithë aktorët e përfshirë në realitetin e rrezikshëm në të cilin gjendje Evropa, se ishin vdekatarë dhe çdo vendim apo nismë duhet ta merrnin me përulësi dhe frikë nga ky fakt i pashmangshëm. Vetë artisti vdiq nga murtaja në moshën 45 vjeçare.

    Por pas mesazhit të vdekjes, tokës, dhe qiellit, ai shpalos edhe një nivel tjetër në tablo. Niveli i katërt gjendet në këndin e sipërm në të majtë të tablosë. Pas perdes jeshile fshihet një kryq i argjendtë. Ai është niveli i shpëtimit. Si një mesazh për shikuesin, ambasadorët, mbretërit, dhe popujt evropianë të përfshirë në konflikte fetare, përmes atij kryqi të fshehur pas perdes ai tregon se shpëtimi gjendet tek Jezus Krishti. Ai e ka pikturuar Krishtin në kryq, me kurorën me gjemba në kokë dhe këmbët e duart e gozhduara, por vetëm gjysma e trupit arrin të shihet ndërsa pjesa tjetër fshihet pas perdes, si një ftesë e nxitje për katolikë e protestantë, mbretër e intelektualë, të shikojnë përtej perdes së dijes dhe ndasive tokësore, dhe të hedhin sytë për nga kryqi, e ta shohin Krishtin e plotë si rruga e vetme e shpëtimit të kontinentit, e globit dhe e çdo njeriu.

    Hans Holbein lindi në Ausburg, Gjermani, jetoi disa vite në Bazel të Zvicrës dhe e mbylli jetën e tij në Londër ku u bë piktori zyrtar i mbretit Henry VIII. Ai ishte një mik dhe bashkëpunëtor i Erasmus, humanisti i shquar i krishterë holandez dhe figura më e madhe e Rilindjes në Evropën veriore. Ishte ai që e inkurajoi Holbein të shkonte në Angli. Në gusht të vitit 1526 Erasmus i shkroi një të njohur nga Baseli, “Këtu artet kanë ngrirë, kështu që Holbein është në rrugën e tij për në Angli për të gjetur ndonjë punë atje.”

    Holbein kishte fituar një reputacion të madh si ilustrator i kopertinave të Biblës në gjermanisht të përkthyer nga Martin Luther, si edhe ilustrimet e veprës së Erasmus Lavdërimi i Shqetësimit, ndaj, ndër të tjera, Erasmus e rekomandoi artistin edhe tek humanisti Sir Thomas More. Me të arrirë në Angli, Holbein u bë pjesë e rrethit të More dhe intelektualëve më të shquar të Anglisë. Ndikimi që pati rrethi intelektual dhe humanist në veprat e Holbein duken qartë te të gjitha tablotë e tij.

    Hans Holbein i Riu vlerësohet në histori si artisti i parë evropian i cili u la brezave të mëvonshëm si trashëgimi një dokumentacion pamor të disa prej figurave më të shquara të periudhës në të cilën jetoi, duke filluar nga Erasmus, Henry VIII, martiri Sir Thomas More dhe ideatori i Reformacionit anglez Thomas Cromwell. Por, në tablonë e tij Ambasadorët, ai ka shkuar përtej dokumentimit pamor, duke u lënë brezave të mëvonshëm të kuptojnë që nuk mjafton vetëm mjeshtëria e përdorimit të penelit dhe ngjyrave për të krijuar një kryevepër por edhe mjeshtëria e mendimit, e dijes, e shkencës dhe komunikimit përtej kufijve dhe koncepteve, në mënyrë që përmes një skene të mbushur me simbolika të dokumentohet një mesazh historik, të shpallet një deklaratë besimi, e të përçohet një mesazh shpëtimi dhe paqeje.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË