KreuLetërsiBibliotekëSnezana Stojcevska: Dhoma qiellore dhe poezi të tjera (poezi)

Snezana Stojcevska: Dhoma qiellore dhe poezi të tjera (poezi)

Snezhana Sojchevska është diplomuar në Pedagogji në Fakultetin Filozofik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ajo është autore e shtatë vëllimeve poetike: “Diferences” (Përmbledhje poetike në tri gjuhë: serbisht, anglisht dhe maqedonisht, 2025), botuar nga Povelja Kraljevo; “Empty Space” (2022), botuar nga Sovremenost; “I Will Cover Myself with Poems” (2019), botuar nga MI-AN; “It Should Be Easy” (2017), botuar nga Antolog; “Blue Fantasies” (2015), botuar nga Templum; “Sub Zero” (2013), vlerësuar me çmimin “Beli Mugri” si libri më i mirë poetik i një autoreje të re, dhënë nga Shtëpia e Kulturës “Koço Racin” në Shkup; si dhe “Sugar on the Floor” (2012), botuar nga Ili-Ili.

Poezitë e saj janë përfshirë në shumë antologji të letërsisë bashkëkohore maqedonase.

Në vitin 2018, iu bashkua Versopolis-it, një platformë evropiane për poetët dhe festivalet e poezisë. Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë. Stojçevska ishte pjesë e komitetit organizues të edicionit të parë të Festivalit të Poezisë në Shkup, i cili u zhvillua në shtator të vitit 2021. Nga prilli i vitit 2022 deri në prill të vitit 2026, ajo drejtoi Bibliotekën e Qytetit “Vëllezërit Miladinov” në Shkup. Aktualisht, ushtron detyrën e sekretares së përgjithshme të Shoqatës Maqedonase të Botuesve.

PA KORE (Без корка)

Në fëmijëri isha vogëlushe pa oreks
e im atë më rrinte pranë përherë
duke u përpjekur të më ushqente
me dy copa bukë, pa kore.

Me kohën tavolina ku ulem
është rrotulluar tashmë
e unë gjithaq përpiqem që babain ta
ushqej
me dy copa bukë, pa kore.

VEGIM (Привид)

Nganjëherë më duket se akoma gjallon,
sikur mbase të jetë vonuar në punë
sikur shfaqja mos të ketë nisur në kohën
e duhur
sikur publiku t’u ketë kërkuar një bis
kudoqoftë, do të vijë sërish,
ja ku është, porsi hyri në derë tashmë.

DHOMA QIELLORE (Небесна соба)

Ëndërroj
sikur banesën e kemi meremetuar
muret i lyejmë, gjithçka kemi ndrequr,
pastrojmë, mobilje të reja vendosim aty-
këtu
e sa më bukur e përshtasim dhomën e
ndjenies,
aq më e bukur bëhet dhoma qiellore e
babait tim.

BETEJA E PADUKSHME (Невидливабитка)

Djalli nuk heq dorë prej nesh
e gjer në çastin e fundit, lufton për shpirtin
tonë.
Në orët vendimtare të jetës së atit tim
një betejë e padukshme kish shpërthyer
befasisht.
Engjëll i bardhë e grishte nga njëra dorë,
e tjetri i mugët nga dora tjetër,
teksa ne të tre orvateshim
t’ia ndërronim bluzën e djersitur.

PROCES: Pa Diagnozë (Процес: Без диагноза)

Porsi në videolojë shumënivelëshe
si të kërkosh thesar të fshehtë në hartën
sekrete
si të ishe futur në “Procesin” e Kafkës
edhe ky korridor
edhe kjo derë
edhe ky banak
edhe kjo grafi
edhe ky raport mjekësor
gjer në një tjetër degë
deri në një tjetër kat
gjer në një tjetër derë
te një tjetër mjek
nëpër të tjera shkallë
për të marrë një tjetër raport
për të vajtur në një tjetër njësi syresh
për një tjetër vizitë mjekësore
për herën e tretë, të gjashtë, të dhjetë
në tjetër spital
nëpër të tjerë korridore
me shpresën se përgjigja ndryhet prapa
kësaj kërcëllime
e mbrapa kësaj dere do të të thonë se nuk
të takon të jesh këtu,
pa të thënë ku të shkosh gjithsesi,
e nuk të thonë se vdekja të rrëmben edhe
pa diagnozë fare

e se drita që je duke kërkuar matanë
korridorit të spitalit
është e njëjta dritë që na shpie në botën
e përtejme.

FAMILJE (Семејство)

Ndonjëherë djali
më sillet sikur ta kisha atin tim,
ndërsa unë sillem si nënë e nënës sime.

Në çast, i vogli bëhet më i madh në moshë,
e i madhi, befas priret drejt vegjëlisë.

Vitet e humbasin kuptimin e tyre,
ndonëse dashuria mbetet e njëjtë
e përbotshme dhe e dëlirë.

DREJTPESHIM (Рамнотежа)

Cikli është ngaherë i njëjtë
vdekja ia hap derën gjallimit rishtas.
Luhatje e padukshme e përbotshme
e ruan drejtpeshimin
midis shpirtrave qiellorë
e atyre në tokë.

Përktheu: Elvi Sidheri


ASNJËHERË S’NDALOJ

E para që na mësonin në balet ishte
që duhet të duket e lehtë,
aq e lehtë saqë është e vështirë
të përngjajë me atë se çdo kush mund ta
bëjë atë
të mos hetohet se shkel në dysheme
të rrish pezull vazhdimisht një centimetër
mbi tokë
heshtur
gracioze
butësisht
butë
dhe gjithmonë me fytyrë të buzëqeshur
të mos mendojë dikush se dhemb
a dhemb?
edhe atëherë ku rrjedh gjak nga gishtat.

Si poet e kuptova vetë
duhet të duket e lehtë
aq e lehtë sa është edhe e vështirë
të thonë të gjithë edhe unë mund ta
shkruaj këtë
të mos hetohet se shkel në dysheme
rri pezull vazhdimisht një centimetër mbi
tokë
heshtur
gracioze
butësisht
butë
dhe gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë
të mos mendojë dikush se dhemb
a dhemb?
edhe atëherë kur më rrjedhin gjak nga
gishtat.

GJENETIKA

Për gjyshen N.
Për mbesën N.

Gjenet janë punë hyjnore
u mahnitem saktësisë së tyre
sa herë kur e shoh mbesën time
sikur të shihem në pasqyrën e të kaluarës.
Nuk mund ta qortoj,
kam një ndjenjë të çuditshme sikur qortoj
veten
e vogël.

Nuk mund të mos jem e sjellshme me
gjyshen.
e bukur i them në ikje
dhe e puth në faqe.
Budallaqja njëherë, plakë jam – më thotë
dhe qeshet me të njëjtat sy të gjelbër
ndër rrudha
nuk mund mos e vërej ngjashmërinë
sikur shoh veten në pasqyrën e ardhmërisë.

MË JEP KOHË

Jashtë këtij realiteti
në një univers paralel
ndoshta jemi një çift i përkryer.

Në një univers paralel
kemi një pikturë në kornizë
mbi kaminin e dhomës së ndejës.

Në këtë jemi vetëm një pikturë çasti
pranë xhamave të dyqaneve ku kalojmë.

Përktheu nga maqedonishtja:
Artan Arsllani

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË