More
    KreuLetërsiBibliotekë"Tango dhe Mazurka", cikël me poezi nga Roland Gjoza

    “Tango dhe Mazurka”, cikël me poezi nga Roland Gjoza

    FËMIJËRIA IME VERTIKALE

    femijëria ime vertikale, sa herë vij në atdhe
    rrugica ime prapa lidhjes së shkrimtarëve nuk është më horizontale
    pemët e kopshteve
    fiqtë dhe hurmat
    manat dhe qershitë
    lulëzojnë në ajër
    atje lart i ngre sytë
    shtëpia ime njëkatëshe
    me tulla dhe qerpiç
    është ngritur lart
    pallat me dyzet kate
    dhe atje në majë
    një fëmijë qan
    me një qarje vertikale
    në qiellin e zbrazët
    s’ka zot
    se po të kishte
    në tokë do ta zbriste


    NË NJU JORK FLUTUROJ HIPUR MBI TEMPERATURË

    në nju jork fluturoj hipur mbi temperaturë
    me një kalë të kuq me një kalë të kuq
    dyzetë po shkon dyzetë e një dhe një vijë
    unë sikur kam pirë dhe tani shkoj në qiell
    të takoj heminguejn
    edhe nëse nuk e gjej në amerikë
    do të shkoj në afrikë ta gjej
    në kilimanxharo do të ulem mbi skeletin e leopardit
    me temperaturë je gjeni që fluturon
    me një kalë të kuq me një kalë të kuq
    mund të takosh dhe xhejms xhojsin në trieste
    duke shkruar romanin  e tij më të tmerrshëm
    që do t’i asgjesojë të gjithë romanet
    përveç plakut dhe detit
    me temperaturë mund të krijosh
    me ajër dhe me dritë
    edhe një herë amerikën
    do ta bëj
    me një kalë të kuq me një kalë të kuq
    bie temperatura dhe unë bie
    mbi fatura të kripura që presin me ditë


    KREJT LAKURIQ TË DY

    krejt lakuriq të dy
    preknim njëri-tjetrin
    gjersa krijuam hartën e botës prej mishi

    venecia ishte pjesa e bukur e ballit tënd prej kristali
    që përmbytej prej dy deteve të syve bojë qielli
    më poshtë ngriheshin gjinjtë si afrika kur kërcen bluz
    elektriciteti i ajrit të zi përvëlues
    ndizte zjarrin e kuq të epsheve
    më poshtë ulërinte vagina
    amerika
    si rokenrolli dhe metalika
    lumenjtë e mëdhenj nili dhe misisipi në të dy kofshët e tua vërshonin
    të gjitha shtetet me radhë putheshin dhe shkatërroheshin
    bënim seks dhe ishim kaq të pakujdesshëm sa grisnim hartën e botës.


    TANGO DHE MAZURKA

    tani u bënë lëmsh punët
    s’ka më tabela të zakonshme në dyqanet e kuinsit
    në vend të tender joe’s shkruhet tensioni
    te marta stuart bakery shkruhet kolesteroli
    kështu na duket ne të rrjedhurve
    që merremi me recetat e mjekëve
    me radhë të gjitha sëmundjet e mia dhe të gruas
    kanë zëvendësuar tabelat klasike
    në sallën e vallëzimit në rrugën selfridge
    ku shkojmë sipas porosisë së mjekut
    të kërcejmë tango dhe mazurka
    për të rënë në peshë
    dama ime është kolesteroli
    partneri i gruas është tensioni
    rinia na vjen si një film i këputur
    bëjmë ta ngjisim dhe e prishim
    i heq kapelen kuinsit
    që nuk iu vë gjobë të kripur
    dy të rrjedhurve si ne
    që ngatërrojnë tabelat e dyqaneve
    me recetat e mjekëve


    ÇMIMET NË GINES DHE UNË NË PËRRALLË

    i ngushtë dhe i shkurtër
    më nxënë te gjitha dyert
    dhe në një kasafortë mund të futem
    mbeti një nostalgji ngjyrë trëndafili
    gjatësia dhe trashësia ime e dikurshme
    për dreq m’u zvogëluan dhe muzgjet
    m’u zvogeluan dhe detet dhe
    qielli dhe muza
    pulëbardha të vogla sa gishti sillen rrotull
    dhe unë gishto një ditë
    në faqet e përrallës hyra sërish
    më lexojnë fëmijët dhe idiotët


    VETËM BISHTAJA DUHET TË HAMË

    i kemi zili zogjtë që fluturojnë
    dhe vajzat e bukura i kemi zili
    mandarinën e pëlqejmë shumë
    po nuk e kemi të këshilluar
    vetëm bishtaja duhet të hamë,
    bukën as duhet ta shikojmë me sy
    qumështin që e pinim më parë
    na e ndaluan
    i kemi zili ketrat kur iu ngjiten pemëve si zhivë
    dhe kur zbresin prej tyre dhe presin
    t’iu hedhim ndonjë thërrime te këmbët
    avioni na u ndalua gjithashtu
    prej zemrës
    na merr djali me makinë
    na çon në parqe të mahnitshëm
    por është mërzi e madhe
    të shohësh vetëm bukuri
    ah, harrova
    na ndaluan të bëjmë seks
    dhe ne qeshim


    KËTË TA THEM UNË QË TË DUA

    kështu filloi, shpirti im, e para ishe ti
    as fjala, as dashuria, as drita
    ishte bukuria jote, shpiri im, bukuria jote e mahnitshme
    këtë ta them unë që të dua!
    për sytë e tu ulliri lulëzoi, ulliri i perëndive klasike
    deti vërshoi, u krijuan ngjyrat, det i ulisit blu
    u kthye në itakë te penelopa e bukur, se kështu qe shkruar
    se atdheu është gruaja
    për buzët e tua qershia lulëzoi, qershia e kuqe
    dhe molla për faqet e tua, molla
    kështu dalngadalë prej kurmit tënd mërshor bota u krijua
    e rrumbullakët si barku yt i bekuar
    këtë ta them unë që të dua!
    me radhë u krijuan malet, fushat, luginat e buta me bar dhe me lule
    prej hireve të tua
    delet, zogjtë, bletët, fluturat, pegasi, zogu i zjarrtë
    për t’i dhënë dritë verbimit të homerit
    dhe e para ishte fjala, s’duhet besuar
    e para ishte gruaja
    o zot, të lutem, më thuaj, ç’duhet burri?
    prej qiellit duhej të ngjizej gruaja
    si maria e virgjër
    të lindnim krishtër
    burri në vend të dashurisë tregon forcën e sundimit
    harron nënën që është gruaja
    këtë ta them unë që të dua!


    E KAPA PËR DORE ÇASTIN

    e kapa për dore çastin
    në pistën e akullt kërcyem valset e shtrausit
    çastin shtrëngoja
    çastin
    kërcisnin patinat në akull
    dhe bëheshin vija pikasoje në sipërfaqe
    pikturat kubiste blu
    të dashnoreve të tij parisiane
    kriseshin si kristale
    çasti
    çasti
    kishte shumë dashuri në akull
    s’mbanim mend asgjë nga e shkuara
    asgje nga e ardhmja s’dinim
    ndërruam muzikë
    nga klasikja te modernja
    përziemë kohët
    po harruam luftrat
    çasti i vogêl 
    çasti
    mezi nxë paqen
    prandaj e duam.
    nga valset e shtrausit te repi i tupakut
    paqe çasti
    paqe
    veç harruam
    se kërcenim në akull!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË