More
    KreuLetërsiBibliotekëDy poezi nga Neviana Shehi

    Dy poezi nga Neviana Shehi

    ILUZIONISTËT E BREZIT TIM

    Iluzionistët e brezit tim
    nuk kanë më iluzione

    Një pjesë i humbën rrugës
    një pjesë ua gllabëruan
    liderët e së keqes

    Çdo ditë i shoh
    se si gëlltisin me dhimbje
    nga një gllënjkë demokraci të vdekur
    dhe lëshojnë nga një psherëtimë
    zhgënjimi në ajër

    Me pas varin kokat
    si zogj të plagosur
    dhe dalin këmbë zvarrë
    të gjejnë njëri tjetrin
    në kafenetë e zhurmshme
    të qyteteve tona të përgjumur

    Në fytyrën e njëri tjetrit
    ata shikojnë vetveten
    pasqyrat e dëshpërimit
    ju tregojnë se ata tashmë
    nuk kanë më buzëqeshje

    Atë që kishin dikur
    ua morën vitet

    Iluzionistët e dikurshëm
    ata që mbushnin sallat
    dhe sheshet e mitingjeve
    tashmë nuk mund t’i përdorin
    as duart

    Ato i kanë ende me plagë
    nga duartrokitjet e gjata
    për nder të iluzioneve
    dhe liderëve me kollare

    Në vitet e ardhshëm
    plagët e qelbëzuara
    do të qelbëzohen edhe më
    duke përhapur ngado
    një erë të rëndë mishi të kalbur
    mish iluzionesh


    VARKA PREJ LETRE

    Çdo ditë deti përplas në breg
    valë me ngjyra të ndryshme
    ndonjëherë shumë të kaltra
    të tejdukshme
    gjer në pafundësi

    Herë të tjera pak më të errëta
    me ngjyrë lëmyshqesh dhe algash
    që rriten thellësive
    në secilën prej tyre dalloj
    humorin e detit

    Ka ditë kur anije të mbytura
    dhe marinarë të pajetë
    pluskojnë në sipërfaqe
    si amanete të pambajtura
    dhe deti ngjan kaq i trishtuar

    Në këto çaste bëj gati
    një varkë prej letre
    dhe lundroj drejt Poseidonit
    mëshira e tij
    gjithmonë më ka intriguar
    edhe pa qenë magjistare
    edhe pa qenë nimfe

    Ju jeni të detyruar ta pranoni
    që jam Bashkëshortja e Poseidonit
    trupi im në formë vale
    dhe luspat e kaltra
    janë shenja që nuk ju lënë arsye
    të më kundërshtoni

    Sidoqoftë
    duke parë majën e pluhurit
    që ngrihet në ajër
    dhe fytyrën e xhindit
    që po del nga shishja
    ju bëj thirrje të shprehni një dëshirë
    prandaj i bie çdo çast
    kambanave të erës

    Mos flini kaq shumë o njerëz…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË