More
    KreuLetërsiBibliotekë"Çereku i gjërave", cikël poetik nga Roland Gjoza

    “Çereku i gjërave”, cikël poetik nga Roland Gjoza

    KËSHTU KALON GJERSA VJEN NATA PËRSËRI

    natën gjaku yt fluturon në damarët e mi
    dhe gjaku im fluturon në damarët e tu
    zemra shkëputet prej teje
    imja gjithashtu
    në kraharor kam zemrën tënde
    në kraharor ke zemrën time
    nuk je ti që fle
    nuk jam unë që fle
    se dhe shpirti ka fluturuar në natën blu
    ti ëndrrat me mua i sheh
    dhe unë me ty
    veçse në mëngjes jemi dy të huaj
    ti zgjohesh në shtratin tënd
    unë zgjohem në shtratin tim
    po tek unë seç ka mbetur një grimë nga ty
    dhe tek ty seç ka mbetur një grimë nga unë
    me grima luajmë ditën
    nuk na mjaftojnë
    kështu kalon gjersa vjen nata përsëri
    të fluturojmë
    ti tek unë
    unë tek ti
    dhe ta mbajmë të fshehtë
    mos t’ia themi njeriu


    KAM KAQ KOHË QË PRES

    kam kaq kohë që pres
    dhe s’kam ç’bëj
    oqeanin këpus 
    petale
    petale
    petale blu
    pastaj pendohem
    e bëj gonxhe të pahapur
    gjer në muzg
    kur të vijë ajo
    dhe të vrapojë me fustanin e mbledhur mbi gju
    përgjatë kumit të platintë
    prej dritës së hënës
    do t’i marrë erë
    dhe do të qeshë
    me oqeanin gonxhe
    që do të hapet
    dhe qielli do të bjerë brenda
    si në një kupëz verë
    buzët do të vërë
    dhe do ta pijë
    dhe do të dehet
    unë me oqeanin- trëndafil në dorë
    ajo me qiellin brenda në mish
    ajër dhe ujë
    ndjekim njëri-tjetrin
    e bëjmë botën
    tango
    sërish 
    prej thike dhe gjaku
    tango
    dy kërcimtarë blu
    prej uji dhe ajri
    që duhen
    çmendurisht


    NË MARSH KUJTIMET

    në marsh kujtimet, në marsh
    do t’i nis ushtarë në luftë
    një kostum për të qenë s’e kam
    se s’duhet
    takimet me vajzat u harruan
    dhe ajo fizarmonika e vjetër ka dalë jashtë mode
    as atletet s’më shkojnë
     
    në marsh kujtimet, në marsh
    do t’i nis ushtarë në luftë
    brisku më priste lëkurën
    me copa gazete i shkoja asaj
    m’i hiqte ngadalë me të puthura
    po s’ka më
    as plazhe blu
    ku bëhej fshehurazi pasarela e modës
    me veshje demode
     
    në marsh kujtimet, në marsh
    tango më vijnë në kohën e repit
    dhe valse
    më përzihet zëri i modunjos me të tupakut
    ajo triska e ushqimeve
    me fast food-in
    vetëm të shfaqej buzëqeshja e saj
    burgu kthehej në karamele
    dhe çokollatë
    dy tri ditë në polici për rrahje
    s’më fliste nëna një javë
    ishte koha e rrufeshme e dashurisë
    e rivalëve
    e grindjeve
    e tradhtive
    ishte koha e bukur e bukurisë
     
    në marsh kujtimet, në marsh
    do t’i nis ushtarë në luftë
    le të vriten
    po e di
    qoftë dhe një të mbetet gjallë
    do më sjellë kujtimin e saj
     
    në marsh kujtimet, në marsh
    dhe i nis ushtarë në luftë
    po ato marshojnë në drejtim të kundërt
    s’vritet armiku
    po unë


    GRATË QË DASHUROVA

    filxhani i kafesë ngjitur me kompjuterin
    i pirë përgjysmë dhe i harruar
    begonies dhe irisit blu s’i hodha ujë
    dhe ilaçet nuk i piva në mëngjes
    sa herë shkruaj poezi për gratë që dashurova
    vijnë  zemrat e tyre që rrahin me tërbim
    dhe përplasen mbi zemrën time të lodhur
    vijnë netët romantike me seksin më të çmendur
    dhe përplasen mbi netët e mia me ilaçe
    vijnë puthjet e nxehta dhe fjalët plot epsh
    dhe përplasen mbi buzët e mia që s’puthin
    vijnë flokët me parfume ku fusja kokën dhe iu merrja erë
    dhe përplasen mbi kaçurrelat e mia të thinjura
    vijnë ditët e gëzuara plot dete, më blu se blu
    dhe përplasen mbi sytë e mi që po shuhen
    vijnë të gjitha dhe më shtypin dhe më shembin dhe më lenë pa frymë
    dhe më vdesin dhe prej vdekjes unë bëhem i ri dhe i bukur


    ÇEREKU I GJËRAVE

    te çereku i gjërave
    është ajo
    kërkojeni te mbetjet e vogla
    te ajo gota e ujit që e pimë më parë ne
    te fruti i ngrënë përgjysmë
    dhe gjysmën e hëngri ajo në fund pa u vënë re,
    te buka
    te ajo thërrime që e mblodhi me duar
    kur nuk kishim
    ishim të këputur
    dhe e përtypi bashkë me hënën në dritare duke na pritur gjer ndaj të gdhirë
    nuk flinte pa ardhur të gjithë
    nga rruga.
    ajo është te një copë filmi që e pa kalimthi
    te një copë dasme ku iu desh të gatuante, të fshinte dhe të lante
    ështe te koha
    kjo është më e rëndësishme
    koha
    që na fali duke na lënë të shëtisnim
    dhe të bënim dashuri
    dhe të lindnim fëmijë
    dhe ta kishim gjithë kohën për vete
    se ajo ishte banka e kursimit
    të kohës
    që na bëri milioner të shijimit të jetës
    ajo rrojti me mbeturinat që linim ne
    te pavëmendshmit
    egoistët e mëdhenj
    dhe kur iku la porosi të mos shpenzonim për varrin
    se i kishte ruajtur paratë
    në shaminë e saj mbledhur bohçe
    në shaminë me lotët e fundit
    iku
    s’na u besua që s’do të kthehej më
    ishim mësuar me të
    tani e kuptuam sa e donim
    ishim gati të vdisnim për të
    por ishte vonë
    kishim mbërritur për vete
    te çereku i gjërave.

    DOLA NËN DRURË
    TË KËRKOJA MUZËN

    muza më la, thashë me vete, më braktisi, bëra siç bëja gjithmonë,
    dola nën drurë të recitoja vjersha të poetëve të mëdhenj
    poezitë që sapo kisha përkthyer të giacomo leopardit dhe gabriele d’annunzios
    “pafundesi“ dhe “agu ndan dritën nga errësira” dhe ndërsa ecja
    më vinin rrotull zogj të vegjël shkurresh që fluturonin ulët
    zura vend në një stol dhe me gjeste ndaja dhe unë dritën nga errësira
    shikoja lart në qiell dhe lutesha të më vinte muza
    dhe më dukej sikur dëgjoja meshën ave maria
    me një përdëllim ngashnjyes
    diçka tingëlloi te këmbët e mia
    ishte një 25 centësh
    dikush më kishte marrë për lypës.


    NETË DASHURIE

    më duket se plakjen ia shkaktova unë
    tani që e shoh lakuriq mbi shtrat duke më pritur
    kam një muaj që shkruaj një roman
    dhe jam nga fundi
    kafe, çokollata, advil për dhembjen e kokës mbi skrivani
    ja dhe ky paragraf  dhe do ta le
    prej saj s’vijnë më zëra si dikur; eja, pra, shkoi ora një..?
    erdha shpirt, por s’kisha ndërmend
    ajo flinte në lakuriqësinë e saj me dy duart mbledhur midis kofshëve dhe gjinjtë e drejtë me thithkat si gjemba që e kishin humbur ngjyrën e trëndafiltë dhe ishin bërë mavi
    prej dritës së abazhurit mbi komodinë
    flinte një sirenë e ujërave prej drite
    unë ende kisha nëper trurin që më digjej një skenë dashurie që po jepte shpirt
    siç kishte ndodhur me sirenën time
    më duket se rrudhat, ato vija të prishura, ato blana, ia kisha shkaktuar unë
    sa netë romanesh dhe poezish kishin  prishur dashurinë, sa puthje të munguara, sa orgazma ulëritëse, sa dhëmbë në mish të ngulura
    me muzat e kisha tradhtuar
    tani s’bëj gjë tjetër veçse e mbuloj duke i kërkuar falje buzëve të thara, gjinjve të medhenj te lëshuar brinjëve, kofshëve të medha me shenjat e venave blu, pubisit gjysmë të fshehur,
    i mbuloj ngadalë, i shuar, i drobitur prej shkrimit, më fal, më fal, pëshpëris, o zot, pse dashurove shkrimtarin.


    TI JE TERRORISTJA

    në aeroporte më ndodh më tepër, kur lë amerikën
    ngatërroj exite-t dhe gate-t, jam vetëm, s’të kam ty
    dhe kur më pyesin për biletën më duket se për emrin tënd më pyesin
    dhe emrin tënd them
    përgjigjem tjetër për tjetër
    stuardesat qeshin, rojet e sigurisë vrenjten
    ç’ke në valixhe?
    une them emrin tënd
    ata shikojne njëri-tjetrin
    ma hapin dhe natyrisht s’gjejnë asgjë
    po një shenim i dyshimtë më ndjek nga pas
    ti je terroristja, po askush s’e di
    as ti vetë, natyrisht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË