More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nusja e Borajve", tregim nga Sulejman Mato

    “Nusja e Borajve”, tregim nga Sulejman Mato

    Nëna qëndronte përballë, thurte me shtiza, ulur në stolin e saj të zakonshëm. Një natë më parë kishte qenë në Boraj. Kishte vdekur një nuse. Kishte vdekur të premten e ishte ngjallur të dielën. Ky lajm mori dhenë. Kishte ndodhur një mrekulli e padëgjuar.

    -Vërtet  u ngjall?

    – Vërtet, – tha ajo pa i hequr sytë nga shtizat.

    -E pe me sytë e tu?

    -Me sytë e mi po të kujt? – Vajta vetë aty dhe e pashë nga afër.

    – Sa ditë qëndroi e vdekur?

    -Tri ditë. Po ti pse pyet? Je shumë i vogël për t’i marrë vesh këto gjëra.

    -Ti  ke thënë se njeriu  nuk vjen më në jetë, – i thashë .

    -Se mos e pashë  kur vdiq.… Kështu thanë.

    Vizioni i nuses  kuçjote  që vdiq dhe u ngjall, si Jesu Krishti dy mijë vjet më parë,  më është shfaqur herë pas here, në jetë e në ëndrra. Më pas familja jonë u shpërngul në qytet.

    Edhe në shtëpinë e re nëna nuk iu nda shtizave dhe  luleve. Në ca vazo prej balte kishte mbjellë  menekshe, manxuranë , borzilok dhe dy vazo me karafila të bardhë. Kur hyra në shtëpinë e prindërve e gjeta sërish me shtiza në duar. Ishte ai çast i cili më solli ndër mend  historinë e vjetër të nuses së Borajve.

    -Të kujtohet ajo historia e nuses së Borajve?- e pyeta.

    – Si jo, – tha ajo.- Atëherë ke qenë i vogël dhe kisha frikë mos trembeshe. Unë shkova në Boraj një ditë pas ngjalljes së saj.

    I ishin mbledhur te koka  shumë gra dhe e shikonin me habi. Hapnin sytë, na. U dukej një çudi e madhe.  E kishin qarë dhe e kishin varrosur me kuje dhe, ja, ishte ngjallur  si Krishti dhe gjendej midis të gjallëve, në  odanë e Borajve, shtruar rreth e qark me qilim     leshi. Krevati i saj ishte mbuluar me një velenxë të kuqe  flakë.

    -E si kishte ndodhur?

    – Zerbin Gjollma, bariu i fshatit, duke kaluar pranë varrezave kishte dëgjuar një rëngë gruaje… Ishte afruar pranë varrit tërë frikë…” Një rëngë e mbytur i vinte nga nëntoka”. I tmerruar nga kjo çudi ia kishte mbathur  vrapit dhe ishte sosur me një frymë në Boraj. 

    Në çast u shkulën Borajt me gjithë mëhallë e shkuan te varri i saj. Mbajnë vesh…Një zë i thellë vinte nga poshtë dheut. E nxjerrin arkivolin nga dheu dhe e hapin. E gjora, ishte e gjallë.

    Për të gjithë ata që e kanë dëgjuar këtë histori është quajtur si një çudi e madhe, ndërsa, mua, që e kam takuar dhe e kam dëgjuar me veshët e mi, nuk ka kush të më bindë që vdiq dhe zoti e ngjalli sërish.

    -Ka pasur vdekje klinike…- i thashë unë.

     Tre ditë e vdekur? “Mjekësia nuk  njeh  raste të tilla”, – tha  ndihmësmjeku i fshatit, dhe ai  e  quajti një mrekulli të zotit.

    – Tri ditë?

    – Këtë e dinë të gjithë,- tha ajo. Tri ditë e tri net. Rrinte  e gjora në cep të krevatit si e hutuar dhe i shikonte të gjithë me radhë, e qetë e  kureshtare.

     – Mos më pyesni se nuk më lejohet…, – thoshte. Kështu e kishin porositur… Këtë gjë kishte thënë dhe në çastin kur e nxorën nga varri. Fjala u përhap në të gjitha fshatrat.

    “Kiameti!-kishte thirrur me zë të lartë halla ime kur e mori vesh. – Ja,  këto janë shenjat e para të Kiametit. Nusja e Borajve është kthyer në jetë si  shenjë e Kiametit, me një  kusht, të mos tregojë asgjë, çfarë ka parë dhe çfarë ka dëgjuar ato tri ditët e botës së përtejme.

    – Po të tregoj , – u kishte thënë ajo, – Zoti më merr sa  të hap gojën.

     Pra, ajo ka parë diçka… të mirë ose të keqe. Ajo ishte e vetmja dëshmitare në këtë botë që kishte parë diçka nga bota tjetër. Ishte e vetmja qenie në këtë botë që, për një arsye të pashpjegueshme, ishte kthyer, ishte e para herë që Zoti bënte një përjashtim: kthente një njeri në tokë.

    – Na thuaj diçka qoftë pë mirë qoftë për  keq?- e pyesnin.- Nuk trembemi ne

    – Nuk mundem…  fliste sikur të ishte  në ëndër ajo

    -Na thuaj vetëm ndonjë gjë, ashtu kot.

    – Jo. Jo, – kindershtonte ajo  me  sytë në tavan.

    Njerëzit që e rrethonin digjeshin nga kureshtja për të marrë vesh diçka nga bota e përtejme, edhe duke pranuar që ajo “të vdiste në çast”.

    Jo vetëm atë ditë, por edhe ditët e tjera ajo nuk e hapi gojën. Tmerrohej nga frika  se mos i prishnin mendjen, mos i bënin magji dhe ajo pa dashje tregonte të fshehtat e botës së përtejme.

    Vetë hoxha i fshatit, Hivziu, një burrë i gjatë dhe i fortë si një lis, i cili kishte mbaruar në Stamboll, kishte  bujtur në Boraj që atë natë.

     – Na lini pak vetëm, – kishte thënë. I kishte kënduar një sure turqisht dhe i kishte bërë ca pyetje si njeriu i besuar i Zotit, por ajo nuk e kishte hapur gojën.

    Atëherë ai kishte hapur një qitap të madh e të trashë, “Tabir name”, quhej, dhe kishte  rrëmuar në kodin e shenjave. Në libër shkruhej: “Njeri i nxjerrë nga dheu, rrezik i madh…” Po. Po. Një rrezik i madh  i kanosej botës….

    Lajmi mori dhenë.U përhap në të gjitha fshatrat e Kurveleshit. Ishte e drejta e lajmësve që në këtë histori, kudo që shkonin, të trillonin diçka nga vetja e vetë, dikush duke shtuar elemente nga parajsa e të tjerë duke shtuar elemente nga ferri. Versionet ishin të ndryshme. Në Kallarat flitej sikur, në intimitet, ajo i kishte treguar një kushërirës së vet se e kishin marrë dhe e kishin shtrirë në një pllakë guri të zjarrtë, “…duhet të ishte ai guri i Xhehenemit?” , i kërkonin t’u fliste për jetën e përkëtej varrit, për njerëzit e tyre të dashur, e më the e të thashë… Kjo gjë mund të ishte e vërtetë, pasi kur e kishën kthyer përmbys  i kishin parë në shpatulla  një shenjë të një djegieje.

    Në katundin Vërmik ishin hapur fjalë sikur nusja e Borajve ishte kthyer në jetë, për të trembur njerëzimin e për t’u kujtuar që Zoti  ekziston, që Zoti sheh, që Zoti nuk harron, si mesazh për ata që kishin nisur ta harronin. Nusja e Borajve ishte e bindur se do të vdiste shumë shpejt, ndaj  qëndronte si e shushatur, e shtrirë si lehonë. Njerëzit që hynin e dilnin i dukeshin si të huaj, madje edhe e ëma dhe i ati. Pas kthimit  nga jeta e përtejme,  jetonte si e huaj në këtë botë, e huaj dhe e tronditur nga gjithçka kishte parë, ndier dhe dëgjuar.

    E rëndësishme ishte që nusja e Borajve  ruante një sekret. I cili e shtonte edhe më shumë misterin e këtij kthimi të frikshëm. Tashmë ajo ishte njeriu më i ditur në gjithë rruzullin. Kishte parë një gjë që e kishte ëndërruar gjithë njerëzimi.

    Atëherë në fshat nuk kishte as telefona dhe as televizorë për ta shpërndarë  lajmin në gjithë botën. Po ta dinte njerëzimi këtë gjë do shkuleshin të gjithë televizionet e botës e të vinin aty, në atë fshat të humbur e të harruar. 

    – Mos e prekni Kjo gjë ndodh një herë në dy mijë vjet, – kishte thënë prifti i Pilurit. -. Vajza do të jetë kthyer si një shenjtore.

    – Po përse kaq vonë dhe përse në Kuç… në një fshat me barinj e që nuk besonin te Zoti?

    – Punët e perëndisë, – ishte përgjigjur prifti. Mbi perëndinë askush kush del.

    Versioni i   djegies në një pllakë bronzi, ndonëse ishte një trillim i pastër, u përhap më me shpejtësi dhe u duk më bindës.

    Kishte dhe një variant tjetër që pëshpëritej nën zë: Nusja e Borajve, e cila kishte vdekur gjatë lindjes së djalit, në çast kishte ndier zërin e fëmijës që i qante… Mos vallë, duke dëgjuar zërin e kësaj foshnjeje të porsalindur,  Zoti   ishte bërë pishman  dhe e kishte kthyer?

    Në Fterrë ishte hapur fjala që nusen e kishin rrëmbyer xhindet, dhe se shpirtin e saj e kishin grabitur engjëjt dhe e kishin ngritur gjer në qiellin e tretë, aty ajo kishte dëgjuar dhe gjuhën e engjëjve… ca fjalë që  e kishin trembur të gjorën aq shumë, aq shumë, sa, edhe pasi shpirtin e saj e kishin kthyer brenda trupit, ajo përsëri qëndronte si e tromaksur.

    Pëshpëritej nën zë dhe diçka tjetër, më e çuditshme : ” Foshnja e saj mund të ishte vetë Krishti i ri që do kthehej në tokë pas dymijë vjetëve… ” E pse jo? Po pse ne Kuç?  Në Bibël  thuhej që Krishti do të kthehet përsëri, pas 2000 vjetëve? Duheshin dhe 50 vjet? Mbase  llogaritë i kishin bërë gabim…

    -Për kokën e Bejtos!- përbetohej halla, duke shkuar derë më derë. – Kiametin e kemi  afër,  përgatituni moj gra. Lahuni, pastrohuni dhe vishuni mirë, mos bëni mëkate turpi dhe prisni, prisni. Mos më thoni s’u kam thënë. Unë i kam ditët të numëruara , mua nuk më zë ajo ditë, unë nuk do ta shoh mynxyrën e madhe që do të shihni ju. Për kokë të Bejtos , nuk ju gënjej. Futeni mirë në mendje këtë që keni parë. Eshtë shenja e parë e Kiametit”.

    E zeza vajzë! Nuk rrojti më shumë se një vit. E kishte të shkruar, me ditë, me orë, me minutë. Pikërisht një vit më vonë, në datën 14 janar të vitit 1956  nusja e Borajve vdiq. Kështu ,mori me vete dhe enigmën  e jetës së përtej varrit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË