Commercial Road. Një taksi e zezë ndaloi përpara The Last Anchor, ndërsa nga larg, përtej ndërtesave të Old Portsmouth, dëgjohej një sirenë e gjatë e një anijeje që po largohej nga porti.
Arbeni doli për pak ajër. Mbi sheshin e vogël, qielli kishte marrë ngjyrën e plumbit. Në drejtim të Southsea Common, dritat e qytetit përziheshin me ndriçimin e monumentit Portsmouth Naval Memorial, ku emrat e mijëra marinarëve të rënë në dy luftërat botërore qëndronin të gdhendur në gur. Në atë mbrëmje, ndërsa qyteti festonte, monumenti dukej sikur ruante një Krishtlindje tjetër, shumë më të heshtur, atë të njerëzve që nuk ishin kthyer më kurrë nga deti. Arbeni mendoi për të atin, për rrugën e trunxhave në Elbasan, për motrën që e kishte pyetur në telefon nëse do të vinte këtë vit. Mendoi edhe për njerëzit që kishin kaluar nëpër jetën e tij pa lënë ndonjë shenjë të dukshme, por që, në një mënyrë të çuditshme, vazhdonin të ishin aty. Në xhepin e palltos telefoni Nokia filloi të dridhej. Ishte një mesazh nga motra: Gëzuar Krishtlindjet, vëlla. Nëna pyet nëse do të vish në pranverë. Të kemi …, kemi shumë mall. Arbeni e lexoi dy herë. Pastaj shkroi ngadalë: Do të vij. Përqafoji të gjithë. Edhe unë ju kam mall. E futi telefonin në xhep dhe u kthye drejt lokalit. Nga brenda dëgjoheshin sërish të qeshura. Walter Higgins kishte hyrë për të marrë një gotë çaj të nxehtë dhe tani po këndonte pranë pianinos, ndërsa Maggie përpiqej të rregullonte tabakanë. Koli ishte ulur në një karrige tjetër, me gojën mbyllur dhe me duart e vendosura mbi gjunjë. Michael Turner po i shpjegonte se, nëse vazhdonte kështu, herën tjetër do t’i duhej të mbante një tabelë paralajmëruese përpara fytyrës.
Arbeni u ul përsëri në banak.
– Një tjetër? – e pyeti Maggie.
– Po, por këtë herë pa aksidente.
– Këtë nuk mund ta premtoj, – tha ajo. – Jemi në Portsmouth.
Të dy qeshën. Jashtë, mjegulla po mbulonte ngadalë rrugicat e Old Portsmouth. Në distancë, anijet e ankoruara në port dukeshin si hije të mëdha që prisnin një urdhër të padëgjuar. Nëpër rrugë kalonin njerëz me pako dhuratash, çifte që mbanin njëri-tjetrin për krahu dhe familje që nxitonin të ktheheshin në shtëpi përpara se të fillonte darka festive. Në The Last Anchor, ndërkaq, askush nuk kishte ndër mend të largohej. Krishtlindja kishte mbërritur edhe aty, në atë lokal me dysheme të lagur, me gota të thyera, me një piano që mezi punonte dhe me njerëz që kishin ardhur nga vende të ndryshme, por që për një natë kishin gjetur një arsye për të qëndruar së bashku.
Arbeni e ngriti gotën.
– Për ata që janë larg, – tha.
Michael ngriti të tijën.
– Për ata që kthehen.
Maggie shtoi:
– Dhe për ata që nuk dinë kur duhet të ndalojnë së bëri marrëzi.
Të gjithë kthyen kokën nga Koli. Ai ngriti gotën e vet dhe, për herë të parë atë mbrëmje, qeshi pa kundërshtuar.
– Për dhëmbët, – tha.
Tavolina shpërtheu në të qeshura. Dhe kështu, ndërsa kambanat e Krishtlindjeve filluan të dëgjoheshin nga kishat e Portsmouthit, në atë qoshe të vogël të Broad Street, mes shqiptarëve dhe anglezëve, mes kujtimeve të një atdheu të largët dhe përditshmërisë së një vendi të huaj, nata vazhdoi të rridhte me atë çrregullsinë e bukur që ndonjëherë e bën jetën më të vërtetë se çdo festë e organizuar.
Eh, tha me vete, në fund të fundit, Krishtlindja nuk ishte vetëm në dritat e qytetit, as në vitrinat e zbukuruara të Gunwharf Quays, as në këmbanat që binin mbi çatitë e vjetra të Portsmouthit. Ajo ishte edhe në një mesazh të shkurtër nga Elbasani, në një gotë të ngritur për njerëzit që mungonin dhe në një tavolinë ku një shqiptar me dhëmbë artificialë kishte arritur të bëhej, pa e kuptuar, personazhi më i përfolur i gjithë mbrëmjes. Porti vazhdonte të priste anijet. Njerëzit vazhdonin të prisnin njëri-tjetrin. Dhe rrugët, si gjithmonë, nuk pyetnin askënd se nga vinte përpara se ta çonin diku tjetër… Rrugët ishin thjesht rrugë…
Portsmouth, Angli, 24 dhjetor 2005 Vdiq Lasgush Poradeci dhe, ne u nisëm drejt tij ! Por sa shpengueshëm e kaloja nëpër mend, apo edhe e shqiptoja fjalën e zezë vdekje! Siç duket, në rastin e Lasgushit,ajo nuk ta shkaktonte atë dhembjen e thellë ligështuese…
Me një ballë tërë rreshta rrudhash si alfabet i mençurisë dhe, me sytë të mbetur përgjithmonë të kaltër,të kaltër, mu si ai qielli i majit, pas shirave të shkëndijshëm, pareidolia e Poetit,tek udhëtonim, më shfaqej tej reflekseve të xhamit të makinës,ashtu me dorën e ngritur lart për një përshëndetje lamtumire dhe, me një nënqeshje ndër buzët e pjerrësuara, e cila nuk iu shua kurrë. Ishte sarkazëm ajo nënqeshje,njëherësh edhe mahi, të përftuara mesa duket, që kur në jetë pësoi zhgënjimet e parë në dashuri e miqësi , e megjithatë poezia e tij është vetëm dashuri…
Po shkonim te Lasgushi Të heshtur dhe të menduar.
Përgjatë Shkumbinit, në krah të të cilit shtillej rruga që po përshkonim, rrëzëllinte vjeshta me një dritë të praruar, të qetë dhe të përmbajtur si dekor ceremonish funebre, teksa era e herëpashershme,plot ahte dhe ngashërime, dikonte mbi rrufullat e ujërave të fryrë, gjethet, gjethet e krahasimeve të pambarueshëm të poetëve…
Të heshtur e të menduar Po shkonim te Lasgushi.
Lajtmotivi i gjetheve që binin Ngado regëtinte…
Atje,në Pogradec, buzë liqenit prej loti, apo majë degëve rënkuese të mështeknave të shkundura, nuk do t’i gjenim më lejlekët dhe zogjtë këngëtarë; ata sigurisht që mungonin tashmë dhe, nuk do t’i shihnim, ashtu siç nuk sheh më edhe atë dashnoren e zëmëruar që nuk del më në takim…
Po shkonim te Lasgushi Të heshtur e të menduar Por gjer ku do ta ndiqnim Poetin ?
Pas varrimit, me t’u deklamuar shtërgu i fundit, që është kthyer në një de profundis i vërtetë shqiptar, aq më tepër ngaqë lutjet e mirëfillta të teksteve të shenjtë, asqë guxonte t’i zinte ende njeri me gojë, edhe pse vetë diktatori i pafe, tashmë ka mëse dy vite e gjysmë që ka vdekur, u lëshova i vetëm nëpër Pogradec, i cili, më të perënduar tretet e bëhet një akuarel flu i ëndërrt,kurse hëna tutje,pas kallamishteve frushullues,është ajo nimfa lakuriqe që fshihet – shfaqet rrëshqitshëm tek lahet ledhatueshëm mes ujërave me natë dhe yje…
U lëshova, u lëshova i mëvetësuar nëpër Pogradec ! Ah, çfarë do të thotë për një qytet të ketë një poet ! Një poet të madh lirik që të përjetëson po aqsa edhe vetë emrin e tij !
Po si është pikërisht ky qytet, kur mbetet pa poetin e tij ? E çutitshme : e gjithë popullsia e tij është ende aty, e paprekur dhe e papakësuar, e megjithatë, sesi e përfshin një zbrazëtirë dhe, një varfëri që ndihet ngado e nuk shmanget, madje, duke qenë shpirtërore, është më e pikëllueshme se vetë varfëria materiale.
Por ç’po them? Shpesh një qytet, sidomos i përmasave të kursyera si Pogradeci, duket i boshatisur dhe aspak tërheqës, edhe kur prej tij largohet qoftë edhe një femër e bukur, fatalisht e bukur, me një bisht komete prej pluhurizash yjesh vetëtitës nga pas, të qendisur pandalshmërisht nga legjendat dhe thashethemet, të cilat,duke mos qenë të vërteta, bëhen intriguese dhe përndezëse të fantazisë…
Mendo pastaj, sesi është përjetuar nga qytetarët e tyre syrgjynosja kërcënuese e fenomenit Ovid, e fenomenit Dante, e fenomenit Khajam !
Sot, biografitë e tyre dramatike të tronditin dhe të revoltojnë ende, por kohët moderne, nuk sollën aspak paqe dhe fat më të mirë për poetët: historia të çmëson, i përmbyllin librat e tyre disa filozofë, por unë po them se, kujtimi i Poetëve, adhurimi dhe nevoja për ta, nuk shuhen kurrë dhe nuk janë asnjëherë efemere…
Sa herë kam vajtur në Pogradec,fjalët e para që më kanë thënë miqtë e mi me të mbërritur aty, kanë qenë për Lasgushin : oh, ai tashmë ndodhet në Tiranë; ti e di që atje ka një shtëpi tjetër mes pemëve, në krah të rrugës Ali Demi. Ose : Lasgushi është këtu te ne ; ta shohësh sa mirë mbahet ! Në fytyrë ka aq shumë mendim sa të duket sikur dialogon pa ndërprerje me dikë…
Miqtë e mi e dinin që unë nuk kisha as edhe një përshëndetje rutinore me Poetin , e megjithatë çdo herë që më piqnin, më rrëfenin e më rrëfenin për të.
Eh,ajo shtëpia e Lasgushit në Tiranë,pa dyshim me avlli të shembur,sepse si mund të kishte mur mbyllës oborri i saj ? Por shumë gjëra për të s’i dinin ende miqtë e mi pogradecarë…
Ajo ndodhej fare pranë shtëpisë sime dhe për ne kalamajtë e mëhallës ishte shumë e njohur,jo ngaqë aty banonte Poeti,të cilin ne atëherë asqë e njihnim për të tillë,por ngaqë n’atë oborrin e saj,kishte kumbulla të mrekullueshme italiane,siç quhej gojarisht ai varietet dhe,ne s’reshtnim së këputuri kokrrat,gjersa në pemë mbeteshin vetëm gjethet.
Mendo,çfarë situate surreale :Poeti dilte e na hakërrehej,tek na hidhte ndonjë të sharë,ashtu si kot,teksa ne largoheshin e qeshnim hareshëm.
Mirë Lasgushin që s’e dinim ende kush ishte,por ne të prapët kishim drejtoreshë shkolle zysh Nafijen,bashkëshorten e tij !
Për Zotin sot,kur i kujtoj episodet majë kumbullave të Lasgushit,jam i sigurt që ai,tek na lëshohej neve,çlironte nga vetja një pjesë të stresit;po po,kur hynte brenda pale si qeshte me vete…
Por në kryeqytet Poeti ishte i dëbuar institucionalisht ; shpërfillej qëllimisht dhe injorohej me harresë, duke mos e thirrur e duke mos e ftuar n’asnjë veprimtari letrare që organizonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, pale pasaj në ata koncertet ,të cilët jepeshin me rastin e përvjetorëve jubilarë të çlirimit t’atdheut, apo të themelimit të Partisë…
Në këta koncerte, fiks gjashtëdhjetëminutësh përreth Enver Hoxhës,që i ndiqte gjithmonë në sallë, zinin vend shkrimtarët dhe artistët zyrtaristë, të cilët, si rregull,duhet ta ruanin kallajin e buzagazit në fytyrë, gjersa të tokeshin me Udhëheqësin, fill pas ekzekutimit të valles monumentale O fest’ të madhe, o ka sot Shqipnia, e cila përmbyllte edhe koncertin protokollar…
Eh, Lasgush, poet intimist i fluturimeve të zogjve të përmalluar shtegtarë dhe,i zogjve të kopshteve,që dimërojnë mes kriptogrameve të degëve të zhveshura,ti asqë mund të përfytyroheshe n’ato mjedise me britma entuziazmi fals dhe të përmbytur nga kuqërrimi hemorragjik i cohës së stendave, podiumeve dhe parullave marksiste – leniniste.
Por ti kishe Liqenin Ku ngjyeje penën Liqenin Librin e Hapur të Poezisë !
Edhe në Pogradecin e tij,me të cilin formoi emrin e penës,Poeti gjithashtu u kalonte tangjentalisht institucioneve shtetërorë. Vetë sekretari për letërsinë i Lidhjes, kur shkonte në Pogradec për pushime, apo më së shumti për t’u takuar me anëtarët e qytetit në mbledhjet e zgjeruara, ku analizohej krijimtaria letrare e tyre dhe, u jepeshin porosira për të trajtuar tema të mëdha me partishmëri, i bishtnonte me nervozizëm takimit me Lasgushin, kur dikush ia kujtonte ashtu si pa dashje se,edhe Poeti ndërkohë ndodhej në Pogradec: e mo’, sesi është ai njeri ; e kam thënë edhe tjetër herë, e luan keq e nuk i shkon ajo molepsja gjoja ngataedium vitae, e cila u përvetësua si modë interesante e të paraqiturit në shoqëri, e veçanërisht para femrave nga djemkat e mvelur të ariostokracisë dhe borgjezisë, e mo’, s’i kthen librat që merr në bibliotekë, e i detyron pionierët e dalluar t’i venë fletërrufe, e mo’…
Aha, shoku sekretar i letërsisë, fletërrufe Poetit, ngaqë s’i kthyekësh librat n’afatin e përcaktuar në rregulloren e bibliotekës ; po kush i ndërsen kinezërisht në të vërtetë ata nxënës të pafajshëm ?
Edhe sot, arkivoli nga shtëpia e tij doli. Sigurisht që për këtë vendim, është dhënë urdhër i prerë, nga ato urdhra të pashkruar e të pafirmosur gjëkundi , por të transmetuar grykshëm në telefon te veshi i duhur…
Nga shtëpia e tij që do të bëhet një ditë muze dhe tempull pelegrinazhi i Poezisë, ku secili send i prekur dhe i përdorur nga Lasgushi, do të kthehet në fetish të magjishëm !
Institucionet shtetërorë, institucionet shtetërorë ; por si nuk e kuptuat asnjëherë, o të marrë të liq se, shtëpia është institucioni më i shenjtë !?
Eh Lasgush, Lasgush Zjarr e prush !
Si shtërgu i fundit.
Ike në vjeshtë, E në ç’stinë tjetër mund t’ikje ?
Lasgushi njihte veçse kalendarin e stinëve, ndërrimin e të cilave gati – gati e përgjonte si shumica e poetëve dhe, për rrjedhojë, drithërohej i pari, duke u prekur dhe duke u gëzuar hareshëm si fëmijë nga shfletimi i beftë i peizazheve …
Dhe, kur ishte dimër, heshtte i përfshirë nga një trishtim nostalgjik,tek kundronte drurët, që ua mvishte degët krahneza fine e brymës dhe më pas edhe krahneza rrëzëllitëse e dëborës, duke i kthyer në dritë të kristalizuar përralle, që pikëzohej aty – këtu nga harabelat të cilët,tek s’pipëtinin të përmalluar, frynin puplat që të ngroheshin…
Dhe,kur ishte verë,jetonte verën,i përfshirë nga afshet erotike,trillet dhe dalldia dhe, kur ishte pranverë,jetonte pranverën dhe, ashtu i ndezulluar,i hajthëm dhe gjithë vesk,si lastar i lëngëzuar,nxitonte të shihte bajamet e nusëruara, lulefushat e para dhe zogjtë e kthyer sakaq,që kishin nisur këngët e dashurisë majë pemëve apo nëpër arat e pluguara që avullonin …
Dhe, kur ishte vjeshtë ; ah, kur ishte vjeshtë,përmbytej nga kujtimet e jetës së tij të trazuar !
Ah,u largua,kur ishte vjeshtë…
Një herë të vetme u shtir dhe pozoi Lasgushi teksa ikte nga qielli i tij dhe,dështoi shëmtueshëm me një farë vjershe që u stërmundua ta stiste,kinse për sukseset e mëdha të socializmit.
Por ç’dështoi?
Përvoja e urtësoi të merrte një vendim të prerë që,të mos vargëzonte më kurrsesi për kanalet vaditës,traktorët,plehrat kimikë e pesticidet,bllokadën e egër imperialisto – revizioniste; këto e ca të tjera si këto, do t’ua linteborive të Partisë…
Heshti së gjalli tek i vlonte ende shpirti krijues së brendshmi,por lirikat me motivet e përjetshëm,këndoheshin mbarë Shqipërisë.
Heshti së gjalli vite e vite të tërë.
Por, i linduri Poet i tha furishëm të gjitha njëherësh,ashtu i ndërlidhur me Engjëllin e Poezisë,qenien metafizike nga yjet,përmes telepatisë që e zotëronte çmendurisht,si i shenjuar që ishte…
Shkoi dhe shtërgu i fundit…
Çfarë proteste me shmangie. Pa ballafaqime dhe përplasje,pa proklamatë dhe sherre, pa akuza të ndërsjella dhe, pa promemorie…
Shkuam te Lasgushi Të heshtur dhe të menduar .
Asonanca e psherëtimave të gjetheve Me shkrehjen e valëve të Liqenit S’na ndahej e s’na ndahej !
Por, a do të kthehemi sërish te Poeti ?
1987


