More
    KreuLetërsiBibliotekëDhjetë poezi nga Antonella Carmen Caggiano

    Dhjetë poezi nga Antonella Carmen Caggiano

    Përktheu nga orgjinali Eda Agaj Zhiti

    Italia dhe poezia kanë një përbashkësi të vijueshme si bregu me detin, do të thoshim… Zgjodhëm këtë radhë një poete italiane, Antonella Caggiano, (ka lindur në Polla/Sa në 13 korrik 1971), u diplomua për Letërsi në vitin 1997 dhe jeton në Pescara, ku jep mësim që nga viti 2016.

    Pasioni i saj për të shkruar nisi që kur ishte 11 vjeçe.

    Bashkëpunoi me gazetat “Il Roma” dhe “Il Giornale di Napoli”, duke u bërë gazetar e pavarur.

    Ka botuar librat “Zgjatjet”, 1990, “Kronikë e një Zeni të shpallur”, 2010, “E ëmbël e kripur”, 2022.

    Është pritur mirë nga lexuesi, kritika dhe është vlerësuar me çmime letrare nga “Qendra e Shpërndarjes së Artit të Poezisë” në Capranica në vitin 1990; me Çmimin Kombëtar për Poezinë “Valle di Vitalba» në 1991; me Çmimin Letrar të Komunitetit Europian, “Bashkëkohësit” në 1994; në Konkursin Ndërkombëtar të Bashkimit Evropian në qytetin e Komos në 1994; në konkursin kombëtar të poezisë dhe letërsisë artistike “Antartika” në 1994; me Çmimin e Poezisë “Stella Norbiato në 2000. Është anëtare e Akademisë Ndërkombëtare “Mihai Eminescu” në Rumani. Po kështu është fituese e Çmimit “Rhegium Julii” në 2022. Është e përfshirë në antologji të ndryshme, ndër të tjera në «900 e më tej» dhe është administratore e dy faqeve në fb: “Poezia që kuron” dhe “Miscellanea Mundi”.

    Poezia e Antonella Carmen Caggiano është e ndjeshme dhe delikate, jetë e saj dhe botë e gruas.

    Një pjesë e poezive botohen për herë të parë tek ne.


    KU SHKOJNË TË FLENË VIOLAT?

    -Dikur mendoja se e dija. –

    Nga dritarja përballë ëndrrave
    shikoja e habitur kumbimet e festës
    me lirin plot aroma vere dhe
    sfidën e bletëve përreth.

    Prisja të jetoja.

    Dhe vëzhgoja me adhurim jetën e të tjerëve.

    Dëgjoja dënesën e ajrit
    në një pasazh timin.
    Dikush e pa premtimin aq qartë
    në shpërthim si një luledielli të buzëqeshjes
    dikush epshin e përqafimit
    në një shikim të porsa kryqëzuar.

    Megjithatë unë nuk isha aty.

    Jo Anadiomenë e Ofeli
    ndoshta Desdemona ndonjëherë Euridike e ëmbël
    por gjithmonë Emily, Alda, Antonia
    shoqëruese të besueshme
    nga ngjashmëria.

    Sa herë kthehesha në këndin e lojës mes palëve,ku të gjithë ishin më të mirë se unë.

    Aq ëndërrimtare mbeta
    mes poezive dhe dashurive fëminore derisa të çelnin krizalet.

    Kur babai e kuptoi që dita kishte përfunduar
    dhe që duhej të bëhesha grua.

    E gjitha filloi nga atje:
    “Më ndaluan të të shihja

    -përsëriste nëna ime –
    dhe pastaj e thirrën kthimin tim.
    Vetëm dora ime në fytyrën tënde i qetësonte
    të qarat pa mbarim”.

    Gjithçka fillon dhe ka një fund
    vetëm për dashurinë.


    KUJDES SI MË SHIKON

    Kujdes si më shikon
    Mundet dhe të thyhem.
    Folë me zë të ulët,
    çfarë shpirti,
    ka lëkurë prej uji dhe
    rrëshqet
    pa memorie.
    Mos më prek ashtu
    me ngut
    me mendimet e ftohta ende
    në gishtrinj.
    Le të kullojë i laguri i ditës së shkuar,
    bëji një bluzë dhe
    borën e fëmijëve
    bëje tokë me mua
    bëj gojë për puthjet
    bëji vetes një shtrat ku të fsheh kohën,
    nëse nuk je aty.


    RRI

    Rri.
    Në tokën tënde kaq larg
    unë në ngrohtësinë
    e përkushtimeve të mia të shpejta
    në kthimin tim
    në shtëpi
    me lodhjet
    në ditët e ngjeshura
    dhe me vajtimet
    e kohës
    pa hënën time.


    MOS LEJO ASNJËRIN

    Mos lejo asnjërin
    ta bëjë zemrën tënde
    vend të pabanuar.
    Rrethoje kopshtin tënd
    krasit gardhin
    ujiti lulet një nga një, hiq ç’është tharë, falendero shpatoret që marrin frymë aty,
    përkëdhel çdo gjethe të rritur më në fund
    ha trëndafilat më të bukur që të mbarsin brenda
    flladin e majit
    zhyt hundën në orkidet e harlisura,
    pavarësisht mungesës tënde.

    Qofsh parfumi që do të deshe
    përreth.

    Mbaje kokën
    nga dielli
    bëj si lulet e diellit
    që i ulin
    vetëm për të mbjellë tokën
    me jetë të re.


    ÇFARË PO PRET

    Zoti im që të më lësh të hyj
    në tempullin tënd të adhuruar?
    Kur sërish
    njerëz mizorë do të qeverisin
    dhe do të shkëmbehet pafajësia
    me medalje?
    Mendova se po më prisje
    në pragun e një ëndrre të re
    që do të përshëndeste pranverën.
    E shikon?
    bajamet kanë lule.
    S’e ndjen aromën e hershme
    të limonave?
    Megjithatë ti qëndro.
    Një dorë e vogël atje
    hedhur anash.
    Një buzëqeshje e ndrydhur.
    Pema sakate
    e luftës tënde
    ka vizatuar një peizazh hënor
    ku e gjitha
    ka një të hapur nga qielli në tokë.


    NUK MUNDESH

    Nuk mundesh
    të mos thithësh
    fort
    erën e detit.

    Nuk mundesh
    të mos dëgjosh
    të gjithën
    ç’gëlltit
    të shtysh mendimet
    që mbart
    me një dallgë kokëforte
    lirshëm,
    më në fund.


    DHE DUA

    Dhe dua
    shpërthimin brenda
    të këtij lundrimi vetmitar,
    gjëmimin që shkëlqen
    fillin e dritës
    që qep ngulmueshëm
    shpresat.

    Dhe dua
    këtë besojmë
    në zjarrin e hershëm
    të rindezur
    tek feniksi
    me të cilin fluturon
    shpirti.


    NË MBRËMJET E TETORIT

    Në mbrëmjet e tetorit
    dritarja e dhomës së gjumit
    gjysmë e mbyllur.
    Nga çarjet e lëngta
    forma të përqafuara
    me erë erërash
    vërshojnë
    me pulsime të lodhura veturash.
    Fluturoni zëra bashkë
    me copëzat e letrave me ngjyra
    të shpresës.

    Dhe në fund
    hapat e paedukatë
    të një mendimi.


    KIEV

    “U rraskapita nga të bërtiturat,
    fyti im është tharë;
    sytë e mi lodhen
    duke pritur Zotin tim.” (Psalmi 69, vv7-10)


    QËNDRO!

    Jashtë zogjtë cicërijnë
    Më vjen turp
    të përjetoj kënaqësinë
    e qiellit të pastër
    buzëqeshjet e fëmijëve të mi
    përkulur mbi fletoren e detyrave
    në dhomën erë-paqeje.

    Një tufë flokësh të kuq
    mes rrënojave,
    vdekja ka gjithmonë ngjyrën e saj.


    PENDË

    Do të doja të isha një pendë
    në një qiell të qetë veror
    dhe të vizatoja pirueta nën diell
    dhe të ulesha për të pushuar në tokë.

    Asgjë tjetër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË